Antarët e Trashëgimisë Evropiane, njohur si organizata Europa Nostra kanë lanccuar manifestin për trashëgimisë kulturore, një platformë informale që bashkon 50 rrjete evropiane dhe ndërkombëtarë aktivë në fushën e trashëgimisë dhe më gjerë. Anëtarët e Aleancës së Trashëgimisë Evropiane përfaqësojnë një elektorat shumë të madh të përbërë nga dhjetëra milionë qytetarë të Evropës. Që prej fillimit të saj në qershor 2011, koordinimi i Aleancës është siguruar nga Europa Nostra. Ky është Manifesti i organizatës EUROPA NOSTRA për të kuptuar se çfarë roli të rëndësishëm luan Trashëgimia dhe Kultura sidomos në kohët e vështira që po jetojmë. Ky Manifest është nxjerë tashmë në gjuhën shqipe edhe në faqen e tyre.

Në këtë Ditë të Evropës, kur përkujtojmë 70 vjetorin e Deklaratës së Schuman dhe fillimin e procesit të integrimit evropian; Në një kohë, kur Evropa dhe i gjithë planeti po përpiqen të kapërcejnë një krizë të paparë të shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe kur duhet të përcaktojmë politika të fuqishme për të rivendosur dhe rindërtuar shoqëritë dhe ekonomitë tona;

Duke pasur parasysh, që bota e gjerë e kulturës dhe e trashëgimisë kulturore është prekur rëndë dhe në mënyrë të veçantë nga pandemia, me dëmtime serioze kulturore, sociale dhe ekonomike për profesionistët dhe vullnetarët e trashëgimisë;

Të impresionuar nga përpjekjet e jashtëzakonshme të bëra nga aktorët e kulturës dhe trashëgimisë, për të mbajtur lart shpirtrat e njerëzve, duke ndarë me ta një ofertë jashtëzakonisht të pasur të përmbajtjes kulturore;

Ne, përfaqësuesit e komunitetit të gjerë të trashëgimisë aktive në të gjithë Evropën, jemi mbledhur nën flamurin e Aleancës së Trashëgimisë Evropiane, për të përcjellë një mesazh të fortë të solidaritetit, shpresës dhe unitetit për udhëheqësit dhe qytetarët e Evropës. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në rimëkëmbjen e menjëhershme sociale dhe ekonomike të Evropës, si edhe për përparimin afatgjatë të projektit Evropian;

Frymëzuar nga vizioni dhe guximi i Robert Schuman dhe i shokëve të tij, 70 vjet më parë, ne besojmë fuqimisht, se duhet të kapim krizën aktuale për të vendosur kulturën dhe trashëgiminë kulturore aty, ku e kanë vendin: në zemrën e ringjalljes së Evropës;

Ashtu siç u demonstrua gjatë Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore në 2018, ka shumë mënyra, me të cilat trashëgimia kulturore mund të veprojë si katalizator për ndryshime pozitive.

Në këtë Manifest , ne veçojmë 7 mënyra të ndërlidhura, që vërtetojnë faktin më lart:

1) SHËRIMI I EVROPËS

Në kohë emergjencash shëndetësore, trashëgimia kulturore luan dhe do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor për mirëqenien fizike dhe mendore të çdo individi dhe shoqërive tona në tërësi. Siç dëshmohet nga një fushë e pasur si letërsia, por gjithnjë e më shumë e njohur edhe në vendimmarrjen publike, mirëqenia është një koncept holistik, që përfshin nevojat emocionale, sociale, kulturore, shpirtërore dhe ekonomike, të cilat lejojnë individët të realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe të përfshihen në shoqëri në maksimumin e kapacitetit të tyre. Prandaj, investimi në trashëgimi kulturore do të thotë të investosh në shëndetin publik, mirëqenie dhe të përmirësosh cilësinë e jetës së njerëzve.

2) TË JESH EVROPË

Në një kohë, kur e gjithë bota po përballet me një transformim të thellë të mënyrës sonë të jetës, trashëgimia dhe vlerat tona të përbashkëta kulturore përbëjnë një spirancë dhe busull shumë të nevojshme. Ato vërtet mund të na japin një orientim dhe frymëzim për të bërë zgjedhjet e duhura, që kemi përpara. Trashëgimia kulturore siguron lidhjen mes rrënjëve, identitetit e traditave tona dhe tablosë më të gjerë evropiane dhe globale. Pjesëmarrja dhe përfshirja në trashëgiminë kulturore na mundëson gjithashtu të përqafojmë larminë tonë dhe ta përdorim atë si burim pasurimi dhe kreativiteti. Se si e ndiejnë dhe e kuptojnë trashëgiminë e tyre të përbashkët qytetarët evropianë dhe si lehtësohet ky proces i interpretimit të trashëgimisë, është thelbësore për të ardhmen e Evropës. Kjo është arsyeja pse investimi më i madh në kulturë, arsim, shkencë dhe inovacion duhet të jetë në zemër të promovimit të mënyrës sonë evropiane të jetës – në larminë e saj të plotë. Kjo është gjithashtu arsyeja pse në të ardhmen, një “Bashkim Evropian i Vlerave të Përbashkëta” duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa bashkimi ekonomik, monetar ose politik i Evropës.

3) TRANSFORMIMI DIGJITAL I EVROPËS

Shpërthimi i COVID-19 ka nënvizuar rëndësinë kritike të qasjes digjitale në trashëgiminë kulturore. Në një kohë, kur njerëzit kërkojnë të qëndrojnë më pranë së bashku duke qëndruar larg fizikisht, organizatat e trashëgimisë kulturore në të gjithë Evropën janë ngritur te sfida. Evropa tashmë luan një rol kryesor në trashëgiminë kulturore digjitale dhe ka potencialin të përparojë me teknologji të reja, si inteligjenca artificiale dhe mësimi përmes makinerisë bazuar në parimet humaniste dhe etike. Tani duhet të punojmë së bashku për të përshpejtuar dhe përmirësuar më tej këtë transformim digjital. Në të njëjtën kohë duhet të ngushtojmë ndarjen midis institucioneve, që kanë pajisje digjitale dhe atyre, që nuk kanë. Ne kemi nevojë për të demokratizuar qasjen në trashëgiminë tonë për të mbështetur diversitetin, përfshirjen, krijimtarinë dhe angazhimin kritik në arsim dhe shkëmbimin e njohurive. Ne duhet të promovojmë bashkëpunime dhe eksperimente, që forcojnë kapacitetin tonë për inovacion. Dhe ne duhet të nxitim përdorimin e teknologjisë dhe ekspertizës digjitale, për të forcuar rolin e institucioneve tona kulturore në tregimin e historive tona evropiane.

4) GJELBËRIMI I EVROPËS

Ndërsa Bashkimi Evropian po punon për “Marrëveshjen e gjelbër evropiane” të tij historike, ne duhet të sigurojmë, që dimensioni kulturor i transformimit të gjelbër të shoqërisë dhe ekonomisë sonë të merret plotësisht në konsideratë. Trashëgimia jonë kulturore, përfshirë peizazhet kulturorë, kërcënohet rëndë nga ndryshimet klimatike. Por bota kulturore, me pasurinë e saj të njohurive dhe aftësive tradicionale, gjithashtu mund të përdoret për të zgjeruar më tej praktikat e zbutjes dhe përshtatjes, të cilat mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave ambiciozë të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Ne mbështesim fuqimisht thirrjet për një “rimëkëmbje të gjelbër” të Evropës pas pandemisë dhe jemi të bindur për potencialin e pamatë të trashëgimisë kulturore për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi.

5) RIPËRTËRITJA E EVROPËS

Studimi i spikatur aktual ‘Rëndësia e Trashëgimisë Kulturore për Evropën’ është një dëshmi e fortë e përfitimeve të qarta të investimit të trashëgimisë për rigjenerimin e qyteteve dhe rajoneve, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë komunitar. Duke pasur parasysh mundësinë e humbjeve dramatike të vendeve të punës, ne i nxisim liderët e BE-së të investojnë në rigjenerimin e udhëhequr nga trashëgimia të zonave urbane dhe rurale, duke mundësuar dhe forcuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Evropës. Në këtë mënyrë, Evropa jo vetëm që do të ruajë shumë vende pune ekzistuese dhe mjeshtëritë e lidhura me to, por gjithashtu do të krijojë vende të reja pune, duke filluar nga zanatet e specializuara deri në përdorimin e sofistikuar të teknologjive digjitale dhe të teknologjive të tjera të reja. Një e tillë “marrëveshje e re për trashëgiminë kulturore” do të nxisë risi sociale dhe ekonomike dhe do të kontribuojë në një përmirësim të madh të mjedisit tonë të jetesës. Potenciali i madh i rigjenerimit të udhëhequr nga trashëgimia në qytete historike e fshatra në të gjithë Evropën mund të bëhet realisht një “ndërrues i rregullave të lojës” drejt një Evrope më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

6) TË PËRJETOSH EVROPËN

Përballë ndikimit katastrofik të pandemisë në industrinë e turizmit për shkak të kufizimeve të udhëtimit dhe lëvizshmërisë, i cili vë në rrezik 13 milion vende pune në Evropë, ne mbështesim plotësisht apelin për një “plan të madh të shpëtimit të turizmit në BE”. Ky plan duhet të përfshijë masa të posaçme për ringjalljen e turizmit kulturor, një nga segmentet më të mëdha dhe më të shpejtë në rritje anembanë botës, i cili zë 40% të të gjithë turizmit evropian. Turizmi ka nevojë për trashëgimi kulturore dhe trashëgimia kulturore ka nevojë për turizëm. Por ne shërohemi nga kjo krizë duke e përdorur atë si një mundësi për të promovuar forma më inovative dhe të qëndrueshme të turizmit. Duke vepruar kështu, ne do të ofrojmë përfitime të qëndrueshme për pronarët publikë dhe privatë të vendeve të trashëgimisë dhe për komunitetet, që i rrethojnë ato, duke gjeneruar përvoja me cilësi më të lartë dhe kënaqësi më të madhe për vizitorët.

7) TË PËRQAFOSH BOTËN

Së fundmi, siç ka treguar kriza aktuale, ndërlidhja e qartë dhe brishtësia e njerëzimit i jep Evropës një mundësi unike për të forcuar rolin e saj pozitiv dhe konstruktiv në botë. Kultura dhe trashëgimia kulturore janë shtytësit kryesorë për forcimin e respektit, mirëkuptimit dhe besimit, si parakushtet për solidaritetin dhe bashkëpunimin global. Kështu, Evropa duhet të përdorë burimet e saj të pasura kulturore për t’i dalë në ballë këtij procesi.

Në dritën e argumentave të mësipërm, duhet të mobilizojmë urgjentisht dhe në mënyrë kolektive fuqinë transformuese të kulturës dhe trashëgimisë kulturore për të siguruar kuptim dhe frymëzim për rimëkëmbjen e gjelbër dhe gjithëpërfshirëse të Evropës gjatë pasojave të pandemisë. SË BASHKU, mund të vëmë në punë potencialin e tyre të plotë për një të ardhme më të mirë për Evropën Tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}