Komenti i redaksisë së lajmeve të jashtme të ÖRF, i hartuar nga një prej ekspertëve më të mirë të çështjeve të rajonit për kohën si A. K., relativisht i gjatë (në terma të kohës radiofonike) i kushtohet 70-vjetorit të Shpalljes së Pavaresisë së Shqipërisë.
Këtë njoftim na e jep gazetari e përkthyesi Armand Plaka, duke thënë më tej se “Me këtë rast përveçse sillen në vëmendje realitetet historike dhe sfondi në të cilin u zhvillua terreni për këtë akt, theksohet veçanërisht kontributi i ish-Perandorisë Austro-Hungareze dhe citohet ish-Ministri i Jashtëm, Konti Leopold von Berchtold (me nje deklarate të bërë me 2 gusht 1912), i cili në atë kohë ndikoi dukshëm në themelimin dhe formësimin e shtetit shqiptar. Ky kontribut që na (ri)zbulohet tashmë për herë të parë për publikun shqiptar, 38 vite më vonë, duke shënuar me këtë rast edhe një rekord më vete, vinte në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe ishte për kohën një mesazh i qartë për të treguar ndaj Tiranës dhe popullit shqiptar, jo vetëm rolin e Vjenës në fillimshekullin XX, por edhe se Perëndimi po i kthente serish sytë nga shqiptarët dhe se edhe shqiptarët duhej kësisoj të jepnin njëe mesazh se ishin të gatshëm të ndërmerrnin ndonjë ndryshim dhe se duhej ta shihnin Perendimin si aleatin e tyre të natyrshëm.” Gazetari na jep informacionin se në hyrje përmendet edhe Kosova dhe, përpjekjet e Serbisë për dalje në Adriatik në vitin 1912, duke dashur me shumë gjasa pikërisht një vit pasi ishin shtypur me dhunë demonstratat e vitit 1981, t’u kujtonte shqiptareve se përpjekjet e Vjenes për të penguar marshimin dhe masakrat e serbëve në dekadat e para të shekullit XX, ishin ne favor të çështjes shqiptare dhe se historia tashmë mund të përsëritej. “Që sot ekziston një shtet shqiptar, është merite edhe e Vjenes ( dmth. ish-Perandorisë Austro-Hungareze)….me shumë gjasa, ky ishte suksesi i fundit i politikës së jashtme të PAH. E kete me siguri se e kujtojnë sot edhe shqiptarët”, thuhet në mbyllje të ketij radio-raporti.