Pushteti i mikut

Nga Redaksia 11 Shkurt, 2021  Arte Pamore, Në thelb

nga Suadela Balliu

Skica i përket Fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, e realizuar gjatë periudhës së Realizmit Socialist për të shigjetuar fenomenin e ‘mikut’. Dikur institucion i fortë, që lulëzonte edhe në zemër të diktaturës, ndikimi i “mikut” nuk duket të jetë zbehur as në këta 30 vite pluralizëm dhe ekonomi tregu, përkundrazi.

Duke lënë mënjanë kulturën militante, të atyre që punësohen në administratë publike, sipas ngjyrës me të cilën vishet pas zgjedhjeve qeveria, favorizimet në vende pune e bëjnë garën të pandershme.

Në formën më të pastër dhe ndoshta më të hershme gjendet tek nepotizmi. I krijuar si praktikë nga Papët, të cilët emëronin në poste kardinalësh nipërit, (nipote) nga ku rrodhi edhe termi, u mbajt gjallë thuajse për shtatë shekuj.

Më e famshmja ishte ndoshta familja Borgia, me Rodrigon që më vonë do të njihej si Papa Aleksandri VI, i cili u bë nipi-kardinal i ungjit të tij, Papa Kalistit III. Borgia u bë simbol jo vetëm i libertinizmit, por edhe i nepotizmit, duke emëruar kardinal, të birin.

Nga ajo kohë termi hyri në fjalor për të përshkruar favorizimin e dikujt në një vend pune, për shkak të lidhjeve familjare apo miqësore, që nuk kanë aspak lidhje me aftësitë profesionale. Kronizmi është një tjetër formë, që favorizon miqtë apo të njohurit në poste të caktuara, pa meritë.

Më 2019-n, ishte kohëshkurtri në detyrën e ish-zëvendësministrit të Arsimit, Taulant Mukaj, i cili denoncoi në rrjete sociale nepotizmin në Ministrinë e Jashtme, duke publikuar një listë emrash, që dukeshin se ishin të afërm apo të njohur të ministrit të asaj kohe e që vendosnin në pozicione të tjera diplomatike, miq e të afërm të tyre.

Pasardhësi në detyrë në Ministrinë e Jashtme, Gent Cakaj, shkarkoi dhjetëra punonjës diplomatikë sapo iu delegua ushtrimi i funksionit nga kryeministri Rama, atëkohë i detyruar të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm, pasi kreu i shtetit nuk e dekretoi emrin e të zgjedhurit të qeverisë për të qenë numri një i diplomacisë shqiptare.

Arsyet e renditura në konferencën e tij për shtyp ishin një mpleksje e nepotizmit, klientelizmit politik dhe korrupsionit moral.

Më herët, një denoncim nga opozita rendiste një sërë të afërmish të drejtoreshës së atëhershme të Tatimeve, Briseida Shehaj në poste të rëndësishme në administratë të shtetit.

Ish-kryeministri Sali Berisha do të postonte në Facebook-un e tij pretendime të  të ashtuquajturit “qytetar dixhital”, për punësime nepotike edhe në administrata lokale, në bashki të ndryshme.  

Por, në 2013-n, ishte Edi Rama ai që zotohej se qeverinë do t’ua kthente qytetarëve dhe se gjatë qeverisjes së tij do të kishte “zero nepotizëm”, si një fenomen që do ta luftonte prej qeverisjes Berisha.

 “Kush kërkon drejtori për kushërinjtë, duhet të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pasi ka konflikt interesi”, u drejtohej deputetëve socialistë pas marrjes së mandatit qeverisës, duke premtuar shmangien e nepotizmit.

Edhe një vit pas marrjes së mandatit qeverisës, kryeministri deklaronte se ishte fat i keq për kushërinjtë e tij të mirë që meritonin shumë”  që ai ishte kryeministër. Kryeministër që kishte premtuar luftë ndaj nepotizmit.

Më 2017-n, ishte ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, e cila bënte thirrje që administrata publike të shkëputej nga nepotizmi e të funksiononte në bazë të meritës.

“Një ndër reformat më të rëndësishme në vendet në tranzicion është ajo e administratës publike, jo vetëm për mungesën e kapaciteteve, për shkak të nepotizmit apo korrupsionit. Ideja se puna në administratë është një punë për gjithë jetën, zakonisht një punë për kushërinj apo një vend pune për mbështetësit e partive, por edhe sepse nuk ka asnjëherë investime tek njerëzit, rrogat janë zakonisht më të ulëta se në sektorin privat dhe se mjedisi i punës nuk kujdeset gjithnjë për talentet e vërteta”, rendiste Vlahutin.

Po atë vit, më 2017-n, Ministria e Punëve të Jashtme në Gjermani në një raport konfidencial  thuhej se në Shqipëri mbizotëron korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar. 

Dy vite më parë ishte dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi që denonconte nepotizmin e deputetit Ulsi Manja, i cili sipas tij kishte punësuar të afërm e familjarë në poste publike. Edhe në një studim nga Frederich Erbert Stiftung, mbi Korrupsionin në Universitete, studentët e pyetur rendisin mes praktikave të korrupsionit edhe nepotizmin.

Fenomeni nuk është as i ri e as shqiptar. Ballkani është i zhytur në nepotizëm, që shkon deri edhe lart. Qeveria e Maqedonisë u përfol më 2017-n për lidhje nepotike. Kritika për nepotizëm pati edhe për zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ata shqiptarë.

Kosova e konsideron nepotizmin si një plagë të rëndë të shoqërisë, fenomen që ka ngërthyer institucionet publike. Punësimi partiak apo në bazë të lidhjeve familjare në institucione dhe pozita udhëheqëse në ndërmarrjet shoqërore, ka shkaktuar dëme dhe rrezik, në tenderim, prokurim dhe kontrata favorizuese, mendojnë organizata ndërkombëtare, por edhe lokale  në Kosovë.

Haradinaj, i akuzuar vetë për nepotizëm, akuzonte ish-kryeministrin Kurti gjatë qeverisë së këtij të fundit se nuk i kishte shpëtuar dot grackës së nepotizmit. Një nga format e korrupsionit në Serbi, renditet gjithashtu nepotizmi.

Si një nga format e favoritizmit, nepotizmi dallohet për shkak se lidhjet familjare lënë gjurmë, por sa punësime favorizuese, me lidhje  të fshehta “miku” apo administrata të mbushura me  militantë ka? Këta të fundit mjerisht, janë të destinuar të përballen me presione.

Sipas raportit të OSBE/ ODIHR  në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, administrata publike u përball me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike.

Ish-kryeministri Berisha nuk u ndal në thuajse tetë vite opozitë duke akuzuar qeverinë Rama për nepotizëm, ndërsa ky i fundit premtoi ta luftonte fenomenin që kishte gjetur të ngërthyer në administratë publike.  Por ndërsa regjimet janë ndërruar, qeveritë brenda pluralizmit po ashtu në tridhjetë vite tranzicion, “miku”, i njohuri, familjari me pushtet duket se do të mbijetojë edhe ca.

Megjithatë në listën e Transparency International, Shqipëria është ngjitur pesë vende në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 36-ta. Në po të njëjtin vend renditet edhe Kosova, ndërsa vendet e Ballkanit kanë ende shumë probleme në luftën ndaj korrupsionit. Nepotizmi apo kronizmi – ku favorizohen miqtë – bashkë me klientelizmin janë forma të korrupsionit.

Ndoshta derisa Shqipëria të plotësojë të shumëpërmendurat kushte që i hapin udhën e bllokuar drejt anëtarësimit në BE, ku nepotizmi do t’ia lërë vendin meritokracisë. Mund të jetojë edhe më gjatë, ndoshta. Në historinë e papatit zgjati shtatë shekuj.Por, siç thoshte Konica, mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Pas standardeve, jo e jo. Gazeta Si

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

I lirë për të mos menduar?!
Gardhi i shtyrë dhe berri i vjedhur si kulturë
Fluturimi i Chagall-it
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
Botohet në anglisht “Shqiptarët në art”, i studiuesit Ferid Hudhri
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>