Shuhet në moshën 70-vjeçare piktori dhe restauratori i njohur Mustafa Arapi. Ai ka lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë. U diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë. Pas studimeve ai filloi të punonte si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.Ka punuar si profesor në Akademinë e Arteve nga viti 1985 deri më 1991. Pastaj, gjatë viteve 1993-2006 ishte shef i Departamentit të Punëve të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në më shumë se 40 vite Arapi ka restauruar kisha, afreske, ikona dhe banesa tradicionale.
Mustafa Arapi ka nxjerrë në dritë me qindra metra katrorë afreska, si në kishën e Shën Marisë në Leusë të Permetit por edhe në Kishën e Shën Marisë në Vllahogoranxi, të piktor Onufër Qioriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta edhe në shumë të tjera nëpër Shqipëri. Ai ka restauruar shumë ikona dhe tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëhenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit, ikonostasin e Leusës, etj.. Shumë studime që ai ka kryer për piktorët shqiptarë do të mbeten në trashëgiminë tonë të shkruar për kulturën dhe artin shqiptar.Ai ka pasur bashkëpunime të vazhdueshme edhe me Arbëreshët e Italisë në realizimin e shumë projekteve artistike, gjë që e thekson edhe Anëtari i Këshillit Koordinues të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), studiuesi arbëresh Damiano Guagliardi, i cili është njëherësh edhe kryetar i Federatës së Shoqatave Arbëreshe (FAA).