Nga Thierry Portes, Le Figaro
Disa shqiptarë u nisën për të kërkuar arkivat e diktaturës paranojake staliniste për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre. Por pesha e kësaj historie mbetet kaq e rëndë, sa sundimtarët aktualë sërish mund të skanojnë me dosje të gjithë popullsinë pa u shqetësuar
Kjo është çështja e jetës së tij, e pranon me trishtim Jovan Plaku. Ai ishte 9-muajsh kur babai i tij u zhduk në thellësitë e diktaturës staliniste shqiptare. Tani është 47 vjeç dhe çdo ditë mendon për atë njeri, për të cilin ka kujtime shumë të rralla në kompjuterin e tij. Ai gjithmonë e donte dhe e dëshironte kaq shumë, derisa gërmoi me shpresën për të gjetur trupin e tij në këtë luginë që ngrihet në periferitë e Tiranës, në malin e Dajtit. Fatkeqësisht mungesa është ende aty, po aq e rëndë sa në të shkuarën, një barrë e mbushur me gënjeshtra dhe frikëra që i mbartin të gjithë shqiptarët edhe sot.
Përgjatë rinisë së tij, Jovan Plaku njihej si ‘djali i tradhtarit’. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, regjimit më të keq komunist në Europë, nëse dënohej një anëtar i familjes, e gjithë familja ishte e mallkuar. Në pranverën e vitit 1975, dënimi ra mbi Koço Plakun, një inxhinier i njohur i industrisë së naftës, i cili së bashku me disa kolegë u godit nga rrufeja paranojake e diktatorit. ‘Unë jam rritur vetëm me libra dhe një koleksion pullash postare,’ thotë Jovani. ‘Mezi e kisha një shok ose dy. Edhe nëna ime nuk guxonte të më tregonte për babain. Ajo kishte fshehur një kuti të mbyllur në dollap, së bashku me disa kujtime që i zbulova më vonë’. Letra, gjurmë nga procesi gjyqësor dhe foto të një njeriu me vështrim të butë.
Grepat e sovjetikëve
Me rënien e regjimit në vitin 1991, Jovani më në fund ishte në gjendje të ngrinte disa pyetje. Nëna e tij akoma ëndërronte se i shoqi mund të ishte dëbuar jashtë vendit. Por një i burgosur i sapoliruar i tha atij për ekzekutimin. Djali i një ish-kolegu të babait të tij e kishte ditur që në atë kohë, pasi familja e tij e kishte marrë faturën e ekzekutimit si ftesë. Nëna e Jovanit ishte divorcuar për të mbrojtur veten nga regjimi, të dy ishin larguar dhe nuk e morën kurrë faturën e ekzekutimit, duke mbetur kështu në një injorancë shpresëdhënëse.
Jovani nisi të shumëfishonte kërkimet dhe të grumbullonte dëshmi. Ai nisi të kishte akses në aktet e gjyqit të babait dhe kolegëve të tij, në foto dhe kaseta të kohës. Gjithçka e kopjoi në kompjuterin e tij dhe në disa disqe. ‘Ishte hera e parë që dëgjoja zërin e babait tim’, thotë ai, duke vendosur kasetën e një bisede në burg, ku një informator i policisë përpiqej që t’i bënte të akuzuarit të flisnin keq për regjimin. Jovani përfundoi duke mbledhur 5 mijë faqe arkivash dhe modelesh gjeometrike që babai i tij kishte shkruar për audiencat dhe kolegët e tij. Të gjithë këta burra u dënuan pas dyerve të mbyllura si fajtorë për devijimin nga vija e Partisë së Punës dhe sabotim të industrisë shqiptare të naftës. Por babai i Jovanit kishte bërë më shumë se kaq dhe meritonte vdekjen. Sigurimi, policia sekrete që i spiunoi të gjithë dhe nuk humbiste kurrë asgjë, kishte gjetur në çantën e tij të peshkimit disa grepa të dhuruar nga një mik sovjetik. Në Shqipërinë që luftonte kundër të gjithë botës, këto grepa ishin prova e bashkëpunimit të tij me të huajin dhe e operacioneve sabotuese në përgatitje.
Në pamundësi për të kthyer faqen e kësaj drame absurde, Jovani u nis për të gjetur varrin e babait, i vendosur për të kërkuar një trup që nuk e kishte njohur kurrë. Për vite ai pyeti oficerë policie dhe ushtarë, veçanërisht ata që kishin marrë pjesë në ekzekutimin e asaj nate të 28 qershorit 1976. Në lindje të Tiranës, në shpatet e malit Dajt, një repart i madh ushtarak dhe një zonë pyjore dikur e mbyllur për popullsinë u bënë fusha kryesore e hetimit. Edhe pse periferitë e Tiranës janë zgjeruar drejt këtyre kodrave, sërish aty mund të gjesh bunkere, pyje dhe shtigje të paprekura më parë. ‘Personat që ekzekutoheshin zakonisht rreshtoheshin anës rrugës ose tokave që bien drejt luginave duke ua mbuluar trupat,’ shpjegon Jovani.
Jo shumë larg vendit ku babai i tij kishte kënduar Marsejezën në momentet e fundit, ekskavatori zbuloi në verën e vitit 2009, mes këpucëve dhe copave të rrobave, mbetjet e 13 trupave. Për një kohë shumë të gjatë asgjë nuk ndodhi, pavarësisht kërkesave nga Jovani, i cili kishte marrë një mostër të ADN-së së tij, derisa Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur mori përsipër mbetjet e trupave në vitin 2018. Mjerisht, Jovani nuk e kishte gjetur babain e tij dhe askush nuk i di emrat e 13 personave të ekzekutuar në malin Dajt në atë kohë.
2.2 kilometra ‘sirtar’
Ndryshe nga Jovan Plaku, shqiptarët në përgjithësi nuk kanë bërë ndonjë punë për kujtesën apo gjurmët e më shumë se 6 mijë viktimave të regjimit të Enver Hoxhës, të humbura me kohën. Arkivat e Sigurimit, policisë së diktaturës, nuk u mblodhën dhe u hapën deri në vitin 2017. Shumë dosje u shkatërruan qëllimisht dhe një numër torturuesish janë ose në pension, ose kanë vdekur. Por janë akoma 2.2 kilometra sirtarë, fryt i punës së rreth 150 mijë informatorëve për 45 vite me radhë. Drejtoresha e këtyre arkivave, Gentiana Sula ka zbuluar të dhëna për jetën e disa personaliteteve që diktatura komuniste ishte e vendosur t’i shkatërrojë. Përmes një pune edukative, ajo përpiqet që të bindë bashkëqytetarët e saj që të bëjnë përpjekjet e nevojshme për t’u çliruar nga ky makth. Megjithëse hapja e dosjeve është e rrethuar nga masa të mëdha paraprake, sërish shumë pak familje guxojnë të përballen me të kaluarën e tyre. Është e vërtetë se çdo i dënuar, përpara se të tërhiqte me vete edhe familjen në këtë makth, ishte spiunuar padyshim nga ndonjë vëlla, nënë, djalë, koleg apo shoku i tij më i mirë. ‘Fotoja e një të afërmi të burgosur mund të jetë traumatike, njësoj si dëshmia e injoruar e një të afërmi, të cilin regjimi e kishte kthyer në spiun. Po ashtu ka edhe shumë informacione false, për shkak se njerëzit që punonin për Sigurimin rrallë ishin seriozë apo të arsimuar dhe propaganda ndihmonte për të falsifikuar realitetin’.
Teksa Shqipëria komuniste u rrit nga 1.5 milion në 3 milion banorë, më shumë se 20 mijë qytetarë u burgosën dhe rreth 100 mijë u degdisën nëpër kampet e punës apo të internimit. ‘Ne po jetojmë akoma mendërisht ato kohëra,’ thotë gazetari Rezear Xhaxhiu. Pasi kujton se si klasa politike, gjatë 30 viteve të fundit, ka riprodhuar me metodat e saj klanore, një sistem partizan si të Hoxhës, më shumë se sa ka forcuar demokracinë, ai nuk harron pa përmendur edhe historinë e patronazhistëve, që ndodhi në prill, në mesin e fushatës zgjedhore.
Gazetarët e persekutuar
Sigurimi i ka shënjuar kaq shumë shpirtrat sa Partia Socialiste në pushtet e gjeti të natyrshme që në vitin 2021, të krijonte dosje për çdo shqiptar, në mënyrë që të konsolidonte pushtetin në vend. Çështja në fjalë u zbulua nga gazeta online Lapsi, që publikoi 910 mijë dosjet që PS kishte mbledhur së bashku në Tiranë. Emra, adresa, telefona, gjendja civile, situata e punësimit, të ardhurat dhe bizneset e gjithsecilit… Të gjithë këto të dhëna të administratës online në Shqipëri u transferuan në kompjuterët e formacionit politik të kryeministrit Edi Rama. PS ngarkoi më pas çdo patronazhist në çdo lagje të Tiranës- një term që mund të përkthehet edhe ‘kontrollor’ apo ‘gardian’- që të shtonin informacion për këto të dhëna administrative. Këta informatorë vlerësonin kështu interesat dhe zakonet e fqinjëve të tyre dhe ofronin edhe komente të tilla si ‘ka borxhe’, ‘djali i tij po kërkon punë’, ‘duhet të rregullojë blerjen e shtëpisë së tij’, ‘është i djathtë, por mund të votojë për ne’, ‘mund të jetë me ne’, ‘dikush i sigurt’…
Gazetari themelues i faqes Lapsi, Andi Bushati thotë se ai hodhi në internet një bazë të dhënash, që komuniteti i vogël i informuar i Tiranës kishte filluar të dyshonte se ekzistonte për disa muaj. Kjo dosje ishte shpërndarë mjaftueshëm brenda PS-së, kështu që informatori nuk duhej të kishte frikë se do të tradhtohej nga hetimi kompjuterik që sistemi i drejtësisë dështoi ta bënte. Kur mësuan për këtë çështje, banorët e Tiranës nisën të kërkojnë se kush ishte patronazhisti i tyre, duke u habitur shpesh se ishte një fqinj që nuk e njihnin, dhe në përgjithësi duke kuptuar se informacioni që ai kishte mbledhur ishte i rremë. Skandali nuk zgjati më shumë se tre ditë. Kryeministri socialist nisi të tallej me këtë histori. Media audio-vizive, e kontrolluar nga pushteti, nuk foli për të. Dhe opozita e djathtë zgjodhi heshtjen, duke mos e përdorur si kalë beteje.
‘Fushata e Partisë Demokratike, e cila mbështetej nga ekspertët që punuan për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjykuan se denoncimi i regjistrimit të popullsisë do të ishte kundër-produktiv,’ shpjegon Andi Bushati. Kur e mendon dy herë, ky argument ka njëfarë rëndësie. Shqiptarët, të mësuar që nga koha e komunizmit se si të përballen me një fuqi që ka në dorë punën dhe strehimin e tyre, në vend që të rebelohen, nuk rrezikuan dhe ia dhanë sërish pëlqimin padronit të tyre. ‘E djathta i mori dosjet, që nuk janë vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë, dhe i përdori si PS’.
Në fund, Rama fitoi zgjedhjet. Një gjyqtar erdhi për të sekuestruar dokumentet në zyrat e gazetës Lapsi. Një hetim nisi ndaj gazetarëve për publikim të të dhënave personale. Zyrtarët qeveritarë, të cilët kanë vjedhur këto të dhëna publike konfidenciale për të ndërtuar një sistem mbikëqyrjeje, deri më tani nuk janë shqetësuar.
Marrë nga Le Figaro-