LIBËR I RI
“Tingujt shungullues të shpirtit” është një përzgjedhje shkrimesh publicistike të Lazër Shantojës, kuruar dhe përgatitur për botim nga Arben Ndreca. Libri vjen si një bashkëpunim i botimeve “Berk” me Qendrën e Studimeve Albanologjike “Shejzat Pleiades”. Në më shumë se 400 faqe, janë përmbledhur materiale publicistike të Shantojës, shkruar në një hark të gjerë kohor, i cili përfshin dhe emigracionin e tij politik e më pas rikthimin në atdhe.

Më poshtë sjellim një pasazh shpotitës dhe gazmor nga libri, me urimin që t’ju grishë në leximin e kësaj vepre të plotë.

“Shqiptarët dhe Footballi me Shqipninë”
nga fjalori

𝐅𝐨𝐨𝐭𝐛𝐚𝐥𝐥.—Asht nji lojë qi njifet edhè nder nè. Luhet me top e me kâmbë, sidomos me shtjelm. Ket lojë na e kan mësue t’huejt, sikur na kan mësue shume sênde të tjera qi s’janë lojë. Per me na e mësue mâ mirë, kan ardhë vetë këtû me e luejt nder sŷ t’onë. Top nuk kan marrë me vedi, por vetem shtjelmat… . Topin e kan gjetë gadi, e s’kà mâ të bukur: top taze, fring, të dalun at herë prej fabriket… d.m.th. Shqypënìn e rè! Top mâ t’aftë se ket per lojë, e vênd mâ halì se t’onin, nuk kishin mujë me gjetë në të tanë boten. Shqypnija e rè u bâ! Vdiq e u vorrue e vjetra (kështû duhet me thanë…). At botë ja behne këtu ingliz, françez, aleman, austrijakë, italijaj, malazez, serbjan, amerikaj… e ja nisne lojës. Na shqyptarët rrishim sehirxhì me pà palè kush po e mujte lojen. Por çka ndodhi? Mbasi luejtne mirë e mirë e u shpîne koshësh sà u lypte, topi, i rrahun shtjelmash per së fortit, u shprish, u çart, u shpue; me nji fjalë kje bâ batall!… . At herë ju rà në mend këtyne t’huejve nji fjalë e madhe, e thane: «Shqypënija âsht e shqyptarve e do të jenë e shqyptarve»… edhè na e thanë madje frengisht… en français… e kështu na e lëshuen topin nè! Topin bâ batall!… Na shqyptarët jèm nji popull primitiv, e prandej shum imitativ: bâjmë si majmunat! Kah kishim pà t’huejt tuj luejt football me Shqypënì t’onë, thame: «Po a s’bân me luejt edhè na nji herë ket lojë të interesantshme?… Po sprovohna!»—E kështu ja nisme edhè na lojës: nji herë në Vlonë, mandej në Durrës, mandej në Shkoder, mandej në Lushnje, e ne mbramë në TIRANË… . Këtu duket se loja po kà mâ zarë… nemosè po ngjatë mâ fort se në gjytetet tjera. Në Tiranë âsht edhè vêndi mâ i bukur per ket lojë… mâ i gjânë, mâ rrash, e me nji panoramë mandej shumë të bukur! Aty duket se ja kan nisë me luejt përnji mênd… e po i losin trollin… asè mâ mirë po i losin fèn, si thonë shkodranët (a s’e kan bâ Shqypnìn afetare?). Tash janë tuj ndêjë t’huejt serxhì me pà palè si po mbaron loja; e thonë vetmevedi: «Këta shqypëtarët kan xân me luejt edhè mâ mirë se na! Janë dreqi vetë! Palè sa po ju ngjatë edhè këtyne…» S’kan faj me kujtue kështu, psè ky top, i bâmun batall prej të huejvet, e luejt e tund e ndukë e rrahë e perplasë prej t’onvet, t’a merr mendja se në çë farë hallit do të kèn vojtë…
Mâ e shuma e shqypëtarëvet (ata qi nuk diejn me luejt…) thonë se topi âsht shpue faret, e se nuk mûnd luhet mâ me tê. Atdhetarët e flakët (due me thanë lojtarët) thonë perkundrazi se loja mûnd vijojë… por duhet me diejt me e luejt…
Kush kà arsye?
Duket se këta të mbramët, aq mâ fort psè, si dihet, në nji qoshe të Ministrìs të Financavet kan trumën e duhun me të cillen topi i shpuem mûnd mbushet fort kollaj me… frymë!

Y., Ora e Maleve, Shkoder, e Shtunde, 13 Tetuer 1923, nr. 27

Kopertina e librit te ri te Lazer Shantoja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}