Albana Tali/ Nju Jork

Zhvilimi i shoqërisë dhe avancimi në aftësitë për të prodhuar, e ka bërë jetën e secilit prej nesh më praktike dhe më të lehtë. Por, a po e kalojmë vijën e lejuar përmes procesit të prodhimit, fabrikimit, duke e përdorur këtë të fundit jo vetëm për prodhim objektesh, por edhe emocionesh, stereotipash dhe modelesh jo te shendetshme?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj dua të ndalem tek impakti qe media ka mbi prodhimin e këtyre të fundit.

Si në kohë pandemie kam shpenzuar më shumë kohë se çdo herë tjetër para TV. Më bëri përshtypje sa shumë shfaqje televizive ( reality shows) ishin krijuar me fokus ndjenjat dhe marrëdhëniet në çift.

Shpesh njeriu tendencën të përqafojë iluzione, vetëm sepse prezantohet iluzioni që ajo që po sheh është e pranuar nga shumica. E vërteta qëndron në faktin se, është po përsëri media ajo që po na imponon realitetin e shfaqur përmes ekranit si atë të shumicës.

E nëse ne e pranojmë këtë dhe e shohim ashtu siç po na portretizohet, pa investiguar dhe kërkuar më thellë, dashur pa dashur po lejojmë që të menduarit tonë të fabrikohet.

Teksa po ndiqja një prej këtyre shfaqjeve, më tërhoqi vëmendjen një prononcim i autorit të saj. Me tërë pushtetin që media i dha atij në atë moment, ai pohoi duke justifikuar sjellje dhune, abuzim me alkoolin dhe lakuriqësine me faktin që kjo është çfarë pjesa më e madhe e e rinisë bën sot. E këtë e thonë të gjithë autorët ë këtij formati.

Këtu kemi dy probleme tepër të rëndësishme, të cilëve u duhet dhënë zë. Së pari, nëse një studim i mirëfilltë nuk është bërë mbi sjelljet që dominojnë sot rininë, ky pohim i gënjeshtërt po imponon,  krijon një iluzion, një realitet jo ekzistues.

Së dyti, nëse një studim është bërë, dhe po, këto sjellje janë dominuese në pjesën më të madhe të grupit që këto shfaqje përfaqësojnë, vjen pyetja ku është përgjegjësia e një prej pushteteve më të fuqishëm, medias?

Sipas një studimi të bërë në 2012 nga Schneider, Gruman dhe Counts thuhet se, njerëzit kanë më shumë shanse të shfaqin një sjellje dhune, nëse janë ekspozuar ndaj saj si një sjellje e justifikuar. Kjo sipas teorisë social konjitive, është një arsye se përse media duhet të kuptojë reagimet që ndjekësit e saj mund të kenë si pasojë e shikimit të këtyre shfaqjeve televizive. Nëse media e prezanton një sjellje si të pranueshme, dashur pa dashur edhe shikuesit do kenë të njëjtin perceptim.

Është e njëjta gjë edhe me shfaqjet ku në bazë kanë afeksionin dhe lidhjet në çift.

A e ndikojnë këto shfaqje perceptimin e si rrjedhojë pritshmëritë që njerëzit kanë për marrëdhënien e tyre? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje një studim i bërë nga Jeremy Osborn i Albion College ne Michigan..

Ai vëzhgoi 400 çifte, të martuar, në mënyrë që të mund të bënte gjetje mes ndikimit të këtyre shfaqjeve televizive në perceptimin e kënaqësisë në marrëdhënien e tyre dhe  përkushtimin ndaj saj. Ai doli në konkluzionin se ato individë që ekspozoheshin dhe besonin në këtë romancë fiktive, kishin një sens të ulët përkushtimi në marrëdhënie. Ato e shihnin humbjen e pavarësisë personale si një çmim tepër i madh për t’u paguar dhe, investimi që u duhej të bënin për të patur një marrëdhënie të kënaqshme me parterin një sfilitje energjish.

Problemi dhe një ndër gjërat negative të medias televizive ështe se ajo krijon një imazh të deformuar të botës reale, marrëdhënieve reale që zhvillohen paralelisht jashtë ekranit të TV. Kur në fakt marrëdhëniet ndërpersonale kanë nevojë për shumë impenjim, sakrificë dhe investim që të jenë të sukseshme. E për këtë, media e çdo lloj forme duhet ndërgjëgjësuar dhe maturuar duke qenë më e përgjegjshme.

*Autorja eshte psikologe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Si t’i japim stresit krahë që të fluturojë jashtë dritares tonë?!
“Të biem dalort që nuk jemi dakort” – fjalët që mbushin hendekun e të menduarit ndryshe
Krizat janë bekimi më i madh për njerëzit dhe kombet
Kur është momenti që duhet të konsiderojmë të shohim një terapist?
Si të lundrojmë pa dallgë në detin e martesës – 4 principe që duhet të përqafoni!
Kaloni kohë me fëmijët, mos prisni që koha të kalojë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}