Komedia “Pesë ditë mbret” është produksioni më i fundit i teatrit Metropol, që do të jepet premierën jashtë dyerve të tij. Vepra “Pesë ditë mbret” është shkruar dhe punuar për në skenë nga Stefan Çapaliku dhe vjen me interpretimin e dy aktorëve të teatrit. “Pesë ditë mbret”, historia dhe aktualiteti i një ngjarje të mendjes vjen për publikun premierë mbrëmjen e datës 11 shtator për të vijuar dhe në datat 12, 13 të këtij muaji ora 19:00, në Tarracën e Institutit Italian të Kulturës sipër Bibliotekës Kombëtare. Teatri Metropol sjell kështu premierën e parë këtë sezon artistik edhe pse jo në skenën e tij për publikun për shkak kufizimeve të pandemisë. Institucioni bën me dije se premiera e planifikuar të ndodhte në muajin mars të këtij viti në Metropol, u shty deri më tani për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë Covid – 19 dhe u zhvendos për të sjellë debutimin e saj në një skenë të hapur. “Ndaj, hapësira do të ofrojë vende të limituara për pjesëmarrësit, të cilët duhet të jenë rigoroz ndaj zbatimit të rregullave anti- Covid 19, duke u paraqitur vetëm me maskë dhe ruajtur distancimin social. Pjesëmarrësit do të duhet të rezervojnë paraprakisht vendin e tyre. Teatri Metropol rezervon të drejtën e mos lejimit të atyre individëve, që nuk zbatojnë rregullat. Ju mirëpresim duke ju rikujtuar edhe njëherë respektimin e rregullave të pandemisë”, thuhet në një njoftim të institucionit për këtë komedi premierë. Regjia e performancës që realizohet nga vetë autori i tekstit Stefan Çapaliku, personazhet ia ka besuar aktorëve Rafael Hoxhaj dhe Ismal Shinos. Rafeal Hoxhaj vjen në rolin e Ottos dhe Ismail Shino në rreth gjashtë role të tjera shoqëruese. Muzika origjinale është kompozuar nga mjeshtri i mirënjohur Haig Zacharian. Skenografia është e të riut Divni Gushta dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi.
Komedia dhe ngjarjet
“Pesë ditë mbret” është shkruar nga dramaturgu Stefan Çapaliku gjatë vitit të kaluar. Ai u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht prej një kllouni gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958. Fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk ekzistojnë dokumente të tjera të tërthorta që ta vërtetojnë rrëfimin e këtij kllouni, se në vitin e largët 1913, na paska qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë. Gjithsesi, historia e treguar prej tij është aq atraktive dhe ekzistuese, saqë ka zgjuar frymëzimin e disa autorëve perëndimor. Kështu p.sh. romancieri gjerman Andreas Izquierdo shkruan më 2007 romanin “Mbreti i Shqipërisë” (Konig von Albanien). Po kështu, dy vite më vonë dramaturgu francez Fabrice Melquiot shkruan një tekst dramatik bazuar mbi këtë histori, e cila vihet në skenë në vitin 2009 nga Camille dhe Manolo me aktorin David Mandineau në “Theatre du Gymnase” të Marsejës. Më pas është autori skocez Andreë Nicoll, i cili gjithashtu duke u mbështetur në historinë e rrëfyer nga Otto Witte shkruan në vitin 2012 romanin “If you’re reading this I’m already dead” (Nëse po e lexon këtë, unë do të kem vdekur tashmë). Me gjasë ky është teksti i katërt fiksionant, që trajton historinë e mendjes së Otto Witte, i cili vdiq duke pretenduar se kishte qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë. Regjisori Stefan Çapaliku është i njohur dhe i vlerësuar me aktivitetin e tij në skenat teatrore. Jo vetëm në Tiranë, por dhe në skena të teatrove të qyteteve të ndryshme veprat e tij si autor dhe regjisor nuk kanë munguar. Por ky sezon artistik e gjen në teatrin e Metropolit, me një premierë.