nga Albana Tali/ Nju Jork
Jetojmë në një kohë ku mjetet e komunikimit janë të panumërta. Çdo telefon, vjen të paktën me 3-4 aplikacione të tjera komunikimi.
Duhet ta pranojmë se, e gjithë kjo na krijon lehtësira duke na e bërë shkëmbimin e bisedave, më të lehtë, më të shpejtë dhe më të rehatshme.
Na mundëson të mbajmë lidhje me të afërmit dhe miqtë me të cilët kemi distancë fizike, janë larg, të japim e marrim mesazhe pa qënë e nevojshme të jemi të pranishëm.
Mund të dërgojmë e marrim foto nga kontinenti në kontinent, e mund të shohim fytyra të dashura për ne.
Por a është komunikimi vetëm aftësia për të shkëmbyer informacion?
Çfarë e bën një komunikim cilësor?
Psikologët mundohen t’i japin përgjigje kësaj pyetje, ndërsa përballemi edhe me paradoksin në të cilin dua të ndalem sot.
Sot është normë që pothuajse të gjithë të kenë me qindra miq nëpër facebook, instagram e të tjera rrjete sociale, komunikimi si këto.
Është normë të japim e marrim dashuri me nga një pëlqim a zemër që vjen me shpejtësinë e një klikimi në kompjuter.
Është normë që të bëjmë urime me ca fjalë zemre të thëna përmes një tastiere të ftohtë telefoni.
Na duket tepër normale të shkruajmë çdo mendim kritik ose jo, në një mur rrjeti social ku ndoshta as fytyrën nuk e shfaqim.
Por, a po e komunikojmë mesazhin që sytë tanë transmetojnë ndërsa klikojmë një zemër poshtë një statusi?
A kemi, ne, sot, vërtetë kaq shumë miq, sa këto rrjete sociale thonë se kemi?
“Depresioni është një sëmundje e vemtisë”, thotë psikologu Andreë Solomon në shkrimet e tij, dhe vetëm kaq duhet për të kuptuar që realiteti flet ndryshe.
Ka me dhjetëra mjete komunikimi, por a ka komunikim cilësor?
Një komunikim cilësor vishet me një dëgjim aktiv, kuptueshmëri dhe empati. Kjo duket disi e pamundur të shkëmbehet përmes një dritare chat-i, apo qoftë edhe në një lidhje me skype.
Që një komunikim të jetë cilësor , duhet të mundësoje një lidhje me bazë ndjeshmërinë mes folësve. Dhe kjo lidhje do kushtet e veta që të ndodhë , kushte të cilat krijohen vetëm përmes atij që e quajmë komunikim jo verbal.
Ndaj është e nevojshme që përpos komunikimit përmes teknologjisë, të mbajmë gjallë komunikimin fizik, ku folësit janë përballë njëri-tjetrit.
Psikologët rekomandojnë se, nëse doni të ndani diçka me një mik, mos i shkruani apo telefononi, merrni mundimin të takoheni.
Nëse doni t’i thoni dikujt “ju dua”, mos e bëni vetëm duke i vënë një zemër në facebook, por thuajeni duke e parë edhe në sy. Investoni kohë në mbajtjen gjallë të marrëdhënieve miqësore, që dalin jashtë kornizave të një kompjuteri apo telefoni. Kjo, sipas psikologëve, ështe vërtetë e rëndësishme për një mendje të shëndoshë. Për një jetë më cilëosre kini më shumë komunikim se sa mjete komunikimi në jetën tuaj.
*Autorja është psikologe