Pergatiten: Julia Vrapi/ Violeta Murati

Godina historike e Radio Tiranës, monument kulture i kategorisë së II, shpallur nga Ministria e kulturës, është një tjetër objekt historik në kryeqytet që po ja numërojnë ditët. Ajo, sot, ka pamjet e fundit: e rrënuar, shkyer dyer e dritare, gati të rrëzohet! Shpëtoni Radion – kjo është thirrja, e bërë virale në rrjetet sociale, ku shumë specialistë kanë ngritur zërin për ta shpëtuar këtë monument, me ndërgjegjen se zëri i tyre do konsiderohet nga institucionet përgjegjëse, siç është Ministria e Kulturës, e cila deri tani nuk ka kthyer përgjigje. Mendimi është që ndërtesa e ish “Radio Tiranës” nuk duhet të shembet, por të ruhet dhe restaurohet. Karshi kesaj gjendjeje specialistët, duke pasur parasysh shkatërrimin frenetik të vilave historike, shprehen se statusi monument kulture nuk po i mbron më objektet dhe Ministria e Kulturës ka hequr nga mbrojtja disa vila të viteve ’30 në Tiranë, që po prishen një nga një për t’i lënë vendin ndërtimeve të reja.

Meme me titullin “Shpëtoni Radio Tirana”, nje montim pershtates me ngjarjen nga filmi
“Save the private Ryan”
Partizane qe shenojne fitoren para godines Radio Tirana

Mbreti Zog duke folur ne Radio Tirana, 1938.

Forumi per Mbrojtjen e Trashegimisë dhe mjaft restauratore e arkitekte sjellin reagimet e tyre ne rrjetet sociale, si duket mediumi i vetem ku liria e shprehjes ze vend. Por, jane edhe arkitekti Latif Lazimi dhe Auron Tare, antar i Këshillit Shkencor në UNESCO, qe dalin në mbrojtje të ndërtesës së ish “Radio Tiranës”. Në një reagim të tij, Tare pohon se godina e ish “Radio Tiranës” është ajo ku folën një sërë personalitetesh të shquara shqiptare. “Përpara disa ditësh postova një foto të një prej godinave ikonë të trashëgimisë sonë kombëtare. Radiostacioni i Parë i Shqiptarëve. Inauguruar nga Mbreti Zog ishte godina prej nga ku bota dëgjoi për herë të parë fjalët “Ju Flet Tirana”. Ishte godina nga ku folën një sërë personalitetesh të shquara të jetës shqiptare.

Personeli i Radio Tiranes. Ulur Gjergj Bubani, drejtori i Radio Tiranes.

Godina ku u dëgjuan zërat e parë operistike teatrore e kështu me radhë. Ishte simboli Europian i qytetit, vendi nga ku në hapësirën e pamatë përçonte në eter një pjesëze të botës shqiptare”, shprehet Tare. Në mbrojtje të ndërtesës së ish “Radio Tiranës”, në statusin e tij në Facebook mes të tjerave Auron Tare shprehet se në mes të Tiranës po prishet një ikonë e trashëgimisë kulturore dhe askush nuk flet. Sipas tij, kjo godinë siç duket qartë në foto po pret ditën kur do të shembet për t’ju hapur rrugë pallatit të radhës.

Radio Tirana, pikture e Pandeli Meles

“Në një vend normal Radiostacioni i Parë është një ikonë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të atij kombi. Postimi im nuk kishte asnjë koment përveç nja dy like, që më shumë i shtonin trishtimin e indiferentizmit të “patriotëve shqiptare” në këto ditë shiu. Mu në mes të Tiranes këtyre “patriotëve” sigurisht edhe mua po ju prishet një prej ikonave të trashëgimisë kulturore dhe askush nuk flet. Jo më të protestojë jo e jo, por as edhe një koment në FB nga dhoma e ngrohët e janarit. Ja pra kjo godinë është shembulli më i mirë i patriotizmit të sotëm shqiptar. Indiferentizmi dhe moskokëçarja për trashëgiminë e vet gjë që brezat që do të vijnë do të duhet të jetojnë në një shkretëtirë kulturore pa asnjë identitet”, shprehet Tare në qëndrimin e tij.

Ndërtim i një periudhe të rëndësishme

Arkitekti Latif Lazimi, që për 40 vjet është marrë me restaurimin e banesave në qendrat historike të Gjirokastrës, Beratit, etj, shprehet se ndërtesa e ish “Radio Tiranës” përfaqëson ndërtimet e një periudhë të rëndësishme në vendin tonë. “Ndërtesa e ish “Radio Tiranës” është një ndërtim i fillimeve të shek.XX dhe si e tillë përfaqëson ndërtimet e kësaj periudhe shumë të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore arkitektonike, jo vetëm për qytetin e Tiranës, por dhe për mbarë Shqipërinë e asaj kohe. Një ndërtim me funksion për kulturën shqiptare të radios së parë shqiptare dhe në vijim me funksionin e rëndësishëm si Instituti i Kulturës Popullore Shqiptare”, shprehet ai.

arkitekti Latif Lazimi

Arkitekti Latif Lazimi tregon se në studimet që janë bërë për qendrën historike të Tiranës ajo ka qenë monument kulture për të dy komponentët e rëndësishëm, si historik dhe atë arkitektonik. “Ajo duhet të mos prishet dhe shteti shqiptar duhet patjetër ta restaurojë. Po hap një zgjidhje si mund të ruhen këto ndërtime nga mos prishja dhe duhet të restaurohen nga shteti shqiptar. Këto ndërtime që kanë pronarë duhet të blihen nga shteti, nga pronarët të cilët nuk janë të interesuar për tu ruajtur dhe për arsye të amortizimit të madh në kohë. Por ndërkohe shteti që është i interesuar duhet ti blejë dhe ti restaurojë, sepse kështu mbron trashëgiminë kulturore shqiptare, duke i kthyer në muze ose në funksione të tjera me të cilat krijon mundësi dhe fitimi financiar, përveç ruajtjes së kulturës shqiptare, shprehet ai. Sipas tij, kjo praktikë bëhet në mbarë botën, si në Europë dhe në Amerikë. Prej vitesh godina historike është liruar nga institucioni i Instituti i Kultures Popullore, ku ishte marrë me qera nga Ministria e Kulturës, ku trashëgimia fondamentale e etnografisë ruhej në kushte miserable.

Për ironi në sitin zyrtar të Bashkisë, jepet “biografia” e kësaj godine, ku saktësisht shkruhet: “U ndërtua në vitin 1938 nga familja e pasur tiranase Kollçiu. Megjithatë, vila u sekuestrua me urdhër të Mbretit Zog dhe u përdor si qendra e Radio Tiranës deri më 1965. Vila është katër katëshe, ku njëri kat është nëndhe. Që në konceptimin fillestar të saj, vila është simetrike me dy hyrje kryesore dhe një tjetër nga mbrapa, që del në oborr. Vihet re përdorimi i granilit të derdhur në shkallët e hyrjeve dhe ato të brendshme, mermerit në korridorin kryesor, hekurit të rrahur në parmakët e shkallëve, drurit në dyer e dritare. Vila është neoklasike për shkak të përdorimit të tri kolonave të orderit të madh në lartësinë e dy kateve. Ato janë pa bazë dhe kapitele të sterilizuara.” Por, këto vlera që vendosen në itinerarin turistik dhe vlerave që ka qyteti, nga Bashkia shpërfillen. Në fakt, ka shumë banesa historike në Tiranë, që kapin moshën moshën 100 vjeçare që po zhduken gradualisht, edhe pse janë shpallur monument kulture. Sot godina, siç njihet gjerësisht, si vila e Radio Tiranës ka pamje të mjerueshme. E braktisur nga shteti, familjarët dhe çdo kujdesje për të ajo pothuaj është rrënim. Në trotuaret e kësaj rruge, madje dhe brenda oborrit të bllokut të vilave të vjetra historike, përdoren për shitje rrobash të vjetra, lloj lloj qelbsinllëqesh, ku duhet të ndukësh hundët nga aromat e rëndë e plehrave përzier me rrobat e kalbura. “Ka një situatë të përsëritur me statusin e këtyre vilave, perfundim i nxjerre nga bisedat me njerëz të ndryshëm banues në rrethinat e tyre. Familje të pasura tiranase i kanë realizuar, ndërkohë që sot bijtë e këtyre familjeve që i kanë trashëguar, për arsye të ndyshmë janë zhvendosur jashtë vendit, duke e lënë fatin e këtyre banesave të papërcaktuar. Sipas Nënit 6 të Ligjit 27/2018 , Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, pronaret dhe përdoruesit e pasurisë kulturore në pronësi private(rasti I monumenteve), kanë për detyrim të garantojnë ruajtjen e këtyre pronave dhe vlerave që ato mbartin dhe të bashkpunojnë me institucionët përkatësë publike për mbrojtjen, vlerësimin dhe aksesin në këto pasuri kulturore”- ka shkruar më herët arkitektja Jora Kasapi, në medium.com. Po për këtë objekt më tej shënohet: Disa Vila të vjetra të shpallura moumente të kategorisë së dytë, kanë pasur një fat ndryshe, janë rinovuar e mirëmbajtur në kohë duke hospituar sot seli ambasadash, e institucionësh si vila e Ambasadës Zvicerienë, selia e Bankes Botërore etj. Ndër më përfaqësueset e këtyre vilave, është vila e Ish-Radio Tiranës, e cilapërbën një monument të kategorisë së dytë. Mungesa e mirëmbajtjes ndër vite e ka bërë që të humbasë çdo virtyt si ndërtesë, nga ato virtyte që i japin atë gjëndjen e eurythmise vitruviane, një vepre arkitektonikePasi ka shërbyer për të hospituar funksione të ndryshme në rrjedhën e viteve, sot në të jetojnë familje të komunitetit rom, që e kanë pastruar atë dhe që gjatë ditës përdorin hapsirën e oborrit të katit përdhe për një treg të improvizuar rrobash, për aq kohë sa nuk vjen pronari privat i saj dhe i largon që aty.”

Në fotografi Kaliopi Plasari, folësja e parë në radio Tirana, 28 nentor 1938.

Me këtë godinë siç dihet lidhet historia e Radio Tiranës, që për herë të parë në historinë e saj, ka nisur transmetimet më 28 Nëntor të vitit 1938, pesë muaj para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Fillimisht Radio Tirana e kishte rezidencën e vet në një prej ambienteve të Bashkisë së atëhershme, por që aty nga fundi i vitit 1939, u transferua në ndërtesën e re në rrugën Kont Urani – e famshme edhe për arsye të tjera –aty është xhiruar edhe filmi “Radiostacioni”, i B. Shehut, mbështetur në romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, të I. Kadaresë.

Për fatin, se çfarë do të ndodhë me godinën e Radio Tiranës, mjafton referimi ndaj shembjes që iu bë Vilës Pustina, e ndërtuar në vitin 1927 sot nuk e kemi më. Në vitet e diktaturës vila ishte sekuestruar, pra iu rrëmbye pronarëve por nuk u mor vendimi për ta shembur. Tani, me ardhjen e Rilindasve në pushtet babëzia dhe frenetizimi për të shkatërruar historinë, si zonat, ndërtesat dhe vila të tilla, si kjo e Pustinajve – pra kjo babëzi nuk njeh ndalim.

Është e njëjta histori, ku familja ka jetuar aty deri rreth viteve 44-45′ dhe më pas i është sekuestruar nga shteti. Më vonë me rënien e Komunizmit është rimarrë nga fëmijët e pronarit origjinal. Mungesa e një marrëveshjeje në ndarjen e hapsirës së kësaj vile, apo të menaxhimit të saj, si dhe mungesa e interesit nga strukturat përkatëse për ti dhënë një status të mbrojtur si monument, ka sjellë gjendjen e degraduar te sotme të saj. Aktualisht diskutohet që është marrë vendimi për shembjen e saj për ndertimin e nje kompleksi banimi edhe pse akoma s’ka ndodhur.

Reagime ne rrjetet sociale: Mos e shembni godinën e Radios

Forumi per Mbrotjen e Trashegimise: “Hiqen natën dyert dhe dritaret e ndërtesës historike të ish Radio Tiranës. Erion Velia lë në mëshirë të fatit dhe lejon shkatërrimin e një simboli tjetër të kryeqytetit shqiptar. Furia anti-memorie nuk ka të ndalur. Komuniteti është i pafuqishëm ndaj egërsisë për fitim të oligarkisë financiare. Objekti është monument kulture!”

Ajet Nallbani, restaurator: “Turp për ata që hanë bukë në mbrojtje të trashgimisë. … sa për drejtoreshën e IMK, është turp që rri në karigen e nderuar të Gani Strazimirit. Trashgimtare e padenje, e atij institucioni dinjitoz.”

Akademiku Emin Riza: Godinat historike duhen ruajtur, por nuk kanë vëmendje prej vitesh. Ne kemi një drejtoreshë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, që duhet të reagojë. Pa marrë vendim IMK dhe Ministria e Kulturës, nuk mund të ndërhyhet në godinat monument kulture. Nëse flasim për një nga godinat historike si ajo e “Radio Tiranës” duhet të ishte restauruar. Nëse ekziston si monument kulture duhej të ishte restauruar, kjo është e qartë.

Guri Pani, arkitekt restaurator: “Shpesh pyes vehten, a i lexojne z. Veliaj, drejtoresha e IM Kultures apo Ministria e Kultures keto rreshta te shkruara me zemer.Nqse po, a kane zemer ata te prishin ndertime te tilla qe jane me vlera historike dhe emocionale per qytetaret e Tiranes.Nje lajm i mire eshte qe turqit do vijne te na pushtojne per te restauruar Xhamine e Plumbit. Uroj te vijne dhe italianet te na pushtojne per te restauruar banesat e mbeture te viteve 30-40 ne Tirane.Fjalet e specialisteve shkojne ne vesh te shurdher. Mos u lodhni kot ore njerez te mire. Ata qe marin vendim, si Ministria e Kultures, Instituti i Monumenteve apo Bashkia e Tiranes jane pushtuar nga ata qe duan te zhdukin cdo gje te vjeter. Historia duhet te filloje me Rilindjen.Duket sikur jemi te pushtuar nga armiqte e jashtem. Pra duhet te clirohemi fillimisht pastaj te mendojme per kulturen tone”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Arkeologët zbulojnë se Porti i Durrësit gjendej më në veri nga i sotmi
Historia e Patrullarit nga Amantia
Simbol i Kullave Krutane, por objekti “dëbohet” nga Lista e Monumenteve të Kulturës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}