Botuesja e “Diturisë”, Marjana Ymeri, në ditën e Përkthimit, sjell një shkrim të Umberto Eco mbi përkthimin

***

Sa turp, nuk kemi armiq!
Më ka ndodhur të shkruaj në këtë rubrikë të Zarfit të Minervës për aventurat e mia me taksistët. Këto aventura, në Nju Jork, janë më interesante se kudo tjetër, për tri arsye. Para së gjithash, sepse aty taksistët janë të çdo origjine, gjuhe dhe ngjyre; në një etiketë shënojnë emrin dhe herë pas here është një ushtrim argëtues t’i biesh në të kombësisë së shoferit: turk, grek, çifut rus etj. Shumë prej tyre janë gjithë kohës të lidhur me radiot, një aparat që flet në gjuhën e tyre dhe transmeton këngët e tyre.
Në këtë rast, të shkosh për në Central Park, është njësoj si të bësh një udhëtim në Katmandu.
Së dyti, në Nju Jork nuk bëhesh taksist për gjithë jetën, por e ke përherë si një zanat të dytë; prandaj mund të të qëllojë të kesh si shofer herë një student, herë një bankier të papunë apo një emigrant, që sapo ka shkelur aty.
Së treti, taksistët ndahen si në grupe: për njëfarë kohe janë në shumicë grekët, pastaj takon vetëm pakistanezë, pastaj të gjithë janë portorikanë e kështu me radhë. Kësisoj ti mund të bësh vëzhgime mbi valët e emigracionit dhe suksesin e etnive të ndryshme: kur një grup i caktuar zhduket nga taksitë, kjo do të thotë që e ka gjetur fatin diku tjetër dhe ka hyrë në zinxhirin e dyqaneve të vogla të perimeve ose ka kaluar në një zonë tjetër të qytetit ose-ose ka ngjitur një shkallare sociale.
Pra, përveç dallimeve psikologjike vetjake (të qëllon të takosh tipin histerik, njeriun e përzemërt, qytetarin e angazhuar politik, atë që është kundër të gjithave etj.) taksia është një vend i mrekullueshëm për një vëzhgim sociologjik.
Javën e shkuar rashë në një taksist me ngjyrë, me një emër të padeshifrueshëm por që më sqaroi se ishte pakistanez. Pastaj ai më pyeti nga vija unë (në Nju Jork njeriu vjen gjithmonë nga diku tjetër), i thashë që isha italian dhe ai nisi të më pyeste. Dukej shumë i interesuar për Italinë, por pastaj e kuptova psenë; ai nuk dinte asgjë për të, nuk dinte as ku binte, as se çfarë gjuhe flitej (zakonisht kur taksisti dëgjon që në Itali flitet italisht, ai gjithmonë hap gojën i habitur, sepse tashmë është i bindur se në gjithë botën flitet anglisht).
I bëra një përshkrim të shpejtë të gadishullit me malet në mes dhe me shumë brigje përreth dhe sidomos me aq shumë qytete të bukura. Më pyeti sa bëheni dhe u çudit pa masë që ishim aq pak. Mbasandaj më pyeti nëse ishim të gjithë të bardhë apo të përzier dhe unë u përpoqa t’i jepja idenë e një populli në origjinë të bardhë, por që ka edhe disa njerëz me ngjyrë, sidoqoftë shumë më pak sesa në Amerikë. Doemos donte të dinte se sa pakistanezë rrojnë në Itali dhe mbeti keq kur mësoi që ndoshta kishte disa, por shumë më pak sesa filipinë ose afrikanë dhe duhet ta ketë pyetur veten se përse ky vend, Italia, nuk parapëlqehet nga njerëzit e tij.
Bëra një gafë duke i thënë që edhe indianë janë pak dhe ai më vështroi vëngër: e kisha lënduar duke përmendur së bashku dy popuj kaq të ndryshëm dhe për më tepër njerëz kaq inferiorë, që s’kishin asgjë të përbashkët me pakistanezët.
Më në fund më pyeti cilët janë armiqtë tanë. Pyetjes sime “urdhëroni?” iu përgjigj duke më sqaruar me durim se donte të dinte se me cilët popuj ishim aktualisht në luftë për pretendime territoriale, urrejtje etnike, shkelje të vazhdueshme të kufijve etj. I thashë që nuk jemi në luftë me askënd. Prapë me durim më shpjegoi që donte të dinte se cilët janë kundërshtarët tanë historikë. Ata që na vrasin ne dhe që ne i vrasim. Iu përgjigja që armiq nuk kemi, që luftën e fundit e kemi bërë 50 e ca vjet më parë dhe, për më tepër, pa ditur saktësisht kush qenë armiqtë dhe kush qenë aleatët. Nuk m’u duk fare i kënaqur: e shprehte hapur bindjen se unë po e mashtroja. E si na qenkësh e mundur që të ekzistojë një popull pa armiq?
Historia mbaroi aty, zbrita nga taksia duke i dhënë dy dollarë bakshish për ta ngushëlluar për pacifizmin tonë, pastaj më ndodhi ajo dukuri që francezët e quajnë esprit d’escalier, pra sapo zbret shkallët kur ke dalë nga dera e dikujt, të vjen në mendje befas përgjigjja e duhur që duhej t’i kishe dhënë, batuta që nuk të kishte shkuar në mendje në atë çast.
Duhet t’i kisha thënë që nuk është e vërtetë që italianët nuk kanë armiq. Nuk kanë armiq të jashtëm dhe, sidoqoftë, nuk janë kurrë në gjendje të bien në një mendje për të përcaktuar cilët janë, sepse janë vazhdimisht në luftë, por brenda vendit. Italianët bëjnë luftë me njëri-tjetrin, njëherë qyteti kundër qytetit, heretikët kundër ortodoksëve, pastaj klasat sociale kundër klasave të tjera, partitë kundër partive, fraksione partish kundër fraksioneve të së njëjtës parti, pastaj krahina kundër krahinave, televizione publike kundër televizioneve private, aleatë të koalicionit kundër aleatëve të të njëjtit koalicion, departamente kundër departamenteve të tjerë, gazeta kundër gazetave.
Nuk e di nëse do ta kishte kuptuar, por të paktën nuk do të kisha bërë figurë të keqe si një njeri nga një vend pa armiq.

2009/ Përktheu: M.Y

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Për një Njeri si Urani
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Shqipëria dhe fantazmat e Sigurimit të Enver Hoxhës!
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>