Nga Islam Spahiu
Një ndër monografët më në zë të Dostojevskit ka qenë pa dyshim slloveni Janko Lavin, novelist, poet, kritik, përkthyes, profesor në universitetin e Nottingamit (Angli) për gjuhët sllave dhe si studiues, entuziast i psikoanalizës. Në monografinë e shkëlqyeshme mbi Dostojevskin, na ka dhënë mundësinë të shohim analizat psikologjike të gjeniut rus: gjeti këndvështrimin e mrekullueshëm për të parë këtë realitet për të cilin vete Dostojevski ka deklaruar: Ç’gjë mund të jetë për mua më fantastike se realiteti? Lavin shkruan: Në qoftë se ketu shohim që një nga detyrat më themelore të artit është zgjerimi dhe thellimi i njohjes tonë mbi njerëzit e jetën, atëherë Dostojevskin si artist mund ta vendosim pa ngurim pranë Shekspirit: Ndërsa shkrimtari i famshëmLeon Daudet thotë: Mundet që ai të jetë, pas Shekspirit dhe Eskilit, njeriu që ka zbritur më thellë, më ashpërsisht, në abisin e zemrave dhe trupave. Në këtë shkrim, do të kemi kënaqësinë të vëmë në dukje një dukuri të panjohur apo të paçmuar më parë. Eshtëfjala te fuqia që ka arti në botën e brendshme të njerëzve. E këtë Lavrini na e zbulon në faqet e çuditshme të kryevepres dostojevskiane, “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve” e quajtur kështu nga vetë autori si dëshmim të “Katorga”-s siberiane ku ai vuajti dënimin e burgut me punë të detyruar. Eshtë një dokument i pashoq, jo vetëm për arsye te mosrezervimit të tij, por edhe për dritën që u hedh shpirtrave dhe karaktereve të kriminelëve. Duhet të kishin kaluar gjashtë vjet qysh kur Dostojevski kish shpëtuar nga Katorga. Kjo periudhë kohe mjaftoi që gjërat me kryesore t’i nxirrte nënjë dritë më të zbuluar, kështuqë për ndjenjën vetjake të urrejtjes e të mëshirës mbeti fare pak vend. Riprodhimi i atmosferës së përgjithshme të kolonisë ndëshkimore dhe të portreteve të banorëve të saj që jep Dostojevski, janë aq të efektshme, sa ç’është pa passion dhe i qetë vetë tregimtari. Megjithëse ai pati pak kontakt me këta keqberes, ai i vrojtoi dhe i analizoi ata.Se çfarë tabloshë depërtuese jep ai me shfaqjet e ndryshme të jetës në “Katorga”, mjafton vetëm skena e banjos ku ishin rrasur kriminelët! Pa veni para jush një dhomë, dymbëdhjetë këmbë të gjatë po aq te gjerë, ku janë ngjeshur njëqind burra, ose të paktën tetëdhjetë – Të gjithë ne ishim dyqind, të ndarë në dy grupe. Avulli na verbonte. Djersa, ndyrësia, ngushtësia, ishin të tilla sa ne nuk donim ta venim asnjërën këmbë në tokë. Me mundim arritëm sa për t’u ngjitur nëpër banga duke kaluar sipër kokave të tjerëve që ishin ulur në dysheme, të cilët ne i lutnim që t’i ulin kokat për të kaluar ne. Por të gjitha bangat ishin të zëna me te burgosur. Ata rrinin me këmbë me kova në duar, duke hedhurme hope ujin e ndyrë që rridhte nga trupat e tyre mbi kokat e qethura të atyre që rrinin në dysheme… Avulli nëçdo minutë bëhej gjithnjë më i dendur e nuk ndjehej më ngrohtësia por një djegie si ajo e ziftit. Ulurima dhe bërtima e të burgosurve shoqërohej nga muzika e rrapëllimës së qindra zinxhirëve që zvarriteshin në dysheme. Aty degjohej një rrëke të sharash në se ndonjëri mplekste zinxhirët me një tjetër, e duke vënë përdhe gricej me kokat e qethura dhe trupat e kuq të cilëve avulli u kish dhënë ngjyrën e gjakut, në këtë rast ata silleshin aq keq sa s’ka më. Në trupat e skuqur si gaforret, avulli nxirrte në pah gjurmat e nxira të kamxhikut dhe të purtekave, të shkaktuara shumë kohë para se të vinin aty poshtë; e kjo shfaqej me aq forcë sa dukeshin sikur ishin bërë në ato çaste. Nxirje të cuditshme. Përsëri filloi avulli, e tani dhoma e banjos u mbush me një re të dendur përcëlluese si dhe me levizje të rrëmbyeshme sendesh e britmash. Krejt tjetër ish përshkrimi që bën Dostojevski për shfaqjet teatrale që të burgosurit, me zinxhira ndër këmbë, zhvillonin me rastin e Krishtlindjeve. Eshtë një dëshmi e mrekullueshme fakti që, edhe tipat më të poshtër e më të degjeneruar moralisht, – të paktën herë, herë – shndërroheshin në njerëz të mirë nën efektin e artit, shtytja e të cilit krijonte një lirim shpirtëror dhe në këtë mënyrë ata e shijonin atë si njerëz të lirë. Ato të mira që fshiheshin tek ata, shpërthenin spontanisht në këto orë kur ata duhet të harronin që ishin përzënë nga shoqëria njerëzore. Edhe sasia e talenteve të ndryshëm dhe të entusiazmit që Dostojevski zbuloi tek këngëtarët, apo interpretimet në këtë shfaqje, e prekën thellë. Në mënyrë paradoksale, Dostojevski, ky bir qyteti, erdhi në “Katorga” në kontakt të drejtëpërdrejtë me popullin rus. Si skeptik që ish ndaj karakterit njerëzor, ai ngutej me dëshirën për të besuar mënyrën “ruse”, pasi duke gjetur të dhëna ne tiparet e kriminelëve, ai e ndjeu atë. E në tëvërtetë, ashtu siç shihet, besimi i Dostojevskit në popullin rus lindi pikërisht në këtë vend, edhe pse ish një koloni ndëshkimore. E për këtë ja se ç’thotë: Pa hiqja njeherë atij populli shallin e ashpër – në qoftë se nuk ke ndonjë paragjykim – e menjëherë do të shohësh së afërmi vlera që ti nuk mund t’i marrësh me mend. Filozofët tanë e njohin pak popullin tonë. Madje do t’u thoshja kaq: “Shkollën mund ta bëni te ai”. Të këtij mendimi kanë qenë një numër i madhindividësh të shquar me veti të mira natyrore të cilët, duke dashur si gjithmonë të shohin të kaluarën e tyre, janë zbuluar në këta njerëz të liq. Përfundimi i tyre ish që, çdo kriminel, qoftë më i talentur apo me karakterin më të fortë, e që forcën e tij nuk e ushtroi kurrë me drejtësi, dashur pa dashur ka rënë në rrugë të gabuar. Sepse fuqia e madhe, së cilës i mungon masa e veprimit, është gjithnjë në rrezik të kthehet kundër vetvetes dhe merr një drejtim negativ dhe shkatërrues. E Dostojevski e mbyll kështu këtë mendim:Sa rini e trishtuar, sa forca të pashfrytëzuara u mbyllën dhe humbën brenda atyre mureve. Rini dhe forca që mund të ishin aq të dobishme për botën. Unë mund të shpreh kështu mendimin tim. Djelmoshat e pafat ndoshta këtu qenë më të fuqishmit, dhe nga njëpikëpamje apo në tjetër, më të talentuarit e popullit tonë. Këtu shkoi kot gjithë fuqia e trupit dhe e shpirtit të tyre. Gabimi i kujt qe ky? Eshtë shumë interesant mendimi i Niçes mbi Dostojevskin. Ai pat thënë për të qëish i vetmi nga i cili kish mësuar diçka në psikologji dhe argumenton: Dostojevski i përket rastit më fatlum të jetës sime, më shumë se vetë zbulimi i Stendhalit. Ndërsa në veprën “Perëndim i idhujve” shkruan: Tipi i kriminelit është tipi më i forte në kushte të përshtatshme, një njeri i bërë i fortë nga sëmundja… Për këtëështë i nevojshëm dëshmimi i Dostojevskit, ky njeri i thellë që jetoi gjatë në kampin e punës së detyruar e nuk e gjente atë që priste te të burgosurit e galerisë të cilët nuk kishin më kthim në jetën e lire shoqerore, ishin si drunjtë e fortë e të vlefshëm të gdhendur, të rritur në tokën ruse.Si perfundim, kjo vepër zuri vend të veçantë, jo vetëm në letërsinë ruse por edhe në kriminologji. Nuk qe i rastit që Dostojevski tregoi interes të veçantë për krimin në më të shumtit e romaneve që vazhduan dhe këtë e shprehu në mënyrë të përsëritur. *Studiues. Titulli është redaksional, origjinal është: Dostojevski-Për fuqinë e artit në shpirtrat dhe karakteret njerëzore