Prej pesë shekujsh, në çdo Pashkë, vallja mbush e zbukuron rrugët e çdo katundi arbëresh. Periudha e Pashkëve në këtë komunitet përkon me një kalendar artistik të mbushur me manifestime folkloristike, aktivitete kulturore, panaire enogastronomike. Më e shumëpritura është Festa e Valles. Vallja, një nga takimet më të rëndësishme e kuptimplote të traditës arbëreshe është shprehja folkloristike e një populli që nuk ka harruar historinë e tij, rrënjët e tij. “Vallja” lindi gjatë shek XV me një karakter ritual e historik siç ka mbërritur deri më sot

Alba Kepi

Një melodi e ëmbël të fton të kthehesh në shtëpinë tënde, harmonia e trupave në lëvizje thërrasin një të kaluar antike, mendimet fluturojnë e përcjellin detin, humbasin pas maleve të ashpra, drejt formave të largëta që horizonti i fal një ngjyrë ylberi. Është toka që kurrë se ke parë, janë trojet për të cilat gjyshërit kanë dëgjuar të flitet nga gjyshërit e tyre. Dëgjohet një vaj i ëmbël nga i cili s’mund të fshihesh, fton ta dëgjosh, kthehet në një thirrje të ëndshme që se tradhton dot. Mëndja, trupi, ritmi i kohës rilindin në të njëjtin moment krenarinë se i përket një bote antike. Ndoshta e gjithë kjo është Vallja ..

“Më shumë unik se sa i rrallë duhet të konsiderohet fenomeni i këtyre njerëzve, që pas pesë shekujsh jete në një toke të huaj, qëndrojnë kokëfortësisht të lidhur me gjuhën, traditat dhe kostumet e tokës së origjinës”, – shkruante Ernest Koliqi në veprën e tij “Studime te letërsisë shqiptare” duke iu referuar komunitetit Arbëresh, popullsisë shqiptare e cila prej shek. XV jeton në brigjet italiane duke ruajtur një gjuhë amtare të pastër antike, plot tradita e zakone që breza shqiptarësh, banorë të sotëm në trojet kombëtare i kanë humbur ose nuk i kanë mësuar kurrë. Prej pesë shekujsh, në çdo të martë të Pashkëve, vallja mbush e zbukuron rrugët e çdo katundi arbëresh.

Periudha e Pashkëve në këtë komunitet përkon me një kalendar artistik të mbushur me manifestime folkloristike, aktivitete kulturore, panaire enogastronomike. Më e shumëpritura është Festa e Valles. Vallja, një nga takimet më të rëndësishme e kuptimplote të traditës arbëreshe është shprehja folkloristike e një populli që nuk ka harruar historinë e tij, rrënjët e tij. “Vallja” lindi gjatë shek XV me një karakter ritual e historik siç ka mbërritur deri më sot. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndaj turqve, të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Veçanërisht në Civita, Frascineto, Ejanina, San Basile, Fermo, San Benedetto Ulliano, Fallkonarë ruan origjinalitetin etnografik të lindjes, e konsiderohet si një nga vallëzimet më antike folkloristike kolektive.

Dhe pse e lidhur me një kujtim lufte,Vallja është simbol vëllazërie mes arbëreshëve, që mes këtij manifestimi ndjehen më të bashkuar, flasin një gjuhë, kanë të njëjtat kostume veshur, këndojnë e vallëzojnë me një ritëm.

Me një dramacitet spektakolar ajo paraqet një skenar unik, gjatë të cilit etnia arbëreshe rijeton me kërcimin gjithë historinë e saj. Vallja është një ndërthurje e mrekullueshme midis të djeshmes e të sotmes, në një popullsi kaq të vetëdijshme për identitetin e saj. Të martën e Pashkëve burra e gra, të rinj e fëmijë stolisen me kostumet më të mira tradicionale e zbukurojnë rrugët e katundeve. Dorë për dore në grupe valltarësh ekzekutojnë koreografinë e kërcimit. Në ekstremitete qëndrojnë dy flamurmbajtës që me lëvizjet apo rrotullimet e tyre të papritura e ritmike mimëzojnë skema të betejave të Skënderbeut. Herë pas here “rrëmbejnë” persona nga publiku i cili e paguan lirimin e tij me një gotë vere. E Hëna dhe e Marta e Pashkëve janë konteksti historik i formave më origjinale të përfaqësimit të identitetit të tyre, përfaqësuar koreografisht nga Ushtria e Skënderbeut dhe Vallja. Vajzat të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshme e duke kënduar vjershat e rapsodive që himnizojnë vlerat e popullit arbëresh dhe heronjtë të tij. Vallja, me një koreografi në formën e patkoit, ecën hijerëndë nëpër rrugët e katundit, rrethon dhe zë “rob” pas shpërblesës simbolike (pije ose bonbone), “fitojnë” lirinë. Rreth valles, “ata ç’nxijnë”,me blozë fytyrën e çdo kujt që nuk flet arbërisht.

Këngët gjatë ekzekutimit të valles janë në gjuhën arbëreshe, mjaft antike e pa te cilat Festa e Valles nuk do të kishte kuptim. Këndohet rapsodia “Kostantini e Jurendina” (Kostandini e Doruntina, tek arbëreshet Doruntina njihet si Jurendina) apo ajo kushtuar betejës së Krujës, por dhe mjaft vargje për prijësin e tyre Skënderbe, ndaj të cilit arbëreshet nuk lodhen kurrë së qeni krenar. Momenti i fundit i ekzekutimit te Valles lidhet me improvizimin e rimave dhe këngëve të nisura nga pijetorja deri natën vonë, mes humorit e serenatave, nga një shtëpi në tjetrën. Vallja për ta nuk është veç një motiv folklorik apo evokim historik, por mbi të gjitha një identitet ekzistues social, etnik e kulturor.

Vallja arbëreshe kthehet unike e merr një nur mbretëror në ekzekutimin e saj dhe falë kostumeve të mrekullueshme të grave e vajzave, burrave e djemve .

“Kostumi i festës me stofat e çmuara prej atllasi, pëlhurat e mëndafshta, me një kombinim harmonik ngjyrash e qëndisjesh me ar, dëshmojnë ashtu si dhe këngët, mirëqenien e Shqipërisë kur emigrantët e braktisën”, – shkruan Ernest Koliqi.

Minoriteti arbëresh në Itali ka një popullsi mbi 80 000 banorë e që nga koha kur janë vendosur në këto toka e deri më sot ligji i gjakut u ka bërë të ndjehen përherë shqiptarë, pasardhës të Skënderbeut, Heroit të tyre të përditshëm.

Jeronim de Rada (Këngët e Milosaos)

Kangjelji X

Valle Pashkës

Zgjou, trim, i agezuam,

in zot ljereu var,

perëndonjen iljezit,

shuhen zjarret, derdhet ujt,

jeta veshët ndër të rea.

Ashtu, zemër ljipisjare,

ti të priresh e garepsur.

Si nj`ani nkarkuar me trima,

Ce të mesi dejtit

pan katund e dishëruar,

erdhe i hjëshim, pjot garë.

Kush të mori sishit ?

Nj`an e valles

Kush porsiti ren e maljit

mon me shi të na kuljtonej?

Zonja e madhe u anankas

jasht katundit të më vej

nde një dasëm me kopiljet.

Kish ndër sit dejtin,

kish mbe zemër hjen e shpis,

kurna pa djalin e saj

te përdorem me një kopilje.

Vajza ndjeti nd`eshterat

gazin të pershuatur ;

si një marmur me llogaz

ruanej e përpara sivet

dherat i vejin e i vijin.

Djali u resht e u buar te llaka:

të perljotem drodhi sit

qiellit vetëm, tundu dhes,

perënduar dielli,

pa dalj iljezit.

Ish si zemër ce varesi

ket jet të pa njohur

e se sheh ku të më vej.

Gjithë vallja

Vija, ljevrosu i gadhjar :

vajza ce ti deshe mir

e me ne nde valljet.

Prana di zonja jot em,

ndomos se neng e thot,

se katundit i pesove

porsi vera trieses,

porsi dheut njeriu me fjalj.

Kenga X

Vallja e natës

së Pashkës

Zgjohu trim, gëzuare!

Zotyne la varrine,

perendojne yjezit,

shuhen zjarret, derdhet ujet,

bota vishet nder te reja.

Po keshtu, zemer e dhemshur,

priresh edhe ti e gezuar.

Si nje ani ngarkuar me trima,

qe te mesi i detit shohin

fshane e deshiruar,

erdhe gjith` hir e hare,

Po kush te mori me sysh?

Një pjesë e valles

Kush porsiti renë e malit

mon` me shi të na kujtonte?

Zonja e madhe u nxitua

jashtë katundit të veje,

në një dasme tok me cupat.

Kishte detin në sy,

hien e shpise në zemër,

kur na pa djalin e saj

dorëpërdore me një cupe.

Vajza ndjeu nd`eshtërat

gazin t`i pershuhet;

si nje mermer që mendon

shihte dhe perpara syvet

dherat i venin e i vinin.

Djali iku e humbi brinjës:

të perlotur ktheu syte

qiellit që rrethonte dheun

vetëm, se dielli kish rënë,

yjet edhe s`kishin dalë.

Ish si zemër që mërzitet

nga kjo botë e panjohur

e nuk sheh se ku do vejë.

Gjithë valleja

Ngreu, levendi djalë!

Vajza që ti dashurove

esht` me ne në vallet.

E di mir`zonja jot ëmë,

ndonëse nuk e thotë,

se ti dole në katund

porsi vera në tryezë

e mbi dhe njeriu me fjalë.

————————————————–

Këngë Arbëresheshe

Skandërbeg Vëllamjes

Skandërbeg një menatë

po m’e mbjoth trimerinë,

po m’e mbioth adhe m’e ftoi

me mish derri e lepurish,

me krera thëllëzazish

me ile mështjerrazish.

Kur ish për me fërmuar,

duall ndër dritosorezit,

skomollei një spium.

– Se ju shokzit e mi,

tradhëtim ë ndër ne!

Cili ndër ju më gjëndet

të më verë nd’atë rahj,

të më shorë ç’bëhet?

Mosnjeri ndër ta m’u gjënd.

Atje hipi kalëthin

e m’u nis e vate vetë,

e më gjet të pabesin:

– Se ti qen e i pabesë,

o m’e sjell o t’e sjell!

Më ja suall i pabesi

e m’i preu brezthin.

Më ja suall Skanderbeku

ëe m’i preu krathin

e i lavosi kalëthin.

kur ata lujtojën

më m’e rrunë armiqt,

e m’u shtu ndëpër ata.

Kur ish dy orë ditë

më u pa i bjerrurith.

Ngrëiti syzit ndër qiell,

lypi ëndejesë t’Inzoti:

Shëit i math, Shën Kolli,

ndihem Ti se më ke indihur!

Shtu syzit ndë nj’anë,

vu kufi të kunatin:

– Dukagjini, im kunat,

pa sa ruajëm krahzit,

se Shëjt’i Math Shën Kolli,

më ngallosën diellthin,

t’i jap mort këtij qeni.

E m’u shtu ndëpër ata.

Kur ish dy orë natë,

më fërnoi luftënzën

e perëndoi dielli.

-Se ti Zot e Zot’i math,

sa më ke vrarith?

– Nëndë mij e gjashtë qind;

ca m’i vrava e ca i lavosa

e nën shpatën ghithë i shkova!

Fuqia ime nëng qe,

se qe dora e t’Inzoti;

por me nëndë qind trima,

ghithë të zgjedhur nd’Arbërit!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Kafshët dhe Njeriu, vëllezër në luftën për jetën
Tekstet socrealiste – si na e shkatërruan kujtesën
Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>