Nga Irena Myzeqari

Në një studim të fundit të kryer nga PEW Research, në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, më shumë se  12.000 gazetarëve iu kërkua të reflektonin mbi gjërat  që media bën mirë dhe ato që bën keq, duke u ndalur specifikisht në industrinë e lajmeve. Në grafikun e paraqitur[1] më poshtë, jepen të dhënat e mbledhura, të grupuara në 9 kategori,  ku në kolonën e parë, renditen gjërat e mira, dhe në kolonën e dytë “punët e këqija”.

Nga grafiku rezulton se 3 gjërat më të mira që bën media amerikane, dhe veçanërisht industria e lajmeve”  janë:

–  Bërja publike e ngjarjeve

–  Përshtatja me një mjedis në ndryshim/ volatil

–  Ndërtimi i saktë i historisë së lajmit

Ndërkaq, përbri këtyre aspekteve, renditen si të keqija:

–  Paaftësia për të ndërtuar lajmin siç duhet

–  Mungesa e objektivitetit

–  Dinamikat e  vendit të punës/ redaksive.

Këto dy pyetje ishin pjesë e një studimi më të madh, i cili synonte të krahasonte qendrimet e gazetarëve kundrejt qendrimeve të audiencës, sepse siç pohojnë edhe ekspertët e qendrës kërkimore,  “ një pjesë e mirë e kërkimeve që janë bërë në mjedisin mediatik amerikan, kanë qenë të fokusuara tek zakonet dhe qasjet e publikut ndaj medias, ndërsa ky kërkim synonte të eksploronte më në thellësi pjesën tjetër të ekuacionit, duke i pyetur gazetarët mbi industrinë ku ata punonin[2]

Ndërkohë që realiteti ku është zhvilluar ky studim është shumë larg kontekstit shqiptar, jehona e gjetjeve të tij është mjaftueshëm ngacmuese për t’i shtruar të njejtat pyetje tek gazetarët e mediave shqiptarë.  Bazuar në të dhënat e mbledhura nga një pyetësor i shkurtër, i shpërndarë online, te një kampionim rastësor i përbërë nga 35 gazetarë, ky artikull bën  “një ndërhyrje mini-invasive”, duke u përpjekur të kuptojë se cilat janë punët e mira,  ato më pak të mira, dhe ato negative të medias, specifikisht  të industrisë së lajmeve, në Shqipëri. Në kohën kur ka mungesa në lidhje me studime të thelluara të medias, të cilat nuk ndalen vetëm në përshkrim apo matje indikatorësh ndërkombëtarë, gjetjet e pyetësorit, konfirmojnë idenë se sukseset apo të mirat janë gjithmonë produkt i nismave personale, ndërkohë të këqijat janë pjesë e një deteriorimi sistemik të të gjithë mjedisit mediatik në vendin tonë.

SHEQERI… OSE TË MIRAT

Meqe jemi në nivel perceptimesh, duket sikur në ambjentin tonë, të vjen më lehtë të flasësh për të këqijat, sesa të marrësh kohë dhe të reflektosh mbi aspektet pozitive të dickaje, qoftë edhe të punës tënde. Në fakt, e mira është zgjedhje, e cila kërkon një mendim kritik të zhvilluar dhe një qasje proaktive, ndaj shpeshherë lihet mënjanë, si një shteg i vështirë për t’u  përqafuar. 

Të pyetur se cilat janë punët më të mira që bën media në Shqipëri, gazetarët e anketuar kategorizojnë  si  3 më të rëndësishmet:

  • Nxitjen e konkurencës
  • Informacionin në kohë reale
  • Digjitalizimin e  lartë

Të tre elementët e përmendur më lart, janë padyshim realitet i prekshëm edhe nga ne audiencat. Nga të dhënat e marra nga AMA, numërohen më shumë se 41 subjekte aktive audiovizivë në të gjithë territorin, [3] të cilat krijojnë padiskutim një mjedis më të larmishëm mediatik. Ajo, për të cilën na duhet të gërmojmë më shumë, është të dime se cilat janë dinamikat e kësaj larmishmërie, dhe cilat aspekte të konkurencës përfitojnë më shumë nga kjo shumësi aktorësh. A bëhet kjo konkurencë në të mirë të audiencës, duke prodhuar lajme dhe programacione më cilësore, apo konkurenca është e shtrirë vetëm në planin e përfitimeve  të nxjerra nga reklamat dhe bizneset e tjera? 

Në fakt, për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, një nga  argumentet që mund të na vinte në ndihmë është Raporti mbi Lirinë e Medias 2022, ku  thuhet specifikisht se “një pjesë e mirë e  mediave në Shqipëri zotërohen nga 4-5 kompani…dhe fondet publike…shpëndahen në mënyrë diskriminuese…”[4], duke na lënë të kuptojmë se premisat e konkurencës me gjasa janë më pak etike se sa mund të kishim dëshirë ne të mendonim.

Dy punët e tjera të mira, informacioni  në kohë reale dhe digjitalizimi, duket se janë të lidhura fort me njera –tjetrën. Në fakt, zhvillimi i ndjeshëm i teknologjive të informacionit, ka ridimensionuar rolin e gazetarit dhe lehtësuar gjetjen e informacionit. Operatorët më të rëndësishëm audiovizivë po investojnë seriozisht tek pajisjet teknologjike, si edhe në përmirësimin e gjithë aspekteve që lidhen më  internetin , si: Web page të sofistikuara, fuqizimi  dhe menaxhimi i zgjuar i profileve të tyre në rrjetet sociale, duke u garantuar kështu atyre më shumë klikime dhe shikueshmëri.

Përgjigjet e marra për punët e mira të medias mesa duket nuk mbërrijnë dot larg. Nëse do ishim duke pritur reflektime, si media etike,  raportim i saktë,  informacion i verifikuar apo edhe më tej në qasje më sistemike si organizata solide ku zhvillohen kapacitetet njerëzore, mesa duket nuk do t’i gjejmë dot. Ndaj duhet të mjaftohemi me konkurencën, shpejtësinë dhe digjitalizimin, të cilat perse nuk janë veçori integrale të sistemit të medias, pra jo punë që media i bën mirë, por ngjajnë më shumë si “përqafime” të detyruara nga koha a konteksti ku mediat shqiptare po zhvillohen.  

SHAPI.. OSE TË ZEZAT    

Pyetësori ishte ndërtuar në mënyrë të tillë, që të anketuarit të jepnin disa opsione për secilën nga pyetjet dhe në fakt perceptimi ose pritshmëria u përmbush; numri i punëve të këqija, i tejkalonin ndjeshëm punët e mira të medias në Shqipëri. Lista e të zezave vjen e gjatë, por përgjigjet me të shpeshta kategorizohen në 3 aspekte:

  • Ndikimi politik
  • Diktimi i linjës editoriale nga pronësia
  • Keqpërdorimi i mediave lokale

“Gazetarët përballen me presion politik, i cili u rrit ndjeshëm gjatë 2021, nga përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë së Covid-19”[5]

Në fakt, një nga arsyet sepse Shqipëria vijon të renditet keq në indekset botërore të lirisë së medias, është ndikimi i jashtëzakonshëm i politikës në strukturën dhe punën e medias në tërësi. Thuajse çdo ditë në shtyp dhe  në edicionet e lajmeve, ka kronika, të cilat tregojnë se si qeveria imponon pushtetin e saj tek agjenda e medias, apo edhe tek pyetjet e gazetarëve. Tanimë, reagimet e kryeministrit Rama, i cili “të shpie për riedukim” nësë pyet për ç’ka nuk të takon, janë bërë diçka që pritet të ndodhë në çdo mbledhje të mundshme, me aktorë kombëtarë apo ndërkombëtarë qofshin ata.  Mesa duket, ky presion dhe kontroll, duket të ketë shtrirë tentakulat  e tij thellë, duke krijuar të gazetarët, të rinj a të vjetër, një lloj vetë- censurimi, i cili bëhet në kurriz të  saktësisë së lajmit dhe përshkrimit të realitetit.

Në një studim të fundit mbi median në Shqipëri, studiuesja Luljeta Progni shkruan se “Gazetarët dhe reporterët e lajmeve, do të ndesheshin me muret që po ngrinte politika, po ashtu edhe me hezitimin apo kundërshtimin e redaksive për të pranuar botimin e lajmeve, që binin ndesh me paktin e pa shkruar. Kështu nga censura zyrtare u kalua tek vetë-censura[6]. Vitet për të cilat autorja shkruan datojnë rreth 2010-s, dhe 12 vite më pas, gjërat mesa duket po ecin në të njejtin drejtim të gabuar.

Një arsye sepse ndikimi i politikës vijon të jetë i lartë, është edhe prej rolit të pronësisë, e cila zotëron de facto tagrin për të orientuar në bazë të interesave të saj, politikën editoriale të medias. Studiuesja Progni në librin e saj “Media shqiptare, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë” sjell në vemendje një evidencë të para pak viteve më parë dhe pohon se:

Pronarët e medias shqiptare kanë arritur të ndikojnë edhe në ndryshimet e legjislacionit për median. Neni 62/3 i ligjit për mediat audiovizive, i ndalonte çdo pronari të vetëm, që të mbante më shumë se 40 përqind të aksioneve në një media. Por ky nen u hoq me vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 dhe me këtë ndryshim ligjor në favor të pronarëve të medias, u zhduk mekanizmi që supozohej se do të garantonte pluralizmin pronësisë së medias”[7]

Edhe vetë gazetarët e pohojnë këtë fenomen, i cili bashkë me ndikimin politik, po e bëjnë të vështirë operimin në spektrin profesional. Metaforikisht, atyre u duhet të ndeshen përditë me mure që nuk mund t’i shembin, dyer që nuk mund t’i hapin, dhe të vërteta, të cilat nuk mund t’i thonë, sepse rrezikojnë që në fund të ditës, t’i heqin vetës “capën e bukës” për të cilën punojnë.

E zeza tjetër që del prej të anketuarve është edhe roli i munguar i mediave lokale. Falë përqendrimit të gjithë jetës politike të vendit në Tiranë, po krijohet rëndom bindja se në rrethe nuk ndodh asgjë e për rrjedhojë ato bëhën pjesë kronikave për ndonjë  skandal apo rast të ububushëm. Përtej  këtyre momenteve “egzotike” për Tiranën, rrethet duket të jenë  lënë në harresë e mediat që operojnë aty të shihen si zgjatime të kotësisë së jetës  larg qendrës. Kjo krijon kushtet ideale që ato të përdoren nga mediat e Tiranës dhe pushteti, sidomos në kohëra kur tensionet politike mund të jenë të mëdha, duke krijuar në këtë mënyrë presione apo hamendësime false, midis asaj që është dhe asaj që përpiqet t’u imponohet audiencave, të cilat në pjesën më të madhe vijojnë të karakterizohet nga një nivel i ulët i kompetencave të edukimit për median dhe informacionin dhe paaftësi për të analizuar faktet në mënyrë kritike.

SHAPI NDAHET NGA SHEQERI.. OSE CFARË MBETET MIDIS?!…

Pasi janë përmendur gjithë  c’ka shkon keq, natyrshëm lind pyetja a ka diçka që nuk kapërdihet?   Në fund të ditës, idealizmi  përballet me  dashurinë për veten  dhe pasi ke bërë gjithë luftën për t’i bërë ballë të vërtetës, duke mposhtur gjithë të këqijat e sistemit, kupton se gazetari është i vetëm përballë një sistemi që vuan nga mungesa e etikës dhe që ligjerisht e mbron shumë pak profesionin dhe misionin e tij.

Gazetarët e anketuar  pohojnë se  mungesa e urdhrit të gazetarëve, lë shumë të rinj në mëshirë të faktorëve që përmendëm më lart e dihet se kur individi mbetet vetëm përballë sistemit, gjasat që të ndjekë idealizmin  bjerren dita-ditës, duke i lëne vend kompromisit të natyrshëm  me të keqen, duke u bërë pjesë e sistemit, në rolin që ai të cakton dhe mënyrën sesi ai e kërkon. Llogoret nga ku media mund të bëjë keq shtohen përditë, ama sot frika nga disinformimi dhe fuqizimi i gjuhës së urrejtes, janë kthyer në shqetësime madhore të çdokujt që prodhon, konsumon apo shpëndan informacion.

Nga ky artikull mbeten shumë krunde midis, dhe bashkë me to mbetet edhe nevoja për kërkime më të thelluara për të kuptuar, matur dhe analizuar  dinamikat e problemeve që rrekem, në mënyre që të garantohet zgjidhje efikase për  gazetarin në veçanti dhe shoqërinë tonë në tërësi.

Referenca

  1. What do journalists think the news industry does best and worst, Pew Research online, 20 Korrik 2022 https://www.pewresearch.org/journalism/2022/06/14/what-do-journalists-think-the-news-industry-does-best-and-worst/
  2. Journalists sense turmoil in their industry amid continued passion for their work, Pew Research, 21 Korrik 2022
  3. file:///C:/Users/User/Downloads/PJ_2022.06.14_Journalist-Survey.pdf
  4. http://ama.gov.al/subjekte-audiovizive/

Financuar nga Bashkimi Europian

Projekti rajonal ‘PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e Gazetarisë e Novi Sad, Insittuti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.


[1]  What do journalists think the news industry does best and worst, Pew Research online, 20 Korrik 2022 https://www.pewresearch.org/journalism/2022/06/14/what-do-journalists-think-the-news-industry-does-best-and-worst/

[2] Journalists sense turmoil in their industry amid continued passion for their work, Pew Research, 21 Korrik 2022

file:///C:/Users/User/Downloads/PJ_2022.06.14_Journalist-Survey.pdf

[3] http://ama.gov.al/subjekte-audiovizive/

[4] https://rsf.org/en/country/albania

[5] Ibid

[6] Luljeta Progni, Media shqiptare, rrugërimi i vështirë drejt lirisë, Tiranë: KAS, 2022. Aksesuar në:

https://www.kas.de/documents/271859/0/media+shqiptare+final-+OK.pdf/fe2dc876-96a0-f493-2096-038d3bc29814?version=1.0&t=1643367907056&fbclid=IwAR1bV9M-GknmgGV5a8DDq5G4kv-roLtDSZuOeUjLHDtAk0g7cmtueZq9iK0.  fq.124

[7] Ibid, fq.127                                            

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Dy gazetarë marrin çmimin Nobel për Paqe – sa e kërcënuar është liria e shprehjes sot?!
I lirë për të mos menduar?!
Spiunët e mediave
Lajmet e Rreme si Fenomen Socio-teknik
Pse u besojnë njerëzit lajmeve të rreme?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}