Në revistën online “Peisazhe të fjalës” u botua një material prej 37 faqësh me pretendime arkivore nga Auron Tare, me mbrotje redaktoriale nga Ardian Vehbiu. Bëhet fjalë për përfshirjen agjenturore të Martin Camajt dhe Ernest Koliqit – por, ky material ka hapur debat, ndoshta siç pritej nga dy autorët, për mënyrën se si përdoren dokumentet arkivorë, dhe çfarë saktësie e besueshmërie mbajnë ato, aq më tepër kur na paraqiten si “studime” nga autorë jashtë historisë dhe letërsisë. “Arteka” sjell kete permbledhje te debatit permes reagimit te Agron Tufes, Primo Shllakut, Adrian Ndreces  dhe një përgjigje të bërë  nga Tare

GËRMO TARE, GËRMO…

Nga Agron Tufa

1

Dosjen e plotë të Martin Camajt, të cilën Autoriteti i Dosjeve ia dorëzoi Auron Tares, dihej që ai do ta shfrytëzonte selektivisht. Ai që ia ka përgatitur e dorëzuar, e di këtë dhe bën mirë të flasë. Megjithatë dosja nuk gjendet vetëm në AIDSSH dhe është lehtë të demonstrohet shfrytëzimi i saj selektiv. Do ta ketë pasur sekëlldi të madhe Tare kur esencën e kësaj dosje e publikoi Kastriot Dervishi gjatë këtij dimri, me disa vijime, ku dëshmohet se si u tall Camaj me Sigurimin dhe se si Sigurimi për 40 vjet u përpoq ta “diskretitonte” atë me çdo mënyrë.

Camaj i tregoi rregullisht Sigurimit të komunist Gishtin e Mesit.

Edhe kuazidedektivin e Tares, që ndokush e mer për studim, me koleksionimin e zellshëm e heroik të dokumentave kudo ku përmendet Camaj, mandej të endur në tekstin e tij sipas parimit të “gërshërës dhe mastiçit, – edhe për Taren pra, njëlloj si për Sigurimin, Camaj ka veç një përgjigje: Gishtim e Mesit!

2

Labirinti kontekstual dhe akontekstual i dokumentave mbi nje antikomunist si Camaj, i shtrënguar të ndjekë rrugën e mbijetesës, pa i mbetur vetja peng, nuk të çon aspak në klishenë derdimene “tradheti ndaj atdheut”, siç sugjerohet nga montazhi dedektiv i Tares. Unë besoj këtë tjetrën, që Camaj, e shumta, mund të ketë krijuar alibi fiktive, kinse pranoi “Ura bashkëpunimi” sa ishte në Jugosllavi, pastaj këto “Ura” fiktive i hodhi ne erë, bashkë me gruan e tij serbe. Por nuk mendoj se ka qenë e nevojshme as kjo. Sepse dedektivi i Tares nuk thotë asgjë, nuk jep asnjë fakt, asnjë shkresë, përpos ca hamendësimeve e supozimeve. Deri tani nuk kemi ndonjë rast flagrant të ndonje vepre konkrete me pasoja negative të Camajt. Pra, asgjë. Këtë asgjë, Tare e interpreton nga informacione të Sigurimit të CIAS në internet, krejt sipas qejfit dhe oreksit, duke na sugjeruar se aty pra, duhet të fshihet “bashkëpunimi me UDB”. Po ku pra, ku? Ke dokument o qirje studiues? Jo!?

Epo atëherë gërmo Tare, gërmo!

Dhe mos kërko të të xamë besë veresije.

E gjithë perpjekja sistematike e Tares në këto dokumenta rreth implikimit te Camajt, del jashtezakonisht intencional, sikur ka inat të vjetër e të personalizuar me të, sikur mban inat që Camaj iu shpëtoi burgjeve dhe kampeve të internimit nën drejtimin,asokohe, të Myftar Tares. Gjithë koleksioni i mbledhur me dokumenta ku përmendet emri i Camajt nuk të thotë asgjë, e tekefundit, mund të përmblidhet në një idiomë: “Gola në përfytyrim!”. Po kujt i duhen “golat e përfytyruar” të Tares?

3

Interesante është, se kjo kategori studiuesish si Tare, kurrë, po kurrë ama, nuk u morën njëherë me demontimin e miteve të rreme për personalitete ende të gjalla të kulturës e politikës në dy epokat: komuniste e postkomuniste, të cilat i kanë sjellë dëme e krime të përbindshme, të hapura dhe ende të fshehta shoqërisë dhe atdheut. Tares nuk i duken të rëndësishme dokumentat mbi “Cingaren” dhe dëmin e pandreqshëm të demokracisë së shndërruar në një stan qensh. Apo nuk duhen prekur “tanët”?

Duket se këta studiues e kanë të pilotuar agendën për një kategori antikomunistësh, por kurrësesi jo për ata, me të cilët konsultohen e pinë kafe. Do të kishte qenë i vyer tehu i këtij zelli studimor, fjalavjen, për veprimtarinë e ethshme brenda e jashtë Shqipërie (diasporë) të ndonjë tipi si”Dragoi”, por sakën se…

Po e dimë: kjo nuk hyn në agendat e pilotuara të Tares me shokë. Pse? Se ata gërmojnë në një tjetër drejtim…

Sa për Camajn, jashtë yllit të tij letrar e gjuhësor, mbetet triumfi i inteligjencës së tij, që i tregoi gishtin e Mesit Sigurimit të shtetit. Ai natyrisht ishte kundër pushtetit satanik të Enver Hoxhës dhe rrëzimi i tij, ka qenë gjëja më e mirë, më e domosdoshme, që fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse kishte njerëz të zellshëm që e mbronin diktaturën atëherë dhe që kanë nostalgji e përpiqen ta ringjallin sot.

Për mua Camaj mbetet poeti briliant, i pangjashëm me kënd tjetër në peizazhin e lirikës pansjqiptare, prozatori novelist e romancier, absolutisht më i thellë, më multisemantik, origjinal e risues, me gjuhë, stil, ide e ndjeshmëri artistike të pashoqe në letrat menjimend moderne shqipe, sikundërse gjuhëtar atipik që hapi rrugë të pashkelura në studimet tona (Il mesale di Gjon Buzuku).

Pjesa private, sido që të shkojë puna, na çon, e shumta, te paradigma e njohur në letërsinë botërore të shkrimtarëve që punonin në shërbime inteligjente si Çesterton, Graham Grim, etj., padyshim në interes të atdheut, sikundër dhe Ernest Koliqi. Vetëm me nji sqarim të vogël: atdheu mbrohet e duhet/dashurohet edhe duke e çliruar atë nga zombifikimi komunist i diktaturës, e jo siç e marin jangllësh derdimenët, që sulmin ndaj pushtetit satanik të Enver Hoxhës, e konsiderojnë “tradhëti ndaj atdheut”. Pra në këtë pikë ne kemi pikëpamje krejt të ndryshme mbi domethënien e atdheut: atdheu im, nuk është diktatura!

4

Sulmi i maskuar si studim, i mballosur me teknikën e “gërshërës dhe madtiçit” eshte nje goditje e mirëmenduar dhe e përgatitur gjate ndaj figurave të pastra antikomuniste si Camaj, Pipa, Koliqi etj, te cilët ia bënë dambllanë Sigurimit dhe komunizmit te Enver Hoxhës. Dhe me sa duket, është një inat që s’del kollaj ndër breza. Tani eshte radha e trashëgimtareve te tyre të kamufluar keq të provojne shansin me këto përmendje kolazhesh, duke e lypur emrin (e Camajt, Koliqit, Pipës) nëpër burokracitë e tejsurvejimit të personaliteteve, si qeni në zabel. Një gjë e rëndomtë kjo, kur kemi parasysh se jemi në pikun e “Luftës së ftohtë”, në botën e ndarë me perde të hekurt.

Nga ana tjetër çdokush që ka qenë dikushi gjatë diktaturës, po ta shohë sot dosjen e vet, do të gjejë qindra gjurmë në ish Sigurim (kallzime, raporte, vërejtje, udhëzime, vijë sjelljeje, etj,etj), po kjo nuk do te thote aspak, se meqë survejoheshe ke qenë në shërbim të Sigurimit, UDB, CIA etj!

Pra me Camajn, me survejimin e tij nga Sigurimi shqiptar dhe UDB në Shqipëri dhe Jugosllavi, dhe më vonë në Romë e Mynih, nuk do të thotë asesi se ai u “rekrutua” prej tyre, që “shërbeu”, ashtu siç na e sugjeron përvëlimthi e me rixha Auroni. Në këtë drejtim ai ende nuk na ka thënë asnjë gjëzë, prandaj them, se në këtë drejtim, Tarja duhet të vazhdojë të gërmojë… Përndryshe logjika e tij është e shpartalluar pa filluar minimumi i arsyetimit të shëndetshëm, e jo dëshira për të imagjuar “gola në përfytyrim”.

Dje së fundmi, për ata që trashen e mëdyshen si deshë me qershi në dyer të reja nga albumi dedektiv i Tares, bëjmë këtë pyetje retorike:

A ka qenë Badhkëpunëtor i Sigurimit të shtetit Martin Camaj?

Sqarimi më i thjeshtë është ky:

Kategoria e “bashkëpunëtorëve me material shtrëngues” të quajtur “bashkëpunëtorë tradhtarë”, me zero raporte, NUK janë e nuk quhen bashkëpunëtorë!

Po shqiptarët gënjehen kollaj për punë agjenturash, sepse asnjëherē nuk shohin se çfarë “spiunoi” Martini. P.sh: pse e quante “tradhëtar” Sigurimi, kur Camaj i paska “shërbyer”?

Pse pra? Për t’iu përgjigjur, Tares do t’i duhet të gërmojë edhe në arkivat e Beogradit. Dhe ne i urojmë zell të mbarë në lartësinë e agendave të porositura: gërmo, Tare, gërmo…

Përgjigjet Auron Tare: Ja ku gjenden dokumentet për Camajn dhe Koliqin

“Ne interesim te te gjithe gazetareve apo studiuesve qe ditet e fundit jane perfshire ne debatin mbi shkrimin tim “Dritehije ne Histori” botuar ne Pejsazhet e Fjaleve, ku flitet per disa te panjohura ne lidhje me shkrimtaret Martin Camaj dhe Ernest Koliqi mund tju them se:

Dokumentat e Deklasifikuara te Arkivit Amerikan ndodhen ne
700 Pennsylvania Avenue, NË. Ëashington, DC 20408-0001 Dosjet mbi Operacionet BGFiend/Valuable. Nje numer i kufizuar eshte online pjesa me e madhe jo.

Per te interesuarit mund te shtoj se do te ishte me ekonomike marja e autobuzit nga Smithonia Museum apo nga qendra nepermjet Bulevardit Pennsylvania. Duhet te aplikoni paraprakisht te merni miratimin dhe pasi te paraqiteni me karten e duhut mund te kerkoni Dosjet. Rekomandimi nga nje Institucion shkencor eshte i rekomandueshem per akses me te menjehershem.

Per Dosjet e Arkivit Britanik ato ndodhen ne Arkivin Kombetar Britanik ne adresen The National Archives Keë, Richmond, Surrey, TË9 4DU. Dosjet e periudhes se Luftes jane te Deklasifikuara. Disa Dosje per Operacionet kunder Shqiperise ne periudhen 48-59 ende nuk jane hapur. Per Dosjet e Sigurimit te Shtetit te Deklasifikuara deshiroj tju bej me dije se ndodhen ne Fondin e AIDSSH. Duke pare reagimin e madh mbi Dosjet e Martin Camaj dhe Koliqit do te doja t’ju bej me dije se me interesimin e nje studiuesi qe ka shkruar per nje kohe te gjate per ceshtjet e historise se Luftes se Dyte Boterore dhe te Pas Luftes jam paraqitur ne Autoritetin AIDSSH shpesh here ku me nje korrektesi me jane vene ne dispozicion per njohje nje seri Dosjesh per te cilat kam qene i interesuar, nder te tjera Dosja e Teme Sejkos, “Grupit Cam” Komiteti Shqiperia e Lire, Dosja Camaj e keshtu me rradhe. I kam pare i kam konsultuar dhe kam mbajtur shenime per ceshtjet me interes. Per Dosjen Camaj sipas rregullit kam paraqitur kerkesen per tu informuar per kete Dosje por edhe per Dosjen e Ernest Koliqit, Komitetit te Prizrenit, Blloku Indipendent Kombetar qe ne daten 26.05.2020. AIDSH ka ndjekur te gjithe proceduren ligjore per keto kerkesa per tu me vene ne dispozicion. Dosja e Martin Camajt eshte miratuar ndersa Dosja e Koliqit ende eshte ne perpunim. Ne shkrimin tim te botuar para disa ditesh kam shfrytezuar te gjithe materialin e konsultuar paraprakisht ne keto Dosje dhe materiali i Dosjes sipas rregullit eshte hedhur ne CD per tu terhequr prej meje. Nga AIDSSH sipas rregullit jam njoftuar perpara 10 ditesh per tu paraqitur per marjen e materialit. Jam paraqitur sot per ta marre dhe per ta pasur ne koleksionin tim ku ndodhet edhe materiali i mbledhur me pare. Per cdo informacion te metejshem mund te me kontaktoni direkt. Per autenticitetin e materialit te botuar jam pergjegjes publik. Ne se ndokush pretendon se ne keto materiale ka shtremberimi apo material jo te vertete pergjegjesia bie mbi mua.”

Auron Tare një kovë baltë mbi Koliqin dhe Camajn

Nga Ardian Ndreca

S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut. Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta. Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit!

Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!

Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë!

Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!

As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56.

Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë.

PERGJIGJE MIKUT TIM, AKADEMIK ARDIAN NDRECES, RRETH SHKRIMIT TE TIJ PER AURON TAREN

I dashun Ardian, Auron Tare ka hapë nji diskutim shum delikat dhe, simbas meje, edhe të thelluem me material faktik. Por ai nuk mund ta zavendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij asht i randësisë dhe i diskrecionit akademik. Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX. Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na jape sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çeshtjes dhe, në vijim, të dale para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues. Çeshtja ka dale në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kuturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.

Me konsideratë,

P.Shllaku

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Vlerësohet për romanin “Flama”/ Gazetari Enkel Demi alias Tom Kuka merr çmimin Europian të Letërsisë, për vitin 2021
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>