Rruga e kthimit nga një vend perëndimor në Shqipërinë nën diktaturë mund të mos mbante emrin lumturi, por ishte me siguri e duhura për shumë nga ata që zgjodhën të kthehen për të mbrojtur familjen nga dënimet që i kërcënoheshin. Morën përsipër të paguanin vetë për gjynahet e tyre, siç thotë Dhimitër Pango, mirëpo paga qe shumë e lartë, megjithëse gjynahet nuk i gjen dot…
nga Arta Çano
Megjithëse mund të kishte gjithçka një i ri shqiptar i fundviteve ’50 as i imagjinonte: Parisin, shkollat perëndimor, kafenetë e bulevardit Saint Michel ku diskutohej lirshëm, një të dashur austriake… ky djalë as 20 vjeç që, për më tepër, as nuk kishte pasur ndër mend të largohej nga Shqipëria dhe familja, nuk ishte i qetë duke mos ditur asgjë për prindërit, motrat dhe vëllezërit. Nuk kishte asnjë lajm prej tyre dhe as një ide çfarë u kishin thënë për të. Kështu nuk mund të jetonte.
Pak vite më parë, kur ishte nxënës i politeknikumit “7 Nëntori”, një shok shkolle, nipi i Drita Kosturit, i kishte thënë që donte të arratisej dhe Dhimitri, duke qenë që ishte nga Zagoria dhe e njihte atë pjesë të kufirit, vendosi ta shoqëronte. “Në momentin kur ishim në brezin kufitar një batare automatiku na bëri të kuptonim që ishim pikasur. Duke tentuar të fshiheshim, ramë në tokën greke, ku u kapëm nga ushtarët. Atje u ndamë. Atë e çuan në një kamp refugjatësh ndërsa mua te disa të afërm, të cilët vendosën të më çonin në Paris për studime”, ka treguar Dhimitër Pango për emisionin “Histori me zhurmues” të TV Klan, disa vite më parë. Ishte bir i një familjeje, anëtarët e së cilës pasi ishin përfshirë në luftën nacionalçlirimtare, kishin zënë më pas edhe poste me rëndësi, por kjo nuk do të kishte aq rëndësi pasi ai kaloi kufirin. Situata e tyre, por mbi të gjitha e tija, ishte komplikuar aq shumë, sa ai nuk e imagjinonte. Për momentin, dinte dhe ndiente vetëm që i mungonte familja. Ia shprehu këtë shqetësim njerëzve me të cilët takohej dhe një prej tyre e prezantoi me punonjës të ambasadës, përfshirë ambasadorin, Dhimitër Lamanin. Menjëherë në tavolinë, para syve të të riut, u vendosën alternativat. E para ishte të punonte si spiun për llogari të tyre. Ai e refuzoi. E dyta, ishte të shpërndante, në mënyrë ilegale, shtypin dhe traktet e partisë dhe ai sërish refuzoi. Atëherë zgjedhja u kthye në detyrim: do kthehej në Shqipëri, përndryshe familja do përfundonte në kënetë, e internuar.
Zgjedhja e detyruar
“Përfytyrova motrat e mia duke ecur në kënetë, duke i ngrënë shushunjat dhe mendova më mirë të shkoj unë të paguaj për gjynahet. Vendosa të kthehem në Shqipëri edhe pse bashkëjetoja me një vajzë që ishte shtatzënë”, ka vazhduar Dhimitri rrëfimin e tij. Rruga e kthimit kaloi nga Praga e pastaj Budapesti. Aty, mbërriti edhe lajmi i amnistisë së tij, por me të shkelur në Tiranë, iu vërtetua që asgjë nuk do i falej. Dy oficerë të Ministrisë së Brendshme ndaluan autobusin e Rinasit, i thanë të zbriste dhe u mbyllën me të, për rreth 6 orë, në një dhomë, ku hetuan një nga një çdo fotografi, libër, veshje apo send që kishte sjellë si dhuratë. E pyetën për çdo njeri që shihnin në foto, bënë shënime mbi to dhe e lanë të shkonte vetëm me një dorë sendesh, pasi çdo gjë tjetër e sekuestruan si të panevojshme, të tepërt, apo të gabuar.
Pse u ktheve bir?
Në shtëpi e pritën përqafimet e përmalluara dhe pëshpërima në vesh e të atit: “Pse u ktheve bir?”. Një pyetje që ishte përgjigjja e qartë e shumë dyshimeve. I ati, që kishte luftuar për atë sistem, nuk donte që i biri të kthehej, por këtë as nuk mund ta shprehte haptas. “Im atë kishte frikë mos e dëgjonin fëmijët dhe e shoqja. Edhe unë kur dola nga burgu, nuk guxova t’u flas motrave dhe vëllezërve për asgjë politike, për tmerret e burgut, jo nga frika për veten, por për të tjerët sepse ata mund të flisnin dhe ta pësonin”. Ishte një frikë e justifikuar. Babanë e Dhimitrit e pushuan nga puna si zyrtar i lartë dhe e çuan punëtor të magazinave të fruta-perimeve, ndërsa Dhimitrin e arrestuan 3-4 muaj pasi ishte kthyer në Shqipëri. E arrestuan rrugës për në Përmet, kur po shkonte të vizitonte një teze të sëmurë. “Në Urë Vajgurore, më ndaluan. Oficeri më vë prangat në mes të autobusit duke bëritur: “armik i poshtër”, “agjent i ndyrë”. Më kanë tërhequr gati zvarrë nëpër autobus. Më futën në Gaz 69. Më sollën te Selvia, te Dega e Brendshme, te një birucë nën shkallë, ku nuk mund të ngriheshe në këmbë. Nuk e kuptova përse më arrestuan. Pas disa ditësh erdhën dhe më thanë akuzat. Akuzohesha si agjent i policive sekretet franceze, amerikane dhe greke”.
Në vitin 1960 ishte arrestuar Teme Sejko dhe Sigurimi po kërkonte njerëz për të plotësuar akuzat ndaj tij. Për këtë zgjodhën të riun Dhimitër Pango meqë kishte qenë dikur në Greqi dhe meqë banonte pranë çamit tjetër që u arrestua, Sami Murati. Njëkohësisht donin ta përdornin edhe kundër xhaxhait të vet, kolonel Vito Pangos. I premtuan që po të pranonte këto dëshmi të rreme, do e dërgonin jashtë ku do të punonte për ta, por ai nuk pranoi. “Unë këto nuk mund t’i besoja sepse i kisha dëgjuar në Francë një herë. Nuk pranova, sepse kjo binte në kundërshtim me parimet e mia kristiane. Pas xhaxhait, kërkuan të dëshmoja kundër dajës. Nuk mund t’i shisja. Por edhe sikur të kisha një karakter të dobët edhe të pranoja të bashkëpunoja, nuk kishte asnjë garanci sepse ata hanin kokën e njëri-tjetrit, jo më timen”. Ky arsyetim e bëri të rezistonte, edhe pse hetuesia me format e saj të torturës zgjatej pikërisht që i akuzuari të dorëzohej dhe të lutej: “Do pranoj çfarë kërkoni ju, vetëm kjo torturë të marrë fund!”. Dhimitri nuk arriti në atë pikë kështu që u dorëzuan hetuesit. Sigurisht ky dorëzim nuk mund të ishte veçse me kushte shumë të favorshme për ta. E akuzuan për tradhti ndaj atdheut edhe pse e kishin kapur në Urën Vajgurore. Ishte vetëm 20 vjeç; 20 të tjerat Gjykata vendosi t’i kalonte në burg…
I humbur në gurore
“Në fund të ‘61-shit, jam dënuar. Në atë kohë të burgosurit ndërtonin pallate në Tiranë, ndërtesat anash Lanës, nga ish-ekspozita, te kryqëzimi i Vasil Shantos”, kujton ai, por një fat i mirë, i ndriu mes skëterrës, ku u takuan njohuritë e tij në frëngjisht dhe zemërgjerësia e mjekut Bujar Shkalla. Ndërsa mejku i dënuar Engjëll Kongoli, që shoqëronte Dr.Shkallën, i komunikonte në frëngjisht gjendjen e të burgosurve, Dhimitri i thotë me frëngjishten e tij, shumë më tingëlluese, ta rishikonin edhe një herë rastin e tij. Në atë çast, doktori kërkon të ndizej drita dhe nga “mushkëri e pastër”, në kartelë u shënua “bronkadenit bilateral”. Kjo sëmundje e sajuar i mbrojti shëndetin trupor dhe mendor Dhimitrit gjatë viteve të burgut. Që nga ajo ditë, ai do të kalonte 7-8 muaj në vit në Sanatorium, ku do të merrej me përkthime literature për doktor Shkallën dhe kolegët e tij. “Pas daljes nga burgu, kam qenë në gjendje të punoj edhe në minierë dhe të qëndroj edhe nga pikëpamja intelektuale. Këtë ia detyroj Bujar Shkallës”. U lirua nga kampi i Ballshit, pasi kishte shëtitur në disa kampe për 16 vjet e dy javë.
“Shyqyr që nxore lëkurën”, i pëshpëriti këtë herë i ati. Metafora përputhej mjerisht me realitetin. Kishte nxjerrë vetëm lëkurën dhe uniformën prej doku nga burgu. Para se të linte qelinë, i kishin sekustruar librat artistikë dhe fjalorët bashkë me shënimet që kishte mbajtur me idenë për t’i shfrytëzuar për shkrime. Vetëm pas shembjes së regjimit komunist dhe emigrimit në Bruksel, Dhimitër Pango nisi të shkruajë e të botojë duke i dhënë zë thirrjes së hershme që ishte mbytur bashkë me çdo dëshirë tjetër në diktaturë. Sa kohë regjimi komunist ishte në fuqi, ai nuk kishte të drejtë për as një vepritmari intelektuale, pavarësisht që kishte studiuar jashtë dhe njihte disa gjuhë të huaja.
“Lagjja më dha një fletë punë për në gurore. Ishim tre njerëz me universitet aty dhe një normist që nuk kishte as tetëvjeçare. Ata që ishin me shkollë vinin të punonin me kazmë dhe injoranca drejtonte. E vetmja gjë që më detyroi të largohesha ishte paga e ulët. Bëra përçapje që të shkoja në minierë dhe fillova të punoj si ndihmësminator. Kur bënim prova të kategorisë, arsyetimi i komisionit që nuk pranoi të bëhesha minator, ishte që kisha arsim të pamjaftueshëm sepse nuk konsideronin arsimim atë të Perëndimit”. Te miniera e Mëzezit gjeti disa miq të mirë, të cilët e ndihmuan dhe e mbështetën gjatë tentativave të Sigurimit për ta ridënuar. Një prej tyre, Enver Veseli që mësonte frëngjisht prej Dhimitrit, kur shkoi drejtor i fabrikës së rërave kuarcore, ndërhyri për ta transferuar edhe Dhimitrin si elektriçist pranë asaj fabrike. Kur ra komunizmi, kishin kaluar 40 vjet që nga dita kur Dhimitri ishte kthyer në Shqipëri.
I ishte shkatërruar e ardhmja, ndërsa e shkuara i ishte kthyer në faj që duhej paguar shtrenjtë./kujto.al