Tregim nga libri “Kafshët”, përkthyer nga Suadela Balliu, botimet Pegi, seria “Skandal”

Nga Miguel Torga

Digjte. Një diell i verdhë, i dendur, binte pingul mbi lakuriqësinë e ashpër të Serra Negras. Shqopat përdridheshin buzë rrugës, të shtrembra. Dukej sikur zhavorri i fortë hidhte gjuhëza zjarri. Madalena mezi zvarritej nëpër rrugën e pjerrët, zhytur në granit, pengohej në guralecët e shtypur nga zinxhirët dhe patkonjtë mijëravjeçarë.

Kohë pas kohe ndalej dhe, përmes një rrjete të çarë në murin shkëmbor, shihte luginën në sfond, tashmë të largët, atje ku trupi i kërkonte të prehej, nën hijen e një gështenje.

Trupi. Sepse vullneti e kishte shtyrë të kalonte me lehtësi mes freskisë tunduese të fushës pjellore dhe të ngjitej me gëzim lart në kodër. Po mbërrinte në Ordonjo, në kohën e duhur.

Për këtë, lypsej të vepronte kundër natyrës së saj dhe të bënte përpara, me çdo kusht.

E ngjitur në majë të shpatit të fundit, Madalena vështroi gjithë tmerr pafundësinë e malit të thatë dhe armiqësor. Çdo copëz e tij të fuste dridhmën! Blloqe të mëdha, të rrumbullta, masive, ngjitur njëri pas tjetrit në një ekuilibër gati joreal, ose të shpërndara, të vetmuara, të ndalura e të heshtura në pllajën përtej.

Filloi të ndiente dhimbjet e agimit, të vagullta, të largëta, thuajse të këndshme. Dhe, në atë paralajmërim të parë, kishte vendosur të nisej. Edhe pak, e do ta bitiste atë punë. Deri

atëkohë, e dinin vetëm ajo dhe Zoti. As zuzarit që ia kish bërë këtë nuk i shkonte mendja… Gjithnjë kish qenë e zonja e vetes. Kishte gabuar, ç’është e vërteta, por ia kishte dalë ta fshihte njollën në sytë e botës – njollën më të madhe që mund të ndotë një grua. As ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Ditë pas çnderimit, kur i erdhi me sytë si të qengjit, për të përsëritur aktin, e detyroi të ikte, pa i treguar asgjë.

– Nuk ka nevojë të ngulmosh: zgjidh e merr! Nëse nuk vlej për këtë, nuk vlej për asgjë tjetër… Jepi rrugë kësaj pune! Nuk dua zagar para porte!

Ai bëri sikur nuk kuptoi. Martesa nuk ishte për të. Kishte nënën, kishte fatin, jeta e tij ishte lëmsh.

– E, po, atëherë…

Ajo i ktheu shpinën. Jo, smund ta trajtonin si pleh, ta shfrytëzonin si dosë. E vërtetë, atë pasdite të mallkuar e kishte shijuar të gjithin… Durim.

Ishte si të haje vetëm një herë. I mallkuari, edhe hungëriu! Teksa ai gëlltiti fjalët, i dha të kuptonte, se ajo kishte më se të drejtë. Kjo pak i hynte në punë. Po e shkulte të keqen me rrënjë

dhe si zor t’u zinte besë miklimeve. Falë asaj vendosmërie, po përmbushte fatin e vet. Tani i mjaftonte të kishte zemër dhe këmbë të forta. Jo. As gjithë Roalde, as dembeli nuk do ta qeshnin më. Kësaj i thoshin të luaje me zjarrin.

Për herë të parë, i ishte dorëzuar tundimit… Por tani e tutje kishte vendosur të mbetej e qashtër dhe ia kishte dalë. Nëntë muaj si nëntë ditët e lutjes! Më mirë të vdiste sesa të futej në gojët e botës. Me kalimin e kohës desh vetëm ta ruante të fshehtën. Ditët e fundit i ishin dukur vite. Për fat të mirë, edhe ato i kishte kaluar pa u pikasur. Qe mbyllur në shtëpi me justifikimin se ishte pa qejf dhe kishte pritur të mbërrinte çasti për t’u çliruar. Dielli po lindte, ai diell që tani i digjte mishtë sa vinte këmbë në rrugë.

Asnjë shpirt i gjallë në të dalë të fshatit! Roalde rropatej në moçalet dhe ngushticat e Tenarias. Gushti piqte çdo gjë. Dhe të gjithë i harxhonin energjitë në punë, në ujitjen e misrit, kopshtit dhe fushave me patate. Në Roalde, falë Zotit, kishte ujë me bollëk.

Ujë!… Sikur të kishte një gllënjkë atë çast! Sa të lagte gojën… aq keq ishte, tharë krejt… një vrimë e rrudhur, ku ajri u ngjante flakëve. Aq sa gati dëshironte t’ia ngulte dhëmbët lëvores së ndonjë lisi, për të parë në do ta njomte. Kur mbërrije në rrafshnaltë, shkëmbinjtë të shtinin frikën.

Të hapërdarë dhe të parregullt, dukeshin si shpirtra të humbur.

Një gjineshtër e vogël, e zezë, e përvëluar nga i nxehti, e vishte me trishtim djerrinën. Nën këmbë, zhavorri sikur tallej. Kërciste nga thatësia. Mundimit të rraskapitjes dhe mizorisë së kthesave të pabesa që shfaqeshin ku nuk e prisje, i bashkohej një etje e thellë, e rëndë, që e shndërronte të gjithën në furrë. I gjyshi, karrocier, i thoshte:

– Në Sierra Negra, kush do të shuajë etjen, duhet të pijë djersën e vet…

E, po, gjyshi ishte burrë dhe bridhte botën kaluar mbi mushkë, me calikun e verës në shalë. Kurse ajo, Madalena, ishte veçse një grua e varfër, që po shkonte atje, në atë shkreti të mallkuar, fshehtas, pa forcë për të vazhduar, me të birin e mallkuar në bark që shkelmonte. Dhe e gjitha për shkak të fjalëve të ëmbla të Armindos, ato fjalë të buta, të përsëritura, që e çuan në fatkeqësi! Ah, shtrigani, shtrigani i Shën Martinjos!

Shtrenjtë i kushtuan ato katër gështenjat e pjekura që pranoi në kasollen e Tapadës.

Zuzari, edhe musht kishte në dorë! Ajo, budallaqja, hëngri, piu dhe, në fund, u zhgërrye në kashtë me ulërima. Por nuk i vlejti për gjë. Ai donte vetëm trupin e saj, të fortë, të ngjeshur, të nxehtë, të trazuar. U dorëzua. Një çast dobësie apo keqardhje përballë atij dëshpërimi dhe, kur u zgjua, kishte humbur më të mirën. Tani mjaft. U bë, ç’u bë! U ngrit, shkundi fundin, nuk shkelmoi e as pëlliti. Bëri sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vetëm se këtej e tutje do t’i shmangte kësi rastesh.

E heshtur si varri, priti që djaloshi të vinte e t’i fliste seriozisht. Jo me fjalë dashurie, jo! Të trokiste në tjetër derë. Donte lajmërimin në kishë dhe martesën në janar. Pa i treguar, s’do mend, që ishte në atë gjendje… Por ai qeni e kishte mendjen vetëm te mishi. Kur erdhi sërish, vetëm për ta joshur, i tregoi derën.

– Për atë punë, shko te Vila …

U rrek ta fashonte barkun e ta fshihte nën jelekun e leshit dhe vazhdoi jetën. Natën, në shtrat, në vend të bënte llogari, lotonte… Meqë jetonte e vetme, askush, për fat të mirë, nuk ia dinte vuajtjet. Muajt kalonin. Gjersa erdh’ mëngjesi i asaj dite… Por Roalde nuk do të kishte kënaqësinë t’ia dëgjonte britmat. As Roalde, as ai zgjebaraku, zoti Armindo. Nuk do t’ua jepte këtë lavdi. Dhe atje po zvarritej, gati e vdekur nëpër humbëtirat e mallkuara, që gjithçka të vazhdonte vetëm mes saj dhe Zotit. Tani, do t’ia besonte sekretin Ludovinës, mikeshës nga Ordonjo, sepse nuk mund t’ia dilte e vetme në një gjendje të tillë, kaq të vështirë. Në shtëpinë e saj do ta lindte të birin. Dhe pastaj… Pastaj… Por etja ia preu kohën në mes! E ardhmja nga njëra anë, e paqartë, e largët, joreale; e tashmja nga ana tjetër, e ngutshme, e volitshme. Ujë! Të kishte në dorë burimin e Tenarisë, një sy deti që mbushte kënetat dhe nuk shterej, ujë me vërshim për të shuar etjen e gojës, gjoksit, barkut, të trupit krejt, gjithçka do të qe më e lehtë…

Por ujë ishte vetëm ai që i përmbyti papritmas trupin dhe i rridhte poshtë nëpër kofshë, i nxehtë, veshtullor, i rëndë… U drodh. A do të mundej të vazhdonte më tej? Të zvarritej në ethe, e rraskapitur, me plagë, në vargmalin përpara? Me dhimbjet gjithnjë e më të forta që e kapërthenin nga njëra anë në tjetrën, në fillim të zvarritura, gati lozonjare e pastaj më keq se therjet? Jo, jo nuk mund të vazhdonte. Tani vetëm të shtrihej përdhe e, si në ditën e Shën Martinjos, të rrotullohej në tokën e nxehtë, të zezë e me zall, shpuese nga barërat e shkrumbuara, pa kashtë thekre për të zbutur ashpërsinë e majave të tyre, pa Armindon e paturp që i këndonte fjalë të bukura në vesh…Prej therjeve nga të gjitha anët, trupi zuri të përdridhej tërë mundim. Dhe, pak nga pak, u harkua i tendosur, ngritur në thembra dhe në bërryla, krisur nga dëshpërimi.

Brenda tij, përmes tij, një tjetër trup i huaj donte të çante rrugën. Dhe sado të dorëzohej e zgjerohej, armiku prapë nuk kënaqej, pretendonte hapësirë më të madhe, kërkonte dyer të hapura krejt. Pa atë frymëmarrje që i jepnin intervalet mes dhembjeve, ato ngjanin si bushtra që kafshonin. Nga çdo përpëlitje e mposhtur, lindnin të tjera, si fidanë ricini. E ajo ishte e gjitha britmë e një kafshe të kryqëzuar. I vetëdijshëm për një ankth të tillë, vargmali dremiste, i

palëkundur. Shpërfillës ndaj kohës, e cila ishte ndalur ose kishte rrëshqitur pa ia prekur lëkurën e gurtë, ishte mbyllur në egoizëm çnjerëzor.

Dhe kur Madalena, pas një përjetësie të verbër dhe plot zemëratë, më në fund doli nga trungu i torturave, asgjë nuk kishte ndryshuar. Peizazhi ende ëndërronte.E mbuluan djersët. Kullonte deri në thembra. Dielli nuk ishte më në majë. Po binte e tretej në anët e Maraos. Dhimbja e fundit vdiq një sekondë më parë, ose orë më parë, ose javë? Nuk e dinte. E dinte se vuajtjet ishin zhdukur njëherë e mirë, e kishin lënë siç lë zgjoin.

Asnjë tingull, as prania e një flladi për të thyer vetminë përreth. Vetëm një tis mjegulle në atë qiell ku po jepte shpirt flakërima e fundit.

I hapi fort sytë e trazuar. Mes këmbëve, në një pellg gjaku, kishte rënë i vdekur i biri. Mish i pajetë, i kuq dhe i pistë. Sekreti i saj dhe i Zotit! …E rraskapitur, u lëshua në gjunjë, duke shijuar lehtësimin. Portat e hapura po mbylleshin ngadalë… Më në fund, u lodh nga ajo gjendje palëvizshmërie. Ndaj u ngrit. Qëndroi ashtu për disa sekonda, duke mbajtur vesh heshtjen, se mos nga larg vinte një përgjigje ndaj britmave të dëshpëruara që kishte lëshuar. Asgjë! Bota ishte e pagojë. U pastrua me fier të gjelbër. Pastaj, e lëshoi atë shtupë të pistë në pluhurin ku flinte i biri. Këmba, pa dashur, po gërmonte tokën… Pas pak, sekreti i saj do të varrosej… Këmba tani po

përpiqej të zhvendoste një pllakë aty anash. Ishte shumë e rëndë. Duart ndihmuan… Dielli, gjithnjë e më poshtë, hidhte paralajmërimet e fundit të dritës. Sytë e Madalenës panë qartë.

Ishte koha të kthehej. Ishte koha të kthehej në fshat dhe të vriste atë etje të pafund në burimin e freskët të Tenarisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}