nga Dr. Diana Kastrati
Asgjë e re në këtë që po shpreh, përveçse një ri-reflektimi të bërë prej shumë kohësh e që më shoqëron prej dekadash: faktori libër në jetën tonë, njohja e saktë e gjuhës, mendimi i qartë që kushtëzohet nga një përdorim i saktë i gjuhës dhe, më e rëndësishmja, individi i plazmuar me këto përbërës i cili shndërrohet në një aset për shoqërinë, shndërrohet në një individ që mendon me kokën e vet, një individ i lirë.
Të flasësh për libra në kohë krizash të forta rrezikon të të kategorizojnë si apolitike. Kurse unë po përpiqem të them se është e kundërta. Pse fëmija, i riu, i rrituri, qenia njerëzore ka nevojë të rrethohet me libra? Sepse të blesh libra (ndonjëherë për ato që janë bibliofilë, të blejnë edhe më shumë se sa mund të lexojnë), do të thotë të akumulosh dëshira, të mbetesh i ri, të mbash kureshtjen ndezur. Bibliofili amerikan A.Edward Newton që ka jetuar midis shekullit të XIX-të e fillimit të shekullit të XX-të, thotë se: “Edhe atëherë kur nuk mund t’i lexojmë, prania e librave që zotërojmë prodhon një lloj ekstaze: blerja e më shumë librave se sa realisht mund të lexojmë, është një përpjekje e shpirtit për t’iu afruar pafundësisë”. Kurse Nassim Nicholas Taleb (filozof, eseist, matematicien e akademik libanez që jeton në SHBA, ekspert i matematikës financiare dhe i teorisë së probabilitetit), në librin e tij “Mjellma e zezë” (2011) që konsiderohet si një ndër librat që kanë ndryshuar botën, thotë se: “Një bibliotekë private nuk është një zgjatim i egos, por një instrument kërkimi. Librat e lexuar kanë një vlerë shumë më të ulët në krahasim me ato të palexuarit. Biblioteka do të duhej të përmbante gjithçka që nuk njihet. Në fakt, sa më shumë din, aq më të shumtë do të jenë rreshtat e librave të palexuar”.
Librat e të lexuarit na plazmojnë gjuhën e anasjelltas. Reduktimi i fjalorit të përdorur në të përditshmen, si pasojë e të moslexuarit por jo vetëm, shpie në varfërimin e mendimit e të ligjërimit. Përdorimi i mangët e i deformuar i një fjalie, shpie në zhdukjen e detajeve, nuancave të cilat zhvillojnë mendimin e qartë, bëjnë të mundur komunikimin e qartë të idesë, pra, shmangin keqkuptimet dhe, të çojnë edhe tek formulimi i një mendimi kompleks. Mospërdorimi i një fjale, zhdukja e saj nga fjalori i të përditshmes, nuk do të thotë vetëm zhdukje e asaj fjale në vetevete, por edhe e tingullit, por edhe e konceptit që ajo shpreh. Nga ana tjetër, tendenca e zhdukjes së përdorimit të disa kohëve që shqipja i ka për fat, si e kryera e tejshkuar, e ardhshmja e përparshme, apo e mënyrës habitore, shpie në krijimin e një fjalie që mbetet në kufinjtë e së tashmes, e kufizuar tek momenti, e paaftë të projektohet në kohë. Sa më pak fjalë e më pak folje të zgjedhuara, aq më e ulët do të jetë aftësia e të shprehurit të emocioneve, e aq më e reduktuar mundësia e të zhvilluarit të një mendimi të plotë.
Përdorimi i përhapur masivisht e me të padrejtë i përemrit vetor “ti” në vend të “ju”-së si formë mirësjelljeje, që mund të ngjajë si një lajthitje e padëmshme, në fakt na zbulon një tjetër vrimë të zezë të “rehatuar” në mendësinë tonë: atë të homologimit midis njerëzve, remineshencë kjo e sistemit të kaluar kur atributi “zotëri”, “zonjë”, u zëvendësua me “shok”, “shoqe”. Po kështu, zhdukja e shkronjës së madhe në fillim të rreshtit apo në emrat e përveçëm e të toponimeve, po aq sa ajo e pikësimit të saktë me përdorimin e duhur të të gjithë gamës së saj, janë goditje fatale për një ligjërim të qartë, e aq më shumë për atë të stërholluar. Pa praninë e fjalëve për të ndërtuar një arësyetim, mendimi autonom është i destinuar të zhduket; ai kompleks, bëhet i pamundur. Sa më e varfër gjuha, aq më i pamundur bëhet realizimi i një mendimi, aq më i pamundur formulimi i saktë i një dëshire, i një aspirate.
Nuk ekziston mendim kritik pa fjalë. Si mund të ndërtojmë një mendim hamendësues pa e pasë përvetësuar thellësisht kushtoren? Si mund të kuptohet kohësia si paradigmë, pa elementët që e përbëjnë atë, kohët e kaluara apo të ardhshme, pa një ligjërim që të bëjë dallimin midis asaj që do të mund të kishte qenë e nuk është, midis asaj që mund të kishte ndodhur e nuk ka ndodhur? Studimet kanë treguar se një pjesë e dhunës në sferën publike dhe private, derivon drejtpërdrejtë nga aftësia për të përkthyer emocionet në fjalë. Po kaq, ekziston një ndërlidhje dhe kushtëzim, i vërtetuar shkencërisht, midis varfërimit të ligjërimit e reduktimit të leksikut të një individi, me nivelin mesatar të inteligjencës së tij. Të rendësh pas thjeshtëzimit, që nuk ka lidhje me të qenit i përkorë në gjuhë, sjell varfërimin e gjuhës e kësodore shpie në vrasjen e qenies njerëzore e të shpirtit të saj, por, mbi të gjitha, shpie në vrasjen e lirisë së mendimit, në vrasjen e individit të kultivuar me mendje autonome. E, duke iu kthyer librit, këtij “ilaçi” çudibërës që, i marrë në dozat e duhura që kur lind e deri sa mbyll sytë, mbase nuk do të na bënte të gjithëve dijetarë apo bibliofilë, por njerëz me profil të qartë, po; me individualitet, po aq e, mbi të gjitha, individë me mendim të pavarur që mirëfillazi plotësojnë kushtin parësor: atë të të jetuarit në mënyrë civile në një shoqëri të aspiruar të tillë në fillim të këtij shekulli.