Pandemia e COVID-19 nuk i ka ndalur arkeologët nëpër botë. Gjatë këtij viti janë gjetur objekte spektakolare si sarkofagë, statuja të mermerta e monedha ari.
Saqqara
Saqqara, nekropol i qytetit të Memfisit, rreth 30 kilometra në jug të Kajros, cilësohet si një prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike në Egjipt tok me Luginën e Mbretërve dhe piramidat në Giza. Sivjet ky vend pushtoi titujt me një tjetër zbulim spektakolar: në shtator dhe tetor, kërkuesit zbuluan arkivole të drunjta me zbukurime të hijshme.
Dymbëdhjetë arkivole të tjera të drunjta
Në nëntor, ekspertët zbuluan një duzinë sarkofagësh të tjerë në Saqqara. Arkivolet e drunjta, të zbukuruara me elegancë, konsiderohen të jenë më shumë se 2500 vjet të moçme, kanë thënë studiuesit egjiptianë. Arkivole të caktuara janë hapur me kujdes për të analizuar përmbajtjen e tyre.
Guri i çuditshëm në Egjipt
Egjiptologët nga Universiteti i Bonnit kanë zbuluar një mbishkrim në këtë gur, që besohet të jetë mbi 5 mijë vjet i moçëm. U zbulua në Wadi Abu Subeira, në verilindje të Aswanit. Ekspertët, përfshirë edhe ata nga Ministria egjiptiane e Antikiteteve, zbuluan se ky gur ishte në të vërtetë shenja e një qyteti në shekullin e katërt para Krishtit.
Rrënojat e Pompeit
Vendi arkeologjik në qytetin romak të Pompeit, në jug të Napolit, po e befason kurdoherë botën me zbulime të reja. Në vitin 79 të erës sonë, gjatë një shpërthimi vullkanik të malit Vezuv, balta, shiu i pluhurit dhe llava e shkrirë e përmbysën vendin duke vrarë njerëz e kafshë. Arkeologët ishin në gjendje të zbulonin mbetjet vetëm në shekullin e 18-të.
Ushqim i shpejtë sipas stilit të Pompeit
Pak para Kërshëndellave, arkeologët në Pompei kanë shpalosur zbulimin më spekakolar të vitit: një “thermopolia” apo tezga antike e ushqimit me një banak të pikturuar. Të çarat e saj kishin kontejnerë të vegjël, që besohet të kenë ruajtur ushqimin e nxehtë. Ushqime të bëra nga rosat, pulat dhe kafshët e tjera iu shiteshin banorëve të atyshëm.
Muri i qytetit të Jerusalemit
Gjatë këtij viti ka pasur edhe zbulime krejtësisht të reja. Pas një periudhe të gjatë gërmimesh aty ku ndodhet sot Jerusalemi, një ekip ekspertësh, nën drejtimin e arkeologut gjerman Dieter Vieweger, zbuloi pjesë të murit të një qyteti të moçëm, që besohet të jetë prej kohës së mbretit Herod dhe periudhës bizantine. Ky zbulim konfirmoi se Jerusalemi i vjetër ishte shumë më i vogël sesa që është besuar deri më sot.
Një fshat nga shekulli i dytë
Jerusalemi është përshkuar nga përplasje fetare dhe politike. Shtresat e ndryshme arkeologjike kanë ruajtur mijëra vjet të historisë shumëkulturore të qytetit. Në fillim të 2020-s, mbetjet e një muri të fshatit u zbuluan në Jerusalem. Gjurmë të jetës së përditshme sipërfaqësojnë të dhëna interesante mbi vendimet e asaj kohe.
Qytet i vjetër, zbulime të reja
Në nëntor, punëtorët e ndërtimtarisë në një kanal të Athinës hasën në krye masiv të një skulpture të moçme. Pas qëmtimit nga afër doli të ishte koka e mermertë e hyjit grek, Hermesit, sipas Ministrisë greke të Kulturës. Ekspertët besojnë që koka të jetë nga shekulli i 3-të dhe i 4-t. Në Athinë shpesh ndodh të zbulohen artefakte të lashta nga qyteti i vjetër i Athinës.
E panjohura e Stonehenge
Deri sot, ne nuk e dimë nëse Stonehenge ishte tempull, vend i vjetër flijimesh apo një observator. Por këtë vit, kërkuesit gjetën se prej nga vinin monolitet. Sipas një studimi të fundit, gurët sarsen, siç njihen blloqet masive, vinin nga një pyll në afërsi i njohur si West Woods në Anglinë Jugore.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu Salih Mehmeti