I pari botues në hapësirën shqiptare pak kohë më parë kujtonte se kur vendosi të hapte shtëpinë botuese “Buzuku”, si çdo gjë tjetër shqiptare edhe libri po dhunohej. Kultura në rrezik. Sikur qenia. Letërsia.  Abdullah Zeneli vazhdoi rezistencën duke mbërritur në tridhjetë vite ekzistencë, ku edhe organizon panairin më të madh, të librit në Prishtinë. Për të gjitha këto merita, kontributin, rezistencën, ekzistencën dhe çfarë letërsia shqipe ka përjetuar, botuesi i Buzukut është nderuar dje nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me titullin “Naim Frashëri”. Ky nderim vjen në një mot të vështirë, kur po dje, sa u dha lajmi nga qeveria shqiptare se anullohet panairi i librit që mbahet çdo vjeshtë në Tiranë

I pari botues në hapësirën shqiptare pak kohë më parë kujtonte se kur vendosi të hapte shtëpinë botuese “Buzuku”, si çdo gjë tjetër shqiptare edhe libri po dhunohej. Kultura në rrezik. Sikur qenia. Letërsia.  Abdullah Zeneli vazhdoi rezistencën duke mbërritur në tridhjetë vite ekzistencë, ku edhe organizon panairin më të madh, të librit në Prishtinë. Për të gjitha këto merita, kontributin, rezistencën, ekzistencën dhe çfarë letërsia shqipe ka përjetuar, botuesi i Buzukut është nderuar dje nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me titullin “Naim Frashëri”. Ky nderim vjen në një mot të vështirë, kur po dje, sa u dha lajmi nga qeveria shqiptare se anullohet panairi i librit që mbahet çdo vjeshtë në Tiranë.

Në fjalën e tij presidenti Meta tha: Tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip. Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.

“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.

Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.

Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri””

Monumenti më i madh kulturor shqiptar ishte lënë në harresë – këtë kujton Abdullah Zeneli, kur e ka fjalën për Gjon Buzukun, emrin e të cilit pagëzoi shtëpinë e tij botuese në një kohë aparteidi në Evropë, kur Kosova ishte në prag lufte.

Në një bisedë në gazetën “Exlibris”, me kolegun e tij, botuesin e “Onufrit”, Bujar Hudhri se si ka arritur të mbahet në këmbë, Zeneli është përgjigjur: “Mbase një idealizëm pragmatik. Se po bëj gjënë e duhur. Se duhej bërë, në fakt, meqenëse fati herët më lidhi me një botë sa magjike, po aq me interes kombëtar. Sidomos nga leximi kam pasur nxitje për këtë. Paramendo rilindësit tanë në çfarë kushtesh vepruan. Për të mos humbur gjuha. Kultura. Kombi. E ardhmja. Vepruan në zemër të perandorive. Po mendjen e kishin tek Shqipëria! Shembull Konica. Në Bruksel fare i ri me “Albaninë”. A ta pyesim ç’iu desh të merrej me atë revistë? Aq i ri! Për këtë të sotmen Shqipëri! Më ka mjaftuar ky fakt!”

I pyetur nga Hudhri se, si ja ka dalë të jetë një model botuesi, që gudia e tij është letërsia shqiptare, si ndër të rrallë botues që nuk u merr para autorëve për botimin e librave, Abdullah Zeneli përgjigjet: “ Një letërsi nacionale nuk mund të jetë e tillë pa emrat e vet. Kolosët e vet. Prurjet e reja. Ato duhet mbështetur. Me lloj-lloj formash. Duhet përkushtimi. Vizioni. Dëshira dhe sinqeriteti që letërsia jote të përballet me të huajën. Ato marrin e japin. Po kocka është ajo që mban mishin. Jetën. Kam ndihmuar me aq sa kam mundur autorët shqiptarë. Në fillim kam rikthyer ata që mungonin për shkakun e ideologjive. Nuk po përmendi emra e tituj se janë jo pak. Por nuk dua ta bëj rrahagjoksin. Punë misionari, vërtet, por e kam ndier se duhej bërë dhe e kam bërë. Nga viti 2000 edhe konkurse letrare me çmime joshëse. Të të vijnë në çdo konkurs nga 40 romane nuk është pak në përmasat që ka kjo gjini letrare. Para nuk marr për dy arsye. Nuk kam qenë i interesuar të kem shtypshkronjë, sepse do të përqendrohesha në ekonominë e shtypshkrimit e jo në cilësinë e botimit. Dhe dy, nuk rrah gjoks kurrë për atë që kam botuar por për atë që nuk kam botuar. Cilësia mbi të gjitha! Nuk jam tunduar pas parasë, gjë që më ka kushtuar jo pak në prishaqejfe miqsh madje edhe familjarësh! Mosshitjen e autorëve shqiptarë e kam kompensuar me qetësi e durim, me kredi të shumta jo edhe aq të favorshme, në fillim me interes deri 20 për qind. Tani është diku tek 6-7 për qind. Kam shpresuar shumë që mekanizmat shtetëror do të ndërhyjnë në përmirësimin e fatit të librit, por zyrtarët janë si ata që i ka në shënjestër letërsia e madhe ruse e shekullit XIX. Akakieviçët…!L.M

Kujtesa e vëshirë e “Rilindjes”

B.Hudhri: Kishit një përvojë të gjatë, siç e thatë, në “Rilindjen” e famshme. Madje, sektori ku keni punuar, ishte pikërisht ajo që i duhej një botuesi. A mund të na thoni se si kjo ka ndikuar që të përballonit vështirësitë e para, deri në çlirimin e Kosovës?

A. Zeneli: Nuk mund t’ia ktheja shpinën një tradite të krijuar me mund. Ndër meritat e asaj “Rilindjeje” është pa dyshim importimi i librave nga Shqipërisa pas demonstratave të ’68-tës. Ato libra ndikuan shumë në ngritjen apo ndërgjegjësimin jo vetëm të rinisë. Krahas këtij ndërgjegjësimi shtohej edhe egërsia e aparteidit, siç e thashë, pas viti 1981. Qe ky import librash që më afroi me Redaksinë e Botimeve “Rilindja”, siç quheshin botimet, qysh kur isha nxënës i normales së Prishtinës. I takoj brezit të Behgjet Pacollit, Jakup Krasniqit, Gani Sylajt e shumë të tjerëve. Furnizoja bibliotekën shumë të pasur të normales me botimet e reja. Këmbëngulja, në fakt, të freskoheshin me botime të reja. Lexoja shumë. Bëja ankimime në këshillin e arsimtarëve, drejtorisë. Rastisi një konkurs verën e vitit 1973 dhe konkurrova. Një vend i thjeshtë pune, po kishte për mua rëndësi të isha pranë librit. Ndërpreva studimet e matematikës. Isha në vit të dytë. Po qe privilegj të punoje me personalitete letrare atëherë e sot. Anton Pashku, Rrahman Dedaj, Nazmi Rrahmani (në po atë konkurs i pranuar dhe ky), Sabri Hamiti, Rifat Kukaj, më vonë edhe Teki Dërvishi. Pak kohë derisa doli në pension edhe Mehmet Gjevori, mbetur nga koha e të 200-ve të Ernest Koliqit. Pastaj shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Përparimi i ngadalshëm në punë, pengesa burokratike sikur që ndodhin gjithmonë me të rinjtë me vrull e dashuri të ecin shpejt drejt realizimit të vizionit të tyre. Kam punuar shumë, madje duke qenë ndër punëtorët më të mirë të gjithë “Rilindjes” me mbi 1 500 punëtorë. Kam shumë mirënjohje e vlerësime si punëtor i dalluar kur “Rilindja” festonte përvjetorët më 12 shkurt. Isha në shërbimin e shitjes dhe m’u dha mundësia të frekuentoja të gjitha shkollat e gjuhës shqipe në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni (tani Veriore), Mal të Zi. Bibliotekat. Libraritë. Panairet. I Beogradit shumë i njohur. I Zagrebit. Lubjanës… Frankfurti, Brukseli. Po syrin e kisha te pjesa kreative e librit. Merrja me honorar korrektura letrare. Njohja me më të mëdhenjtë e librit, kritikës letrare, përkthyesve. Kolanat speciale të Migjenit e me radhë. Njohje e domosdoshme e të fshehtave që duhej t’i dinte një botues. Nganjëherë habitem me guximin se si arrita të mbijetoj, kur pos kapitalit që duhej të kishe për fillim, duhej edhe të ishe i veçantë me përgatitjen estetike të librit. Ishte koha në kapërcyell nga shtypi i rrafshtë, me plumb, tek fotoradhitja, respektivisht koha e kompjuterit. Lehtësim i madh për një botues! Të jesh më shumë se një hap me kohën! Po fatkeqësitë nuk ndalen. Pas 1990-tës, kur themelova “Buzukun” kishte inflacion të paparë. Deri edhe 50 për qind humbje vlere në ditë. Ndalesa të shumëllojta. Shkrihej kapitali. Disa agjentë tregtarë, të njohur, madje dhe miq, t’i merrnin librat e nuk i paguanin kurrë… Por kjo nuk më ndaloi. Lidhur ngusht me fatin e popullit. Kisha paguar dhe një haraç për “Rilindjen” masave të dhunshme, që po të konvertohet në vlerën e sotme arrin mbi 100.000 euro. Punë e madhe! Çlirimi ka një çmim dhe nuk më dhimbset asgjë çfarë kam bërë atëbotë. Po përmendi shkarazi se ishin sanksionet e botës ndaj asaj Jugosllavie shkaku i luftës në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë. Nuk kishim të drejtë të merrnim pjesë në Frankfurt, shpresë për të mbijetuar nga bashkatdhetarët e etur për libër. Më 1995 i kam shkruar Bundestagut të na lironin nga sanksionet dhe të merrnim pjesë në panairin më të madh të botës. Premtuan se më 1996 do të hiqen. Dhe, Bujar miku, ne u takuam atëbotë, nga 4 tetori në Frankfurt! Madje nënshkruam projektmarrëveshjen me botuesit shqiptarë të pranishëm që të formohej një shoqatë botuese shqiptare, e hairit, dhe të fillonte një panair libri në Tiranë. Arritje e madhe, edhe pse me pak vonesë! Panairi i parë u jetësua në mesin e dhjetorit 1998, kur pata takuar Presidentin Meidani, ministrin e Kulturës, tani Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama… po edhe Nermin Vlora Falaskin e shumë personalitete letrare. E kujtoj me mall takimin me Vath Koreshin, njërin nga bashkëpunëtorët e tu atëbotë, romanin e mrekullueshëm të të cilit “Ulku dhe uilli” ma patët dhuruar në Frankfurt një vit më parë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Për nji shtatore të Arshi Pipës në qytetin e Shkodrës
Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>