Anna Kove

Shkrimtarja e përkthyesja nga gjuha gjermane, ishte e ftuar në një projekt të gazetarisë letrare “LBC diplomatique”, mbështetur nga Ministria e Jashtme Gjermane

Jam në vendlindje dhe po shëtis buzë liqenit. Pastaj devijoj në trotuar, sepse shëtitoren e pret si me thikë një gardh hekuri. Përgjatë gjithë fëmijërisë sime e derisa mbarova universitetit nuk kisha kaluar dot kurrë pas atij gardhit. Askush nuk mundej. Në kohën kur jetonte diktatori Enver Hoxha, ishte një tra, që ndante qytetin më dysh. Pas atij trau ndodheshin këto vila të bukura, ku udhëheqësit e shtetit socialist vinin e pushonin në verë. Kishin ndërtuar edhe këtu, si në Tiranë, një “Bllok” të tyrin, që i ndante nga populli. Askush nuk guxonte të shkelte aty. “Blloku” bënte dallimin mes njerëzve të zakonshëm dhe sundimtarëve. “Blloku” ishte dëshmia e qartë e grushtit të hekurt të diktaturës mbi popullin. “Blloku” ishte ndërtuar këtu në këtë qytet mbi tokat e grabitura me dhunë pronarëve të ligjshëm. Pa iu dhënë në këmbim asnjë gjë.

Pas rënies së Murit, atëherë kur ra diktatura në Shqipëri, ra edhe trau që ndante më dysh qytetin tim. Gati 30 vjet më parë im atë më mori me vete: Eja, – më tha. Dua të të tregoj tokën e të parëve. Im atë ëndërroi më kot, se më në fund prona do të kthehej tek i zoti. Pushtetin e diktaturës komuniste e zunë demokratët, të cilët premtuan se aleatët e tyre më të fortë në qeverisje do të ishin ish-të persekutuarit e regjimit komunist dhe, pa dyshim, ish-pronarët. Mashtruan. Ndërruan de jure vetëm ligjet. Por “Blloku” ngeli. Në atë kohë babai kishte moshën që kam unë sot. Tani është plakur shumë. Mbi 25 vjet u end me tapitë e vjetra të pronës së tij dhe dokumentet ligjore në duar derë më derë zyrtarësh të djathtë.

“Do t’u vijë radha së shpejti edhe ish-pronarëve, – i thoshin dhe e përcillnin. Pastaj shkonte me tapitë e vjetra të pronës së tij te pushtetarët e majtë, kur e merrnin këta pushtetin: Do t’u vijë radha së shpejti edhe ish-pronarëve, – i thoshin edhe këta, dhe e përcillnin.

Askush ende nuk ka parë se ç’ka pas atij gardhi hekuri. Ish-pronarët nuk u bënë në këtë vend kurrë pronarë, ata ngelën “isha”. Ishin të rinj, pastaj u plakën, u lodhën; ndokush edhe humbi jetën në luftën e tyre paqësore me zaptuesit e veshur me pushtet.

Më ço edhe një herë atje “te vilat”, më thotë im atë, ta shoh atë vend për herë të fundit. Këmbët mezi i hedh nga dhimbja dhe mosha. E ndihmoj të afrohet pranë gardhit. Sytë i ka të mbushur me lot. Ndërkohë na afrohet një ushtar i Gardës së Republikës dhe na thotë të largohemi, se po pushon Presidenti. Nuk ka president e ish-president, kryeministër e ish-kryeministër, që të mos jetë bërë edhe pronar rezidencash luksoze private në këtë vend të varfër, në toka jo të trashëguara.

Pas pak kohësh në Shqipëri janë zgjedhjet. Sërish do fillojë propaganda për zgjidhjen e çështjes së pronave mes shtetit dhe ish-pronarëve, të cilët tani o kanë vdekur, o janë me një këmbë në varr.

Kushtetuta e Shqipërisë më kot thotë se “E drejta e pronës private është e garantuar me ligj”. “Blloku” i ngritur nga diktatura për pushtetarët e saj është ende aty para syve tanë edhe sot, i njëjtë, si për të na kujtuar se demokracia dhe drejtësia që shpresuam para 30 vjetësh nuk duhej marrë seriozisht. Se seriozisht duhet marrë veçse frika e rikthimit të diktaturës në forma të sofistikuara, dhe ky gardh hekuri mes pronarëve dhe atyre, zaptuesve.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Shqipëria dhe fantazmat e Sigurimit të Enver Hoxhës!
Kafja e Madhe – Tokë e zanë!
Problematikat e projekt-idesë së rishkrimit të Historisë së Shqipërisë nga Akademia e Shkencave
Studiuesja amerikane Lori Amy: Shembja e teatrit, vazhdimësi e krimeve të komunizmit me emër!
Shembja e Teatrit në kohë pandemie
Mediokriteti
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>