Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare, kompozotori i shquar, Avni Mula. Lajmi u bë me dije nga e bija, sopranoja e famshme, Inva Mula, në rrjete sociale. “Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë! Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020”, shkruan Inva Mula në Facebook.
Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.
Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.