Gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi, i njohur me emrin e artit si Tom Kuka, ka ‘rrëmbyer’ Çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2021. Juria shqiptare ka përzgjedhur Demin që romani i tij “Flama” të përkthehet në disa gjuhë europiane, si dhe do të ketë mundësi të përfitojë nga mbështetja e institucioneve të kulturës në Europë për t’iu prezantuar lexuesëve të huaj. Në listë, Demi renditet mes emrave të njohur, që po ashtu janë zgjedhur fitues në vendin e tyre si në Portugali Frederico Prederira apo Suedi Maxim Grigoriev.
Romani ‘’Flama’’ iu prezantua lexuesit shqiptar në mars, ku autori zbuloi se e shkroi gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë, e brenda një viti arriti të botonte romanin. Në këtë libër vihet re një Shqipëri e ngjashme me atë të “Hide në kalldrëm”, romani i parë i botuar prej tij. Disa personazhe sërish sillen rreth një krimi të pazbuluar, në një botë ku magjikja dhe realja shkrijnë kufijtë me njëra tjetrën.