Më tërhoqi njoftimi për panairin që kishte bërë botuesi i “Pika pa sipërfaqe”, duke provokuar në një farë mënyre dhe pse drejtpërdrejt e lidhur me punën e tyre, se këtë herë do shisnin “libra të vjetër dhe të përdorur”, të gjithë librat e Pikës.

Por, nuk është aq i pavërtetë ky lloj provokimi.

Ekrani i madh i vendosur në sheshin Skënderbej duke pasqyruar aktivitetet e Panairit të librit, që sivjet ndryshoi formatin, urdhëruar nga lart, duke u organizuar online ka qenë jo shkëlqim, siç e quajtën organizatorët, por një dështim.

Lidhja me lexuesin në këtë panair ka qenë një fasadë e madhe, ku më shumë botuesit, një grusht, ata që kanë fuqinë financiare, kanë kryer qokat me njëri tjetrin.

Në kushtet e një pandemie globale të merresh me librin dhe biznesin e tij sigurisht për botuesin ka qenë sfida më e madhe. Edhe organizimi i panairit kështu u pa, ndonëse pati luks e shkëlqim prezantuas në ditën e hapjes duke falenderuar e bërë hosana gjithë zyrtarëve, që deri dje për shoqatën e botuesve ishte: injorim.

Gjithmonë panair i librit kur ishte fizik, shqetësonte jo pak lexuesit për rrumpallën e tij. Buja dhe zhurma e madhe nëpër media e televizione për libra bufatorikë, dhe autorë po ashtu e kishin lodhur lexuesin. Ai tanimë duhej të kishte parasysh se po hynte në një tallava, ku librat e gatimit ishin në modë, librat për “zhvillime personale” do i hiqnin gjithë hallet, sado të kushtojnë. Letërsia, autori, shkrimtari janë llogaria e fundit, dhe kur shkruajnë për të është po ashtu, sa ç’është për pushtetin, hosana. Ndaj çdo dyshim vlerësohet prej lexuesit, në momentin e blerjes së librit. Çmimi në kopertinë vazhdon të jetë shumë  i lartë, botuesit vazhdojnë t’ja hedhin njëri tjetrin fajin për koston e taksës së ngarkuar në mënyrë të beftë, para dy viteve, por asgjë nuk ka ndryshuar. Justifikimi është: botuesit e kërkuan vetë rritjen e taksës. Ndërsa ekrani vendosur në ditët “maratonë” të panairit, mu në sheshin e boshatisur, (në të shumtën e kohës) ka qenë krejt pa interes për lexuesit. Nëse kreu i shoqatës së botuesve e ka quajtur shkëlqim këtë “risi” të lehtësuar nga bashkia do ishte një naivitet i madh, madje arrogancë me paratë e takstapaguesve. Pasi këtë vit bashkia dhe ministria kanë financuar këtë veprimtari që vazhdon të vuajë anën organizative, dhe ndarjen me thikë të botuesve të varfër e të pasur, për nga xhepi por jo për nga autorët. Ka shtëpi të vogla botuese që përballojnë me sakrifica panairin, mbyllin gojën dhe nuk flasin sepse është e pritshme, dita për t’i ekzpozuar librat, nëse artopolantët nuk ushtojnë për ndonjë politikan. Kjo u kursye të paktën këtë vit. Megjithatë çmimet u ndanë në një mjedis luksoz, siç është hotel “La Plazza” në një varfëri ekstreme të hallexhinjve të librit aq sa vështirë t’i japim të njëjtin emërtim këtij panairi nëse numërojmë me gishta botuesit që dolën vetë në rrugë, ndanë mes tyre çmimet, dhe tregtinë e librit. V.M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Gazetaria si bilanc lufte
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}