Si trashëguesi  i veprës së Sylvia  Plath, vendimi i Hughes për ta djegur ditarin e saj të fundit dhe refuzimi i tij për të lejuar botimin e veprës postume, ngjalli shumë reagime nga komuniteti letrar në mbarë Anglinë.

Në dekadën që pasoi, disa e panë Sylvia Plath-in si simbolin e femrës gjeniale të ndrydhur, dhe në këtë skenar, Ted Hughes del si shkaktari i gjithë kësaj tragjedie. Leximet e tij poetike nëpër mbrëmjet letrare shpesh ndërpriteshin nga thirrjet e tilla si “vrasës” dhe mbiemri i tij, i  gdhendur në rrasën e varrit të Plath-it,  vazhdimisht prishej.

Bota letrare u trondit dhe u befasua kur pak muaj para se të ndërronte jetë, Ted Hughes botoi një portret kaq intim të marrëdhënieve të tij me Sylvia Plath në trajtën e “Letra Ditëlindjeje”, më 1998, një përmbledhje poemash në prozë që mbulonin mbarë marrëdhënien mes çiftit letrar, ndër më të famshmit e shekullit XX.

Libri u prit me entuziazëm, por edhe me censurë; vullneti  i Hughes për të thyer heshtjen tridhjetëvjeçare nga vdekja e Plath-it, u mirëprit  edhe pse poezitë u panë me mëdyshje.

“Ajo që e përflak imagjinatën time është beteja mes vitalitetit dhe vdekjes dhe poezitë e mia mund të thuhet se kremtojnë  pasojat e përplasjeve nga të dyja anët. Po ashtu, ato përpiqen të faktojnë vërtetësinë e marrëdhënieve të mia me të”, shkruante Ted Hughes në esenë “Shkëmbi” e cila vjen në hyrje të librit “Zjarrngrënësi”, botuar nga “Aleph”. Poezitë në këtë libër janë përkthyer nga Gentian Çoçoli.

Ted Hughes, një nga gjigandët e poezisë britanike të shekullit XX, u lind më 17 gusht  1930 në Mutholmroyed, Yorkshire. Pasi shërbeu në Forcat Ajrore Mbretërore, Hughes ndoqi studimet  universitare  në Cambridge, ku studioi arkeologji dhe antropologji dhe u tërhoq shumë nga mitet dhe legjendat. Më 1956 u njoh dhe u martua me poeten amerikane Sylvia Plath, e cila ia daktilografoi dhe e nxiti Tedin të dërgonte dorëshkrimin e librit të tij të parë me poezi në konkursin që organizonte  Poetry Center në ShBA. Anëtarët e jurisë qenë ndër poetët më të mëdhenj të  kohës.

Mes 280 dorëshkrimeve, ata zgjodhën njëzëri atë të Ted Hughes si më të mirin, “Fajkoi në Shi”, libër që i dha famë ndërkombëtare të menjëhershme. Sipas kritikut dhe poetit Robert B. Shaw, poezia e Hughes lajmëroi një shkëputje drastike  nga modelet e mëparshme të kohës.

“Poemat kremtojnë qëndrueshmërinë e kulluar të iluzionit tim në këtë botë, duke siguruar  vërtetësinë e marrëdhënies sime me të. Edhe një tjetër mënyrë të thëni mund të jetë kjo – poezitë kremtojnë  qëndrueshmërinë e kulluar të iluzionit tim për botën. Sërish – dhe ndofta kjo është më afër së vërtetës nga të gjitha që shkrova më lart – ato (poezitë ) janë e vetmja mënyrë  që unë ta çliroj veten nga ai trazim prej të cilit, vetë buajt diku nga qershori, nxjerrin bulurima”, ka sqaruar vetë poeti anglez në esenë “Shkëmbi”.

Peizazhi rural i  fëmijërisë në Yorkshire dot të shënonte një ndikim të pashlyeshëm në veprën e poetit.  Të lexosh poezinë  e Ted Hughes do të thotë të hysh në një botë  të zotëruar nga natyra e, veçanërisht, nga bota shtazore.

Dashuria e madhe për kafshët ishte një  prej katalizatorëve të vendimit për t’u bërë poet.

E megjithatë interesi i Hughes për kafshët në përgjithësi qe më shumë në simbolikën që ato përfaqësojnë, sesa në natyralitetin e tyre të të jetuarit.

Duke përdorur figura si ajo e korbit përshembull për t’iu  afruar një qenieje tipike  njerëzore, vepra e Hughes flet me parashikime poetike, madje-madje me fuqi shamanike.

Ariu po ngjiz

Në gjumin e vet

Fillimin dhe fundin

Me qiriç prej eshtra njerëzish.

Duke punuar me sekuenca dhe listime, Ted Hughes shpërfaqi pareshtur një anglishte autoktone dhe njëherësh letrare.

Sipas Peter Davison në New York Times “Teksa banon në trupat e krijesave kryesisht  mashkullore, Ted Hughes e shpërbën zinxhirin e evolucionit. Ai po ashtu kërkon thellë në enigmat e gjuhës, ato që paraprijnë çdo gjuhë të folur, gjuhë që kundërmon nga  pylli apo xhungla.

Po afron hëna vjeshtore, një hënë të lashtash,

Çelur heshtur mes qiellit, si tumpan.

Dhe toka ushton gjithë natës, si daulle e thellë.

Dhe njerëzit nuk vënë dot gjumë,

Dalin përjashta aty ku frashër e lisa

Përgjunjë, mbajnë frymën në një heshtje fetare.

Po vjen hëna  e plotë e vjeshtës!

Hughes organizoi një gjuhë me rezonancë të ngjashme  shekspiriane për të eksploruar tema mitike dhe elementare.

Karriera e gjatë e Hughes përfshin libra si “Luperkalët”, “Korbi” letra Ditëlindje, Poezi të zgjedhura, të cilat patën shitje të padëgjuara më parë në tregun britanik të poezisë.

“Mund të them se unë e kthej çdo luftëtar në një thërrmijë muzikore, pastaj zgjedh muzikën e përgjithshme që ushtron tek poemi, aq formale dhe të ekuilibruar sa një figurë e melodisë dhe  ritmit, sa mundem. Kur të gjitha fjalët dëgjojnë qartësisht njëra-tjetrën dhe secilin theks ndjen theksin tjetër dhe të gjithë bashkë janë të kënaqur –poemi ka mbaruar”, thotë vetë Hughes.

Ndonëse i pranuar sot nga të gjithë si një prej poetëve më të mëdhenj të shekullit XX, fama e Ted Hughes-it gjatë jetës u cenua rëndë nga dy ngjarje tronditëse: vetëvrasja e gruas së parë që ai braktisi, poetes Sylvia Plath më 1963 dhe tjetra,  e gruas me të cilën u lidh pas ndarjes me Sylvian, Assia Wevill,  e cila më  1969 vrau veten dhe vajzën katërvjeçare, të cilën e kishte me Ted Hughes.

Me hemorragji të brendshme

Nektaret e veta mëmësore

Në qefinin e vetes – (shtrat i së bijës).

Atëherë ne do themi:

Ajo e veshi veten me flokët e vet, tek ditët e veta

Dhe nuk mund të shohim kurrgjë veç epjes së petales së saj madhore,

Syri i saj kaba, joshës, trimosh, me spërkla bloze,

Dhe ajo këmbë atletike, e zhveshur, leshatore

Në një gëzim të përkorë.

Kështu shkruan Ted Hughes në poezinë e tij “Lulëkuqe madhështore”. Në një tjetër poezi, titulluar “Ditë Përkujtimore”, ai shkruan:

Lulëkuqja është plagë, lulëkuqja është gojë

Varri, po ndofta e mitrës që kërkon.

Në një tjetër poezi, “Lulëkuqet në korrik”,  Sylvia Plath shkruan ngjashëm

Goja u gjakos

Të vogla buzë të përgjakura.

Ndonëse kaloi një dekadë të dhimbshme dhe kontradiktore, Ted Hughes më vonë u martua me një infermiere nga Devoni, Carol Orchard më 1970 dhe aty jetoi  në një fermë të vogël duke iu kushtuar shkrimtarisë dhe punëve të fermës. Ai la pas një volum të madh përkthimesh, kritikash,  esesh dhe shumë prozë të pabotuar.  Ted Hughes ndërroi jetë më 28 tetor 1998, në Londër, një ditë pasi, nëse do të  qe gjallë, Sylvia Plath do të kishte mbushur 66 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}