Nga Klejd Këlliçi
Në numrin e parë të revistës “Memoria”, e para e këtij lloji, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, studiuesi Klejd Këlliçi sjell një punim hulumtues, kryesisht te raportit mes ligjit dhe prerogativës shtetërore parë përmes martesave mes të huajve e shqiptarëve, kryesisht i përqëndruar në raportet mes të rinjve shqiptarë, që shkonin për studime jashtë shtetit e me zgjedhjen e tyre të lirë, dhe përmes vullnetit personal zgjidhnin partnerët e tyre. “Kjo liri binte ndesh me një prej prerogativave fondamentale të shteteve moderne, atë të kontrollit mbi raportet bashkëshortore, qoftë në rregullimin e tyre ligjor, qoftë me ndalimin, normal për shumë kohë të martesave me të huajt. Në kapërcyellin e viteve nëntëdhjetë, shumë familje shqiptare u përballën me tregime hera herës traumatike, ku sidomos fëmijët, shumë prej tyre të rritur, zbulonin se kishin vëllezër e motra ‘jashtë shtetit’”, shkruan Këlliçi. Për shoqërinë e familjen shqiptare që ruajti dhe gjatë komunizmit elementë të fortë tradicionalizmi, ky duhej të ishte një event traumatik,sipas studiuesit, ndonëse shpejt u kthye në ngjarje gëzimi ku baballarët njihnin e takonin fëmijët e mbetur në vendet lindore pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Këto, tashmë, referon studiuesi, familje të zgjeruara dikur pjesë e imagjinarit fantastik shqiptar për botën e huaj u shfaqën vetëm në vitet nëntëdhjetë, si pjesë e pashmangshme e hapjes së Shqipërisë me botën. Ky punim ka qenë pjesë e konferencës shkencore ndërkombëtare “Ligjshmëria gjatë regjimit komunist, 1944-1990”, organizuar nga ISKK.
Arteka.al e boton të plotë këtë punim:
***
Për vendet e Evropës Lindore, vendosja e regjimeve komuniste parashikonte detyrimisht një integrim shoqëror[2] tejet më inçiziv natyrisht nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht kësaj, regjimi komunist në Shqipëri pa me dyshim martesat me shqiptarëve e të huajve, të cilat dhe pse nuk ndaloheshin duhet të autorizoheshin nga vetë shteti.[3] Letrat që studentët shqiptarë i dërgojnë E.Hoxhës, apo autoriteteve të tjera shtetërore, venë në dukje pikërisht vështirësitë e mëdha të studentëve shqiptarë për të gëzuar të drejtën e tyre themelore të zgjedhjes së partnerit. Kjo e drejtë nuk mohohej nga shteti shqiptar, por ky i fundit ruante diskrecionin përfundimtar në aprovimin apo refuzimin e tyre.
Problemet e studentëve bëhen më aparente sidomos në kapërcyellin e viteve gjashtëdhjetë, me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e ngrirjen e tyre me vendet e tjera të Evropës Lindore. Ndër ‘viktimat’ e para të çarjes së madhe në bllokun socialist do të ishin pikërisht martesat[4] mes studentëve shqiptarë dhe të rinjve të huaj e më pas vetë gratë e tashmë ish studentëve që kishin mundur të vinin në Shqipëri. Shpesh bashkimet familjare, autorizimet e martesave, pavarësisht të drejtës që partnerët kishin, pengoheshin përmes orientimeve, kryesisht të organeve partiake. Këto organe e kryesisht ato që i referoheshin E. Hoxhës, destinatar kryesor të letrave të studentëve, mohonin të kishin kompetencë në zgjidhjen e këtyre çështjeve ndërkohë që, sugjeronin informalisht pengimin e autorizimit të martesave apo bashkimeve familjare.[5] Në anën tjetër, e shpesh, vetë gratë sovjetike apo të nacionaliteteve të tjera që jetonin në Shqipëri, pengoheshin të ktheheshin, qoftë dhe për pushime në vendet e tyre apo dhe kur divorcoheshin nga partnerët shqiptarë, ishin subjekt i presionit, izolimit, nëpërkëmbjes sociale dhe institucionale deri më pas në arrestimin e burgosjen e tyre.[6] Ky kontroll, natyrisht, jusfikohej me qëllimet më të gjera të regjimit, kalimi në socializëm e komunizëm, i cili natyrisht bëhej nën udhëheqjen e Partisë e lidershipit.
Për të përshkruar pikërisht këtë pjesë ky punim mbështetet tek letrat që studentët i dërgojnë udhëheqjes kryesisht Enver Hoxhës por dhe autoriteteve të tjera për lejimin e ardhjes së grave të tyre, të huaja në Shqipëri. Në thelb, përthyerja e legjislacionit e sidomos në rastin e martesave të mohuara jo detyrimisht lidhet me nocionin e të drejtave të njeriut, si të drejta me karakter universal dhe që i përvidhen logjikës e monopolit që shteti ka mbi territorin e ligjin,[7] por pikërisht me përthyerjen e legjislacionit kombëtar. Në anën tjetër, përmes letrave duket qartë identifikimi fundor që autorët i bëjnë autoritetit që efektivisht prodhon normën ligjore, ose të paktën e përthyen atë pa pasoja, e pikërisht E. Hoxhën.[8] Nëse lejimet e martesave apo validimet e tyre, në Ambasadat shqiptare në B.S., ose vende të tjera socialiste, shpreh vullnetin e shtetit për të pranuar apo jo një akt të një kryer në një shtet tjetër, mos lejimi i bashkëshortëve të martuar të shkojnë tek njëri tjetri përbën një shkelje të patolerushme të të drejtave. Në rastin e pare, autoritetet shqiptare e kanë të thjeshtë të mos pranojnë ose të lenë pa përgjigje kërkesat ndërsa në të dytin, hasen vështirësi të cilat vetë autoritetet nuk mund t’i tejkalojnë pa mbështetjen e justifikimin e udhëheqjes e vënie në lëvizje të aparatit këshillimor, të gjithë atyre agjentëve të cilët supervizionojnë jetën e individit, familja, shokët, organizata e partisë, vendi i punës etj.. [9]
Këto marrëdhënie marrin më shumë formë tek parashtrimi në letra pasi dualiteti e prirja për t’i trajtuar kërkesat në thyerje, apo përthyerje të ligjit, rrallëherë del në pah në dokumentat zyrtarë. Në anën tjetër, letrat nuk janë thjeshtë kërkesa të studentëve por, ato, ofrojnë dhe elementë të rëndësishëm të cilët na japin një pamje më të plotë të raporteve mes subjekteve me njëri tjetrin dhe shtetit socialist, e kryesisht atij shqiptar. Në këtë mënyrë, përmes letrave kuptohen elementët të qenësishëm, të subjekteve socialiste, karakteristikat e të cilëve kuptohen përmes gjuhës së përdorur, arsenalit linguistik përmes të cilit ata kërkojnë të arrijnë qëllimet e tyre e të pozicionohen në kuadrin e konfikteve më të mëdha politike sikurse dhe, ai, që rëndom njihet si ‘prishja me Bashkimin Sovjetik’[10] e, më gjerë në thyerjen e madhe Sovjeto-Kineze.
Të shkruara nga subjektet e interesuara individualisht, e shumë rrallë kolektivisht, nga subjekte që ndanin të njëjtin problem. Fitzpatric[11] i kategorizon këto lloje letrash si rrëfim, një lloj hapje e qasje totale të subjektit ndaj pritësit të letrës. Ato përpiqen të ndërtojnë një raport personal me liderin duke legjitimuar njëkohësisht letërshkruesin por, dhe letërpritësin. Për Meksin, në rastin e Shqipërisë, letra të tilla janë jo vetëm instrument informacioni por dhe tregojnë natyrën e raportit demokratik të stalinizmit shqiptar.[12] Ato shkruhen pikërisht nga studentët, që studjojnë jashtë vendit, një kategori që tregon në mos privilegjin, meritokracinë e stalinizmit shqiptar, e cila fillimisht mbështetej tek besnikëria e origjina politike e individit e më pas tek meritat e tij, për t’u bërë student.
Përpos letrave, si raport mes udhëheqësit e letërshkruesit, aspekti tjetër i studiuar janë përgjigjet e kryesisht zyrtare apo, dhe ato, që përmbahen në formën e shënimeve anësore, të shkruara kryesisht në formën e letrave shoqëruese ose cepat e letrave nga E. Hoxha apo zyrtarë të tjerë, të cilët orientojnë organet përkatëse, kryesisht ambasadat apo dhe autoritetet vendore se, si të veprojnë me rastet specifike. Për këtë arsye, punimi do të orientohet në tre drejtime, parashtrimin e problemit të raporteve e martesave mes shqiptarëve dhe qytetarëve të huaj, kryesisht në kapërcyellin e viteve gjashtëdhjetë. Raportet e forcës e identifikimit të burimit fundor të pushtetit e autoritetit në Shqipëri. Strategjitë diskursive të përdorura nga letërshkruesit e më pas përgjigjet që atyre u jepen. Në pjesën e fundit, vëmendje përgjigjet zyrtare e orientimet që u jepen organeve që përballen me kërkesat e lerëshrkruesve.
Letra udhëheqjes dhe horizonti i ligjshmërisë socialiste
Organizimi i arkivit të K.Q.P.P.Sh. ndjek një logjikë të dyfishtë, atë lëndës specifike dhe ekskluzive me të cilën merrej Partia, idelogjinë e përkthimin e saj në praktikë, dhe me kompetencën sektoriale. Në logjikën e centralizmit demokratik,[13] përpos pastërtisë së doctrines, organizmat partiakë dublonin në mënyrë kapilare çdo sektor të organizimit shoqëror, kuptuar kjo kryesisht mes formimit të organizatave bazë të partisë e autoritetit të dyfishtë të funksionarëve titullarë ligjorë, të një institucioni dhe sekretarëve të organizatave bazë. Këto të fundit, ishin formalisht zëri i sovranitetit popullor depozitar e përfaqësues i të cilit ishte vetë Partia. Letrat që i dërgoheshin udhëheqjes, gjenden pikërisht në atë sektor, të organizuar në arkiv, si ‘Struktura’ nën siglën AP 14/str. Ato radhiten në fund të çdo katalogu[14], organizuar në bazë viti dhe lënde. Materialet e përdorura për këtë punim janë marrë kryesisht nga një dosje me titullin, ‘Letra e ankesa drejtuar K.Q.P.P.Sh, nga shtetas shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të martohen t’u jepen viza për të ardhur ose shkuar pranë bashkëshortëve, ankohen për ndarjen etj, (kryesisht janë sovjetikë, polakë)’.[15] Gjatë kërkimeve të bëra në Arkivin e MPJE, nuk evidentohen letra të tilla pavarësisht se, autoriteti ligjor me të cilin shtetasit shqiptarë duhej të përballeshin për legalizimin e martesave, apo marrjen e vizave, ishin kryesisht Ambasadat Shqiptare. Këtu mund të hamendësohet se, çështja nuk ishte aq sensitive për përfaqësitë shqiptare në vendet lindore por, depozitimi i letrave dhe adresimi i tyre tek autoritetet partiake na tregon të kundërtën, centralizimin dhe ndjeshmërinë e problemit. Në njërën anë, përfaqësitë shqiptare, investohen për efekt të efiçensës dhe kontrollit me të gjitha problemet e studentëve në tërësi[16] e, në anën tjetër, problemi i martesave qendërzohet tek pushteti, e pikërisht tek E.Hoxha, autoriteti i të cilit mbetet në fund ai që vendos e jep orientimet mbi problemin.[17] Sikurse në dualitetin e centralizmit demokratik, binomit partisë-shtet, nënkuptuar me lideri/partinë që përfaqësonte totalisht popullin[18] dhe e kontrollonte shtetin në emër të tij, po kështu ndërtohet raporti mes liderit-popullit dhe popullit e shtetit. Kjo duhet parë jo vetëm në raportet, identitetin e letëshkruesve dhe pritshmëritë e tyre nga lideri, por konsideruar në kuptueshmërinë e rolit që ka e ashtuquajtura ligjshmëri socialiste në vend e në përgjithësi për sistemet socialiste ose të paktën, ato, si Shqipëria, të cilat nuk u tërhoqën plotësisht nga logjika e stalinizmit.[19]
Shralet në analizën që i bën stalinizmit në Bashkimin Sovjetik, në raport me ligjshmërinë, shkruan: ‘Në kontekstin Sovjetik nuk ka një dallim mes ligjit e forcës, por në atë se si ‘forca’ e cila përdoret si rregullator i shoqërive moderne, administrohet. Në këtë kuptim, ‘shteti dual’, kontrolluar nga Partia Komuniste, një entitet metajuridik me ‘juridiksion’ mbi juridiksionin, ndahet në ‘shtet të prerogativës’ të qeverisur drejpërdrejtë nga forca dhe një ‘shteti normativ’, i rregulluar nga një sistem normash të sanksionuara të cilat përshkruajnë kufijtë e të lejueshmes në marrëdhëniet ndërpersonale dhe ato mes qytetarit dhe shtetit’[20]
Ky afirmim, qartësisht, e pozicionon të drejtën e ligjshmërinë në gjëndje permanente përthyerje e thyerje, nga ana e shtetit e, në këtë kuptim të Partisë, e cila vendos e gjykon jo më në bazë të normës por në bazë të emergjencës[21] që krijohet e asaj çka, ne, mund ta identifikojmë si interesi i shtetit dhe që tejkalon ligjin, në kuptimin e justifikimin e mbijetesës. Ligji socialist nuk është veçse një instrument i cili përdoret në mënyrë diskrecionale, në rastin më të mire, ose nuk respektohet fare në rastin më të keq. Një përdorim i tillë i ligjit më shumë shkatërron ose të paktën qëndërzon interpretimin duke paralizuar më pas dhe praktikën e qëllimin e ligjit, atë të rregullimit të shoqërisë. Richardson Little në analizën që i bën diskutimit mbi të drejtat e njeriut në fillimet e vendosjes së regjimit komunist, në atë, që, më pas, do të ishte Republika Demokratike Gjermane, shkruan se diskursi mbi të drejtat bartte paralelisht analizën e të drejtëve, por, dhe rreziqet që i vinin popullit gjerman nga e kaluara e tij.[22] E sa më sipër ishte edhe pretendimi apo justifikimi për vendosjen e diktaturës dhe prerogativës shtetërore për të suprimuar dhe tejkaluar ligjin. Në rastin shqiptar, diskursi politik mbi të drejtat, e përjashtonte natyrisht popullin shqiptar nga çfarërdo lidhje apo faji në raport me të kaluarën, porse këto të drejta konsideroheshin të natyrshme e mbi të gjitha frut i luftës dhe sakrificës popullore. Ndërmjetësi për arritjen e këtyre të drejtave ishte natyrisht Partia, e cila përcaktonte dhe formën e disponimit të tyre. Në dallim nga legjislacioni në shtetet liberale, të drejtat mund të vetëm të zgjerohen e disponohen nga subjektet, të cilët ndërtojnë me to një sferë autonomie të veprimit[23].
E kundërta ndodh me legjislacionin socialist, i cili konsiderohet si instrument për arrijten e një qëllimi të caktuar, e kësisoj, krahas dhënies dhe mundësimit të të drejtave ekziston paralelisht edhe mundësia e suprimimit të tyre. Në Kongresin e II-të organizatës së grave, B.G.Sh. Koçi Xoxe[24] shprehet se, gratë kanë fituar të drejtat e tyre në luftë, natyrisht, nën udheheqjen e Partisë, e në të njëjtën kohë, i vendos ato përpara përgjegjësive dhe detyrave. Pra, këto të drejta që njihen e në fakt janë të fituara, në të njëjtën kohë janë subjekt kufizimi. Kjo del në pah edhe në rastin e diskutimit në fjalë, martesat me qytetarët e huaj. Ato, normalisht që, ishin një element periferik në ekzistencën e regjimit në Shqipëri, por tregojnë pikërisht raportet mes objektivave dhe praktikës, ligjit dhe përdorimit në mos tejkalimit të tij. Kjo, del në pah nga letrat e dërguara udhëheqjes dhe që, na tregojnë këtë raport të brishtë, të ligjshmërisë socialiste e paaftësisë së sistemit, për të prodhuar të paktën një shtet ligjor socialist.[25] Shteti socialist përfigurohet, jeton pambarimisht me dualitetin e tij, shprehur nga emergjenca e vazhdueshme dhe pamundësia për të arritur objektivin final, kalimin në socializëm. Letrat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët duan të martohen me të huaj, janë veçanërisht tregues i shtetit dual pasi këtu nuk kemi të bëjmë me subjekte të cilat ligjshmërisht janë në margjinat e shoqërisë socialiste, e përkundrazi janë në qendër të saj.
Shteti, identiteti, intimja dhe publikja
Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik e vendet e tjera lindore organizohen, jo më, në raporte mes shteteve por, në ato, të vllazërisë e solidaritetit ndërkombëtar, me një qëllim të vetëm: të arritjes së ndërtimit të socializmit. Ato implikojnë, ndër të tjera, transferimin e modelit stalinist, i cili edhe pse nuk përbën një objektiv fillestar të raporteve mes B.S., dhe tashmë vendeve të Bllokut Lindor, vjen deri diku natyrshëm për raportet e elitave politike të vendosura në këto vende. Ky proces i njohur si sovjetizim, implikonte transferim modeli dhe që vinte si nga lufta, si nga pretendimet sovjetike, për ndërtimin e një shoqërie sipërore ndaj asaj perëndimore.[26] E kjo do të arrihej përmes transferimeve teknologjike, supervizionit njerëzor por dhe shkëmbimeve me natyrë kulturore, të cilat në fakt e për pasojë të peshës anonin më shumë nga vendet pritëse.[27] Ekziston, qartazi, një marrëdhënie hierarkike, shpesh e më shumë e dëshiruar, atë që Mëhilli[28] i mvesh marrëdhënieve të Shqipërisë me B.S. dhe vendet lindore, atë të ‘perandorisë me ftesë’. Kjo perandori përfshinte adoptimin e kopjimin e modelit sovjetik si dhe transferimet e nevojshme, për ta bërë të mundur këtë, e pikërisht studentët dhe specialistët të cilët do të duhej të ishin agjentët kryesorë të këtij ndryshimi.
Ata, në të njëjtën kohë, ishin esenca e raporteve qendër – periferi, të krijuara mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik e në rrugë të ndërsjelltë me vendet e tjera. Edukimi, formimi do të ishin kështu pjesë e ambicjes së dyfishtë, asaj sovjetike për dominimin kulturor, dhe asaj vendore, kopjimin sa më shumë të ishte e mundur e modelit socialist, si model zhvillimor. Kështu, studentët do të ishin elementi dhe shenjuesi permanent i marrëdhënieve, qendër- periferi, pasi ata, ishin dëshmitarë të dorës së parë të ndryshimeve apo sipëroritetit të modelit socio-ekonomik, të cilin, ata, duhet ta replikonin më pas në vendet e tyre.[29]
Duke filluar që prej fundit të viteve dyzet e tutje, me dhjetra qytetarë shqiptarë, kryesisht në moshat 20 vjeç [30] e sipër, që do të niseshin në vendet socialiste për studime ose specializim binin në kontakt me qytetarë të huaj. Lëvizja e studentëve dhe specializantëve, në dalje shoqërohet me atë të specialistëve dhe studentëve të huaj në hyrje. Raportet dhe numrat shënojnë, po ashtu, distancën zhvillimore që ekziston mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Qytetarët shqiptarë jashtë shtetit largohen për t’u formuar dhe, ata, të huaj, që vijnë në Shqipëri janë kryesisht në rolin e specialistëve që asistojnë në ngritjen e të gjithë aspekteve, që në kompleksin e tyre formojnë indenë e socializmit dhe ndihmës së ndërsjelltë mes vendeve të bllokut.[31]
Qytetarët shqiptarë që largohen përkohësisht nga vendi e sidomos me detyra shtetërore sikurse, studimi por edhe për arsye që anojnë nga privatja e qëndrojnë për periudha të gjata jashtë shtetit, janë kryekëput agjentë shtetërorë ose të paktën konsiderohen gjithmonë të tillë. Në këtë kuptim, marrëdhëniet e tyre qofshin këto private janë gjithmonë subject, në mos kontrolli e qortimi nga ana autoriteteve, të paktën çertifikimi.[32] Studentët, e kushdo që shkon jashtë shtetit, për qëllime publike por qoftë edhe private, kalon fillmisht fazën e çertifikimit të figurës e dëmit potencial që, ai, mund t’i shkaktojë shtetit, marrëdhëniet që mund të mbajë me subjektet e huaja e konseguencat që ai/ajo mund të pësojë nga mos respektimi i këtyre normave që, nuk janë norma shpesh ligjore, por i përkasin një kategorie thellësisht instabël sikurse ajo e ‘moralit socialist’. Kështu shteti rregullon natyrisht e përmbledh të gjitha aspektet e organizmit të jetës së qytetarit të tij, jashtë shtetit e kështu qytetari shqiptar vendoset në një marrëdhënie dyfishe, atë me shtetin e tij dhe atë me shtetin pritës. Nëse për shtetin pritës, sjellja e qytetarit mund të mos ketë asnjë konseguencë, kjo në varësi të legjislacionit përkatës, qëndrimi e aktiviteti i tij në vendin pritës është gjithmonë e kurdo subjekt kontrolli nga ana e shtetit dërgues, në këtë rast Shqipërisë.[33] Ambasadat shqiptare bëhen kështu rregullatore, për aq sa kishin mundësi, të jetës së studentëve të cilët përveç se detyroheshin të ndiqnin rregullat e shteti pritës vareshin paralelisht dhe nga ambasadat përkatëse. Megjithatë është e pamundur që të kontrollohet aktiviteti i dhjetëra në mos qindra studentëve, të cilët vijnë nga një vend tejet i prapambetur në ‘parajsën’ socialiste, qytete e kryeqytete që ruanin si shkëlqimin e paraluftës si atë të triumfit të socializmit sikurse ishte Moska apo Leningradi. E natyrisht përtej vendosjes së regjimeve komuniste e aplikimit të stalinizmit si stil e logjikë ushtrimi pushteti, shoqëritë evropiano-lindore ishin tejet më të hapura e artikuluara se sa ajo shqiptare e aq më pak ajo e ndërtuar nga komunizmi rishtar shqiptar. Në vitin 1953, në një qarkore drejtuar Ambasadave, Hoxha[34] ankohet për sjelljet e ‘pahijshme’ të studentëve e kursantëve, probleme të natyrës specifike e shpesh private por që marrin kuptim në raportet e shkëmbimeve njerëzore mes vendeve të bllokut.[35] Studentët, kursantët apo njerëzit që shkonin për të marrë eksperiencë jashtë vendit duhej të kishin një sjellje, në mos të përcaktuar, edhe të kontrollueshme. Njëkohësisht studentët janë pasqyrë e shtetit dërgues ose të paktën kështu ata kuptohen nga shteti dërgues në dorën e të cilit mbetet dhe fati i studentëve. Bursat e studimit paguheshin rrallë nga shteti shqiptar e më shumë shfrytëzohej ndihma e vendeve të lindjes, në kuptimin e raporteve të ndësjellta e barazisë mes shteteve të cilat prisnin studentët. Në këtë kuptim, kontrolli i ambasadave është pjesë e qenësishme e logjikës shtetërore e zgjatimit të saj, në vendet pritëse. Shqipëria kërkon, sikurse dhe vende të tjera socialiste, të ushtrojë kontroll mbi jetët e studentëve në aspektin material dhe atë moral. Ambasadat shqiptare, presin studentët shqiptarë,[36] mundësojnë përgatitjen shpirtërore me dinamikat e shoqërisë pritëse, vendosin nëse ata do të vijnë apo jo për pushime verore, e kështu me radhë. Ato gjithashtu organizojnë aspekte të rëndësishme të jetës socio-politike të tyre që shkojnë nga ngritja e organizatave bazë të partisë deri tek supervizioni, aty ku mundet i punimeve të këtyre organizatave. Në vitin 1957, me urdhër të Ministrisë së Arsimit, ambasadave shqiptare u delegohen një sërë kompetencash të rëndësishme në raport me organizimin e jetës studentore. Përfaqësitë diplomatike, kështu, kthehen në supervizorë të përditshmërisë studentore që prek thuajse çdo aspekt të jetës.[37]Natyrisht që përfaqësitë shqiptare e kishin tejet të vështirë ta bënin këtë e aq më shumë të kontrollonin raportet intime e problemet që mund të lindnin në këtë aspekt, pasur parasysh dhe shkallën e lirisë apo mungesën në shumë raste të kufizimeve rixhide që ekzistonin më marrëdhëniet ndërgjinore në Shqipëri. Padyshim që, për shqiptarët bota jashtë vendit, qoftë dhe ajo e lindjes, ishin një moment lirie e paprecedentë qoftë në raportet e përdishmërinë, qoftë në ato të natyrës intime.[38] Efekti i kësaj ishin dhe lidhjet, të cilat në shumë raste përfundonin e kurorëzoheshin në martesa. Shteti shqiptar gjendet përpara faktit të kryer, dëshirës për të kontrolluar aktivitetin e studentëve dhe logjikës ndërkombëtariste të socializmit. Në rastin e pare, janë marrëdhëniet intime, lirshmëria e mungesa e rixhiditetit tradicional të shoqërisë shqiptare si dhe një aspekt anësor efekteve të vëllazërisë socialiste e kjo natyrisht vë para vështirësisë autoritetet.[39]
Përgjithsisht, ata që martohen janë kryesisht burra me gra të huaja e pak të grave shqiptare që martohen me burra të huaj, e kjo reflekton edhe raportet e zhdrejta gjinore në dërgimin e studentëve jashtë shtetit. Ndonëse ka pak, ose aspak orientime se, si të veprohet me martesat, pjesa më e madhe e studentëve që martohen do të duhet t’i sjellin gratë e tyre dhe eventualisht fëmijët vetem pas mbarimit të studimeve, në vendin e origjinës.[40] Në lutjen e P.G.[41] për autoritetet shpjegohet pak a shumë dinamika e martesave mes të huajve dhe shqiptarëve studentë. Sipas letërshkruesit, përpara viti 1958, martesat lejoheshin dhe pse në mesin e viteve pesëdhejtë, studentët shqiptarë këshilloheshin të mos martoheshin me të gra të huaja për shkak të diversitetit kulturor, zakoneve e kushteve në të cilat ndodhej vendi. Kjo natyrisht nuk ishte e zakonshmja porse largimet te grave sovjetike apo lindore, divorce e të tilla ngjarje ishin të dëmshme ose pak të pranueshme për udhëheqjen shqiptare. Destinacioni i shqiptarëve, burra apo gra duhej të ishte gjithmonë Shqipëria. Qëndrimi në vendet lindore, pavarësisht marrëdhënieve të mira, është i paimagjinueshëm qoftë kjo dhe për misionin specifik që studentët kanë,[42] atë të nxënies dhe aplikimit të dijeve të marra në vendin e origjinës. Gra e vajza sovjetike, polake apo të nacionaliteteve të tjera do të transferohen kështu në Shqipëri, gradualisht nga mesi i dekadës së viteve pesëdhjetë.[43] Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, dhe eventualisht me vendet e tjera të bllokut, pezullon e ndalon fenomenin e martesave e njëkohësisht ndalon studentët shqiptarë të sjellin në Shqipëri gratë e tyre, tashmë jo vetëm të huaja, por të konsideruara pjesë e një bote tashmë armiqësore. Agjentë të këtij ndalimi janë pikërisht ambasadat shqiptare, të cilat frenojnë dhënien e vizave hyrëse, dokumentave e certifikatave përkatëse që do të mundësonin transferimin në Shqipëri apo qëndrimin në vendet përkatëse të bashkëshortëve. Në logjikën shqiptare, ngjizur dhe me predispozitën tradicionaliste të raporteve gjinore, gruaja ndiqte burrin kudo që ai shkonte. Studentët shqiptarë, si vajza e djem, u detyruan të ktheheshin në Shqipëri e të mos mbaronin dot studimet në vendet lindore, duke lënë kështu pas gratë, burrat apo të fejuarit e tyre.[44] Thyerja është e beftë, në mos brutale, pasi që ajo vjen në periudhën e verës, kur pjesa më e madhe e studentëve kthehen për pushime të detyruara në Shqipëri, e ku iu komunikohet pikërisht ndërprerja e studimeve e pamundësia e fizike për të qenë pranë partnerëve të tyre. Bashkimi Sovjetik e vende të tjera të Bllokut ndërpresin ndihmën e bursat për studentët, gjë që e bën të pamundur vazhdimin e studimeve e për pasojë vijimësinë e raporteve me bashkëshortët.[45] Prishja e marrëdhënieve me Bllokun, tërheqja e ambasadorëve respektivë të BS dhe Shqipërisë, radhitja në anën Sovjetike të shumicës së vendeve komuniste, do të prodhonin izolimin e parë brenda bllokut. Viktimat e para të kësaj prishje ishin studentët e më tepër partnerët e tyre. Ata përbënin dyfishazi rrezik, si subjekte të influencueshme nga propaganda e huaj [46] por, dhe në raportet që ato kishin me bashkëshortet, të cilat konsideroheshin agjente potenciale. Raportet me të huajt e dyshimi ndaj tyre reflektonin njëherazi fobinë e sistemit ndaj tyre, idenë e tjetrit si i dyshimtë permanent dhe perceptimit e të qenit në vijën kufitare të përballjes, me një numër të pafund armiqsh. [47]
Paternalizmi dhe dashuria e sinqertë
Letrat drejtuar autoriteteve ishin të zakonshme për qytetarët shqiptarë. Në to pasqyroheshin kërkesa, sugjerime, denoncime e kështu me rradhë. Ato ishin, gjithashtu, letra që tregonin një raport të veçantë dispropocional mes të udhëheqësit dhe subjekteve socialiste. Shpesh në to nuk kërkohej e drejta e mohuar por më shumë shprehej habia e pamundësisë së realizimit të një akti për të cilin subjektet kishin dhënë prova të mjaftueshme besnikërie. Burimi i të drejtës, që subjektet kishin perceptohej se lindte jo thjesht nga ligji por më shumë nga raporti ekskluziv dhe, thuajse, i personalizuar mes tyre dhe Partisë. Kjo e fundit ishte ajo që kish çertifikuar edhe përshtatshmërinë e subjekteve, të cilat e quanin një privilegj e nder të madh që kishin mundësi të jetonin e studionin jashtë shtetit. Siegelbaum shkruan se, “Autoriteti atëror ndëshkon apo nuk aprovon sjelljen e fëmijëve: ata, që sillen mire, do të shpërbleheshin, apo dhe dekoroheshin’.[48] Studentët më tepër se të ndërgjegjshëm për raportin që kërkojnë të ndërtojnë me liderin, mundohen të kuptojnë pse sjellja e tyre, të cilën, ata, e gjykojnë konform rregullave të komunizmit e traditës kulturore shqiptare, nuk shpërblehet apo njihet. Dilema e tyre është sa personale aq edhe publike, pasi mbeteshin ‘agjentë shtetërorë’, dhe në këtë kuptimin për ta privatja ishte e shkrirë me publiken. Gjithsesi për një pjesë prej tyre ishte e papranueshme të mos merrnin apo të linin në vendet lindore bashkëshortet e tyre. Për këtë arsye, shumë syresh përpiqen me të gjitha mundësitë që kanë të zgjidhin ngërçin burokratik, dhe pengesat për të sjellë në Shqipëri gratë e fëmijët e tyre.
Përpos përpjekjeve në rrugë ligjore, ata i shkruajnë udhëheqjes, si instanca fundore e cila mund ta zgjidhë problemin. Parashtrimi i këtij problemi është natyrisht personal e jo kolektiv.[49] Letrat shkruhen shpesh nga të dy partnerët, shqiptarët dhe të huajt. Struktura e tyre është thuajse e njëjtë e, ku fillohet me vendosjen e lidhjes paternaliste me udhëheqësin, deklaratën e besnikërisë, vlerësimin e vehtes, prezantimin e bashkëshortes dhe problemit të martesës, garancinë personale për bashkëshorten dhe deklaratën e përbashkët të besnikërisë.
Studentët janë e pretendojnë të jenë produkt kryekëput i partisë dhe shtetit. E për këtë, ata, e ndjejnë të natyrshme t’i drejtohen atij që, ata, e identifikojnë si autoriteti fundor i tij, atij që ka pushtetin mbi jetën dhe vdekjen e subjekteve dhe që natyrisht ka fuqinë të tejkalojë ligjin.[50] A.D. i drejtohet udhëheqësit me emër personal dhe i kërkon falje që po i merr kohë atij. Ai shkruan: ‘Pse ka kohë udhëheqësi jonë i dashur, në shpatullat e të cilit qëndrojnë se sa probleme më të cilat varet fati i gjithë popullit ?!’[51] Ndër rastet e rralla të grave që martohen me qytetarë të huaj, T.B. i drejtohet Hoxhës, pasi ky i fundit ‘me kujdes e dhëmshuri zgjidhni e plotësoni kërkesat e nevojat e popullit’.[52] Si e tillë letra e saj nuk duhet injoruar e duhet parë me të njëjtën logjikë, sikurse e sheh dhe prindi sikurse dhe F.D., i cili i drejtohet Hoxhës ‘si djali babait’, e më pas, e cilëson si udhëheqës të dashur. Raporti politik orientohet kështu drejt paternalizmit e idesë së Hoxhës si babai i familjes së madhe shqiptare prej të cilit varen fatet kombit dhe ato personale të letërshkrueseve.
Ndërsa civilët i bëjnë apel dhembshurisë së së prindit, për ushtarakët është me e rëndësishme parashtrimi i origjinës familjare dhe afërsia e saj me pushtetin. L.L [53] shkruan se kërkon afri thuajse familjare me Hoxhën dhe Partinë, të cilët ‘më ritën e më dhanë jetë’. Piloti I. K.[54] shkruan se, ka plotësuar porosinë e udhëheqësit e partisë më përpikmëri duke dalë me rezultate të shkëlqyera e që komandon pa problem avjonin me të cilin do të mbrojë më pas atdheun. Një ushtarak tjetër bën rezymenë e familjes e origjinës, një prej arsyeve kryesore përse është përzgjedhur për të shkuar në Bashkimin Sovjetik . R.C.[55] rrjedh nga një familje me lidhje të forta thuajse gjenetike me regjimin. I jati ka qenë partizan e shofer në degën e punëve të brendshme në Elbasan. Të ëmën ja kanë vrarë gjermanët. Formimi politik i letërshkruesit po kështu nuk mund të vihet në dyshim, pasi qysh në bangat e shkollës, ai është angazhuar në të gjitha aktivitetet e mundshme politike e organizatat partiake, e për pasojë prania e tij në B.S. është produkt i besnikërisë familjare e personale ndaj Partisë. P.G[56] nga Korça thotë se, në familjen e tij ka ndihmuar me çdo mjet luftën, e shumë nga të afërmit e tij kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit. Ëndrra e tij për t’u bërë pilot u realizua nga Partia e cila më pas i dha mundësi të shkonte në Bashkimin Sovjetik. Apeli për ndihmë vjen dhe me njohjen dhe pjesëmarrjen në sakrificën kolektive. S.S.[57] shkruan se partia dhe E.Hoxha kanë bërë shumë për lëvizjen marksiste-leniniste në botë, e bashkë e me ta, dhe letëshkruesi zotohet se do të luftojë vazhdimisht e të japë jetën për çështjen e komunizmit dhe mbrojtjen e vendit. Përpos deklaratës personale të besnikërisë, studentët ofrohen të garantojnë jo vetëm për vehten por kryesisht për bashkëshortët e tyre. Në to shfaqen elementë të traditës morale shqiptare, ose më saktë, të një botëkuptimi tradicional mbi raportin martesor, përzier kjo me dashurinë, të konceptuar në socializëm si element autentik dhe shprehje e vullnetit të lirë të subjekteve, nën lejimin e kornizave të shtetit socialist. L.L. shkruan se, ai, u dashurua me një vajzë sovjetike me të cilën vendosën të lidhin jetën, mbështetur në ‘qëllimin e Partisë tonë të dashur për të mirën e të gjithë njerëzve të ndershëm dhe duke u mbështetur në vendimin e qeverisë sonë, ne vendosëm të lidhim jetën’.[58] E kështu martesa nuk është vetëm vendim personal por dhe një autorizim shtetëror, i cili natyrisht duhet respektuar sepse përkon dhe me qëllimin e Partisë për të bërë të lumtur njerëzit.
Burrat shkrues janë njëra pjesë e ekuacionit, që në shumë raste ndërtohet në një raport me më shumë se dy aktorë. Ata i prezantojnë gratë udhëheqësit, në të njëjtën formë premoderne sikurse do t’ia prezantonin ato prindërve të tyre. Sikurse dhe për prindin, udhëheqësit i jepen dy infomacione esenciale, prejardhja shoqërore dhe familja. I.K.[59] shkruan se, gruaja e tij është me origjinë fshatare dhe është rrobaqepëse, njeri i shtresës së thjeshtë dhe që nuk ka të afërm të tjerë në B.S. përveç burrit. R.C.[60] kandidat për anëtar partie, shkruan po kështu se gruaja e tij është ‘tamam si shqiptare….e pjekur dhe shumë e sjellshme’, punëtore e dalluar që plotëson konditat për t’u pranuar në shoqërinë socialiste. Autorët e dy letrave tregojnë se në vendimin e martesës në rastin e parë dhe fejesës në të dytin, i kanë njohur partneret e tyre me autoritetet shqiptare. R.C. shkruan se, sekretari i organziatës bazë të partisë ka thirrur gruan e tij, sipas orientimeve dhe ‘ajo është sqaru për çdo gja’,[61] në kuptimin e asaj çka e priste në Shqipëri. Përpos dëshirës e dashurisë të pastër që autorët e letrave theksojnë dëshirën e bashkëshorteve të tyre për të qenë qytetare të denja e besnike të shtetit shqiptar. Kjo besnikëri shprehet dhe, nga vetë vajzat, të cilat tregojnë përmes letrave efektet e para të transformimit në subjekte të shqiptarizuara, e ku elementi kryesor eshtë gjuha, ndërsa struktura i përgjigjet asaj që është cilësuar si e ‘folura bolshevike’.[62]
Shumë prej letërshkruesve shkruajnë shqip ndofta të ndihmuara nga bashkëshortët e tyre. Letrat, sidomos ato të qytetarëve sovjetike, kanë ngjashmëri të madhe në strukturë me ato të burrave e kjo provon dhe ‘humusin’ premodern të njëjtë, në të cilin ato gatiten. Dashuria e sinqertë e gruas sovjetike I.B. për burrin shqiptar derdhet mbi familjen e këtij të fundit e më pas mbi Partinë e Punës; ‘unë kam ëndra të filloj gjymtyrë e denjë në Partia e Punës e Shqipërisë’. [63] Mbi gratë pretendohet transfomimi tashmë i një vendi e shoqërie, e cila ruan të patretur e transformuar tiparet e hershme të stalinizmit. Në vijim të letrës së gruas, R.C.[64] shkruan se martesa e tij do të jetë një fitore e madhe për partinë, duke nënkuptuar pikërisht transformimin jo vetëm etnik të gruas por, dhe dorëzimin e saj politk, pranimin e rrugës së drejtë të Partisë në përplasjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Krejt të kundërta nga letrat e grave sovjetike janë ato të vendeve lindore. H.D.[65] qytetare çekosllovake, mjaftohet me shkrimin e një kërkese të thjeshtë në të cilën përveç shpresa për realizimin e martesës do të krijonte një familje ku do të mbretëronte dashuria për të dy vendet. V.B., po çekosllovake, e llogaritare në një koperativë bujqësore, shprehet e gatshme të vijë dhe të ndërtojë socializmin në Shqipëri, sikurse do të bënte në çdo vend tjetër, sa kohë që qëllimi e objektivi i shoqërive socialiste mbetet i njëjtë. Apeli bëhet me gjuhën tipike të socializmit internacionalist, më tepër se, si një dorëzim pa kushte socializmit shqiptar. Gruas i duket e habitshme të mos lejohet një martesë mes dy qytetarëve që vijnë nga shoqëri të cilat ndërtohen mbi parimin e dashurisë së njeriut për njeriun. E vetmja nuancë paternaliste e letrës, është ajo ku i bëhet apel ndjeshmërisë së Hoxhës dhe dashurisë së tij, për njerëzit e thjeshtë sikurse dhe letërshkruesit.[66] Për të ndërtuar një raport sa më autentik, vajzat e gratë përpiqen të distancohen nga ato gra sovjetike, të cilat janë larguar, kanë lënë bashkëshortët e janë kthyer, në B.S. Si për të prekur ndjeshmërinë e një shoqërie në zgrip të modernitetit, lidhur me familjen e rolin subaltern të gruas, qytetaret sovjetike, përpiqen të zhvishen nga identitetet e tyre e të asociohen me ato shqiptare.[67]
Përgjigje, zgjidhje dhe shteti dual
Përgjigjet e letrave nuk janë as sistematike e as të organizuara në dosjen përkatëse. Pjesa dërrmuese e letrave, të cilat i dërgohen Hoxhës, nuk marrin përgjigje, të paktën personale. Ato i delegohen autoriteteve përkatëse, organeve të K.Q.P.P.Sh. ose i transmetohen qendrave përkatëse me të cilat letërshkruesi ka qenë në kontakt. Fitzpatrick që ka studiuar letrat e qytetarëve[68] në Bashkimin Sovjetik, shkruan se letrat ishin pjesë e një komunikimi dual mes letërshkruesit e pritësit. Letrat e drejtuara Hoxhës, e specifikisht ato të studentëve, janë qartësisht shpresa e fundit e tyre për zgjidhje të problemit. Specifikisht, ata, shkruajnë se përpos përgjigjeve zyrtare të refuzimeve të dhënieve të vizave apo lejeve të martesave nga ana e organeve zyrtare, ato nuk marrin ndonjë shpjegim tjetër përveç mos pranimit apo mos kthimit të përgjigjes. Po kështu duhet parë si punon letërkëmbimi mes dy palëve për të kuptuar strukturën duale të shtetit socialist shqiptar. Pjesa dërrmuese e letrave apo lutjeve katalogohen dhe i dërgohen në mos, për dijeni Hoxhës, sekretarisë së tij pavarësisht se praktika insitucionale e bën të qartë pengesën e panegociueshme të moslejimit të martesave e ardhjes së grave sovjetike apo polake në Shqipëri.[69] Shpesh ato shoqërohen me dy përgjigje; atë zyrtare dhe jo zyrtare, delegimin tek autoritetet kompetente, Ministria e Jashtme apo Ambasada shqiptare në Moskë si dhe orientimin informal që i bëhet këtyre insitucioneve për të mos lejuar e pranuar kërkesa të tilla. Në rastin e dytë, është e qartë që institucionet përkatëse nuk mund të veprojnë apo mos veprojnë pa patur orientimet përkatëse se si veprojnë me rastet, pavarësisht se praktika zyrtare është e qartë e sidomos pas orientimeve që bllokojnë gradualisht martesat apo transferimet e qytetarëve të huaj në Shqipëri nga viti 1958 e tutje, kur marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike fillojnë të ftohen. Pas një letre të gjatë, përmes të cilës H.G. ndërhyn t’i jepet mundësia djalit student, të martohet me një bashkëstudente polake, ai thirret në Komitetin Qëndror ku sqarohet për çështjen e refuzimin lejimit të martesës dhe pse refuzon arsyet që i jepen.[70]
Për shtetin shqiptar të huajt janë burim konstant shqetësimi e sidomos gratë sovjetike dhe, akoma më shumë, ato, që martohen me ushtarakë. Arsyet janë, të paranojës e pasigurisë por dhe ato të thyerjes komunikative thuajse totale me B.S. dhe vendet e tjera lindore. Megjithatë kjo nuk do të thotë se letërshkruesit heqin dorë e tërhiqen kollaj. Strategjitë për arritjen e qëllimit, bashkimit me bashkëshortët janë të ndryshme, që nga prezantimi e deklarata e besnikërisë së bashkëshortes, zbrazja e saj nga çdo lidhje me vendin e origjinës e pranimi pa kusht e diskutim i realitetit socio-politik në Shqipëri, deri te kërkesa pa lutje e të drejtës së mohuar të martesës. Letërshkruesit nuk i drejtohen vetëm Hoxhës, por edhe autoriteteve të tjera, e sikurse u tha Hoxha mbetet mundësia e fundit për t’u eksploruar por edhe më delikatja. Nëse për autoritetet është e thjeshtë të prodhojnë përgjigje negative, nisur nga baza ligjore apo urdhrat, për autoritetin udhëheqës kjo nuk është e lehtë. Pak raste shënohen më shumë se tre, deri në katër, lutje drejtuar E.Hoxhës,[71] ku shprehet vazhdimisht dyshimi se letrat parendëse nuk kanë arritur në destinacion dhe për këtë letërshkruesit, në disa raste, insistojnë në kërkesat e tyre. Madje, ata, edhe japin aleternativa për zgjidhjen e problemeve kur e kanë të qartë e kuptuar se, nuk do të mund të bashkohen me njëri tjetrin.[72] Ndonëse E.Hoxha apo sekretariati i tij refuzojnë se kanë mundësi t’i përgjigjen letrave ato orientojnë organet përkatëse të merren me to e bile të mundohen t’i ndalojnë letërshkruesit të shkruajnë. Kështu Hoxha shkruan me laps të kuq anash…’të sqarohet’, ose të informohen qendrat e punës e organizatat bazë, ta këshillojnë letërshkruesin të heqë dorë nga apelet.[73] Në anën tjetër, refuzimet justifikohen si një formë mbrojtje e përgjegjësie nga ana e shtetit shqiptar për qytetarët e tij. Një ish studente shqiptare në Poloni, arrin të martohet me një qytetar polak, por nuk lejohet të transferohet pranë burrit. Në logjikën e paternalizmit shqiptar, pavarësisht predikimit të barazisë, gruaja duhej të shkonte e të punonte aty ku punonte dhe burri. Në rastin e T.B. transferimi i saj në Poloni nuk lejohet. Hoxha i gjendur përballë letrave e kërkesave të vazhdueshme të T.B. shkruan anash letrës me laps të kuq, justifikimin e pengimit të largimit të vajzës pranë burrit, me pretekstin e përgjegjësisë së mbrojtjes së qytetarëve të vet. [74] Mbrojta në këtë drejtim vepronte në raport me dyshimet e paranojën e qëndrimit të qytetarëve shqiptarë e sidomos grave në vendet e bllokut lindor.
Gratë sovjetike apo ato të vendeve lindore që jetonë në Shqipëri shihen si problem politik e për këtë ndalohen në hyrje, ardhjet e reja, sidomos nga viti 1958 e tutje por dhe trajtohen ato që janë brënda vendit. Në bisedën që zyrtarët shqiptarë të MPJ kanë me sekretarin e dytë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, shprehen shqetësime të shumta në lidhje me gratë sovjetike dhe kontaktet e shpeshta që ambasada ka me to përmes ‘Klubit Sovjetik’.[75] Hamendësimet e zyrtarëve shqiptarë lidhen, dhe pse të pashprehura me paranojën e spiunazhit e mundësitë që prania e grave sovjetike u jep zyrtarëve diplomatikë t’i takojnë kudo dhe kurdo. Për këtë gjenden forma e mënyra pengimi deri në dëbime e përndjekje .[76] Pas një letre të një gruaje sovjetike të ndarë nga burri shqiptar, Kadri Hazbiu,[77] ministër i brendshëm i shkruan E.Hoxhës duke i paraqitur taktikat e praktikat e ndjekura me gratë e huaja, sidomos me ato që akoma nuk kanë marrë shtetësinë shqiptare. Ministri shkruan se ka dy mënyra se si mund të veprohet me gratë e huaja e sidomos ato që nuk kanë shtetësinë shqiptare, e para ishte deportimi ose dhënia e lejes për pushime në vendin e origjinës e refuzimi më pas i vizës së hyrjes.[78] Ndëveprimi me letërshkruesit është kështu informal, e ku më tepër se sa përgjigja negative, të paktën nga Komiteti Qendror ofrohen takime me të interesuarit apo i jepen sugjerime institucioneve të tjera ti bindin letërshkruesit të heqin dorë nga kërkesa. Të tilla janë dhe sugjerimet që bën vetë Hoxha në cepat e letrave, si sugjerim për autoritetet që duhet t’i përgjigjen atyre. Në rastin e një qytetareje shqiptare që kërkon të martohet me një gjermano-lindor, shkruan ‘të mos lejohet’[79] duke hedhur dyshime mbi letërshkruesit e qëllimet e tyre të vërteta. Po kështu, orientimi për një qytetare sovjetike, të martuar me një gjeneral të ushtrisë shqiptare, Tahir Kadareja, të dënuar pas konferencës së Tiranës, është i qartë: ‘Të spastrohet që këndej, dhe të largohet në vendin e vet!’.[80] Qartazi e pavarësisht mungesës së një përgjigje personale nga Hoxha, autoritetet shqiptare ishin jo vetëm në dijeni por edhe kishin një orientim të qartë se si të vepronin me letrat. Fitzpatric[81] dallon mes letrave në formë lutje dhe letrave të qytetarëve. Të parat kishin karakter privat e të dytat publik e ku tregohej esenca e modernes dhe të mirës kolektive e jo qëllimit privat. Natyra e letrave të studentëve apo qytetarëve të tjerë mbi martesat me të huajt hyn në kategorinë e lutjeve private, përmes të cilave kërkohet jo një e drejtë por favori i drejtpërdrejtë i autoritetit që ushtronte sovranitetin, e sikurse thotë Agamben, ky lloj autoriteti është dhe brenda dhe jashtë ligjit.[82] H.G., babai i një prej studentëve, pretendon se të birit i është bërë një padrejtësi e shumë prej shokëve të tij që kanë marrë ndërkohë gratë nga vendet lindore, e se vetëm Hoxha mund ta zgjidhë situatën.[83] Pak prej tyre kërkojnë të veprojnë e të shkruajnë si qytetarë duke ndjerë kështu peshën e rrezikun që mund t’i vijë në artikulimin e të drejtave të çdokujt për t’u martuar me partnerin që dëshiron, e aq më tepër në mungesë të ligjit. Në vetëm dy raste këto letra hartohen si kërkesë llogarie ndaj autoriteteve.
P.G.[84] shtjellon me argumente kohëzimin e problemit dhe orientimin e shtetit shqiptar mbi martesat, e ku letëshkruesi kërkon me insistim të lejohet martesa sa kohë që nuk është thyer ndonjë rregull e për më tepër pengesat nuk janë të natyrës ligjore por janë thjeshtë orientime e nuk duhet të pengojnë këtë të drejtë legjitime. Nëse pjesa më e madhe lutjeve kërkojnë empatinë e mundohen të prekin ndjeshmërinë familjare të udhëheqësit, në raste të rralla ato kthehen dhe në instrumente denoncimi të mangësive të institucioneve shqiptare, tejzgjatjes së proceseve administrative të cilat janë dhe shkaku i pengesave. S.I.[85] akuzon i drejtohet Hoxhës njëherazi për të kërkuar ndihmë por dhe për të akuzuar ambasadën shqiptare në Moskë, si fajtore edhe të qëllimshme të pengimit të lejimit të ardhjes së bashkëshortes së tij në Shqipëri. Letrat që i shkruhen udhëheqësit janë sipërmarrje jo të lehta e gjithmonë pozicionohen si përpjekje fundore të letërshkruesve ose ata shprehen e evidentojnë fatalizmin e hallit që i ka prekur e identifikojnë Hoxhën si zgjidhësin e vetëm të problemeve të tyre. Kjo formë përkon me një lloj garancie që letërshkruesi i kërkon letërmarrësit, garanci mos ndëshkimi për një kërkesë të cilën, ai, është i paaftë ta gjykojë si të denjë për t’u marrë parasysh nga Hoxha. Një taktikë e tillë e shtron problemin përgjithësisht në rrafshin personal e jep një farë garancie për kërkuesin e njëkohësisht kërkon ta vendosë marrësin në një pozitë moralizuese. Në anën tjetër, ato, tregojnë dhe ngurrimin e subjekteve për t’u përballur personalisht me udhëheqësin. Ato nuk gjejnë përgjigje personale dhe pse i trasmetohen organizmave të tjerë në hierarkinë e sekretariatit të Hoxhës e K.Q.
Përfundime
Ruajtja e Partisë dhe e lidershipit siguronte kalimin e këtyre fazave e kështu, ligji ishte një instrument jo më organizimi shoqëror por më shumë i rezultatit përfundimtar që duhej të arrihej e kështu mund të përthyej pambarimisht.[86] Formalisht regjimi ruante pamjen e funksionin e ligjit por logjika dirigjiste dhe centralizuese bënte të mundur që ai të përthyhej pikërisht në funksion të qëllimeve e dinamikave momentale të regjimit, gjë që e bënte dhe vetë legjislacionin instabël.
Nuk është e mundur të bëhet një lidhje e qartë mes letrave dhe fatit të shumë prej studentëve kërkesat e të cilëve për të sjellë gratë e tyre në Shqipëri u refuzuan. Shumë dorëzohen nga presionet e vazhdueshme që marrin përmes këshillimit nga vetë organet qëndrore të partisë, organizatat bazë apo qendrat e punës. Pezullimi e prerja e marrëdhënieve me B.S. preu dhe mundësitë e komunikimit të bashkëshortëve. Kjo ndodhi dhe me gratë e vendeve të tjera lindore, me të cilat dhe pse formalisht kishte marrëdhënie diplomatike, kontaktet private monitoroheshin me rreptësi nga Sigurimi i Shtetit.
Disa prej tyre u dënuan vite më vonë sikurse në rastin e ‘grupit i agjentëve polakë’. Është e vështirë të thuhet nëse ka një lidhje të drejpërdrejtë mes kërkesave të tyre për t’u martuar me gra të huaja e persektutimit të tyre të mëvonshëm. Natyrisht që letrat e ekspozimi ndaj autoriteteve do të luante një rol në këtë. Të paktën katër ish studentë të cilët u munduan të sillnin në Shqipëri gratë e tyre nga Polonia, në kapërcyellin e viteteve gjashtëdhjetë, u dënuan në vitin 1975. Gjatë gjithë kësaj periudhe, e siç dhe citohet nga Lalaj, një pjesë e tyre u munduan të mbanin lidhje me gratë përmes kanaleve të tërthorta, e për këtë ata survejoheshin nga Sigurimi. Përpjekja e ruajtjes së lidhjeve ishte një indicie mëse e mjaftueshme për t’u përndjekur nga nga autoritetet shtetërore. Shumë prej tyre braktisën çdo shpresë se do të takoheshin ndonjëherë me gratë e fëmijët e tyre e thuajse të gjithë vijuan me jetën e zakonshme duke u martuar sërish. Për disa prej tyre, pasja e një lidhje të tillë do të ishte një ‘njollë’ e cila mund të kthehej në mëkat politik e të tjerë nuk do ta përmendnin kurrë. Disa arritën e patën fatin t’i mbanin gratë në Shqipëri, të jetonin një jetë komode brenda logjikës se gjithmonë mund të ishin subjekt i ndonjë persekutimi të mundshëm nga autoritetet shtetërore.
[1] Intervistë me A.A. dhe P.A. vëllezër prej babai. I jati ish student në Poloni ishte penguar të kthehej tek e shoqja pas pushime verore të atij viti. Pavarësisht ndarjes e martesës në Shqipëri, Y.A. mundohet të mbajë kontaktet me ish-gruan vetëm për ti takuar në vitin 1992. Intervista të zhvilluara 30 tetor 2018 dhe 20 maj 2020
[2] Logjika e doktrinës marksiste mbi shoqërinë e shtetin parashikonte triumfin e klasës punëtore, si forcë trans kombëtare e më pas eliminimin e vetë shtetit e për pasojë tejkalimin e dallimeve rraciale dhe etnike mes subjekteve.
[3] Për një vështrim juridik të martesave mes shqiptarëve dhe të huajve shih Ana Lalaj. “Ndarje të trishtuara (Një vështrim historik – juridik mbi martesat midis shtetasve shqiptarë dhe të huaj)”. Studime Historike 01-02:155-165.
[4] Shih këtu dhe dokumentarin që trajton divorcet, shpesh të imponuara mes shqiptarëve dhe grave të huaja në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë. Peeva, Adela. 2007 ‘Divorce Albanian Style’. Adela Media Film & TV Productions
[5] Në letrën që i dërgon udhëheqësit, kadeti I.H. shkruan se atasheu ushtarak shqiptar në Moskë i kishte thënë se me çështjen e martesave merrej ‘Komiteti Qendror i P.P.Sh. dhe personalisht shoku Enver’. Letër e I.K. drejtuar Serketarit të Parë të KQPPSh, Shokut Enver Hoxha, f.44
[6]Babiracki, Patryk. 2007. “Imperial Heresies: Polish Students in the Soviet Union, 1948–1957”. Ab Imperio 4: 199–236. 5
[7] Shih Weber, Max “Politics as a Vocation”.Tek Dreijmanis,Johns 2008, (përg nga) Max Weber’s Complete Writings on Academic and Political Vocations. Agora. f.156
[8] Khlevniuk, Oleg. 2015. “Letters to Stalin”, Cahiers du monde russe [Online], 56/2-3 , 327-344
[9] Kharkhordin , Oleg. 1999.The Collective and the Individual in Russia: Study of Practices, University of California Press, 1999
[10] Mëhilli, Elidor. 2017. From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World. Ithaca, N.Y..: Cornell University Press; Marku,Ylber. 2019, “Communist Relations in Crisis: The End of Soviet-Albanian Relations, and the Sino-Soviet Split, 1960–1961”, The International History Review, 1-20,
[11] Fitzpatrick, Sheila 2005. Tear Off the Masks!:Identity and Imposture in Twentieth-Century Russia, Princeton University Press, f. 157
[12] Meksi, Sofokli.2015. Stalinizmi shqiptar: një vështrim nga poshtë. Disertacion. Universiteti i Tiranës, f.46-47
[13] Lebowitz. Michael A. 2012. The Contradictions of “Real Socialism”: The Conductor and the Conducted . New York, NY: Monthly Review Press. f.72
[14] Studimet për Bashkimin Sovjetik bazuar mbi letrat janë të shumta Fitzpatrick, Aexopulos, Lenoe at al. Qëllimi i tyre ka qenë ai i studimit të sistemit sovjetik nga poshtë ose përmes ndërveprimit të njerëzve dhe sistemit. Në Shqipëri këto studime janë në faza fillestare dhe pse mund të shënohet puna e madhe e Meksit 2015. Po kështu mund të shënohen dhe dy studime të tjera të cilat përqëndrohen kryesisht mbi raportet gjinore dhe sistemin Woodcock, Shanon, Ikonomi, Luljeta. 2014. Imoraliteti në Familje: Nxitja e Ankesave të Grave për të Përforcuar Pushtetin e Partisë në Revolucionin Kulturor Shqiptar, Perpjekja Nr.32-33; Këlliçi, Klejd. I Dashur Shoku Enver! Raportet gjinore në letërshkrimin e grave për udhëheqjen, Politikja. 2/2019 (në botim)
[15] Për arsye se letrat përkasin vetëm një dosjeje ato do të citohen vetëm me diçiturën ‘letër’ inicialet e letërshkruesit dhe numrin e faqes në dosje. Titulli i plotë i dosjes do të jepet vetëm në këtë referencë. ‘Letra e ankesa drejtuar K.Q.P.P. Sh, nga shtetas shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të martohen tu jepen viza për të ardhur ose shkuar pranë bashkëshortëve, ankohen për ndarjen etj (kryesisht janë sovjetikë, polakë)’ tek AQSh. 14/str AP. Dos.896. V.1961. Fl.352
[16] AMPJ, Qarkore dhe udhëzime dërguar përfaqsive në lidhje me studentët e kursantët. D.22.v.1953. fl.16
[17] Mbas viteve 1960 evidentohen vetëm pak raste martesash mes qytetarëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Vlen për t’u përmendur rasti i një student shqiptar në Itali i cili dhe pse me pengesa të mëdha arrin të bindë autoritetet shqiptare ta lejojnë të martohet me një qytetare daneze me kusht që ajo të vinte në Shqipëri. Shih Klejd, Këlliçi “W paszczy lwa. Albańscy studenci na Zachodzie w latach 1974–1990”.607-622.Tek Dworaczek, Kamil dhe Łagojda, Krzysztof. (përg.), 2020. Środowisko studenckiew krajach bloku sowieckiego 1945-1989.INP Wroclaw
[18] Mbi centralizmin demokratik shih Lebowitz 2012: 72
[19] Për stalinizmin në Shqipëri shih Meksi 2015, Mëhilli 2015a
[20] Sharlet, Robert. “Stalinism and Soviet Legal Culture”, 155-179. Tek Tucker, C. Robert (përg). 1999 Stalinism: Essays in Historical Interpretations, Brunswick, New Jersy: Transaction Publishers, f. 156
[21] Shih Shahini, Arjan 2017.“Aspekte të ligjshmërisë socialiste në krizë” ,Politikja 2017/2, 64-84 ; Dervishi shkruan se në fazën e parë të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, autoritetet vepronin në mungesë të theksuar të ligjit sidomos në kuadrin e internimeve Dervishi, Kastriot. 2015. Burgjet dhe Kampet në Shqipërinë Komuniste, ISKK
[22] Richardson-Little, Ned. 2013. Between Dictatorship and Disstent: Ideology, Legitimacy and Human Rights in East Germany, 1945-1990. PhD. Disertation, University of Virgina at Chapel-Hill, f.36
[23] Lustgarten, Laurence, 1988. “Socialism and the Rule of Law, Journal of Law and Society”, Vol. 15, No. 1, Law, Democracy & Social Justice (Spring), pp. 25-41
[24] Fjala e nën-kryetarit të qeverisë Kol-Leit. Koçi Xoxe tek AQSH. F.723. Dos.13.V.1946 f.13-14
[25] Kjo konfirmohet dhe tek Sharlet i cili thotë se terrori në B.S. prodhoi detyrimisht jursiprudencën e tij e cila largohej nga logjika e hershme revolucionare e emergjencës. Shih Sharlet 167:1977
[26] Shih Amar, Tarek Cyril. “Sovietization as Civilizing Mission” 29-46 tek Apor, Balasz, Apor, Peter, Rees, E. A. (përg.) .2008.The Sovietization of Eastern Europe. New Perspectives on the Postwar Period’ Washington
[27] Shih AMPJ Vendime të Keshilli te Ministrave për studentet tanë jashte shtetit, D.11.V.1958,fl.17;
[28] Mëhilli, Elidor,2011 “Defying Stalinism”, Journal of Cold War StudiesVol. 13, No. 4, Fall, pp. 4–56
[29] Për një analizë të politikës arsimore si soft power shih Griffiths, Tom G. dhe Cardona, Euridice Charon. 2015. “Education for Social Transformation: Soviet University Education Aid in the Cold War Capitalist World-System”, European Education. no 47 pp. 226–241
[30] Vetëm në vitin 1961, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vendet Evropës Lindore kishte rreth 1000 studentë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre studionte në Bashkimin Sovjetik. Shih AQSH [F.511] Raport mbi realizimin e planeve kulturore me B.S. dhe vende socialiste D.127,V.1961 FL.16, p.1
[31] Shih Mëhilli 2017:127
[32] Për një analizë të natyrës dhe shkëmbimeve njerëzore në hapësirën e Bllokut socialist shih Babyracki dhe Jersild 2016:13-14 Babiracki, Patryk and Jersild, Austin “Introduction”, 1-16, tek Babiracki, Patryk and Jersild, Austin (përg.) 2016. Socialist Internationalism in the Cold War: Exploring the Second World, Palgrave-Macmillan.
[33] Studentëve shqiptarë në perëndim, i kërkohet minimizimi i kontakteve me studentët lokalë, mos përfshirja në diskutime me natyrë politike, leximi i shtypit shqiptar i cili shpërndahej nga Ambasada, mbajtja e kontaktit të vazhdueshëm me përfaqsistë diplomatike dhe kontrolli i beftë që diplomatët shqiptarë mund të bënin në ambjentet e jetës e studimit të studentëve, prodhimi i relacioneve periodike mbi aktivitetin e tyre në Universitetin ku jetonin e kështu me rradhë. Shih Këlliçi 2016
[34] AMPJ. Qarkore dhe udhëzime dërguar përfaqsive në lidhje me studentët e kursantët. D.22.v.1953. fl.16
[35] Zoubok, Vladislav, “Introduction” 1-13, tek Babiracki, Patryk and Zimmer Kenyon (përg.)2016. Cold War Crossings, The University of Texas at Arlington, 2016
[36]AMPJ. Analiza e punës e pëfaqsisë në Moskë pë vitin 1956. Dos.13.V.1956, Fl.39. f.3-4
[37] AMPJ. Urdhëresa e vendime të Ministrisë së Arsimit lidhur me punën me studentët. Dos.13,V.1957. Fl.6
[38] Shih përshembull ‘Kadare: Vitet e mija në Moskë dhe dashuria me vajzën Larisa’ Intervistuar nga Vasilij Tjuhin https://www.facebook.com/OnufriBooks/photos/kadare-vitet-e-mia-n%C3%AB-mosk%C3%AB-dhe-dashuria-e-humbur-me-vajz%C3%ABn-larisaintervistuar-n/783208331731691/
[39] Mëhilli 2017:89
[40] Për paralelizëm mund ti referohemi studentëve kinezë në BS të cilët kur martohen me qytetare sovjetike zakonisht i sjellin ato në Kinë vetëm pas mbarimit të studimeve. Mc Guire, duke cituar burime arkivore kineze, tregon se si autoritetet këshillojnë studentët që shkojnë në BS mbi mënyrën se si të silleshin në rast martesash apo marrëdhëniet eventuale me gratë sovjetike. Shih McGuire, ElizabethBetween Revolutions: Chinese Students in Soviet Institutes, 1948-1966, 359-389 tek (përg.nga) Bernstein, Thomas P. dhe Li, Hua-yu, China Learns from the Soviet Union from 1949 to Present, Lexington Books, 2010
[41] Letër e P.G. ‘Drejtuar Sekretarit të Parë të KQPPSh, Kryetarit të Presidiumit të K.Popullor, M. të Punëve të jashtme, Drejtorit të D.të Jashtme në KQPPSh dhe Sekretarit të K.Partisë, Tiranë’, f.24
[42] Lalaj citon B. Klosin i cili thotë se ardhja e vajzave sovjetike apo lindore do të sillte specialistë të mirë, të cilët do të fitoheshin kështu me pak investime nga shteti.: Lalaj 2012:159; Kjo konfimohet dhe disa të tilla si ajo e një qytetare çekosllovake që i shkruan E.Hoxhës se bashkë me burrin do të kontribojë në ndërtimin e socializmit në Shqipëri në sektorin e bujqësisë, Letër e M.B. ‘I nderuar Shoku Enver Hoxha’, f.146
[43] Krisafi, Juliana. 2016. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik 1953-1961. Tezë Doktorale. Universiteti Europian i Tiranës, f.147
[44] Rreth 1000 studentë shqiptarë detyrohen të braktisin studimet në vendet lindore në vitin 1960-1. Një pjesë e tyre do t’i vazhdojnë ato në Universitetin e Tiranës ndërsa pak syresh do të transferohen në Kinë, kryesisht për ato specialitete të cilat nuk mbuloheshin dot në vend. Raport mbi realizimin e planeve kulturore me BS dhe vende socialiste tek AQSH F.511, Dos.127,V.1961 Fl.16
[45] Më shumë se sa përzënie të studentëve B.S. ndryshon marrëveshjen me të gjitha vendet e bllokut lindor mbi shkollimin e studentëve. Sipas një note verbale drejtuar M. Punëve të Jashtme, B.S. i kërkonte vendeve lindore të paguanin të gjitha kostot e studimit për studentët që ata çonin për studime në universitetet sovjetike. Shteti shqiptar e kishte tejet të vështirë t’i përballonte këto kosto financiarisht e kështu studimet e shumë studentëve sidomos të atyre në B.S. ndërpriten. Shih AMPJ ‘Mbi studentët shqiptarë që studiojnë në B.S.’ Dos.42/11, V.1961, Fl. 33 f. 12-13
[46] Në vitet 1920 gjatë konfliktit ideologjik mes Trockit dhe Stalinit, shumë studentë kinezë që mbështesnin linjën trockiste u ekzekutuan e burgosën nga autoritetet sovjetike. Në dallim nga studentët shqiptarë ata kinezë mbetën në Bashkimin Sovjetik dhe pse me numra tejet të reduktuar. Vetëm në vitin 1967, Kina do të tërhiqte të gjithë studentët nga BS. Për rastin kinez shih Mc Guire 2010: 380
[47] M.Shehu në një raport për Byronë Politike, cilëson si tejet të rrezikshëm të gjithë të huajt që jetonin në Shqipëri, përfshi këtu dhe çamët të cilët mbanin shtetësi greke. Për Shehun të huajt ishin elementi më problematik potencialisht armik e instable ne vend. Ata duhej të detyroheshin të merrnin shtetësinë shqiptare në mënyrë që të ishte më e lehtë të punohej me ta. AQSh. ‘Mbi gjendjen e brendëshme të R.P.të Shqipërisë dhe veprimtarine e organeve të Sigurimit si dhe detyrat që dalin, F.14/OU, Dos.8, V. 1953, Fl. 123
[48] Siegelbaum, Lewis 1998 “ ‘Dear Comrade, You Ask What We Need’: Socialist Paternalism and Soviet Rural ‘Notables’ in the Mid-1930s,” Slavic Review, 57, no. 1, 130–132
[49] Vetëm në një rast një grup grash polake, burrat e të cilave ishin miq shkruajnë një letër kolektive E. Hoxhës. Shih Letër e B.T., E.A., F.N. Përkthim, ‘I dashur shoku Enver’. f. 326
[50] Meksi sheh pershembull në përdorimin e terrorit, armën përmes të cilës ruhej hierarkia dhe njëkohësisht vunerabilizoheshin subjektet. Shih Meksi 2015:200
[51] Letër e A.D. ‘I dashuri shoku Enver Hoxha!’, f.177-8
[52] Letwr e T.B. ‘I dashur shoku Enver’, f.284
[53] Letra e L.L, ‘I dashur shoku Enver Hoxha’ f. 2-3
[54] Letër e I.K. ‘Sekretarit të K.Q. të R.P.Sh. shokut Enver Hoxha’ 35-36
[55] Letër e R.C. ‘I dashur shoku Enver’ f.53-54
[56] Letër e P.B. ‘Sekretarit të Parë të KQPPSh.’ f.90-3
[57] Letër e S.S. ‘I dashur shoku Enver’ f.168-171
[58] Letra e L.L, ‘I dashur shoku Enver Hoxha’ f. 2-3
[59] Letër e I.K. ‘Sekretarit të K.Q. të R.P.Sh. shokut Enver Hoxha’ f.45-47
[60] Letër e R.C. ‘I dashur shoku Enver’ f.53-54
[61] Po aty 55-56
[62] Stephen, KotkinMagnetic Mountain: Stalinism as a Civilization, Berkeley: University of California Press,1995, f. 198-237.
[63] Letër e I.B. ‘Shumë i dashur dhe i nderuar Shoku Enver’ f.62-63
[64] Letër e R.C. ‘I dashur shoku Enver’ f.53-54
[65] Letër e H.D. ‘Camerade Premier Secretaire’,f.98
[66] Letër e M.B. ‘I nderuar shoku Enver Hoxha’, f.146
[67] I. M. shkruan ‘Unë di gra ruse që janë kthyer nga Shqipëria dhe janë martuar me rusë. Këto turpërojnë emrin tonë’, Letër e I.M. ‘I dashur shoku Enver!’, f.180
[68] Fitzpatrick, Sheila 1996. “Supplicants and Citizens: Public Letter-Writing in Soviet Russia in the 1930s” Slavic Review, Vol. 55, No. 1 (Spring, ), pp. 78-105, f.102
[69] Letrat janë të rëndësishme dhe për tu përdorur ndofta më vonë si element prove. H.Kroi, sekretar i E.Hoxhës pasi I trasmeton MPB, orientimin e diktatorit për mënyrën se si të veprohet me letërkërkuesen, kërkon që me të mbaruar praktika letra të kthehet mbrapsh. Shënim i H.Kroit ‘Shokut Kadri’, f.158
[70] Leter prindit H.G në favor të F.G. ‘I dashur shoku Enver’. f.103-4. Në korrespondencë me E.Hoxhën përfshihet dhe e ema e F.G. e cila po kështu i shkruan letër udhëheqësit për të mundësuar martesën e djalit. Për të ndërtuar virtualisht lidhjen me E. Hoxhën A.G. i drejtohet në letër ‘I dashtun biri jonë Enver’. Letër e A.G. f.101
[71] Shih përshembull rastin e I.B. në të cilat ajo tregon se ka shkruar disa herë autoriteteve shqiptare dhe vetë E. Hoxhës. Letër e I.B. ‘I dashur dhe shumë i nderuar shok, Enver Hoxha’, f.71
[72] Përgjithësisht alternativa që ata pranojnë janë lejimi i kalimit të pushimeve të bashkëshortëve apo të fejuarve në një prej vendeve të origjinës. Letër e F.N. ‘Sekretarit te I-te Partise se Punes se Shqiperise, Shokut Enver Hoxha’ f.133
[73] Komitetit Qëndror të PPSh. Fl.352, f.268 po kështu dhe Shënim mbi kërkesën e L.L. f.14, tek AQSh. 14/str AP. Dos.896.V.1961
[74] Shënim anësor i E. Hoxhës ‘ Nuk mund të lejohet në këto situata, t’i thuhet Edhe shteti jonë ka përgjegjësi për qytetarët e vet edhe duhet ti mbrojë- Pra ajo duhet ta kuptojë më mirë situatën’. Informacion mbi letrën e dërguar nga anëtarja e partisë T.B. f. 291
[75] AMPJ, Takim me sekretarin e dytë të Ambasadës Sovjetike që merret me çështjet konsullore Fedayev, Dos. 42/19, V.1961. Fl.35, f.34
[76] Po aty. f.34
[77] Letër e K.Hazbiut ‘Shoku Enver’ f.14
[78] Në rastin e një zonje polake, e cila kërkon leje për të shkuar pranë familjes së saj për pushime, bashkë me fëmijën, i kërkohet të mos e marrë djalin me vehte. ….gjeje…po kështu në internvistën me E.S. ish e martuar me një student shqiptar, u shpreh se autoritetet nuk do ti jepnin vizën e hyrjes në Shqipëri për tu bashkuar me burrin. Pas shprehjes nga ana e saj të vështirësive të rritjes së fëmijës, autoritetet e ambasadës i thanë se mundësia tjetër ishte tu dorëzonte fëmijën për tia dhënë të jatit ta rriste. Intervistë me E.W. qytetare polake e martuar me studentin A.A., 20 maj 2020
[79] Informacion .f.135
[80] Shënim anësor i E.Hoxhës në letrën e A.K ‘I nderuari shoku Enver’, f.157
[81] Fitzpatric 1996:104
[82] Agamben, Giorgio. 2017. The Omnibus Homo Sacer, Stanford University Press, f.17
[83] Letër e H.G. ‘I dashur shoku Enver’, f.104
[84] Letër e P.G. ‘Drejtuar Sekretarit të Parë të KQPPSh, Kryetarit të Presidiumit të K.Popullor, M. të Punëve të jashtme, Drejtorit të D.të Jashtme në KQPPSh dhe Sekretarit të K.Partisë, Tiranë’, f.24
[85] Letër e S.I. ‘Shokut Enver Hoxha’, f.259. Sikurse vë re dhe Meksi, Partija ka një mosbesim të theksuar ndaj burokracisë e ndonëse jemi disa periudhës revolucionare të fund-viteve shtatëdhjetë, S.I. evidenton pikërisht mangësitë e adminsitratës si shkaktarin kryesor të problemit të tij. Shih. Meksi 2015.
[86] Halfin, Igal. 2001. “Looking into the Oppositionists’ Souls: Inquisition Communist Style”. The Russian Review, Vol. 60, No. 3. pp. 316-339