Studiuesja amerikane e trashëgimive kulturore, Lori Amy, një kundërshtare e rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë, tha se shembja e tij është vazhdimësi e krimeve të komunizmit, veçse me emër tjetër. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Dr Amy tha se dhuna e djeshme dhe shkatërrimi i Teatrit Kombëtar përsëriti traumën kombëtare që Shqipërisë i duhet ende kohë ta tejkalojë.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, studiuesja Amy tha se Enver Hoxha kishte filluar terrorin e pashembullt nga ky teatër me gjyqet e vitit 1945, kur Enver Hoxha përfundoi spastrimin e kundërshtarëve të tij politik.
“17 njerëz në ditën që janë shpallur fajtorë, janë ekzekutuar në vend dhe janë varrosur në një hendek jashtë Tiranës. 53 njerëz të tjerë janë dërguar në Gulag së bashku me familjet e tyre, në kampe internimi. Komunizmi dhe krimet e tij shtetërore kanë filluar në Teatrin Kombëtar dhe kanë filluar me shpronësim nëpërmjet sistemit Gulag (kampe përqendrimi dhe pune e detyruar në Bashkimin Sovjetik) dhe krejt sinqerisht sot ne jemi duke i vazhduar krimet e komunizmit veçse me emër tjetër. Zhvillimet e paligjshme jolegale funksionojnë njësoj si shpronësimi që u bë në regjimin komunist, thjesht shiko drejtimin dhe sistemin Gulag, Ne nuk kemi shtëpi ende për shumë njerëz që ishin viktima të tërmetit dhe dje ajo dhunë dhe shkatërrimi, përsëriti traumën kombëtare që vendi ende duhet ta tejkalojë”, tha ajo.
Studiuesja tha se arsyetimet e qeverisë së Tiranës për ndërtimin e një teatri të ri në rrënojat e të vjetrit është një rrëfim i shtrëmbëruar.
“Në radhë të parë siç kanë thënë shumë veta, çdokush e dëshiron një teatër të ri që mund të ndërtohet kudo. Por, Teatri Kombëtar nuk është vetëm vend i kujtimeve që duhet t’i kthehemi për t’u përballur me plagët e komunizmit që nuk janë shëruar kurrë, por është pjesë e 800 vjetëve të përparimit historik që kishte mbetur në qendër të qytetit. Dhe kjo është një vlerë e veçantë e Shqipërisë për të kontribuar në Evropë. Në kuartin ku qeveria propozon ndërtime, në një skaj është fortesa bizantine e Justinianit që prej 800 vjetësh dhe në mes janë vilat e epokës osmane që janë pjesë e vendbanimit të Tiranës dhe në fund, shekulli i 20-të. Ku ka diku tjetër një përparim të tillë historik? Në disa qindra metra tetë shekuj të evoluimit të qytetërimit perëndimor: nga Bizanti, tek Osmanët dhe tek shekulli i 20-të. Është një përparim i veçantë dhe nuk mund ta shkatërrojmë. Kjo do të thotë të shkatërrohet mbamendja dhe identiteti i vendit. Do të thotë të shkatërrosh një vlerë unike që shqiptarët mund t’i ofrojnë botës. Kjo më dhemb dhe dua të flas kujdesshëm, sepse pjesë e plagëve të komunizmit që vazhdojnë të pikojnë gjak, është kultura e riciklimit të sulmeve e kundërsulmeve”,tha ajo.
Dr Amy thotë se një nga problemet në fushën politike është se askush nga qytetarët e zakonshëm nuk beson në çfarëdo që thonë politikanët. Ajo thotë se qytetarët mendojnë se çdo gjë është vazhdim i shfaqjes së një teatri politik.
“Prandaj më vend të kësaj dua të flas për atë për të cilën njerëzit janë të pikëlluar. Çdo diplomat i lartë e ka lutur qeverinë shqiptare: prisni, hapni debat publik, hapni këshillime dhe dialog. Për 2 vjet e 3 muaj njerëzit ne Teatrin Kombëtar mbajtën debat në shesh, që fjalë për fjalë është një agora, vendi ku njerëzit vijnë për të mësuar se si të jenë pjesëmarrës në demokracinë e vërtetë. Mendoj se më shumë se gjithçka kjo është ajo për të cilën njerëzit janë të pikëlluar. Shkatërrimi mbetet pjesë e atij qarkut të mbyllur të sulmeve dhe kundërsulmeve politike që vetëm sa ushqejnë më shumë dhunë si përgjigje ndaj dhunës paraprake. Çfarë po dëgjoj nga njerëzit është se duan një ditë zie: të ndalën, të qajnë, të kuptojnë çfarë ka ndodhur… Mendoj se është jashtëzakonisht me rëndësi që të mos kurthohemi në ciklin e fajësimeve, akuzave, sulmeve e kundërsulmeve. Po ashtu mendoj se duhet të përqendrohemi në atë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen sesa në atë se cilat mundësi janë humbur”, tha ajo.
Studiuesja Amy thotë se Teatri Kombëtar mund të rindërtohet dhe për këtë sipas saj janë ka edhe fonde.
“Aktualisht ka fonde nga Evropa Nostra që ishin ndarë për restaurimin e teatrit. Ato fonde mund të shfrytëzohen për rindërtimin e asaj çfarë është shkatërruar. Ato fonde mund të përdoren për të rindërtuar atë shesh si vend i ndërgjegjes kombëtare që i mundëson vendit të bashkohet dhe të vajtojë atë që kurrë nuk ka qenë në gjendje të bëjë. Dhe ka një gjë tjetër jashtëzakonisht të rëndësishme për t’u vajtuar. Trupat e tetëdhjetë për qind të të ekzekutuarve nga shteti komunist kurrë nuk janë gjetur. Dhe ju në Kosovë e dini çfarë do të thotë kjo. Ata janë varrosur, e më pastaj janë zhvarrosur e rivarrosur, madje shpesh nga disa herë për të parandaluar familjet që të gjejnë të dashurit të tyre për t’i vajtuar. Prandaj, të kesh një shesh të ndërgjegjes që funksionon më në fund për vendin si një vend kujtimi do të ndihmonte ato familje që edhe sot e kësaj dite rrokin lopatat dhe mihin në vendet ku u kanë thënë se mbase të afërmit e tyre janë varrosur. Kjo do tu ofronte atyre një vend për të vajtuar dhe kjo është diçka që i duhet vendit për të ecur përpara”, tha ajo.
Studiuesja amerikane e trashëgimive kulturore, thotë se studimet e saj e deritashme për Shqipërinë kanë filluar pikërisht nga Teatri Kombëtar ndërsa bën thirrje për bashkim posaçërisht në këtë kohë pandemie me të cilën po përballet bota
Gjithashtu mund t'ju interesojnë