Dr. Irena Myzeqari
Prolog
Nuk qe aspak një stinë e mërzitshme televizive! Pati humor, pati skandale, pati dashuri dhe ndarje, pati zgjedhje pa zgjidhje, pati lajme edhe trille, gënjeshtra edhe të vërteta; ata kishin ç’të thoshin, ne nuk kishim ç’të bënim veç të shikonim. Detaje vështirë se mbahen mend! Veç thuhet se qeshëm me batuta mondane, mbushëm kohën me klikime për realitetet e rreme dhe vollëm vrer e linçuam në rrjetet sociale gjithë ata që u përputhën, u dashuruan dhe ata që aktruan.
***
E vërteta është se askush nuk ka kohë të reflektojë mbi stinën e kaluar televizive. Në fakt, televizioni, me atë mori dritash, përpiqet të na mbajë larg këtij medimiti; përtypja duhet të vijojë pa na lënë kohë të provojmë umamin e asaj ç’ka shohim në ekranin e vogël. Televizioni sot është një komoditet kulturor, i cili vepron brenda një sistemi kapitalist të mirëpërcaktuar. Ekonomia financiare qarkullon të mirat materiale, ndërkaq ekonomia kulturore qarkullon kuptimet dhe kënaqësitë. Thënë kjo, është jo normale të kërkosh misione të natyrës estetike në këtë cirkuit, sepse qëllimi i kulturës sot është t’i infektojë të gjithë dhe gjithçka me uniformitet. Sekreti për të prodhuar këtë uniformitet qëndron në xhepin e atij/asaj që bën televizion dhe projekton shijet e audiencës në shtegun që i siguron atij/asaj më shumë fitime. Paralajmëruar më herët nga studiuesit e Shkollës së Frankfurtit, ky qarkullim kulturor i uniformimitetit fshin çdo gjurmë të mendimit kritik, me qëllim ruajtjen e status-kuosë socio- politike dhe ekonomike, duke garantuar të vetmen liri, atë të të mosmenduarit, e cila shitet si bekim në një kohë kur jetesa kapitaliste gëlon nga dinamika të shumta problematike, ama nga ana tjetër është domosdoshmëri për televizionin, i cili ka tanimë kushtet ideale për të ushtruar pushtetin e tij ose të aktorëve që veprojnë nëpërmjet tij.
Liria e të mosmenduarit si bekim për masat
“Mendimi është sport i vështirë, dhe kur kam halle kapitaliste mbi supe më mirë ta bëjë dikush tjetër për mua”. Televizioni në shoqërinë e spektaklit të ofron pa fund mundësi për të mos menduar. Nisur nga parimi i ngazëllimit dhe zbavitjes, audiencat janë në ndjekje të programacioneve të cilat u japin për pak kohë mundësinë e mpirjes së arsyes, mundësisë për të qenë marrës pasiv i një informacioni i cili nuk ka fuqi vepruese tek ata, por që u lejon mundësinë për qenë pjesë e turmës. Liria për mosmendim është përgjigja e suksesit të të gjithë fenomeneve televizivë dhe influencersave në dekadën e fundit. Keeping up with the Kardashians cilësohet si trash – television, ndërkohë Kim Kardashian është personi më i ndjekur në rrjetet sociale në të gjithë botën. Çfarë ka bërë për të qenë e famshme? Asgjë! Thjesht vendosi të bënte televizion me jetën e saj dhe të familjes së saj. Reality show i tyre prodhon lajme dhe klikime pafund duke promovuar vlerat më të këqija. Për shumë studiues është intriguese të kuptojnë se si kultura popullore mund të komunikojë kaq shumë antivlera, duke harruar se vetë kultura pop është amorale, për aq kohë sa nuk ka një sens përgjegjshmërie dhe interesohet vetëm për përfitimet financiare. Këto realitete televizive janë në fakt një akses i mohuar tek e vërteta, duke na bërë të jetojmë në një simulim të vazhdueshëm, pa mundur të kuptojmë se nga dallon hiper-realiteti me përfaqësimin. Ky manipulim i audiencës na shpie jo vetëm në një mungesë të theksuar autenticiteti por edhe ngre pikëpyetje morale, të cilat lidhen me modelet identitare që ndërtohen në hapësirën publike.
Intermezzo nga Shqipëria
“ ….Edhe pse në një qytet të vogël, Përputhen tregoi edhe njëherë se është emisioni më i ndjekur dhe se nuk njeh grupmoshë. Sapo personazhet zbritën në shesh të gjithë u turrën drejt tyre me dëshirën për një foto apo për t’i parë nga afër e sigurisht emocionet ishin të përbashkëta…” “…Përputhen ndër të tjera synon që këtë herë të arrijë të sjellë personazhe edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë e të mbajë të mbërthyer para ekranit të madh e të vogël…” “…Dhjetëra fansa shkodranë, qëndruan për disa orë me radhë përpara teatrit “Migjeni” në pritje të personazheve të “Përputhen”. Pritja ishte si një festë…” Këto janë titujt e lajmeve në një nga televizionet kombëtare shqiptare mbi fenomenin e fabrikuar televiziv “Përputhen”. Ky dating reality show, së bashku me simotrën e tij, “Love story” në një tjetër televizion kombëtar, kanë përcaktuar, herë edhe dhunshëm, agjendat televizive të shqiptarëve, duke u imponuar pa teklif lidhjet romantike të disa të rinjve, të cilët duket se me vullnet të lirë kanë zgjedhur televizionin si vendin për të kërkuar dashurinë. Nëse do të niseshim nga një pikëpamje naive, reality show të tillë, duken të jenë një format i parrezikshëm, krahasuar me modelet e tjera që ofron TV; janë të rinj, të bukur, ambiciozë, të vetëdijshëm se kush janë dhe çfarë duan të arrijnë. Ndërkaq, situata nuk është kaq idilike. Dashuria është vërtet një konstrukt social edhe komunikohet brenda një hapësire komunikative, ama nëse Niklas Luhman, do të ish dëshmitar i kohës kur dashuria prodhohet dhe gjendet në TV, do të klithte prej përçudnimit të emocioneve, manipulimit dhe pritshmërive jo reale.
Për të mos shkuar pastaj më tej me agjendën liberale të emancipimit, e cila tingëllon joshëse në një realitet ku një pjesë e mirë e vajzave dhe e djemve janë viktima të materializmit të ngjizur me traditat e sjella keq në ditët e sotme. Përballë kësaj LIRIE nga tradita, përballë vajzës së emancipuar që del në TV, qëndron shikuesi me gjithë brengat e përditshmërisë dhe pikërisht në këtë moment mpirja zë vend si mundësi për ëndërrim, dhe liria për të mos menduar në fakt kthehet të nesërmen në modelin që do të motivojë vajzën apo djalin të përsërisë me pikë e presje performancën që mësoi nga televizioni. Ndaj titujt me të cilët u nis kjo intermezzo, lidhur edhe pamjet që pamë nëpër rrjete sociale, ngjallën reagime te e gjithë audienca shqiptare, e cila ka krijuar një marrëdhënie bulimike me median, duke mos refuzuar në sy ushqimin e duke e nxjerrë atë pas krahëve. Liria e të mosmenduarit si domosdoshmëri për televizionin Televizioni nuk vepron vetëm dhe ai nuk ka si funksion kryesor dhënien e informacionit. Rritja e influencës televizive ndër audienca dekadat e fundit lidhet pashmangshmërisht me rritjen e rolit të politikës në televizion, ku e para ka gjetur një terren premtues për kanalizimin e propagandës tek masat e gjëra. Po t’i referohemi sërish Shkollës së Majtë, politika ka qenë përfituesja kryesore e industrisë kulturore. Adorno dhe më pas Horkheimer, kanë qenë tifozë të idesë se masat nuk kanë asnjë opsion tjetër veçse konformizmin; konformohu me atë që ekziston, si një refleksion i pushtetit dhe fuqisë. Sot ideja e tyre merr përparësi më shumë se kurrë me politikanë, të cilët kanë kuptuar se informacioni tek ne ngjall reagime emocionale, se politika është në vetvete emocionale, ndaj mënyra më e mirë për të kontrolluar masat është pikërisht instrumentalizimi i emocioneve të audiencës në të mirë të propagandës shtetare.
Liria e të mosmenduarit në këtë rast, është mundësi për të qenë i çliruar nga varësia që të jep fakti se çdo kush prej nesh është qenie politike. Kur politikani bëhet pjesë e hapësirës për zbavitje, ti iluzionohesh nga ideja se gjerat po shkojnë siç duhet, ndaj edhe ka kohë politika të na mahnitë e të na shkaktojë të gajasura.
Loja e simulimit dhe simulakrës bëhet efektive, aq sa mundësia për të kuptuar kur qëndron çfarë, ku është kufiri midis asaj që është dhe asaj që duket, shkon në pikën zero, duke na lënë vetëm një plumb magjik, atë të bindjes totale. Politikani në televizion aktron, bën humor, kërcen në prime time, politikani është bërë njësh me masën, si teknika e fundit për të shembur çdo mur rezistence, sepse fundja ti nuk mund të luftosh me dikë si vetja.
Intermezzo nga Shqipëria
Nuk mund të jetë e plotë kjo intermezzo, nëse nuk u referohemi një morie teknikash spektakli, që ishin e pranishme në fushatën e fundit elektorale. Nuk ngeli politikan nga të gjitha palët pa parë filxhanin në Klanifornia; kandidatë të cilët shfaqeshin në kronikat e lajmeve duke llafosur gjuhë më gjuhë me popullin për hallet e tyre, me një teke raki dhe pak meze, siç i ka hije mikpritjes. Të tjerë kërcyen, disa luajtën volejboll, disa të tjerë dolën të shisnin bukë apo disa të tjerë të bëheshin virale me videot krejt rastësore në gatim e sipër. Lista vazhdon e gjatë dhe në fund pasi ke klikuar në tërë këto shfaqje, i bën pyetjen fëminore vetes: po programi elektoral ku është? Shumë shpejt e kupton se përgjigja është fshirë nga duhma e spektaklit, i cili është siguruar t’i marrë frymën çdo përpjekjeje për të ndërtuar ligjërime alternative publike mbi politikën që na përket të gjithëve.
Fatkeqësia në vende si i yni është se propaganda dhe fake news ngjisin më kollaj. Jo vetëm për shkak të një natyre emocionale tonën apo nivelin e ulët të edukimit mbi mediat dhe lajmit, por edhe për shkak të një kulture mohuese të ngulitur në strukturat tona antropologjike, të cilat priren drejt një qëndrimi fatalist kur bëhet fjalë për lidershipin. Kulti ynë antropologjik për drejtuesin, ngre kokë në ekranin e televizionit, i cili krijon terrenin perfekt për tu shfrytëzuar nga lideri. Liria për mos mendim, tani kthehet në liri për mos veprim, duke e atrofizuar individin nga potenciali i tij për ndryshim. Për rrjedhojë, shoqëria mbetet vetëm të ndjekë spektaklin që i siguron televizioni. Truri rifillon konsumimin intensiv të produkteve mediatike, duke lënë gjithmonë e më pak vend për arsye apo revoltë.
***
Epilog
Nuk do të jetë aspak një stinë e mërzitshme televizive! Do të ketë humor, do të ketë skandale, dashuri dhe ndarje, do ketë zgjedhje pa zgjidhje, lajme edhe trille, gënjeshtra edhe të vërteta; ata do kenë ç’të thonë, ne nuk kemi ç’të bëjmë veç të shikojmë. Detaje vështirë se do mbajmë mend! Veç do qeshim me batuta mondane, do mbushim kohën me klikime për realitetet e rreme dhe do të linçojmë në rrjetet sociale gjithë ata që do përputhën, do të dashurohen dhe ata që do aktrojnë…