Plot 30 vjet pas botimit të parë të përrallave “Tregimet e moçme shqiptare”, të Mitrusht Kutelit,  për herë të parë ky libër fundamental për letërsinë shqiptare doli në një botim luksoz në panairin e librit në Tiranë në vitin 2017. Janë trashëgimtarët e Kutelit, të cilët kanë menduar se tani është koha për ta rezervuar si një libër luksoz në biblioteka, por në kushte mbijetese botuesit e “Kutelit” e kanë nxjerrë librin në shumë pak kopje

Unë i ktheva këngët në prozë që t’ua lehtësoj hë për hë kuptimin fëmijëve, por proza nuk mund ta përfshinte e ta pasqyrojë kurrë poezinë në tërë madhështinë e saj ritmike, muzikore, ndjenjësore. Të përpiqesh ta kthesh këngën në tregim është, shpesh, pothuaj e njëjta gjë sikur të mundohesh të futësh qiellin në një shami. Prandaj i porosita fëmijët e mi – siç porosit gjithë lexonjësit e vegjël, të këtij libërthi – që t’i lexojnë vetë balladat dhe rapsoditë tona të bukura. Atëhere, ndofta, mund të thonë edhe ndonjë fjalë të hidhur për shkronjësin e këtyre radhëve, që s’mundi t’u japë veçse diçka të zbehtë, pa ngjyra e gjallësi…Ah le ta ndjejnë drejtpërdrejt, thellë e më thellë madhërinë e artit tonë popullor, dhe sidomos rapsodinë e Gjergj Elez Alisë, dhe s’kam veçse të gëzohem dhe të pranoj buzëgaz qërtimet e tyre… – Me këto fjalë shkrimtari Mitrush Kuteli tregon se si shfrytëzoi gjithë kulturën popullore të mbledhur prej tij në një përmbledhje përrallash në Tregimet e Moçme, duke u bërë një libër tipik klasik i letërsisë shqiptare dhe një libër që mban rekordin e ribotimeve në këta 27 vjet, por dhe një nga librat më të shitur, nga rënia e komunizmit. Në çdo panair libri, por dhe nga treguesit e librarive, si dhe shitjet online, kryevepra e magjisë popullore shqiptare  vazhdon të mbetet një rekomandim i përhershëm për fëmijet dhe një zgjidhje brilante për të kuptuar esencën e fantazisë së kulturës popullore.

Botuar së pari më 1987, më pas më 2005, me botimet Mitrush Kuteli, është ribotuar më 2015. E njohur me disa versione në fasadën e kopertinave, Tregimet e Moçme, nw 2017 mbwrriti në një botim luksoz të përgatitur nga trashëgimtarët e tij.

Me një lidhje cilësore, me kopertinë të kuqe e të dekoruar, libri u paraqit në panairin e librit, nëntor 2017, ku familjarët kishin nxjerrë për shitje pak kopje, duke u shprehur se kaq ishte mundësia e tyre botuese, pa u mbështetur financiarisht nga asnjë institucion. Libri shënon në faqen e parë nga vetë autori: Në parafjalë, ose bisedime me katër fëmijët e tij dhe me vetveten rreth këtij libërthi, botohet sipas daktiloshkrimit.

E bija, Atalanta ka treguar se nuk kanë ndryshuar asgjë nga version i parë, duke i qëndruar besnik librit siç e ka lënë i ati, Mitrushi, ku parafjala e tij tregon se si arriti të krijontë këtë botim legjendë të letërsisë shqiptare, e sidomos për fëmijë.

Ja si shprehet shkrimtari në hyrje të kësaj bisede në parafjalë me fëmijët, se çfarë pune i duhet një përralltari për t’jua afruar botës së fëmijëve: Vështirë e ka sot përralltari shqiptar; fëmijët tanë kërkojnë gjithnjë më shumë përralla. Dhe nuk i duan sido-kudo, po të reja, të padëgjura, të palexuara.  Dhe domosdo të bukura, me thelb, me kuptim.

Dëgjoni ç’më ndodh mua. Kur më shohin pak më të ngeshëm, ata të katër “rebelet” e mi (kështu u them unë, sepse janë edhe të qetë, po edhe të zhurmshëm; të urtë, po edhe kryeneçe; të shtruar po edhe… rebelë), më rrethojnë, më heqin për mënge, më hetojnë…

Materialet që Kuteli mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, ku fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”.

Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit (1907-1967), siç e thotë edhe vetë titulli, janë rikallëzime të motiveve tona popullore – të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të veshura me bukuritë artistike prej njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, monumentalizojnë universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë – të kohës kur arbërit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh që vinin nga toka e deti (“Rozafati”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri”) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve (“Shega e Vllastari”, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani”).

Një rastësi bashkon sërish Tregimet e Moçme të Mitrush Kutelit me ilutrimet unike që ka krijuar enkas për këto përralla piktori Gazmend Leka. Pas njohjes së disa ribotimeve, duke u renditur një nga librat më të lexuar të të gjithë kohërave, nga gjithë gurpmoshat, dhe pse janë përralla, trashëgimtarët thonë se kishte ardhur koha për të pasur një botim luksoz të tyre, tashmë të bërë realitet.V.M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}