Është ndarë nga jeta regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi, përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Duke jetuar si një personazh kyç në tri periudha të zhvillimit të artit të dramës dhe teatrit shqiptar: para luftë, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve ’90-të.

Akademia e Shkencave përmes një letre ngushëllimi shkruan se: “Komisioni i artit dhe trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave përjeton me dhimbje të thellë lajmin e ndarjes nga jeta të intelektualit të shquar Gjergji Vlashi.Gjergj Vlashi ishte shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Siç ka dëshmuar shkrimtari Ismail Kadare, dorëshkrimi i romanit të tij të ndaluar “Përbindëshi” u ruajt nga Gjergj Vlashi në kushte tejet të vështira të kontrollit ideologjik për më shumë se dy dekada dhe sot e kësaj dite është pjesë e arkivës së tij. Ai ishte një mik i madh i artistëve të rinj, model i një jete të frymëzuar dhe frymëzues i punës së pandërprerë intelektuale.I shprehim ngushëllimet më të thella familjes Vlashi, miqve të tij, komunitetit artistik e qytetar në Durrës e në mbarë Shqipërinë”.

Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit, ku kreu dhe shkollën fillore dhe atë të mesme.

Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë” etj. Punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës të këtij qyteti.

Kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (1961).

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste të Durrësit dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1992, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin.

Ka vënë në skenë mbi 120 shfaqje të teatrit dramatik dhe të varietesë. Ishte i prirë më fort nga burlesku, grotesku dhe satira politike, duke qenë elegant dhe i pastër në figurat e tij regjisoriale. Përdorte struktura e forma të larmishme shfaqjesh, me një lajtmotiv a “bosht” tematik, me një personazh qendror, me parapëlqimin e njërës prej formave a zhanreve letrare (siç qenë shfaqjet e ngritura kryesisht me poezinë, me tregimin humoristik, me përrallën, me anekdotën, me komedinë, me monologun etj.). Ka shkruar pjesë për teatrin e estradës, tregime, novela, romane, ese etj.; është marrë edhe me përkthime.

Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes.

Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}