Nga Matteo Mandalà/ExLibris

Gjatë përgatitjeve për kremtimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit katedra e albanologjisë pranë universitetit të Palermos nisi një fushatë kërkimesh mbi veprat, e njohura e të panjohura, kushtuar figurës së heroit kombëtar shqiptar. Ky projekt, që shkonte përtej një kërkimi të thjeshtë bibliografik, synonte të hulumtonte procesin e shndërrimit letrar të heroit shqiptar nga shkrimtarët dhe poetët në gjuhën italiane. Në qendër të kërkimit u vunë edhe veprat e autorëve si Matteo Maria Boiardo, Ludovico Ariosto dhe Torquato Tasso, të cilët qenë nismëtarët e gjinisë letrare epiko-kalorësiake dhe me gjuhën e tyre poetike dominuan letërsinë italiane gjatë periudhave të humanizmit, rilindjes dhe barokut, duke përhapur stereotipat e idealeve kalorësiake që do të përfshinin edhe imazhin e Skënderbeut.

Të ngjizura në valën e kërcënimit osman që terrorizoi botën perëndimore, këto vepra rrëfenin episode historike ose duke u bazuar në to rikrijonin rrëfenja betejash epike mes ushtrish dhe fuqish që përfaqësonin besime fetare dhe tradita kulturore të ndryshme. Personazhet ishin shpesh të stisura ose ndonjëherë portretizoheshin sipas të dhënave pak a shumë realiste që buronin nga kronikat e kohës ose nga rrëfimet e udhëtarëve. Domethënëse janë, për shembull, referimet e hapura ndaj stradiotëve, që identifikoheshin shpesh si shqiptarë, dhe që mbushnin vepra të suksesshme me përhapje të gjerë për kohën, si p.sh. romani Guerrin Meschino i njohur ndryshe me titullin Il Meschino da Durazzo që shkroi Andrea da Barberino rreth vitit 1410, por që u botua vetëm në vitin 1473; ose poezia e përhapur gjerësisht që u kushtohej bëmave të Manoli Blessi-t dhe që ishte një lloj parodie e veprave të Boiardo-s dhe Ariosto-s; ose poema Jeruzalemi i çliruar, ku Tasso portretizonte me nota ekzotike luftëtarët që vinin nga Ballkani.

Të tjera vepra që shquhen për cilësinë e lartë artistike, kanë meritën se ushqyen mitin letrar të Skënderbeut njëkohësisht me rrëfimet e suksesshme të Ariosto-s dhe Tasso-s. Në këtë kontekst spikatin, nga njëra anë, Dy këngët e poemës heroike të Skënderbeut (Due canti del Poema heroico di Scanderbec), shkuar nga Baldassarre Scaramelli dhe që panë dritën e shtypit në vitin 1585 në dy botime të ndryshme; nga ana tjetër poema e gjatë heroike Scanderbeide për hartimin e së cilës autorja Margherita Sarrocchi (1560-1617), mike e ngushtë e Torquato Tasso-s dhe e Galileo Galileit, punoi intensivisht duke na lënë një version të pabotuar në dorëshkrim, si edhe tri botime (1606, 1623, 1702), nga të cilat dy të fundit panë dritë pas vdekjes së autores.

Suksesi i mitit të Skënderbeut nuk u kufizua vetëm në periudhën gjatë së cilës lulëzoi tradita e letërsisë kalorësiake, por u shtri edhe gjatë shekujve që vijuan, duke u kthyer në modë thuajse gjithmonë në momente krizash dhe konfliktesh të armatosura mes Europës perëndimore dhe Perandorisë Osmane, kur rizgjoheshin idealet kalorësiake të Rilindjes europiane. Gjatë shek. XVIII ishte teatri ai që e lartësoi dhe e vuri në qendër heroin shqiptar: përveç dramës muzikore të famshme që kompozoi në vitin 1718 Antonio Vivaldi mbi libretin Scanderbeg të Antonio Salvit, pati edhe disa vepra të tjera kushtuar Gjergj Kastriotit që nxitën interesin dhe admirimin e publikut italian. Përmendim këtu operën komike të Antonio Zaniboni-t Bëmat e Princit Skënderbeg (Le valorose azioni del Principe Scanderbech, 1730), dhe dy vepra dramaturgjike që u vunë në skenë në Collegio de’ Nobili në Modena: vepra e parë mban titullin “Aleksandri, Zoti i Shqipërisë” (Alessandro Signor d’Albania – 1737) ndërsa e dyta titullohet Skënderbeu, Princi i Shqipërisë (Scanderbeg Principe d’Albania – 1770).

Lucio Doglioni Cadola (1730-1803)

Kësaj periudhe të fundshekullit XVIII i përket edhe vepra letrare në dorëshkrim, e pabotuar dhe e panjohur deri më sot, për të cilën duam të njoftojmë për të parën herë lexuesit e revistës ExLibris, në pritje që të përgatitet një botim kritik i saj. Kjo vepër nuk është përfshirë në repertorët bibliografikë skënderbegianë, sepse është zbuluar këto kohët e fundit. Sot kopja digjitale e dorëshkrimit është vënë në dispozicion të studiuesve falë nismës së drejtorit të Bibliotekës Civica në Belluno, z. Giovanni Grazioli, të cilin gjej rastin të falënderoj për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të promovuar botimin kritik të poemës. Lajmin për ekzistencën e saj e mora nga një skedë katalogu, hartuar në vitin 2006 nga Roberta Sarzetto dhe botuar në qershor të vitit 2009 në sitin zyrtar të Krahinës së Venecias. Skeda e përshkruante hollësisht dorëshkrimin me të dhëna të sakta për numrin dhe përmasat e fletëve, përmbajtjen, gjendjen e ruajtjes, si edhe parashtronte disa hipoteza mbi autorësinë bazuar në disa shënime në faqet e ballinës së parme dhe të prapme.

Titulli i veprës përsëritet disa herë: shfaqet fillimisht i paplotë mbi ballinë: Croia ricuperata; pastaj shfaqet në fl. 1r tashmë në formë të plotë, shkruar nga një dorë tjetër dhe me bojë të ndryshme nga pjesa tjetër e dorëshkrimit: Croia ricuperataovero il gran Schanderbehc. Poema eroico di auttore bellunese, con gli argomenti del medesimo auttore. Së fundi, titulli, që ne e konsiderojmë autograf, shfaqet në fl. 3r me disa variante grafike interesante: Croia ricuperataovero il Gran Scanderbeg. Poema eroico.Vijon nëntitulli shkruar me të njëjtën bojë dhe nga e njëjta dorë që ka shkruar titullin në fl. 1r: Bellunese, con gli argomenti del medesimo autore. Kjo hollësi është e rëndësishme sepse na bën të mendojmë se titulli autograf origjinal është pikërisht ai i fl. 3r, ku shfaqen disa emra të cilët, sikurse e thotë me të drejtë edhe Sarzetto, mund t’i referohen qoftë autorit të dorëshkrimit, qoftë pronarit të tij. Këtij problemi do të përpiqemi t’i japim zgjidhje vetëm pasi të kemi sqaruar disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me tekstin. Me siguri dorëshkrimi ishte në zotërim të një dere të fisme nga Belluno, të familjes Doglioni Cadola, pasi emrat e tre anëtarëve saj, Giulio, Giuseppe dhe Lucio, hasen përkatësisht në ballinë dhe në fl. 1r: paçka se janë shkruar në mënyra të ndryshme dhe ndoshta janë të gjithë autografë, ka gjasa që Giulio të mos ketë pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me dorëshkrimin, ndërsa Giuseppe do të ketë qenë pronari i fundit i tij, pasi e mori nga Lucio. Në fakt Lucio Doglioni (1730-1803) ishte një personalitet i rëndësishëm në Belluno dhe një nga intelektualët më të shquar të qytetit. Anëtar i disa akademive prestigjioze, autor i shumë studimeve mbi historinë e qytetit të tij të lindjes, njohës i shkëlqyer i veprës së Mommsen-it, bibliofil i apasionuar, dhe nga fundi i jetës vikar ipeshkvnor, Lucio Doglioni ka një profil që na autorizon ta konsiderojmë si një nga njerëzit më të interesuar për ta zotëruar këtë dorëshkrim. Për më tepër Lucio Doglioni, ndryshe nga dy kushërinjtë e tjerë, është më i afërt me periudhën historike së cilës i përket Poema heroike, aspekt ky jo pak i rëndësishëm për zgjidhjen e enigmës së autorësisë së veprës.

Croia ricuperata, titulli, f. 1r

Hartimi i poemës u krye fill pas vitit 1775, vit që përmendet me saktësi në hyrjen e shkurtër drejtuar lexuesit që shoqëron tekstin. Autori, pasi kishte lexuar një libër mbi Historinë e të famshmit Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbeg i cili «e kishte çuar jetën duke luftuar dhe duke korrur fitore mbi osmanët, vendosi të përshkruante në vargje bëmat e tij heroike që do t’i japin zulmë për gjithë shekujt e ardhshëm». Këtej rridhte synimi për të rrëfyer “bëmat e paharrueshme të këtij heroi të pavdekshëm” duke përshkruar «herë një betejë, herë një rrethim qyteti, herë histori dashurish ose dyluftime epike e gjëra kësodore që gjenden rëndom në shumë poema, sidomos te Jeruzalemi i Tasso-s, që mendova të imitoja sa të mundja». Zgjedhja për të ndjekur mësimin e madh që rridhte nga Rilindja italiane dhe sidomos nga një prej autorëve më të shquar të saj, Tasso-s, nuk ishte e rastësishme, por shprehje e një strategjie narrative e cila në kontekstin letrar të epikës kalorësiake rrokte natyrshëm përshkrimin e “bëmave të paharrueshme” të Skënderbeut.

Croia ricuperata, titulli, f. 3r

Poema përmban 18 këngë, të cilat nga ana e tyre formohen prej një numri të ndryshëm strofash tetëvargëshe që frymëzohen nga gjuha dhe poetika e Tasso-s, ndërkohë që refuzojnë ex silentio impostimin e stisur dhe imagjinar të Ariostos. Sikurse poeti i Jeruzalemit të çliruar, edhe autori anonim i kësaj poeme shfaq të njëjtën rreptësi morale, të njëjtat vlera të përshpirta kristiane, të njëjtën përshtatje me përsosmërinë klasike që karakterizonin vizionin pedagogjik dhe heroik të filozofisë së Tasso-s. Kruja zëvendëson Jeruzalemin, ndërsa Skënderbeu zëvendëson kalorësin Goffredo di Buglione: të dy heronjve u bie barra të shpëtojnë qytetet e tyre nga zgjedha dhe thundra e të pafeve. Çlirimi i tyre përbën synimin kryesor të bëmave të heronjve tanë, prandaj edhe të dy poemat vërtiten rreth arritjes së këtij synimi. I vetmi dallim që largon dy historitë ka të bëjë me raportin me realitetin prej të cilit varen dy rrëfimet përkatëse: për Tasso-n shndërrimi letrar nuk përbënte problem, pasi ruhej i pandryshuar raporti mes idealit kalorësiak, synimit pedagogjik dhe realitetit historik; përkundrazi, për autorin tonë ky raport prishej nga një fakt që cenonte qashtërsinë e bëmave ta Skënderbeut. Sikurse dihet, Kruja u çlirua falë një mashtrimi që ua hapi dyert e kështjellës shqiptarëve pa qenë nevoja të derdhej asnjë pikë gjaku, mirëpo ky fakt, i dëshmuar historikisht nga kronikat e kohës, në sytë e autorit të poemës nuk përkonte me imazhin e figurës së Skënderbeut që synonte të përshkruante. «Mirëpo unë, – na thotë vetë autori në hyrje – në një poemë heroike të këtij lloji nuk mund ta përshkruaja Princin më të famshëm dhe më luftarak të kohës së tij si dikë që shtie në dorë një qytet të tërë me dinakëri dhe mashtrim pa e zhveshur fare shpatën. Prandaj bëra sikur Skënderbeu, me të mbledhur rreth vetes gjithë miqtë dhe kushërinjtë e shumtë që kishte në Epir, ngriti në këmbë një ushtri prej 6000 vetash  dhe kështu, pas tre muajsh rrethimi, i mposhti turqit dhe u bë Zot i Krujës». Me fjalë të tjera, heroi shqiptar nuk mund të shkëputej nga profili i heroit klasik që përshkruante kultura letrare e kohës: luftëtar sypatrembur dhe jo mashtrues, i drejtpërdrejtë, i fortë, që nuk ngurron të vringëllojë armët kur e kërkon nevoja. Ideali kalorësiak kthehej kështu në rolin e vet pedagogjik gjatë një periudhe të historisë italiane kur kërkohej rivlerësimi i modeleve të moçme heroike. Pikërisht kjo nevojitej gjatë shekullit XVIII, kur krizat politike dhe konfliktet në Europën juglindore ringjallnin fantazmat e dikurshme që kishin tronditur ndërgjegjen europiane duke e ftuar atë t’i kthente sytë nga miti i heroit që diti t’u vinte fre për një çerek shekulli hordhive osmane. Asnjë vërejtje kritike nuk do ta ndalonte dot strategjinë narrative të autorit tonë anonim, as edhe shtrembërimi i vetëdijshëm i së vërtetës historike, pasi në vlerësimin e kritikës do të peshonte më shumë mesazhi politik që poema synonte të përcillte. Jeruzalemi i Tasso-s u çlirua dhe Kruja e autorit tonë u rifitua falë fuqisë së armëve dhe shpirtit heroik të dy protagonistëve, që tashmë mund t’i konsiderojmë eponime të një stine letrare që përputhet plotësisht me frymën historike të kohës.

Croia ricuperata, Canto Primo, f. 4v

Teksti përmban shumë ndërhyrje ndreqëse, të cilat e vështirësojnë punën e transkriptimit dhe përgatitjen e botimit kritik. Jemi gjithsesi të sigurt se kjo dëshmi letrare do ta pasurojë më tej fondin e çmuar të veprave kushtuar Gjergj Kastriotit dhe do të konfirmojë faktin se miti i tij nuk u përket vetëm shqiptarëve, çka vërteton edhe një herë se ai mit nuk është vetëm prodhim i nacionalizmit shqiptar, sikurse dëgjojmë të thuhet shpesh nga çmitizuesit shqiptarë të orës së fundit. Një dukuri kulturore e këtyre përmasave që rrallëherë ia gjejmë shoqen në botë, meriton të studiohet përmes metodash rreptësisht shkencore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}