Rasti i EKMA Albania është një ndër abuzimet me pozitën dominuese më të rënda dhe flagrante të sanksionuara deri më sot nga Autoriteti i Konkurrencës. Kompania që administron tregun monopol të shitjes me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë u gjobit në vitin 2018 me rreth 400 mijë euro. Por, pavarësisht se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës është lënë në fuqi në të dy shkallët nga Gjykata Administrative, ajo nuk po vilet, sepse përmbaruesi gjyqësor privat i përzgjedhur nga Autoriteti i Konkurrencës… është bërë palë me debitorin!

Siç raportoi të shtunën një nga portalet informative, përmbaruesi nuk ka mbledhur detyrimin, por ka kërkuar në gjykatë pushimin e urdhërit të ekzekutimit, me justifikimin që nuk ka gjetur fonde në llogaritë bankare të subjektit.

Në momentin e ndëshkimit nga Autoriteti i Konkurrencës, EKMA Albania kishte një normë fitimi rekord prej rreth 76% të xhiros, absolutisht më e larta në ekonominë shqiptare. Për vitin 2018, norma e fitimit zbriti në 62%, duke ngelur sërish më e larta në ekonomi. Përmbaruesi as nuk ka marrë mundimin të bëjë bllokimin e aksioneve të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, procedurë pothuajse e përhershme që zbatojnë përmbaruesit ndaj debitorëve. Jo vetëm kaq, po përmbaruesi madje ka kërkuar në gjykatë pushimin e urdhërit të ekzekutimit.

Kjo seri veprimesh tregojnë qartë se përmbaruesi i kontraktuar nga Autoriteti i Konkurrencës ka marrë hapur anën e debitorit, për arsye që mund të merren lehtë me mend.

Aksioneri kryesor dhe administrator i EKMA Albania është drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, personazh i lidhur me shumë nga koncesionet dhe PPP-të e dhëna nga qeveritë në vitet e fundit.

EKMA Albania, abuzim flagrant me pozitën dominuese

Pas hetimit të kryer, Autoriteti i Konkurrencës arriti në përfundimin se EKMA Albania, që mban monopolin e magazinimit dhe tregtimit me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë, shfrytëzon pozitën e saj monopoliste për të siguruar fitime të padrejta ndaj subjekteve që marrin me qira ambiente për të magazinuar dhe tregtuar produkte ushqimore.

Kompania është ndëshkuar me një gjobë në masën 9.99% të xhiros së vitit paraardhës, që ishte rreth 4 milionë euro në total. Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës evidentoi se EKMA Albania aplikon çmime qiraje shumë të larta krahasuar me mesataren e zonës gjeografike. Këto çmime sjellin pasoja për konsumatorin final, duke rritur koston produkteve agro – ushqimore që tregtohen nëpërmjet këtij tregu. Një shkelje akoma më flagrante është vendosja e çmimeve më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që tregtarët duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE, si dhe UKT.

Gjithashtu, në kontratat e qirasë me subjektet që shfrytëzojnë ambientet e tregut, janë vendosur kushte diskriminuese dhe që nuk sigurojnë barazinë e palëve, në kundërshtim me ligjin dhe zakonet e mira tregtare.

EKMA Albania aplikon kontrata të cilat përmbajnë kushte imponuese vetëm për qiramarrësin, që sjellin një humbje ose dëmtim të shpërpjesëtuar të interesave të palës kontraktuese. Kontrata detyron qiramarrësin të negociojë muaj për muaj për çmimin e saj, duke krijuar paqëndrueshmëri financiare dhe duke e vendosur këtë të fundit në kushte të pafavorshme konkurrence.

Për shkak të shkeljeve të mësipërme, EKMA Albania arrin të sigurojë norma fitimi neto tejet të larta, të pakrahasueshme aktualisht me asnjë ndërmarrje tjetër që vepron në tregun shqiptar.

Në vendimin e nëntorit 2018, Autoriteti ka urdhëruar qiradhënësin të aplikojë çmime të orientuara drejt kostos dhe çmimit mesatar të qirasë së zonës, si edhe të jetë transparent në detajimin e zërave që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit.

Por, EKMA Albania ka injoruar vendimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe madje nuk është paraqitur as në seancat dëgjimore ku është thirrur.

Në kushtet kur mbledhja e gjobave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës është shumë e vështirë, nuk është çudi që ndërmarrjet s’e çajnë kokën për gjobat e këtij institucioni, por vazhdojnë të shkelin ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, në kurriz të konsumatorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}