Nga Albana Tali/ Nju Jork
Izolimi, vetmia ndikojnë negativisht shëndetin tonë mendor dhe fizik. Psikiatri Zlatin Ivanov thotë se sistemi ynë social, psikologjik dhe biologjik janë zhvilluar duke qenë pjesë e një grupi social dhe duke qenë në ndërveprim të vazhdueshëm.
Izolimi social në të shumtën e rasteve sjell efekte negative si stres i vazhdueshëm, ankth dhe ndonjëherë depresion. Situata e pandemisë që, të gjithë ne, po kalojmë na ka detyruar që në njëfarë mënyre të përqafojmë këtë stil jetese – vetëm dhe të izoluar.
Izolimi – këtë që të gjithë e këshillojnë dhe shohin si zgjidhje, mund të kthehet në armë vrasëse nëse nuk përballohet siç duhet. Studimet tregojnë që jeta në izolim shkakton ulje të imunitetit, ankth, probleme të zemrës dhe probleme të tjera shëndetësore.
Sa më e gjatë të jetë koha në izolim, aq më shumë do të ketë gjasa që ne të shfaqim shenja të ankthit, depresionit, apoc crregullime të tjera mendore – thotë psikiatri Ivanov.
Po si mund ta ndihmojmë veten dhe njëri tjetrin në këtë situatë?
Më poshtë do rendis disa pika, të cilat mund të shërbejnë si ura që ndihmojnë të kalojmë në anën tjetër të stresit, duke i dhuruar vetes qetësi e rehati.
Bëni aktivitet fizik
Po e dëgjojmë shpesh, gjithmonë. Kjo pasi të ushtruarit fizik krijon një ambjent të shëndetshëm jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht. Kërceni, bëni joga, luani me fëmijët tuaj, çdo gjë mjaft të lëvizni.
Ushqehuni shëndetshëm
Duke lexuar pikën e dytë, mund të mendoni që këto janë këshilla praktike për dikë që dëshiron të humbase disa kg të tepërt, por jo. Një dietë ushqimore me sa më pak karbohidrate, e me shume vitamina, do ndihmojë dhe gjendjen tuaj mendore dhe emocionale.
Merrni kohë dhe bëni ato gjëra që ju japin kënaqësi
Kjo mund të jetë koha ideale që ju t’i riktheheni nje ëndrre të vjetër, e cila ndoshta është akoma në sirtar! Kthejuni asaj, dhe shijoni teksa kaloni kohë duke lexuar, pikturuar, shkruar, fotografuar.
Rrisni lule
Meqë kontakti me natyrën këto kohë mund të jetë me i paket, sillni një pjesë të natyrës brenda mureve të shtëpisë tuaj. Lulet kanë nevojë për kujdes gati të përditshëm, duke ju dhënë kështu një sens motivimi çdo ditë të re që nis.
Krijoni rutina që përfshijnë teknika vetë-qetësuese
Duke pasur parasysh pesë shqisat mundohuni të krijoni praktika që funksionojnë për ju e që ju japin shplodhje. Ndoshta të dëgjosh muzikë, të bësh një banjë të gjatë, një film, një masazh, yoga – çdo gjë që ju krijon juve momente relaksi.
Krijoni një ambient jo të rrëmujshëm
Duke qenë se vendi më i përdorur do jetë dhoma e ndjenjes, merrni kohë ta mbani atë të rregullt. Sipas studimit të bërë nga kerkuesit studimorë amerikanë te UCLA, rezultoi se familjet që jetonin në një shtëpi të parregullt e rrëmujë, kishin nivele stresi më të lartë se ato që jetonin në një ambient të rregullt. Merrni pra kohë dhe krijoni një ambient që ofron qetësi për ju dhe familjen tuaj.
Kujtojini vetes që dhe kjo do kalojë
Gjërat shumë shpejt do kthehen në atë që quanim normale disa muaj më parë. Kujdesuni tani për veten, që kur ajo ditë të vijë të jeni mendërisht dhe emocionalisht në gjëndje për ta shijuar.
Mos lejoni këtë përiudhë kalimtare të krijojë gjëndje të padëshiruara e që mund të kenë pasoja afatgjata për shëndetin tuaj mendor. Jepini krahë stresit dhe situatave jo të favorshme që na duhet të kalojmë, në mënyrë që ai të fluturojnë larg jush!
*Autorja eshte psikologe