Nga ALBANA TALI/ Nju Jork
Shpesh herë e kam menduar, pa dashur ta besoj se po jetojmë një jetë plot me paradokse.
Fillova të mendoja kështu teksa shihja dita dites fëmijët e mi të rriten. Dhe pa dashur e shikoja fëmijërinë e tyre të ecte në paralele me fëmijërinë time të shkuar. Gjëja e parë që më vinte ndër mend ishte: “Fëmijet e mi kanë shumë lodra, por sa pak lojëra, ndërsa ne dikur fëmijë nuk kishim asnjë lodër po aq shumë lojëra që i ndanim me shokë e shoqe”.
Besoj shumë prej jush që po lexoni do e keni menduar një gjë të tillë.
Ky është paradoksi në të cilin dua të ndalem sot.
I kemi mbingarkuar aq shumë fëmijët tanë me lodra të servirura, saqë po lëmë të vdesin shqisat me të cilat ato kanë lindur, po pengojmë zhvillimin e imagjinatës së tyre.
Dhe të gjithë duhet të dimë që imagjinata është e lidhur ngushtë me zhvillimin e fëmijës.
Imagjinata ndihmon fëmijen të ndërtojë cilësi sociale të nevojshme, suporton anën konjitive të zhvillimit tek femija, plus motivon lëvizje motorrike duke qenë se shpesh përfshin aktivitet fizik.
Pra, pyetja që dua të shtroj sot është, a duhen kaq shumë lodra?
Joshua Becker në librin e tij “Clutterfrë With Kids”, shpjegon se shumë lodra janë një shpërqëndrim që pengojnë zhvillimin.
Po ashtu në një studim me fëmijë të bërë nga Universiteti i Toledos në Ohio, USA psikologia Alexia Metz doli në konkluzionin se: “Duke vëzhguar dhe matur lojën dhe mënyrat e saj, parashkolloret patën kohë loje më cilësore kur lozën me 4 lodra se sa kur lozën me 16 lodra”. Këtu nuk flitet për raportin me “varfërinë”, se është më mirë të jesh i varfër se shfrytëzon lojërat. Por, tërheqim vëmendjen që lodrat të jenë në funksion të lojërave, pra të ndërtohet një raport i drejtë, aq sa për të funksionuar siç duhet në imagjinatën e fëmijës, çdo veprim, akt në relatë me lodrat.
Nëse ka një ironi, është referenca me fëmijërinë tonë, kur në Shqipëri ishte vërtetë varfëri dhe në pamundësi të blinim kukulla, makina e aeroplane, jepej mundësia të ndërtonim një imagjinatë të pasur në mendjen tonë të vogël për të përfytyruar se si mund ta bënim një kukull. E kështu duke lejuar imagjinatën të marrë jetë merrnim një kopse, leckë e ca flokë misri dhe bënim atë që, sot, lehtësisht ua blejmë fëmijëve.
Kujtimet janë më të çmuara se dhuratat. Me këtë nuk dua të inkurajoj prindërit të hedhin tutje lodrat, apo të mos bëjnë më dhurata për festa. Por dua të ndërgjegjësohen dhe të pyesin veten: “A po e pasuroj jetën e fëmijës time në këtë mënyrë, apo duke e mbingarkuar me lodra po i kthej ato në shpërqëndrim për kohë loje cilësore?!
A po e lejoj mendjen e tyre të zhvillohet me ritëm normal? A po i krijoj kushte që të ndërveprojë me fëmijë të tjerë?
Pasi ti jepni përgjigjë këtyre pyetjeve, besoj do jeni më të qartë për të vendosur një ekulibër në paradoksin e krijuar nga vetë ne: shumë lodra por sa pak lojëra.
*Autorja është psikologe
Hello Albana. E lexova shkrimin tuaj dhe j kenaqa shume . Mezi pres te lexoj shkrumet e tjera.
Me se e vertete Albana! Shumica e femijeve jane bere pre e lodrave te shumta elektronike, dhe shume pak aktivitet fizik! Femijet e mi jane tashme te rritur dhe une bera me te miren, edhe pse presioni social ishte I forte dhe tani ne keto kohe eshte bere 10 here me shume! Femijet qe ne kopesht kane smart phone e te tjera! Puna me e madhe u bie prinderve qe ti angazhojne femijet me aktivite Edhe Pse eshte me e lehte ta lesh femijen ne kompjuter gjithe diten!
Pershendetje Mirela! Shume e vertete ajo qe thoni! Ndaj koha cilesore prind- femije eshte zgjidhja me e mire! 🙂gjithe te mirat!