Debati/ Lexuesi pamje të kthjellët apo shpërfillës për autorin shqiptar?! Për shqetësimin e sotëm në tregun dhe shpërndarjen e librit, ka ndare mendimin e tij shkrimtari Agron Tufa
Agron Tufa
Ndodh jo vetëm tek ne, por në të gjitha kulturat, që përqindja e letërsive të përkthyera me letërsinë origjinale të kulturave shkon në 95% përkthimi dhe, 5% botim autorësh të gjuhëve origjinale përkatësisht të çdo kulture. Tek ne ndoshta mund të shkojë edhe më shumë; jemi kulturë e vogël dhe përkthimet janë më të mëdha. Problemi është që shkrimtarëve shqiptarë nuk i është bërë shërbimi që meriton të ketë një shkrimtar, kudoqoftë edhe, kamerunas, kinez apo eskimez…!! Nuk po flas për bizantinizmin se si janë sjellë shtëpitë e tjera botuese kur kam pas më parë librat. Nuk është çështja tek unë, që po flas, por nga mënyra si trajtohet libri i autorëve shqiptarë. E para, nuk ta pranojnë librashitësit. Na është bërë një instancë, i cili thotë: jo nuk e pranoj. Ai niset nga ideja që një autor të përkthyer, një autor të huaj, do ta blejnë dhe shqiptarin nuk e blejnë ndaj librin shqip nuk e vënë në librari. Tjetër argument është se librit nuk i shërbehet ose siç kemi thënë nuk ka asnjë gazetë, revistë…nuk ka infrastrukturë periodikësh që të kapin dinamikat javore, mujore, të dy- tre muajshme, almanak gjashtë mujor, apo format e tjera si sstudiot etj, në fakt edhe, kur janë s’ka asgjë. Në mediat e përditshme ka faqe kulture, por ato janë asete të brendshme miqësish. Këtë e di. Nuk besoj se njerëzit lexojnë më gazeta.
As portale. Pra, është një situatë katastrofike që nuk e merr vesh çfarë ka, çfarë ndodh, ç’është, kush? Është një amalgam që duhet trajtuar, marrë seriozisht nëse ne do dëshirojmë të kemi një pamje sa më të qartë të shkrimtarëve. Edhe kur këta ishin gati në perëndim të tyre. Para gjashtë shtatë vitesh, po në këtë panair, kemi qenë duke promovuar një roman të shkëlqyer të shkrimtarit Virion Graçi, “Litari dhe lamtumira”. Ishim në katin e dytë, të vendosur në një kthinë, këtu tek Pallati i Kongreseve, kur u bëmë gati…Ishte e pamundur. Ulërimat, jehonat, brohoritjet vinin poshtë nga promovimi i asaj letërsie që e quajmë letërsi masive, masovike, tip Blushi, Fevziu, Ngjela etj që kishin marrë në dorë të gjithë hektarët me libra që ekzistojnë në këtë ndërtesë. Ishte kjo kategori që sillte ushtritë e panumërta gjimnazistësh, nxënësish…pra ishte diçka e llahtarshme, një pamje e tmerrshme. Ne, nuk arritëm dot të promovojmë një roman që ishte e vetmja letërsi artistike në këtë “tempull”. U bë një festë e përbindëshit në këtë tempull.
Tani, sot për t’ju rikthyer temës, se çfarë mund të bëhet them se kjo është një pikëpyetje e madhe që natyrisht nuk e jap dot, unë, përgjigjen. Por di të konstatoj se problemet më të mëdha ne i kemi me shpërndarjen; tregu dhe librashitësit. Nxjerrja e librit në librari dhe pranimi prej tij, i asaj instance tepër të rëndësishme, që është bërë, dhe quhet librashitës. Po nuk deshi ai, ti, nuk mund të bësh asgjë.
Si mund të rregullohen këta? Kjo është një çështje që s’mund ta rregullojnë as shtëpitë botuese. Por, kjo mund të jetë një stradegji e mirëmenduar e politikave kulturore e këtij shteti nëse nuk është lënë në dorë të xhambazëve. Politikisht duhet të ndërhyjë shteti dhe të rregullojë marrëdhëniet me botuesit shqiptar dhe, të krijojë një infrastrukturë që libri të shkojë aty ku ka destinacionin. Ne mbetemi gjithmonë këtej urës, ose këtej bregut, nëse nuk ekziston ura që e çon librin tek lexuesi. Kaq dëshirojmë ne, kaq dëshirojmë gjithmonë: të jemi shkrimtar që gjendemi. Dhe jo të mbetemi vetëm brenda magazinës së shtëpisë botuese ku kemi librat. Për fat të keq kjo ka qenë për shumë kohë. Prandaj, ishte shkëputja ime demonstrative dhe zgjedhja e shtëpisë botuese Onufri, ku të paktën libri trajtohet me dashurinë që e meriton, me finesë dhe me vëmendjen e duhur.
*Fjala e mbajtur për debatin mbi lexueshmërinë në stendën “Onufri”, gjatë ditëve të panairit të Librit, Tiranë 2018