nga Vladimir Myrtezai

Teoria e kërcimit pupthi nga bazamentet e shtresës ku ne bëjmë pjesë është një e vërtetë e pashmangshme për ata njerëz që ndërtohen kulturalisht dhe bëhen pjesë e tablosë njerëzore si një pozicionim dinjitoz. Për shkak të mjedisit dhe të zërave të brendshëm që të kontrollojnë heshtur, kjo tablo sa vjen e bëhet edhe më e shumëllojtë dhe bredharake nëpër identitete të fshehura që  dalin në sipërfaqe papritmas, si të pavullnetshme. Sforcot për t’u rreshtuar kulturalisht te fokuset e vëmendjes së grupimeve ose të shoqërisë shënojnë një luftë të pandërprerë për të gjithë ata që formohen në këtë betejë të koklavitur. Por, qasjet e pavullnetshme janë pasqyra reale e të qenurit i lirë dhe i identifikuar si gjendje e thjeshtuar e formës së hapur që të mos kesh turp për të qenë i lumtur me gjithsej.

Kjo lloj analize, që e mundonte shpesh Shan Rrjollin për t’iu bashkëngjitur asaj që ia kish ënda më shumë, u bë një lloj stereotipi ngasës. Gjatë mbrëmjeve bariste ngadalë dhe letohej lirshëm në bregdetin më të afërt me qytetin ku hetonte vetveten gjatë ditëve të fundjavës. Pamja krejt lirike e tij, e dorëzuar dhe e falur krejtësisht lirë e pa teklif në publik, e bënte Shan Rrjollin një aristokrat race, qe krijonte një nga gjërat që nuk të linin shteg për koment dhe dyshime. Vishej gjithnjë bukur, me ndonjë element të dukshëm për t’u dalluar, dhe rreth vetes ruante një distancë të padiskutueshme që nuk të ftonte t’i afroheshe lehtë. Qe një formë e zgjedhur prej njeriu të veçantë, që distancat në komunikim i merrte si oaze oksigjeni, të pandotura nga belbëzitjet e dyshimta dhe nga zhargoni rastësor i rrugës. Gjithandej hidhte një vështrim pickues, një lloj shikimi që e bënte të palexueshëm se ku e kishte mendjen apo çfarë po kërkonte. Në publik lëvizte si një njeri jo i zakonshëm dhe me një dendësi kurioziteti përqark, që ia bënte të veçantë jetën, si me pekule.

Por, sa më shumë që kalonin ditët, kjo lloj zgjedhjeje në jetë nuk se e bënte krejt të lumtur, dhe shpesh përvidhej në situata të “ndotura”, duke e shkulur me gëzim statusin e tij, dhe zhgërryhej me çfarë kishte në një rrjedhë të përzier pop, me një zell shpërthyes dhe me një sqimë të brendshme.

Me të njëjtën metodë zbulimi, si në jetë ashtu edhe në art, Shan Rrjodhi hidhej dhe zhvendosej mes gjësë si një premisë për të marrë shenjat e mundshme që donte t’i vinte në provë. Kishte shijuar dhe i kishte bërë pjesë të tij si provë shumë nga nuancat kulturore që pozoheshin në shoqëritë e zgjedhura, apo të ashtuquajtura elitare, dhe i rezultonte që në shumicën e gjerave që hidheshin në diskutim e linin disi të ftohtë dhe pa shumë rrokje të nxehtë të gjësë që diskutohej. Dhe në këto dilema prove në grupe të ndryshme vinte re se nuk ndihej i përjashtuar me ta; jo se i bëhej vonë për dallimin nga ata, por për të qenë si më i kontrolluar në mjediset ku respektohej përpiqej që të ishte në korrent të gjerave që fliteshin dhe diskutoheshin mes tyre. Një lloj autokontrolli për të mos qenë krejt jashtë teme me ata që kish vullnetin të ndante idetë e tij. Shan Rrjollit i bënte përshtypje se si grupe të caktuara ngulnin këmbë për disa territore kulturore dhe se si ata i vendosnin si kryefjalë gjëra absolute në vlerat që afronin një gjë me të cilën ai nuk kish ndonjë afri. Apo një tjetër grup që ngulnin këmbë në përzgjedhjen e tyre, se ky art apo ajo lëvizje ishte mbizotëruese dhe duhej vënë mbi krye si busull orientimi për të gjithë krijuesit. Apo grupe të tjera që pëlqenin me çdo kusht gjërat e përzgjedhura të tyre. Të gjitha i dukeshin broçkulla dhe përrallisje njerëzish që u dukej se e sillnin botën së prapthi duke luajtur me flamurin “më mirë bëj diçka sesa të rrish kot”.

Shan Rrjolli kishte format e tij shumë të veçanta në raport me atë që në gjuhën e krijuesve quhej zonë e shenjtë arti. Kishte një stil komunikimi krejt të vetin, duke i ruajtur zonës së zgjedhur një raport intimiteti që nuk se e ndante me njeri. Një zonë e zgjedhur tashmë ku i kish besuar një qëndrim të pastër e të paprekur në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme. Magjia për të qenë në zonën e krijimit ishte si një inkursion i njeriut që jeton në rrymë, ku njeriu aftëson shqisat e tij për të qenë në një raport të vërtetë, si në një stad prove, që përbën një nevojë për t’i dëshmuar (pa ndërmjetës) ose jo shumëçka vetvetes. Përndryshe çdo gjë që ndodh do ishte një reminishencë ose një trysni e pavetëdijshme, e arrdhur nga shkaqe të jashtme, që do e prishnin magjinë e një marrëdhënieje të virgjër. Madje shkonte dhe më thellë në ndarjet e gjykimit të tij në këtë proces, saqë ajo çfarë qe e dukshme nuk do ishte një e vërtetë përfundimtare, dhe ajo që e bënte të magjishme një marrëdhënie konsumimi të inteligjencës ishte se duhej talent për ta zbuluar atë territor që dukej nën të, apo që nuk dukej fare.

Toka që për të ishte ajo e premtuara, qe në zgrip të hijeve të palexuara akoma nga njerëz të zakonshëm, të rrahur me dritën e dijes. Të jetuarit pikërisht në këtë zonë, që nuk deshifrohej ende, e bënte gjendjen e tij në grupime të ndryshme si të epërme dhe enigmatike.

Arratitë e Shan Rrjollit drejt vetmisë dhe zonave të pabanuara nga pellgjet e njerëzve, me ngarkesa historike dhe veçmas të atyre që ishin të mbarsur me krijimtari, qe një trill i përzgjedhur i tij për të hyrë në zona oksigjenimi të pastra e të shenjta. Një zgjedhje që i krijonte shpesh idenë e paqtë e të dyzuar mes njeriut si qenie dhe ëndërrimtarit që e ka të domosdoshme hapësirën e vet për t’u realizuar. Aq shunë ishte i obseduar nga ky trill, saqë shpesh e gjente veten si truall absurd, të harruar periferive të zhytura e të keqkuptuara, sa pothuaj hutohej edhe vetë për devijimet e tij, ku harronte se në të shumtë të rasteve kishte bërë objekt vetveten. Njerëzit e vetëquajtur si kulturologë i dukeshin si kallëpe të derdhura në seri, që nuk i jepnin më gëzim, dhe e zhvendosnin mërzitshëm ndër reagime që përmbanin më shumë prishje shijeje dhe mëshirë të zbutur e bajate.

Shani kishte vendosur që në raport me jetën e gjallë të mos bjerrej më tej, por si një gjuetar i vjetër i jetës ta konservonte atë energji burimore në sirtarët e fshehur dhe të mbante në gatishmëri aftësinë e nuhatjes në zona që nuk i kishte konsumuar akoma.

Kështu, vrojtimet e tij ishin të zhveshura nga statuset e gjërave që pozoheshin nga industritë e emulacionit dhe kuotimeve publike. Ai zhbëhej ëmbël në një trill lirie të pakontrolluar, duke u vetëprovokuar në shumëllojshmëri situatash dhe gjendjesh të papërzgjedhura e lakuriq.

Fundjavat që kalonte në bregdet i shkaktonin një lloj tensioni të brendshëm me përsëritjet mediokre të njerëzve që sikur i bindeshin të gjithë një komande në veprimet tipike që bënin. Por, edhe këto arrati të vogla për Shan Rrjollin po merrnin të njëjtën formë mediokre, duke rënë në batakun e përsëritjes. I vetmi shkak i lumtur ishte se nuk njihej në plazh dhe nuk e bezdiste njeri. Në këtë pikë ishte i privilegjuar.

I përhumbur në një territor të panjohur kishte mundësinë që të zbavitej ndër darkat e vona të kësaj rutine, ku si me pikatore bëhej e mundur ndonjë ngjarje ose ndonjë zakon i konservuar egër, që e argëtonte ashtu kalimthi e spontanisht. Shan Rrjodhit i shkonin nëpër mend gjëra krejtësisht të kundërta e përjashtuese, dhe përpiqej të gjente një pikë takimi mes asaj që e tërhiqte në fshehtësi dhe asaj që e bashkëshoqëronte si panatyrshmëri në dukje, si e pangjitshme dhe e pajetueshme njëkohësisht. Nuk kishte të bënte as me strukturat dhe as me format e mjeshtërisë. Ishte një korkolepsje mes të pamundurës si një gjendje që një vullnet subjektiv donte t’i bashkonte në një rrethanë të tretë. Për shkak të një lloj organizimi në një sistem të ri, i dukej që dita me ditë njeriu po humbiste me dashje të plotë një nga veçoritë humane, siç është dhe solidariteti. Kjo e shqetësonte si humbja e një balance përcaktuese për një shoqëri. Dhe kjo qe një arsye e mjaftueshme që e mundonte në raportin e madh e të diskutueshëm mes artit dhe jetës si dy vektorë që shtyjnë me forcë të përkundërt: njëri si aftësi për bashkëjetesë dhe tjetri si i kundërt, si një kërcim pupthi për t’u shkëputur si ide, besim, apo si lojë e inteligjencës. Konflikti i vetëm i tij ishte se herë zihej rob nga njëra e herë merrej peng nga tjetra.

Mbrëmbjet e shpeshta ku ai zihej rob ishte një lokal disi i veçantë në bregdet, që ruante formën e një kabareje popullore, por me një format sa grotesk e komercial, aq edhe të preferuar nga një mori njerëzish që rindërtonin solidaritetin përmes një gëzimi në grup, si në vitet e para të çlirimit. Më së shumti ngjante me një pikë takimi të nxehtë e të hapur, me histori krejt të ndryshme, por të zënë në grackë nga një përbashkim zërash, në një hall krejtësisht të vetëzbuluar forme. Lokalin e etiketuam “Gjermania”, për arsyen se, në formë buçimash ritmike, këndoheshin këngë për emigrantët që vinin në Shqipëri. Në stilin e përzier mes valles dhe yshtarit i këndohej Gjermanisë si falënderim për këto njëzet e kusur vite rimëkëmbje! Një shkartisje e pangjitshme mes folkut, muzikës rock, monologëve plot pathos dhe tallavasë. Një formë e rrallë në një bashkim të pamundur zërash të shkartisur si një jehonë që të ngre peshë dhe të lë shtang. Një amalgamë gjendjesh nga pjesëmarrësit, po edhe një bukuri e gjallë trupash që vallëzojnë në solidaritet, që për nga shenjat e drejtpërdrejta të lëvizjes nuk se e ndante dot nga një përballje e lirë që e shformonte dhe vetë soliddaritetin. Një formë performimi dhe shprehjeje pa skenar e kurator, e zhdërvjellët nga një tutor miklues i komunikimit me grupe e turma, që e vinte në lëvizje të ethshme. Për Shanin kjo mpleksje qe e çuditshme, e palexuar dhe e paparë, se si i ndërtonte takimet e tij me këtë piskamë të rrallë e dehëse, ku mund të zbuloje një galeri të pafund lëkundjesh në ajër sipas çdo karakteri dhe afshi mishor. Shan Rrjolli gjente një takim të fshehtë me këtë udhëtim të turmës pa kontroll, që ngrihej në hava në formë ritmi tribalësh që pa dashje të kthente në origjinën e njeriut. Iu duk si zbulim ky lloj përjetimi burimor, i pangjashëm në jetë. Për një moment dyshoi se ndoshta nuk i kishin sosur ende gjendje të tilla parake, si solidaritet dhe herë-herë si një flirt erosi në masë, pluskuar me tematikë atdhetare e nganjëherë me rrethimet trup me trup, të ngjashme me protestat. Kishte marrë pjesë disa herë në shfaqje të muzikës rocksoul,  jazz e kështu me radhë; në opera e koncerte alternativë etj.

I kishte qëlluar të ishte live nëpër kabare të famshme dhe në koncerte të stërmëdha në stadiume e livadhe. Tërheqja nga këto shkulme të vulgut sikur ia shkundi të gjithë atë çfarë kishte shtresuar përbrenda si kulturë në ngricë. U mahnit dhe, për një moment dyshoi se instinkti e kishte tradhtuar duke e lënë në mëshirën e rastit. Donte ta besonte se ishte në një zonë tërheqëse për të asociuar një mosmarrëveshje të brendshme. Ishte i ngazëllyer dhe filloi të dyshonte për shpirtin e tij rrugaç e të dalë boje, si i gatshëm për t’u dashuruar në çdo marrëdhënie të panatyrshme e në konflikte përjashtuese. Ra në hall. E mori seriozisht që udhëtimi i tij drejt zonave në hije duhej nxjerrë në pah, qoftë edhe si kundërvlerë apo si zonë konfliktuale arti. E kishte të pamundur të shkëputej nga udhëtime të fshehura të ndërgjegjes, krejt të përkundërta e gjithaq të ngjyrta. Arratitë imagjinare e fusnin në skuta të tilla në të cilat mbetej rob i thirrjes së parë, si zëri i vërtetë që ai nuk donte ta vinte në kontroll, duke e lënë baritur e përtypur gjatë si një lëndë e virgjër që gjakon të ankorojë diku bregut të ndërgjegjes.

Iu bë zakon të shkonte pothuajse çdo natë në lokalin “Gjermania”, emër që u përftua nga refreni i një kënge tipike vulgu. Zbavitej i lirë duke lundruar nën hyjnitë e instinktit dhe kureshtjes. Pleksej si mos më mirë me njerëz që visheshin nën një ritëm sugjestionues të zërit të tyre të brendshëm, duke u tundur e shkundur në njëmijë forma karakteresh e tipash nga më të papërshkrueshmit. Një hare kolektive e ngritur lart në qiell, e motivuar nga tingujt në një prerje të çuditshme shenjash trupi nga më ngazëllueset për një sy të mprehtë si ai i Shan Rrjollit. Këto skena i kishte konservuar në memorie diku veç, në gjendjen e një bishe e pandërsyer, që sapo kontaktonte me vendin ku shkaktohej kjo përzierje temash muzikore, zgjohej automatikisht si sfond i largët, kuturisur shumë përafërt me tallavanë.

Nuk i shqitej nga mendja një artist turk në një mbrëmbje në Stamboll, që dridhte trupin në një kundërharmoni ngjethëse. I thërriti kujtesës së brendshmi, impostimeve të hershme si të pandërgjegjshme në të tilla darkime përjashtë skemave, në një hedhje të lirë e të pakontrolluar. Në të kaluarën e tij dallohej lehtë që i pelqenin filmat dramatikë amerikanë me cowboy. Po aq pëlqente edhe karaktere të përshkitura nga sfondi i letërsisë botërore, me një gjuhë asimetrike e pa platforma standarde. Iu kujtua se sa i urrente turmat dhe mediokritetin e tyre, por ja që kish rënë në kurthin e tyre, ku i duhej të përballej me anonimatin e shumëfishur. Të gjitha këto e çonin drejt kësaj përzjerjeje të lirë e kontroverse, që përbashkohej dhunshëm me zëra kuptimorë kulturash të gërshetuara. U shtang sërish dhe ndjehej i përzier dhe i paqartë në grackën ku  kishte rënë tashmë. Nuk i shqiteshin nga mendja figura veç në grup për shkakun e afërt të origjinës me qëndrime burrërore e të arketipuara qartë në përmbajtjen e tyre.

Zakonisht në atë lokal vinin një numër i fryrë si me shkop magjik kosovarësh, të tipizuar për një lloj hovi të zjarrtë dëshire në prag të lirisë së sapo marrë në vendin e tyre. Edhe ky mund të qe një shkak që këto grupime nuk ishin thjesht qukje komerciale e të shpëlara, por plot energji e karakter ngacmues e çlirimtar në kuptimin e plotë të fjalës. Me ngjashmëri karakteriale me jugun e vendit, ku burra e gra këndonin me zëra të gjallë, pa ndërmjetësimin e instrumenteve. Të gjitha mejtimet dhe analizat e topotisnin përfund gjërash që e bashkonin me vrojtimet e tij noprane në të kaluarën.

Shpesh ikte i pafuqishëm nga kjo tërheqje e pavullnetshme që po i kthehej në zakon.

– Zot! – tha me vete – kurrë mos thuaj jo pa e provuar diçka!

U kthye në banesë me një çapitje të avashtë. Ora shënonte 3 pas mesnate. Nga pas la jehonat e larta e buçitëse të një përzierjeje folku me tallave, por që nuk qe i bindur në përcaktimin që i bënte kësaj atmosfere. Nuk ndihej i çliruar e në triumf. Ndjente që në zonën e tij kishte trokitur një element i hershëm, i kamufluar, pa dëshirën e analizës si e pambrojtur. Ngjiti shkallët dhe u përpoq që të mos bënte zhurmë. U fut në shtresat e krevatit dhe mbylli sytë.

– Çfarë skëterre! – tha vetëmevete. Iu duk sikur po shkonte në krevat për një prostituim publik që nuk i ndahej. Aty për aty ndjeu sëmundjen e vjetër, që kishte vite që donte të mos e kujtonte, me të cilën luftonte për t’u shkëputur.

Origjina, e shkuara, ecejaket e tij të para në sfidën me veten po nisnin të nxirrnin krye për ajrim. Një krizë e përsëritur e njerëzve të distancuar si intelektualë. Ndjeu një aromë ilaçi në çarçafë. U ndje përsëri keq dhe u përpoq të largonte skrupujt e ndërgjegjes së helmuar në zona të ndaluara, por shumë joshëse dhe fatalisht tërheqëse për të.

Njeriu më në zë në qytetin verior u gjend sërish në një konflikt të pazgjidhur e të mundimshëm, në një tërheqje që nuk mund ta deklamonte për shkak se ndjehej keq, në kufij të panjohur të së tashmes. Mbylli sytë dhe donte t’i dorëzohej gjumit. Pa e kuptuar, në një ankth që nuk e linte të lirë të shuante libidon, arsyen, seksin dhe ç’të donte në pamundësinë e shfaqjes së lirë, lakuriq, si një e drejtë që e ndalonte. Nën efektin e një inercie të pandërgjegjshme, pikërisht në kufirin ku gjumi po ia ledhatonte lehtë qenien, belbëzoi lehtë: – Poshtë intelektualët! – dhe fjeti. /Gazeta Liberale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}