Është ndarë dje nga jeta botuesi i “ALBAS”, Latif Hajrullahu, i cili së bashku me poeten Rita Filipi u shndërruan në këto vite të vështira për librin shkollor në rezistencë për cilësinë dhe dijen. Miq, kolegë e të afërm kanë shprehur ngushëllimet për botuesin Hajrullahu njëkohësisht edhe partner jete me poeten e cila i ka dedikuar disa radhë prekëse, por dhe mbresëlënëse për marrëdhënien që patën ndërtuar, me shënimin “Për ty Lato, që nuk e lëshove timonin nga dora”, Rita shkruan: “Ne ishim të dy kapitenë, por me një ndryshim. Ti kurrë nuk e lëshove timonin nga dora… unë ndonjëherë po, kur më trembte ndonjë dallgë e madhe apo kur joshesha nga viset e reja, te panjohura. Kur kthehesha, ty të gjeja aty me duart në timon. Me ty isha vetvetja…e lirë, me ty isha e sigurt.

Nuk e di nese do jem aq e qëndrueshme. sa ty pa ty… por po i jap vetes kurajë… e si të mos i jap i dashur Lato, me gjithë këto vlerësime të vërteta e dhimbje të madhe për ty, nga i gjithë stafi i Albasit e Deaprintit, nga miqtë tanë të dashur realë e virtualë, nga kolegët tanë, njerëz të librit e të kulturës. I falënderoj të gjithë nga thellësia më e thellë e shpirtit e i uroj ta mbushin jetën me dashuri e muzikë edhe kur jeta t’ju bëhet e vështirë. Kjo ishte ajo që bëmë ne për 20 vite.

Po të përcjellim Lato me jazz dhe ëisky…puron që ke lënë përgjysmë do ta pi deri në fund. Se ti ishe sa profesor serioz e biznesmen vizionar, aq edhe rock-ist e rrolling stone-s.”

Ndërsa faqja zyrtare e shtëpisë botuese ALBAS kujton arritjet e tij: “Me hidhërim të thellë njoftojmë largimin e papritur nga jeta të z. Latif Ajrullai, Presidentit të kompanisë ALBAS.

Latif Ajrullai u largua nga ne në kulmin e veprimtarisë së tij, kur kompania që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip.

I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magjistër në Farmaci, për shumë vite ka punuar si profesor i kimisë. Ai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë.

Latif Ajrullai, si atdhetar e vizionar, së bashku me partneren e tij, poeten e mirënjohur Rita Petro, realizuan një ëndërr të tyren për të bërë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare. Ata ngritën që në vitin 2000 kompaninë e mirënjohur ALBAS në Shqipëri, me degët e saj në Maqedoni, Kosovë, Preshevë për të sjellë librin shqip sa më afër nxënësve e lexuesve shqiptarë në hapësira të ndryshme gjeografike, si dhe në diasporë.

Latif Ajrullai ka nxitur dhe ka përkrahur bashkëpunimin dhe punën me grupe autorësh, ku bëjnë pjesë studiues të njohur të fushave të caktuara të këtyre trevave, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.

Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të shquar si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore, për respektimin e konkurrencës së ndershme në tregun e librit, ka denoncuar hapur e me guxim çdo shkelje apo padrejtësi dhe ka ndikuar në përmirësimin e legjislacionit të teksteve shkollore.

Ishte largpamësia dhe këmbëngulja e Latif Ajrullait që për herë të parë në Shqipëri u ngrit platforma digjitale “Portali Shkollor Albas”, dhe u digjitalizuan të gjitha tekstet shkollore, duke ndihmuar në modernizimin e procesit mësimor.

Gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë izolimit prej COVID-19, kjo platformë zuri një rol kryesor në mbështetjen e mësuesve dhe nxënësve me lehtësinë e përdorimit online dhe shkarkimin e materialeve dhe librave të shumtë shkollorë.

Në kërkim të rritjes së cilësisë grafike e të shtypshkrimit, ishte nisma e z. Latif Ajrullai për ngritjen e një prej shtypshkronjave më moderne, me standarde europiane në Shqipëri, me investim shqiptaro-kroat, Deaprint.

Si President i kompanisë ALBAS, do të kujtohet për këmbënguljen në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave të biznesit, për mbështetjen e punonjësve, për ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, për autoritetin dhe për këmbënguljen në realizimin e të gjitha projekteve të kësaj kompanie në fushën e dijes. Ajrullai ishte një biznesmen vizionar, që drejtohej sa nga përpikëria e fakteve, aq dhe nga zemra dhe dashuria për punën. Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten dhe do të vlejnë për t’i çuar edhe më tej projektet e tij të lëna kaq brutalisht përgjysmë.

I shprehim ngushëllimet familjes dhe i urojmë partneres së tij, zj. Rita Petro, drejtoreshës së shtëpisë botuese ALBAS, të gjejë forcë për të përballuar një humbje kaq të madhe dhe për ta çuar para misionin fisnik të librit. Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, Latif!”

KUFIRI I RITËS SË PAKUFISHME…

Nga Eli Kanina

“Jetët tona ndaheshin ku fillonin përgjegjësitë dhe puqeshin ku zinte fill shpirti…”- KUFIRI

I paharruar qoftë KUFIRI dhe ai që përtej kufijve, na dëshmoi shpirtin tënd të pakufishën Rita Filipi!

Profesor Latif Hajrullai u përkujtoftë prej gjithçkaje ka lënë, duke motivuar dashuri e respekt, si tek familjarët, tek miqësia dhe deri tek bashkëpuntorët e kolegët!

Të jetuarit e çdo çasti si të fundit, një dashuri pa tabu dhe me shpirtin e aventurës, reflektimi i energjisë së bukur në suksesin e angazhimeve tuaja, mbeten një investim i çmuar në partneritetin tuaj, dhe një dashuri përrallash për ata që ju njohën… gjithsesi, me apo pa profesor Latifin, ti mbetesh njësoj, poetja jonë Rita Filipi!

Ti, sot lëngon por nuk mund të zhbëhesh nga dhimbja e ikjes së tij, edhe pse, përmes profesor Latifit, lartuat veten dhe përsosët në sytë tanë një ikonë frymëzuese dashurie!

Ti, e shtrenjta Rita, dite dikur si të na e bësh të dashur PROFIN apo LATON tënd, ti do të dish edhe të na e bësh të përjetshëm me forcën e penës dhe qenies tënde, me ikonën e dashurisë pa kufij, që ne dashamirësit adhuruam tek ju të dy gjithë kohën…

Unë marr sot nga dhimbja e humbjes tënde, e dashur Rita, duke shpresuar se e përndarë tek të gjithë miqtë së bashku, do të të mpaket disi, përmes kujtimeve të mrekullueshme, me tinguj rocku e tym puroje, me dehje ëiski dhe përlotje fotosh, nga udhëtimet e çastet tuaja magjike!

U prehtë në paqe timonieri yt, dhe u pjekshit sa më vonë, në qiellin e dashurisë tuaj ikonë!

Ju ishit një jetë sa një libër, me një dashuri sa një jetë!

Mos harro Rita, se PROFI të ka shkruar se “një jetë e jetuar me TY, është pak…” tani është rradha jote të shkruash se, një jetë me TY, nuk është pak…

Ti ke ende shumë të na rrëfesh…

***

U largua gjenerali i botimeve shqip për librin shkollor

Ervin Nezha – mësues, shkrimtar

Ngushëllime mikes sonë Rita Filipi, për këtë humbje të madhe. Sot u largua nga jeta një gjeneral i botimeve shqip, sidomos në fushën e botimeve shkollore dhe inovator në ndërtimin e platformave mbështetëse në ndihmë të nxënësve, prindërve dhe mësuesve . Në radh të parë keqardhjen e shpreh si mik i Ritës, si mësues në profesion e masandaj si simpatizues i librit artistik !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}