Nga Dom Gjergj Meta

Niveli kulturor në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Ngarendja pas jetës së përditshme dhe sidomos logjika efiçentiste e jetës, bën që edhe dija e marrë në shkolla të jetë e copëzuar.

Tashmë edhe vetë Universiteti prej shumë dekadash e mban këtë titull në mënyrë abuzive, pasi nuk garanton atë universitas dijesh për të cilat është krijuar. Në fakt, edhe ai është kthyer në as më shumë e as më pak se një shkollë profesionale, në kuptimin që përgatit profesionistë, por jo domosdoshmërisht njerëz të dijshëm; përgatit teknikë të fushave të ndryshme, por jo njerëz të aftë për dijen dhe zhvillimin e saj. Plagë kjo që ka prekur universitetet jo vetëm te ne, por edhe në Evropë dhe Amerikë.

Në lashtësi, simboli i diturisë ishte bufi, që gjendej i gdhendur në bibliotekën françeskane në Gjuhadol, i cili ka aftësinë ta rrotullojë kokën 360 gradë dhe po ashtu e nis fluturimin e tij në muzg, çka do të thotë se e di mirë drejtimin që duhet të marrë. Rrotullimi 360 gradë është simboli i universitas-it, i shumësisë së dijeve dhe pikërisht kjo sintezë dijesh mungon te pjesa më e madhe e elitës intelektuale.

Në Shqipëri po ndodh edhe një “fenomen”, sipas mendimit tim shumë shkatërrues për kulturën: rekrutimi i “ekselencës” për llogari të politikës apo biznesit, ndonëse termi “ekselencë” është term që nuk thotë asgjë dhe veç të tjerash është edhe diskriminues.

Kemi parë rëndom se si politika dhe biznesi shohin tek studentët ekselentë një burim për të ardhmen e tyre, por jo për të ardhmen e kulturës apo të vetë individëve. Subjektet që dallohen përgjatë kurrikulumit të tyre akademik, shenjohen menjëherë nga “agjencitë” propagandistike për t’u rekrutuar si ushtarë në fushata elektorale.

Një nga zhgënjimet më të mëdha personale ka qenë kur kam gjetur njerëz, të cilët i vlerësoj për mendjen e tyre, të angazhuar në mënyrë militante nëpër parti politike, duke mbledhur vota ose duke punuar nëpër bodrumet virtuale të partive politike si anonimë perfektë. Ç’trishtim!

Kultura, që do të thotë, gjithnjë sipas meje, kultivimi i mendjes dhe i shpirtit, nuk mund të jetë për përdorim konsumi politik apo propagandistik. Ajo ka një status të vetin autonom, nuk i përkulet asgjëje që dëshiron ta blejë apo më keq ta manipulojë atë. Ky status e bën kulturën shpirtin e një shoqërie, e cila i rri përballë logjikave manipuluese për interesa të vogla të momentit apo një logjike “lobimi” në interes të grupeve ekonomike e politike.

T’i kthesh kulturës statusin e saj si lokomotivë e ndryshimeve domethënëse të shoqërisë, do të thotë të mos e lidhësh atë për fyti me lakun e efiçencës apo më keq akoma, të interesave të ngushta të momentit, por ta lësh të lirë të zhvillohet. Vetëm kështu njerëzit e kulturës do të jenë motori i zhvillimit të shoqërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}