nga AGRON TUFA

Nuk ka lirik tjetër në poezine shqipe të shek. XX, që t’i ketë shkëputur lidhjet aq prerazi me krijimtarine e vet të mëparshme, si poeti Frederik Rreshpja. Prerja dhe shkëputja bëhet radikale në fund të viteve ’80. Po të krahasojmë poezitë, fjala vjen, të vëllimit “Në këtë qytet” (1967) me përmbledhjet e pas viteve ’90 “Lirika” (1996) dhe “Në vetmi” (Arbëria, 2004), dallojmë një ndryshim radikal e përjashtues, ku vetëm një poezi e mbijetuar (“Motivi i gruas së kurbetlliut”) ka mundur të ruajë një shenjë nga gjysma e parë e jetës poetike të Frederik Rreshpes. Edhe kjo poezi, është artistikisht më e dobëta midis vëllimit “Në vetmi”.

Sigurisht, nuk përjashtohen nga kjo “jetë e parë” tek-tuk vargje, metafora ose ndonjë imazh, por kjo na flet vetëm për një gjë: kjo periudhë për Rreshpen është e humbur, e “pavlefshme”. Le ta quajmë “periudha e zhgënjimit të thellë” të poetit. Të paktën poeti më vullnet të plotë e ka injoruar, e ka fshirë nga ekzistenca. Ky pohim vihet, padiskutim, në dyshim të plotë kur është fjala për evolucionin e instrumetarit të tij poetik, linjën e imazheve dhe linjën muzikore, që endin pëlhurën e poezisë së tij. Por e gjitha kjo periudhë është një përpjekje për të gjalluar si poet, e mitit të poezisë me të cilin mit ka qenë dashuruar që në djalërinë e hershme romantike. Por është një periudhë jo në “lëkurë” të vet. Kjo është një fazë ku poeti provon maska poetike. Asnjëra s’i përshtatet. Për më tepër, më shumë se sa për njeriun, këto maska rezultuan tragjike për poetin Frederik Reshpja. Tragjike si përvojë e raporteve të individualitetit artistik me maskaradën e pashmangshme të dogmës. Dihet se ky zhgënjim i ka rrënjët në censurën komuniste, e cila nuk i jep poetit as zërin, as motivin e vet, duke e vetëdijesuar atë për qorrsokakun e perspektivës se tij si poet i botueshëm, qoftë në kontekstin kohor ideologjik, qoftë në ushtrimin e lirë të instrumentarit të tij poetik. Kjo është arsyeja, mendoj, se pse Reshpja hesht, pushon së shkruari për botim dhe fillon të shkruajë për vete.

“Jeta e dytë” poetike e Rreshpes nis me krijimtarine poetike “për vete”, pa menduar botimin. Dhe nis duke marrë dy elementët më të rëndesishëm të poezisë së tij, që ia kishin privuar: zërin dhe motivin, të cilat i përdor si dy mjetet artistike ku shtjellohet lënda galvanike e poezisë së tij.

Efekti fugë

Nga zëri ose, me saktë, zërat, ngjizet efekti i tij poetik “fugë”, ndërsa nga motiv, krejt personal e metafizik, përftohet efekti tjeter – rondó. Fuga: në kuptimin klasik përbëhet nga disa zëra, ku secili sosh përsëritet (imiton) një temë të dhënë. Në poezinë testamentale të Rreshpes këto zëra liriko-elegjiakë kryqëzohen në vrapim e sipër (përsa fugë do të thotë vrap, rendje). Këto zëra çlirohen, zgjidhen, shkëputen nga kontrapunkti (koekzistencë e njëkohshme linjash tematike), duke provokuar akorde të disonancës me ndjesinë e një harmonie të përsosur.

Përcaktimi zhanror “Fugë” është i lidhur me muzikën. Fuga është një vepër muzikore e karakterit imitativo-polifonik. Në fugë po e njëjta temë mishërohet në zëra (dhe regjistra) të ndryshëm. Ky princip – është baza e kompozimit të vargut dhe materies poetike të Rreshpes. Poezia, ashtu si dhe vepra muzikore në zhanrin e fugës, duhet para së gjithash, të shkaktojë trazim emocional. Për këtë qëllim poeti krijon imazhe, që ndërtohen mbi asociacione të lira, përsëritje, dhe mbërrin një efekt tabloje dhe mzikaliteti njëherësh.

Vargu i Rreshpes i ndërtuar në këtë mënyrë të përcjell një gjendje ankthi dhe shokimi për gjërat e humbura, nostalgjike, pa kthim. Të nginjura më përsëritje metaforash, krahasimesh, përshkrimesh, gjendjesh fqinjëruese, elementësh kyçë të alkimisë poetike, si trëndafili, rrufeja, mermeri, perënditë, vjeshta, hëna, ciganët, shpata, klithma, format e shiut dhe errësirës, reflekset e diellit që po shuhet, yjet, avionët dhe dëbora, etj, pra, të nginjura me përsëritshmërinë dhe variativitetin e vet në akord me ligjet e zhanrit të fugës, poezia i zbulon dhe i përcjell lexuesit një pikëllim e dhembje, pothuajse fizike.

Për nga ndërtimi i saj fuga përbëhet prej tre ndarjesh kryesore. Në të parën tema përcillet prej të gjithë zërave. Pjesa e dytë ndërtohet më lirshëm: tema shtjellohet me radhë, në zëra të ndryshëm. Në pjesën përmbyllëse të fugës pohohet tonaliteti kryesor i veprës, rëndom me lejtmotivin e vargut të parë, si në këtë shembull të Rreshpes:

Prelud

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi koha të vdes

përsëri!

Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det

për varkat e lotëve.

Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.

Po unë do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.

Unë kam qenë trishtimi i botës.

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi koha të vdes

përsëri!

Specifika e sintaksës së poezisë nënvizon “organizimin muzikor” të saj: i privuar nga shenjat ndarëse, teksti rrjedh vetvetiu, pa farë sforcimi, duke krijuar një melodi të pikëlluar, në të cilin, krahas zërit të poetit shkrihen edhe zërat ndihmës të natyrës për të forcuar motivin qëndror.

Efekti rondo

Rondo: është një formë e ngurtë në poezinë e kohës së Re, që në një mënyrë a në një tjetër mbështetet, sipas Mihaill Gasparovit, në modelet mesjetare, sidomos ne poetikat provansale te shek. XIII-XIV. Rondo (nga frengj. “e rrumbullt”) lindi si një variant edhe më delikat se rondel-i: refreni shkurtohet deri në një minimum aludimi; në mes dhe në fund të poezisë përsëritet jo e gjithë strofa e parë. Por vetëm fillimi i saj, që mbetet madje i parimuar – si të thuash, e pathënë, e pashprehur gjer në fund” Pikërisht midis këtyre dy elementëve modelohet poetika e “jetës se dytë” poetike të F. Rreshpes – midis fugës dhe rondósë.

Efekti artistik i rondos ka të bëjë me motivin që kumbon i përsëritur në njëfarë gjysmërefreni (“O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi koha të vdes përsëri”).

Gjithë vëllimi testamental “Në vetmi”, hartuar e paraqitur nga poeti Shpëtim Kelmendi, ka efektin e një poeme të organizuar në shumë kantata, që ngjajnë me njëra-tjetrën, qoftë si përsëritshmëri motivesh (rondo), qoftë si përsëritshmëri zërash, intonacionesh, muzikaliteti (fuga), aq sa ke përshtypjen se po lexon gjithnjë të njëjtën poezi. Nganjëherë përsëritshmëria, apo më saktë efekti i përsëritjes, prodhon thuajse të njëjtën poezi, madje me të njëjtin titull, por të kompozuar në mënyra të ndryshme (variant/invariant), si më poshtë:

Përditë ikin stinët

Një vetimë e plagosur ra diku,

Si shpata e një klithme,

Mbi tokën e lodhur prej qiejve,

Verbuar nga bronxi i shirave.

Fluturuan tri rosa në qiell,

tri re dhe tri erëra.

O ju shpirtra të pyjeve,

Mbështjellur me dimrin e dhembjes.

Ç’të bëj në këtë peisazh?

Shpjermëni te lumi që vdiq,

nëse kufomën e tij s’e kanë shpënë

Erërat në qiell.

E njëjta poezi me të njëjtin titull ndeshet në këtë vëllim me një organizim tjetër dhe me një strofë më shumë, çka e bën të ketë një kodë tjetër filozofiko-meditative:

Përditë ikin stinët

Fluturuan tri rosa në qiell,

Shpirtra të pyjeve të harruar,

Tingulli i këmbanës, si gjëmim hëne,

Këndoi rekujemin e yjeve të rrëzuar.

Një vetimë e plagosur ra diku,

Si shpata e një klithme,

Mbi tokën e lodhur prej qiejve,

Verbuar nga bronxi i shirave.

Fluturuan tri rosa në qiell,

tri re dhe tri erëra.

O ju shpirtra të pyjeve,

Mbështjellur me dimrin e dhembjes.

O Zot! Nga ç’qiell ra tërë kjo dhembje,

Që hënëzoi këtë dimër?

Përditë ikin shpirtrat e botës,

Përditë fluturojnë stinët

Përsëriten motivet, përsëriten variantet, sikundër se përsëriten vargjet me të njëjtin kumbim, shpesh strofa e vargje të tëra, mos të themi imazhe; metaforat pluskojnë nga njëra poezi në tjetrën, si një karusel muzike, që vërtitet me një të qarë fagoti, një pikëllim që ngjyros me vjeshtën që heq shpirt nëpër gjithë horizontin e Qenies. Ti tilla ngjashmëri në vargjet e librit herë janë të largëta, herë të afërta:

Në vjeshtën e brirëve të drerit këndojnë bilbilat

Përpara borës së parë

(f.93)

Qan dreri në korie dhe lotët bëhen shi;

trishtohet era mbi shkëmb

(f.99)

Noton në përrua me gjethe mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

(f. 64)

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë,

(f.64)

Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar.

(f. 74)

Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj

Të vdes tek shtëpia e gjetheve

(f. 62)

Më duhet të vdes dhe më duhet pastaj

Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat.

(f. 17)

Këndo o Muzë Iliadën e dhunës

…Këndo o Muzë, tek dyert e gazetave

(f.129)

Këndo o Muzë mëninë e Akil Këmbëshpejtit

(f. 152)

Qenie në agoni, në të perënduar, diç që të kujton ekspresionistët gjermanë, diç që të ndërmend vibrimin e akthit dhe frymën e poezise së George Tracl-it. Përsëritshmëria e zërave dhe motiveve, një si nostalgji që qan me gjysëm ngashërime e bën akoma më elegjiake e tëhuajësuese poezinë e Rreshpes, të ngjashme ndoshta ne elegjiakët romakë të periudhës augustine, veçanërisht me Tibulin në “Elegji të pikëlluara”.

Në poezitë e vëllimit testamental “Në vetmi”, Rreshpja ka dhe një cikël lirikash për nënën me tërë forcën metonimike të domethënies së saj për të, sikundërse një cikël “Juda”, me poezi të bukura stigmatizuese për diktaturën e diktatorin tonë dhe tërë tiranitë e lirivrasësit. Janë, padyshim, ndër poezitë më të mira të shkruara në gjuhën shqipe mbi këto tema. E megjithatë, të dyja këto cikle në trashëgiminë poetike të Rreshpes (“Homazh nënës” dhe “Juda”), zbresin poshtë kompozimeve të tij të jashtëzakonshme ku fuga shkrihet organikisht me rondelin, duke i dhënë poezisë së tij muzikën e trishtë të gjërave, efemerizmin e lëndës, precipitatin e vetmisë brejtëse dhe nostalgjisë mes një bote që bjerret vazhdimisht, duke u bërë e huaj dhe armiqësore.

Duke qenë i zhgënjyer me kohën, me veten, me idealin e tij të pamundur poetik, në komunizëm, duke dështuar t’i këndojë idilës komuniste (e cila rri shrembër, fallco dhe groteske në poezinë e tij) Rreshpja e “muros” këtë jetë të tij poetike si të pavërtetë, të stisur, artificiale. Ai nis një tjetër jetë, asketike, të vetmuar, në tuhajësim të plotë social, si lutje, amanet, vajtim e nostalgji drithëruese.

Marrja e rimarrja e të njëjtave linja tematike dëshpërake, me intonacion të përsëritur zërash lirikë, disi të lodhur, të ngjirur e si të bjerrë (një e qarë fagoti e përlargët në sfond i shoqëron vinjetat e tij lirike), përbën dhe askezën ku u ngjiz dhe u mbrujt kjo poetikë e veçantë, ky timbër lehtësish i dallueshëm, i paimitueshëm i lirikës sonë moderne, ndryshe – zëri unikal, klaviatura e papërsëritshme e Frederik Rreshpes.

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}