nga Suadela Balliu

Ura me gjashtë harqe. Ura mbi Mat. Monumenti kulturor të ndërmend shoqërizime letrare, me veprat e shkrimtarëve të njohur të viseve të Ballkanit, që e kapërcyen gadishullin me famën e tyre. Por gjendja e saj sot nuk është as poetike e aq më pak piktoreske.

Me shirat e rrëmbyeshëm të këtij moti e të shumë të tjerëve, prej vitit 1927 kur u ngrit dhe, me gërryerjet nga fadromat që mbledhin aty gurë, ura e Mbretit Zog mezi mbahet, duke e gjunjëzuar një prej këmbëve të saj në lumë.

Prej 30 vitesh ura nuk e kryen më funksionin e saj të parë, siç e projektoi inxhinieri zviceran Erwin Schnitter  dhe e zbatoi ai shqiptar, Gjovalin Gjadri. E megjithatë, në vitin 1999 ajo u shpall monument kulture.

“Është në degradim prej shumë vitesh, me mirëmbajtje shumë të rralla”, do të shprehej në një intervistë televizive drejtoresha e Institutit Kombëtar  të Trashëgimisë Kulturore, Arta Dollani, e cila shtoi se i vinte mirë që mediat e kishin kthyer vëmendjen kohëve të fundit nga kjo urë.

Ndonëse disa emisione investigative e kishin paralajmëruar më herët rrezikun që i kanosej, zë që nuk kishte gjetur veprime konkrete nga ana e institucioneve.

Kalimi i mjeteve të transportit është devijuar në një tjetër urë dhe ajo “rri aty vetëm për pamjen e saj”, vijonte Dollani, e cila tha se Instituti kishte plane konkrete e madje kishte ngritur një grup ndër disiplinash për zgjidhjen e problemit.

Shirat pohoi ajo, kanë dëmtuar rreth 27 objekte të trashëgimisë kulturore, më së shumti ura, por edhe kala e objekte kulti, si kisha rrënojë e Shirgjit e tashmë thuajse e gjitha nën pushtetin e ujit.

Të parët që alarmuan rreth gjendjes së keqe të Urës mbi Mat ishin specialistët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke e quajtur kronikë  të një ngjarjeje të paralajmëruar.

Pak ditë pas denoncimit nga ky forum, nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore u bë me dije se kishte nisur puna në terren për monitorimin dhe dokumentimin e disa prej objekteve, monument kulture, të prekura nga moti i keq. U tha se pas inspektimeve të kryera në Urën e Matit, do të merreshin masat e nevojshme.

Ura e Zogut mbi Mat. Tom Shkreli me makinen e tij, kur ura sapo ishte perfunduar! (Foto: Shan Pici)

Për Forumin në Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, ura 490 metra e gjatë që lidh dy skajet e lumit, është lënë pa vëmendje. Gjë që në fakt e ka pohuar edhe vetë zonja Dollani, kur tha se ndërhyrjet e mirëmbajtjes në këtë objekt kanë qenë tejet të rralla.

Megjithë premtimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore se do të nisë ndërhyrja në shumë plane në urë, një  grupim i shoqërisë civile kanë  nisur mbledhjen e firmave për mbrojtjen e këtij monumenti kulturor dhe historik.

Ndërtimi i urës mbi Mat me projektues Erwin Schnitter, i firmës “Mazorana & Co. Triest”, e cila mori përsipër edhe projektin.

Nuk janë vetëm reshjet që kanosin jetën e urës 94 -vjeçare. Prej vitesh aty operojnë kompani të licencuara për marrjen e inerteve nga lumi. Prefekti i Lezhës, Gjon Jaku ka bërë me dije se aty operojnë mbi 40 kompani të tilla, që sipas tij vënë në rrezik shtratin e lumit dhe urat.

Ndër vite, ura ka humbur jo vetëm një hark por edhe madhështinë me të cilën u projektua dhe u ngrit mbi Mat, për të lidhur dhe afruar veriun dhe jugun e vendit.

Ajo u përurua më  26 maj, të vitit 1927, ku inxhinieri Gjovalin Gjadri zbatoi projektin e kolegut të ri zviceran, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine  “Mazorana & Co. Triest”.

Ndërtimi i një ure mbi Matin që të shërbente për rrugën kryesore kombëtare nga Jugu  në Veri të vendit ishte atëkohë një nga nevojat më urgjente.

Ishte ministri i Punëve Botore, Musa Juka që u kujdes për punimet e një ure që shkonte afro 500 metra në gjatësi e me këmbët e ngulura në thellësi të madhe të lumit Mat.

Por vërshimet nuk e kursyen as atë dimër, kur gjatë punës, në vitin 1926, prurjet e rrëmbyeshme të Matit përllogariteshin me 1200/m3 për sekondë.

Nga përurimi i Urës së Matit, ku morën pjesë figura të rëndësishme politike të kohës

Më herët kishte pasur projekte për urën nga inxhinieri gjerman Back, i cili kishte marrë si pikë ndërtimi fushën e gjerë. Para ngritjes së urës me gjashtë harqe, secili hark prej 54 metrash,  në atë zonë kishe pasur një urë të ndërtuar nga ushtria austriake, si një udhë ushtarake që kalonte Lezhën dhe synonte të vijonte përtej lumit Mat, që edhe atëkohë përshkruhej si i fuqishëm dhe me rrymë të fortë e të vrullshme.

Austriakët zgjodhën si vend ndërtimi, pikën ku lumi përshkonte malin e fundit për të hyrë në fushën e gjerë dhe aty ngritën një urë  500 metra të gjatë me këmbë çeliku të ngulura në thellësi të madhe.

Kështu shkruante në kujtimet e tij ministri i qeverisë së Zogut, Musa Juka. Rruga vijoi drejt jugut, deri në frontin e ushtrisë italiane, e cila nga ana e saj kishte ndërtuar  një rrugë ushtarake Durrës-Tiranë.

Kur ushtria austriake u tërhoq, më 1918-n, ata e shkatërruan krejt urën që patën ndërtuar. Pas Luftës, banorët e krahinës ngritën si mjet të përkohshëm një trap, me kabllot dhe lëndët që lanë austriakët.

Një kartolinë e Kel Marubit me fokus Urën e sapopërfunduar mbi Lumin Mat.

 Ura e re mbi Mat, u ndërtua me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash të kohës. Në përurimin e saj morën pjesë deputetë, senatorë si dhe autoritete të Shkodrës e Lezhës.

Qysh në ngritjen e saj, nisi të njihej si Ura e Zogut, pasi vetë mbreti- atëkohë ende president – ishte ideatori i ndërtimit e ndoshta edhe krenaria e krahinës nga vinte.

Ura u bë një pikëtakimi dhe kalimi i shqiptarëve Shqipërisë së poshtme me atë të epërmen.  Ura  u rikonstruktua më 2001-shin, me financim gjerman dhe në po të njëjtin vit u shpall si më e bukura  në Ballkan, për vlera arkitekturore dhe inxhinierike.

Ballkani si një urë mes Lindjes e Perëndimit, Ura e Matit si një lidhëz mes veriut e jugut, e cila solli frymë perëndimore në infrastrukturë dhe arkitekturë.

Ajo që i rezistoi luftës dhe regjimeve mund të bëhet një ditë subjekt letërsie, por rrezikon të mos jetë më as edhe për t’u kundruar, ndërsa i gjunjëzohet çdo ditë gërryerjes për qëllime tregtare, egërsisë së lumit, të cilin e sfidoi për gati një shekull dhe shpërfilljes institucionale. (gazeta SI)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Arkeologët zbulojnë se Porti i Durrësit gjendej më në veri nga i sotmi
Historia e Patrullarit nga Amantia
Simbol i Kullave Krutane, por objekti “dëbohet” nga Lista e Monumenteve të Kulturës
Kodiku i Korçës nr. 93 është ekzemplar unik në botë?
Si po mbijeton thesari folklorik i Lezhës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}