nga Alban Tufa


Në agjendën tmerrësisht të ngjeshur të televizioneve tona, dingaz me shoubiz dhe me politikë, gjendet herë pas here vend edhe për letërsi, ose më saktë për shkrimtarët. Ftohen shkrimtarët nëpër emisione shou, emisione mëngjesi dhe emisione të tjerë të trasmetueshme darkave herët, a darkave vonë. Si duket, shkrimtarët luajnë rolin e rërës, e cila hidhet trotuareve të sapo bëra, me qëllim për të mbushur hapësirat. Shkrimtarët e dinë fort mirë, dhe sidoqoftë nuk ngurrojnë të shkojnë, madje iu bëhet qejfi. Ka shumë prej tyre (nesh) që shkruajnë (dhe shfaqen) për të marrë vëmendje. Duan të flitet për ta. Gjë e mirë është tek e fundit. S’i vjen e keqja borës nga shkrimtarët.

Sa për dijeninë tuaj, mua nuk më ka ftuar asnjë televizion për të folur për letërsinë time. Ndoshta ngaqë nuk kam botuar ende një libër. Me shumë gjasë kjo është arsyeja, siç është njëkohësisht edhe arsyeja pse dua dhe duhet të më ftojnë. E paqartë ëë?! Ja po ju qartësoj në rreshtat që pasojnë. Ata duhet me doemos të më ftojnë për arsye si vijojnë:

1. Dua të më ftojnë akoma pa botuar një libër. D.m.th. të më pyesin për dorëshkrimet që kam dhe pikërisht pse nuk i botoj këto dorëshkrime poezish dhe tregimesh. Nga përgjigjet e mia do merrnin vesh krejt kalbëzimi tregtar të letërsisë.

2. Dua të më ftojnë pa botuar asnjë libër, ngaqë këto gazetarëzat e këtyre emisioneve, nuk i lexojnë fare librat e atyre që kanë ftuar. Në rastin më të keq nuk lexojnë fare letërsi, në rastin më të mirë lexojnë dhe s’kuptojnë kurrfarë gjëje nga letërsia. Nuk dua të më bëjnë pyetje duke ia këput “si kau, pelës”, për librin tim që s’e kanë lexuar dhe nuk do duan kurrë ta lexojnë, që edhe po deshën nuk do kenë kohë ta lexojnë, që edhe do mundën ta lexojnë s’do kuptojnë hiçgjë.

3. Nuk dua dhe mos e dhëntë Zoti që të dal para telespektatorit, ose thënë ndryshe para audiencës (dhe njëkohësisht videoencës, nëse ndjekim të njëjtën etimologji fjale të huaj) dhe që në nisje të bisedës të deklaroj “nuk do flas për librin tim, ai duhet lexuar”, ndërkohë të mos bëj gjë tjetër veçse të flas për të gjatë gjithë ligjërimit tim, ndërhyrë me pyetje shumica pavend. Kështu bëjnë thuajse të gjithë.

4. Nuk dua dhe nuk pranoj kurrsesi që letërsisë sime, hipotetikisht të madhe (ose madhështore: fjalë komentesh fejzbuku) t’i kushtohen 10 ose 15 minuta, mesatarisht nga një minutë për vepër. Veçse në kushtet që jam do shkoja me shumë qejf. Praktikisht nuk kam botuar asnjë vepër dhe mund të flas për leximet e mia. Jo 10 minuta, por madje edhe përplot 15 të tilla.

Nuk do ndjehesha i ofenduar nëse do flisja për leximet e mia, ose për mos shkrimin e veprave madhështore ngaqë kam qenë i zënë duke lexuar të tilla. Madje ky është lajmi o gazetarka dhe shkrimtarka, të jesh 30 vjeç dhe mos kesh botuar qoftë edhe një libër.

Për ta mbyllur me një rimë (për nderë) të dobët: shkrimtari në televizion, si plak pa pension. Pakashumë.

Tetor 2020,

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Të rinjtë e filmit
Kultura e kapur nuk është kulturë
I lirë për të mos menduar?!
Gardhi i shtyrë dhe berri i vjedhur si kulturë
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>