Dita jonë, ndërkombëtare, e Medias – si bilanc lufte

Nga Violeta Murati

Gazetaria bëhet për gazetari dhe për asnjë gjë tjetër…Kjo fjali e fundit  e Indro Montanellit para studentëve të tij, pjesë e një fjalimi të mbajtur, jo më shumë se dy faqe word tekst, me realizëm të kujton se ku ka përfunduar pasioni, misioni, kauza e medias! Në shekullin e kaluar, Montanelli dilte në “mbrotje” të medias, duke thënë se nuk duhet harruar se kultura në Itali nuk është e njohur, dhe ajo pak që është bërë, është falë gazetarisë. Të gjithë janë të bindur mbi fuqinë që ka gazetaria, si ndikon ajo në jetën publike. Por, nga ana tjetër të gjithë janë të bindur se media e ka humbur betejën me besimin ndaj tij.

Po e ka humbur betejen. Unë jam dëshmitare e të paktën këtyre 20 e kusur vjetëve që punoj çdo ditë, dhe kam parë degjenerimin e gazetarisë. Asnjë ditë nuk kam punuar në television, por e di kasaphanë që ndodh atje. Por, po flas për gazetarinë, që ka “vdekur” tashmë. Imazhi që ruaj kur nisa gazetarinë, edhe pse ishte ende e brishtë, e gjymtuar nga bizneset dhe politika, ishte një farë soj pune. Një punë që të jepte të drejtën e arrogancës, fuqisë se ke diçka për të cilën ke lirinë të “bërtasësh”, e ti kërkosh llogari institucioneve. Kishe arrogancën të flisje i lirë, e sipas karakterit t’i bëjë ballë dhe kërcënimeve, apo kush guxonte të të mbyllte gojën.

Në këtë liri, mendoj të keqkuptuar, pak nga pak gazetaria shkoi drejt vdekjes…Sot, gazetaria është si bilanc lufte. Shumë u pasuruan, krijuan raporte kompromisi e përfitimi me burimet, institucionet dhe individët përgjegjës…Pra, u blenë. E vdiqen gazetarin. Kush nuk mundi të rezistojë u shit, dhe me ato para bleu një shtëpi, makinë, hapi një biznes…Apo si shpërblim morën poste në administratë.

Gazetaria tashmë kishte vdekur. Profesionistët kurrë nuk mësuan në Shqipëri të ishin të tillë. Njëlloj si në diktaturë kur mendohej se po bëhej art, talenti shpërdorohej. Kush pretendon të zbulojë rrënjë se si lindi gazetaria pas ’90-ës, e si u transformua deri tani që flasim, e ka të kotë, asnjë njërën dhe as tjetrën nuk ka njohur gazetaria. Nuk njohu lindje, as transformim. Këtë kuptuan edhe pronarët e mediave që përkrahën “izolimin” tërheqjen e medias publike, për të bërë gazetari për interesa a llogari biznesi, për leje ndërtimesh, për tendera, për pushtet personal…

Ndërkohë që gazetarët u bënë zëdhënës të pushtetit dhe bizneseve, ata tradhtuan publikun, çfarë mbeti në letër ishte shkërmoqje e misionit, duke shndërruar faqe të tëra të printit në PR. Ekranet nuk janë media, por thjesht videoselfie. Gazetaria jonë e ka humbur rolin. Ka humbur vlerën. Gazetaria jonë është tashmë e vdekur, si në një bilanc lufte. Egërsisht në humbje të thellë. Ashtu siç diktaturat e duan, t’i pushojnë zërin.

Na vjen turp t’ju sugjerojmë të rinjve ç’rrugë duhet ndjekur për t’u bërë gazetar, sepse ato e shohin përditë dështimin. Por, më e keqja, po këta të rinj e adhurojnë rrugën e shkurtër si të bëhesh i famshëm, i shitur me pushtetet për të mbijetuar. Sepse të rinjtë nuk kanë modele, si luftohet në këtë fushë beteje. Ata kanë modelin më të keq: lirinë e këmbyer me skllavërinë.

Ata kanë modelin si të bëhesh zë i interesave të dikujt tjetër, zë i interesave të politikës, biznesit, krimit. Publiku, sot, është inekzistent për gazetarët, as nuk i intereson kujt. E vetmja gjë e mirë, është se sot pronarët e mediave nuk acarohen për tirazhin e gazetave apo për audiencat. Klikimet, thjesht klikimet janë të rëndësishme, janë përbindësha që po na vrasin gazetarin. E kanë vrarë tashmë. Kujtoj se kultura në Shqipëri s’është e njohur, dhe sa pak është bërë, s’është bërë nga gazetaria, por politika, sepse kjo është mendësia e trashëgimisë sonë. Përdorja politike, instrument.

Kushdo që do ta bëjë këtë zanat në Shqipëri, duhet të marrë parasysh angazhimet e mësipërme, duhen përmbushur ca kritere që mos të quheni gazetarë, por sahanlëpirës. Në këtë mënyrë për ta bërë këtë zanat nuk ka vuajtje, asgjë nuk ju dekurajon, dhe kam bindjen se do t’ju duket një punë shumë e bukur. S’bën asgjë, por është e bukur sepse mund të bëheni të pasur, arrogantë, të lirë në këtë lloj robërie. Dhe kështu gazetaria ka vdekur, nëse nuk bëhet gazetari. Vuajtjet e gazetarit janë krejt tjetër gjë. Denigrimi i gazetarit në Shqipërinë tonë është tjetër gjë. Është krim që ndodh çdo ditë, si në një bilanc lufte. standard.al (May 3, 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}