Tërmeti i 26 nëntorit dhe pasojat e ardhura prej tij janë bërë shkak i marrjes së masave të reja sa i takon ndërtimeve dhe cilësisë së tyre.
Nisma ligjore e depozituar në Kuvend përfshin dy nene të reja që i shtohen Kodit Penal, ku parashikohet deri në 15-vjet burg për personat që dëmtojnë me dashje ndërtesa, objekte punlike, vepra të infrastrukturës dhe çdo objekt tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme.
Shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i çdo objekti do të dënohet me gjobë ose me burg deri në 5 vite. Kur prej ndërhyrjeve të paligjshme të jenë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg.
Në rastet kur do të ketë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, dënimi do jetë nga 7 deri në 15 vjet burg.
Hartusit e projektligjit shprehen se këto ndryshime kanë si synim rritjen e përgjegjshmërisë së subjekteve ndërtuese me qëllim ushtrimin e veprimtarisë së tyre duke zbatuar rregullat me rigorozitet.