nga Suadela Balliu

E martja Pashkëvet, si do tradita, Çifti bëhet pikë përpjekje për grupet arbëresë çë vijn nga gjithë Arbëria për Vallet

Kremtimi i së Martës pas Pashkëve është një nga traditat që thuhet se ruhet nga kohët e Skënderbeut, ku arbëreshët ende sot kujtojnë fitoren e tij ndaj turqve, që bie thuajse në të njëjtën periudhë, më 27 prill të motit 1467.

Për të kremtuar, arbëreshët nëpër katundet e jugut të Italisë dhe në Sicili vishen bukur, me kostumet popullore dhe motivet në to të ruajtura prej gjashtë shekujsh, dalin në sheshe e lozin valle, këndojnë kalimerat “çë kujtojin Pasjunën dhe vdekjen e Zotit Krisht”.

Pranvera Arbëreshe gjallon nga hareja, më këngë, valle e ushqim të mirë, edhe ai i ruajtur dhe trashëguar ndër breza.

Arbëreshët nuk harrojnë të përkujtojnë të vdekurit,  një herë të shtunën para së dielës së Karnaveleve dhe një herë, të shtynën para Pentakostit.

Sipas besimit, në këtë periudhë të vitit, të vdekurit kthehen në jetë dhe rrinë me të gjallët tetë ditë, atëherë të afërmit u ofrojnë një sofër të pasur duke sjellë mbi varrezat ushqime të ndryshme dhe shishe vere. Pas tetë ditëve të vdekurit kthehen në botën e tyre.

Vallet e Pashkëve, kremtimi i të vdekurve në traditën fetare lindore, ritet e dasmave, këngët popullore arbëreshe laike apo fetare e sidomos kalimerat, prodhimet tipike të artizanatit dhe kostumet e pasura femërore arbëreshe, prodhimet e endjes në avlëmend apo prodhimet ushqimore, rituale apo tradicionale, janë propozuar të kthehen në trashëgimi jo materiale të botës në UNESCO, përqafuar nën emërtimin “Moti i Madh”, ashtu si Jeronim De Rada e quajti  kohën e mërgimit të arbërve nga Ballkani drejt Italisë,  gjashtëqind e më shumë vite më parë.

“Janë rite shumë të lashta që populli shqiptar i ka trashëguar nga kultura indoevropiane, por që për fat të sinkretizmit kanë kaluar edhe në traditën e krishterë dhe që arbëreshët i ruajnë më së miri”, është shprehur studiuesi Matteo Mandala, i cili së bashku me studiuesin tjetër arbëresh Franesco Altimari, kanë përgatitur dosjen për Komitetin Kombëtar Italian të UNESCO-s, me shpresën që të pranohet dhe më pas të marrë statusin si trashëgimi jomateriale e njerëzimit.

“Tani do të fillojë shqyrtimi për të parë nëse projekti i plotëson kushtet që kërkon UNESCO. Hapi i dytë është plotësimi i projektit me dokumentacion, video dhe gjithçka që vërteton që ato që kemi përshkruar janë praktika të gjalla. Pritshmëritë i kemi të mëdha sepse projekti është mbështetur”, ka thënë akademiku Mandala, duke shtuar se nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë ka pasur mbështetje verbale, e cila sipas tij duhet formalizuar. 

“Qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë në fazën e dytë, kur do të diskutohet projekti për miratim pranë UNESCO-s. Atje ka rolin e saj edhe Shqipëria”, ka thënë Mandala, i cili u shpall  në çmimet e letërsisë dhënë nga Ministria e Kulturës për vitin 2019 me librin studimor “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti do të niste vitin 2021 pikërisht me këtë lajm, në faqen e saj të Facebook-ut.  “Le ta nisim këtë vit të ri me një lajm të mirë, që vjen nga bota arbëreshe, nga “gjaku ynë i shprishur”, ajo degë besnike, që prej 500 vjetësh ruan traditat dhe gjuhën, që morën me vete, kur lanë tokën mëmë”, shkruante Margariti duke uruar profesorët Mandala dhe Altimari dhe Fondacionin Universitar  “Prof. Papas Francesco Solano”, për punën në mbledhjen e kësaj pasurie.

Puna kërkimore dhe sensiilizuese mbi këtë temë është e shtrirë në tre dekada, në katedrat albanologjike të universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos.

Sipas Altimarit, Fondacioni “Francesco Solano” ka bashkërenduar, mes vështirësive të shkaktuara nga pandemia aktuale, një veprimtari të gjatë kërkimore në terren me synimin për të identifikuar, përshkruar dhe rindërtuar rrjetin e traditave rituale …

“që përfaqëson visarin e përbashkët kulturor të Arbërisë dhe që, paçka se i lënë në harresë nga institucionet, është ruajtur vetëm falë angazhimit të drejtpërdrejtë dhe vendosmërisë së grupeve praktikuese aktive në gjirin e komuniteteve arbëreshe”, shkruan profesori Altimari, i cili është edhe president i Fondacionit “Francesco Solano”.

Veç Franceso Altimarit dhe  Matteo Mandalà në këtë projekt kanë bashkëpunuar emra si  Nicola Scaldaferri, Monica Genesin, Eugenio Imbriani, Giuseppina Turano, Giovanni Macrì dhe Battista Sposato.

“Në komitetin shkencor të projektit janë përfshirë edhe specialistë të tjerë, italianë dhe shqiptarë, çka konfirmon edhe më tej vlerën e madhe shkencore që ngërthejnë veçoritë kulturore arbëreshe për rindërtimin e bazës së lashtë kulturore të përbashkët të Europës sonë”, ka vijuar Altimari.

Kandidatura është shoqëruar nga rreth 40 studime tekniko-shkencore të grupeve të punës që inkurajuan procesin procedurial me kërkimet në terren për identifikimin, zbulimin e përshkrimin e një sërë ritesh e traditash të komunitetit të arbëreshëve të Italisë, gjatë stinës së pranverës.

 “Moti i madh”, kjo pasuri e jashtëzakonshme traditash kulturore, rite festash, lindjesh, dasmash e vdekjesh, këngësh, vallesh, kostumesh popullore e zejesh, së bashku me gjuhën dhe letërsinë e pasur arbëreshe  ruhet për rreth gjashtë shekuj në 50 komunitete në shtatë rajone (Abruzzo, Molise, Campania, Puglia, Basilicata, Kalabria, Sicilia) të Gadishullit Italian.

Identiteti i fortë i ndërgjegjes etnike dhe gjuhësore është gjithmonë i pranishëm në popullsinë arbëreshe. Në folklor, tregohet një kujtesë e vazhdueshme e atdheut.

Këngët fetare dhe popullore, legjendat, përrallat, proverbat përshkohen nga një frymë e fortë e solidaritetit etnik të komunitetit. Temat e përsëritura janë dëshira e zjarrtë për atdheun e humbur, heroi legjendar Gjergj Kastrioti,  tragjedia e diasporës pas pushtimit osman…

“Jemi gjaku i shprishur” thonë ata, duke iu referuar shpërndarjes nëpër botë të arbërve, me vetëdijen  se i përkasin grupit të njëjtë etnik. Malli për atdheun i bëri të shkruajnë edhe vargje si këto…

Ishi nje dit nï moujiti Prigit / ishi nje mot pà varè. / Thomë ti, lule, thom çe kè / jë sëmbu qà, / dhe main me harè. / Ngrita sit për d’air / dhe paç njè cap rè / u krëdoja ke ishi lëti / ishi albresh dhe flisi sigja né.

Ish një ditë e muajit prill, e ish një mot pa re.  Thuamë ti o lule, thuamë ç’ke, që gjithnjë qan e nuk gëzon kurrë. Ngrita sytë drejt qiellit dhe pashë një copë re, besoja se qe e huaj, ish arbëresh e fliste si ne.

Pas gjashtë shekujsh, kjo kulturë e ruajtur me aq besnikëri synon të dalë përtej komunitetit për t’u bërë pasuri e të gjithë njerëzimit…(Gazeta Si)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Arkeologët zbulojnë se Porti i Durrësit gjendej më në veri nga i sotmi
Historia e Patrullarit nga Amantia
Simbol i Kullave Krutane, por objekti “dëbohet” nga Lista e Monumenteve të Kulturës
Kodiku i Korçës nr. 93 është ekzemplar unik në botë?
Si po mbijeton thesari folklorik i Lezhës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}