Kultura e shtetit

Nga Redaksia 28 Dhjetor, 2021  Në thelb

Diku nga viti 2015, kur po bëhej festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut, me organizator akademinë e filmit “Marubi”, si pari e vendit në podium u ngjit Veliaj dhe, si gjithmonë, foli më shumë për një projekt bashkiak të së ardhmes: Parku i Artit në ish Kinostudio!

Me thënë të drejtën, imagjinata ime shkoi në sinkron me kryebashkiakun, veçse përkundër, më vinin në përfytyrim disa shilarëse, rrëshqitëse, grumbuj zhavorri, rrotullame marramendëse, trarë ulje-ngritje e plot imazhe fëminore, te shprehura me ndonje instalacion, me ngjyra e jetë. Veç për Park Arti s’ma thoshte mendja. Hapësira publike e ish Kinostudios në këto vite është shfrytëzuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Shteti, si pronar i kësaj prone publike, përveçse të jetë vjeles qiraje, s’ka pasur tjetër aftësi menaxhimi. Ka qenë një histori e përfolur në ’98, kur Ramën e bënë ministër kulture, se në ish Kinostudio do të zhvendoseshin të gjitha institucionet e kulturës, ato që njihen si kombëtare, që mbahen prej shtetit financiarisht. Kjo do të çonte me ligj edhe ndryshimin e statusit të tyre, duke i dhënë emërtimin Kompani publike. Kjo referencë çoi në këmbë artistët, dhe shënoi rastin unik, duke i futur ata të Operas dhe Baletit në grevë urie. Institucionet mbetën të shtetit. Rama iku si ministër, me suprizat e mëvonshme  politike që tanimë dihen.  Në mënyrë të rrufshme, kur PD kishte mandatin qeverisës, ish godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e ktheu në Ministri të Kulturës. Godina historike që i shpetoi “grabitjes” nga Rama, duke shenuar nje precedent tjeter gjyqsor, (falë rezistencë së poetit Xhevahir Spahiu) për t’jua dhënë pa para francezëve, u duk sikur shpëtoi. Edhe aty u bënë abuzime arkitekturore, por kjo pak rëndësi ka. Me ardhjen e socialistëve në pushtet, godina e ish Lidhjes së Shkrimtarëve, më pas e Ministrisë u boshatis! Duke injoruar aspektin historik te saj, po ashtu edhe ate kulturor, godina u leshua per ca zyra pune, a ndihme sociale. Para se aty të hynte stafi politik i kulturës, godina ishte në rrënim. Dhe nuk ishte çudi që të kishte të njëjtin fat si ish godina e Radio Tiranës (sot në kushtet më mizerabël), gati per te rene. Rama kryeministër tashmë urdhëroi që ministria e kulturës të transferohej në ish Kinostudio. Në godinën kryesore të saj, ndodhen Qendra e Filmit së bashku me transfermin tjetër, Institutin e Monumenteve (edhe ky institucion larguar nga kompleksi i sarajeve të Toptanëve, po në kushte mizerabël).

Por ish Kinostudio është një territor publik i pamatë. Pasuri e rrallë, e zhvendosur në periferi të kryeqytetit. Pa hamendsuar edhe për godinën e Arkivit Qendror të Filmit.

Strehimi i disa institucioneve të kulturës në këtë territor publik, edhe pse në periferi, u bë një shenjë se pak nga pak, pritej të realizohej plani i vitit 1998. Por këtë herë, artistët më pozitat më të dobëta prej grevës së urisë, dhe pa status, pa mbrotje, me punësim sipas kontratave, pra gjithçka e kontrolluar dhe në varësi direkte autoritare; ndërsa Rama më i pushtetshëm dhe afër realizmit të planit të tij. Kur pritej ky ndryshim politika bëhet tolerante me mediat televizive dhe pothuaj, pjesa më e madhe e tyre, zunë godinat dhe hapësirat publike kundrejt qerasë. Kompleksi mediatik që ka pushtuar tokën publike të ish Kinostudios s’ka aspak lidhje me historinë e saj, përveç rezistencës së Akademisë së Filmit “Marubi”.

Për t’i kapërcyer vitet e fundit, të përplasjes më të ashpër mes pushtetit politik dhe institucioneve të kulturës, duke përfunduar, rezistenca pothuaj 20 vjeçare me shembjen barbare të godinës së Teatrit Kombëtar. Me këtë ngjarje ndodhi legjitimiteti absolut i Ramës mbi kulturën. Një varësi historike e instrumentalizuar, aspak e panjohur për vendin tonë, referuar së kaluarës komuniste. Kthimi i një magazine ne Teatër, ose variant alternative sallash, pra tek ArtTurbina, nuk është gjë tjetër veçse një fasadë, pas skenës reale se çfarë po ndodh automatikisht me institucionet kombëtare të kulturës. E njëjtë, edhe për Galerinë Kombëtare të Arteve, për të cilën sapo është shpallur projekti restaurues, por nga zërat e parë flitet se nuk ka aspak lidhje me një studim kërkues, mbi kriteret e një institucioni të tillë. Tjetër alternative po aq, jo profesionale diku në rrugën e Kavajës, zhvendos vëmendjen e arteve pamore, pra në një godinë duke hapur “institucionin”: GAT (Galeria e Arteve Tiranë), jo vetëm alternative e papërfillshme, por minizimin institucional si ai i teatrit.

Për arsye që dihen, Teatri i Operas dhe Baletit – rikonstruksioni i së cilit, është bërë me devijime fondesh publike, dhe grantet, – është sot një strukturë aprofesionale, e anatemuar nga ana arkitekturore, të përshtatshme për një shkallë klasike, elitare, siç mund ta kenë gjithë vendet e qytetëruara. Konotacionet stigmatizuese japin versionin se brendia e interieret jane më shumë funksionale për konferenca dhe mitingje politike!!! Ndërkohë, në përgatitje e sipër, është dhe hapja e gropës për ndërtimin e Bibliotekës së Tiranës. Me transferimin e gjithë fondin që ka aktualisht Biblioteka Kombëtare, e vendosur në qendër të kryeqytetit, në periferinë e parashikuar nga Rama, e duke ia deleguar si punë të mirë politike, Elva Margaritit, – humbet përgjithmonë miti i një kulture tradicionale e dijes, ashtu si e ka çdo vend i zhvilluar, Biblioteka Kombëtare. Periferia për një kryeqytet ka gjithnjë kontekste të teprisë, zhvendosjes sociale si lëndë mbetjeje…Se ku e gjen qeveria shqiptare socialiste argumentin për të krijuar këto kontekste të reja sociale me zhvendosjen e institucioneve të kulturës ne periferi, asnjë nuk e ka të qartë. Për këtë s’ka transparencë ligjore, as etike, as biseda me artistë e palë interesi. Megjithatë në theksin e gjatë të alternativës kulturore, duke zbehur deri në zhdukje të terminologjisë së “institucioneve të kulturës”, duket se diçka ka ngecur në vullnetin politik. Arsyeja? Nga një fakt mjaft i thjeshtë; Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka treg kulturor, nuk ka artistë që konkurrojnë sipas ligjeve të konkurrencës në një treg të lirë, nuk ka ballafaqim jashte kufinjve. Rastet jane sporadike. Në këtë kufizim, shtrëngim ligjor shteti merr gjithë të drejtën ti konsiderojë institucionet kulturore në varësi si ombrella që i hap e mbyll, sipas leverdisë ekonomike. Për anën politike, s’mund të flasim sepse nënshtrimi i komunitetit artistik të punësuar me kontrata pune pranë institucionve shtetërore i bën ata, automatikisht, nëpunës shteti, nëpunës buxhetore, që presin rrogën një herë në muaj. Pa asnjë status ligjor, që t’i mbrojë nga politika. Por, as me guximin per ta thyer establishmentin politik.

Megjithatë qeveria dhe bashkia socialiste vazhdon këmbënguljet e fundit për ta degraduar totalisht ontologjinë kulturore në vend. Institucionet në term po bien. Përcaktimet ligjore ende nuk janë përfundimtare. Në këtë “vision”, kur Rama hoqi Kumbaron nga detyra e Ministres, më 2017, dhe solli arkitekten Elva Margariti, kjo e fundit raportoi para mediave se ka dy synime: ndërtimin e Bibliotekës së Tiranës, pra nënkupto devijimin institucional të Bibliotekës Kombëtare; si dhe të krijojë kushtet për organizimin e ri kulturor, nga një model amerikan, por të dështuar, edhe në Evropë, e pa zbatuar kurrë: Creative Industry! Për vetë natyrën se si organizohet me ligj, kjo strukturë e re, për kulturën, lidhej drejtpërdrejt me artistin, individin, si artizan, ku argumenti më i rëndomtë për dështimin në vendet e zhvilluara ishte: A mund të quhet edhe roja artist?! Eksplorimi dhe vënia në funksion i godinave të dala jashtë funksionit, në eksperimentin shqiptar, rasti i ArtTurbinës, që nuk u përdor kurrë për arsyen e mësipërme, do çonte në dështim qysh në krye. Pafuqia financiare, qoftë e shtetit, por edhe e individit, mungesa e një standardi jetik, si dhe, më e rëndësishmja, varfëria skajore e kulturës, e zhvillimit të brendshëm kulturor, me mungesë tregu, e çon në dështim mendimin e ministres Margariti.

Dilemat konfliktuale të vazhdueshme, rënie ngritje, marrje pushteti e ka zgjuar Ramën për ta rikonsideruar territorin publik të ish Kinostudios. Ideja e Parkut të Artit, që sipas ministres aktuale të kulturës, ka nisur punën, pas asnjë transparencë, raporte profesionistësh duke rrënuar përfundimisht konceptin institucional dhe konkurrencën në kulturë.  

Në qendër të kryeqytetit, ku dikur në një reportazh të viteve ’40, Arshi Pipa e konsideronte si një muze, tani ka “vdekur”. Nëse në gjithë botën qendra bëhet kulturë, në integritetin e tyre ekonomik, qeveria socialiste shqiptare, me planet e hershme të Ramës, po e shndërron qendrën e kryeqytetit në qendër biznesi, një lloj zhbërje muzeale e qendrës, me “qiellgërvishtësit” që dhunojnë qytetin. Kjo është “kultura” e shtetit. V.M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}