nga Sadik Bejko
Më kanë thënë se unë paskam qenë fodull ndaj atyre në Lidhje. Isha mësues, pedagog në universitetin “Eqrem Çabej”, në Gjirokastër dhe, si duket, prandaj e mbaja hundën lart. Nuk i përfillja ata të Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë. Kjo është një nga gjërat më absurde që mund të dëgjosh. Por e thonë, ua kanë thënë prapa krahëve disave prej ish-studentëve të mi. E thënë jo në syrin tim. Krejt e kundërta ka qenë. Ata të Tiranës e kanë përhapur këtë gjoja fodullëkun tim, për të fshehur mospërfilljen e tyre ndaj të tjerëve. Ata e dinin se një shkrimtari që dikur shteti i kishte vënë vizë përsipër, edhe kur i hiqej viza dhe zinte një vend në jetë, vend në provincë, nuk kishte asnjë shans të bëhej dikushi me rëndësi. Ndaj këta bejlerët e Lidhjes atë e trajtonin si një të parëndësi. Ai atyre duhet t’u lëpinte këpucët për një shkrim në gazetë, për të botuar një poezi. Më 1984 nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, u botua një libër me poezi i arbëreshit Guisepe del Gaudio. Libri titullohej “Zemër Arbëreshe”. Prof. Nasho Jorgaqi, udhëheqësi i diplomës sime universitare me temë nga letërsia e arbëreshe, më kërkoi që të përktheja nga italishtja disa poezi të Del Gaudios. Ai e përgatiti, e përzgjodhi librin me poezi të arbëreshit Del Gaudio. Nga maji i viti 1984, prof. Nashua më telefonoi në Gjirokastër që të jem i pranishëm në takimin me Gaudion në Lidhje. Do promovohej libri në prani të autorit. Ishte një takim i ngushtë. Me poetët dhe shkrimtarët e Lidhjes së atëhershme. Me kafe e me ndonjë pije në pak tryeza. U thanë fjalë lavdëruese. Takim që zgjati më pak se një orë. Fola dhe unë që e njihja më shumë se ata të Lidhjes poezinë e Del Gaudios. U bënë fotografi. Në numrin e radhës të gazetës “Drita” kishte një shkrim për promovimin e “Zemrës arbëreshe” të Del Gaudios, me fotografi, me fjalë shkurt të atyre që e promovuan. Unë nuk përmendesha. Edhe fotografitë (unë isha ngjitur me poetin arbëresh) ishin prerë në atë mënyrë që të mos dilte surrati im. Ishte viti 1984. Isha mësues në një shkollë të mesme në Gjirokastër. Por Lidhja gati nuk më pranonte në radhët e saj. Ose më pranonte, por si një që duhet të ishte në prapalistë, në hije, në harrim.Në redaksinë e “Dritës” lashë katër-pesë poezi që mundësisht të më botoheshin… qoftë dhe njëra prej tyre. Aty ishin Bardhi, Zijai që më buzëqeshën, kur i lashë në redaksi. As u botuan, as më dhanë ndonjë përgjigje. As pse, as si…. Më ngjante vetja një i vdekur për Lidhjen. Edhe për ata që duhet të ishin kolegët e mi. Më vonë, prapa krahëve, kanë thënë se isha mospërfillës me autoritetet e Lidhjes. Merret vesh që nuk isha. Nuk më leverdiste. Nuk mund të isha. Kishin kaluar dy- tre vjet. Jam prapë në Lidhje. Me postë kisha çuar poezi për botim. Më thanë se redaktor i poezisë tani ishte Kekua. E takova. Më tha që ta prisja në Klubin e Lidhjes, se “kishte pak punë”. Unë vija nga Gjirokastara. Atëherë duhet të udhëtoje shtatë-tetë orë për në Tiranë.Kekua nuk po vinte në Klub. Më gjen aty Hysen Sinani. Më thotë: ke sjellë poezi. Po, i thashë…Kekua më tha që të pres përgjigjen këtu në kafe. Ka shkuar mbi një orë.E di Kekua që ti ke shkruar e botuar poezi që kur ai ka qenë në të Xhanos, më tha Ceni. Heshta. Nuk ishte gjuhë për mua. Ceni prapë: Po ata që janë të moshës tënde.. filani dhe filani… e dinë që ti bën poezi? I bën dhe…shumë të mira.Nuk i dhashë përgjigje. Gjithçka ishte zhgënjyese në atë Lidhje për ne që vinim nga rrethet. Për ne të degdisurit larg. Nga ana tjetër, ne “të rretheve” duhet të ishim shumë të sjellshëm me “Qendrën”. Herë-herë ata zbrisnin tek ne për të promovuar “Itakat”, romanet, tregimet, librat e tyre. Një libër që botohej nga “Qendra”, ishte detyrim zyrtar për t’u pranuar dhe adhuruar në provincë. Këta të kryeqytetit kishin tri pallto, tri autoritete të ngjeshura në trup. Të Tiranës, të Lidhjes, të gazetës “Drita”. Me këto tri grada, me këto tri nishane të larta ata e “dinin” që ne do t’u paguanim drekën, darkën, vëmendjen, fjalët e adhurimit letrar për lartësitë e tyre.Kur vinim ne në Tiranë, ata “kishin pak punë”. Duhet t’i prisnim me orë në Klubin e Lidhjes që vinte era raki.Ky lloj autoriteti prej gjenerali me dy tre yje të diktaturës pas 90-tës u fshi. Disa mbetën prapë në krye të Lidhjes, por tani… veç atyre që i kishin në vëmendje zyrtarisht, nuk ua varte shumë torbën njeri.Një nga arësyet pse në Shqipëri nuk ka komunitet të artistëve, të shkrimtarëve, të piktorëve është se shumë nga këta mëkatarët e Lidhjes, të përlyerit me faje ndaj shumë kolegëve të tyre në bazë e në burgje, morën prapë poste publike. Ata mbeten të përlyer dhe kur fajet nuk u provohen zyrtarisht. Faji i tyre më i madh: janë sjellë si zyrtarë të vegjël të regjimit, janë të damkosur si fajtorë moralisht. Berisha i kishte për zemër shumë nga ata me biografi, me nishane të larta komuniste në gazetari, në politikë. Anëtarë të Komitetit Qendror. Kryeredaktorët e Zërit të Popullit u bënë kryeredaktorë të Rilindjes Demokratike. Disave prej aparatçikëve u bëri aq nder, sa as atyre nuk u kishte shkuar ndër mend. I bëri deputetë, i futi në karrierën diplomatike, etj etj. Ua lau faqen nga ndotja që kishin si zyrtarë të mesëm a të lartë të nomenklaturës komuniste. Më tej tipi i shkrimtarit të Lidhjes u fut nën sqetullën e ndonjë universiteti, të ndonjë gazete a TV-je. Të tjerë zunë vend në oborret e politikës, të partive. Edhe sot marrin poste, marrin çmime letrare, janë pjesë e bordeve me pagesë.Askush nga këta tipa nuk e ndien veten përgjegjës për shumë paudhësi në fushën e kulturës. Të botimeve. Të teksteve shkollore.Këtë situatë e paguan Shqipëria. Paguan mungesën e autoritetit, të zërit, mungesën e ndërgjegjes publike. Paguan mungesën e komunitetit artistik.Të kalburit e Lidhjes e kalbën për më shumë se tridhjet vjet atë që quhet ndërgjegje, përgjegjësi e shkrimtarëve në shoqëri. Lasgushi e pyeste Kadarenë: ku ishim ne, kur e vramë Vinçenc Prenushin? Poeti është përgjegjës për gjithçka në gjithësi. Pa marrë përsipër përgjegjësi, për dje e për sot, nuk mund të ketë komunitet. Artistët, shkrimtarët shqiptarë nuk kanë klimë krijuese, nuk kanë komunitet. Kemi pasur zyrtarë, jo autoritete. Për fat të keq, prapë nuk kemi.