Persiatje

nga Visar Zhiti

…dje ishte data e ikjes së tij në Qiell, 12 vjet më parë, por si dje duket se kanë ndodhur të gjitha. Kam menduar gjithë ditën për atë dje.

E pashë në burgun e Spaçit së pari, mes të burgosurve si të gjithë, por kuptohej prifti te ai, në urtësi, në vështrim, në qëndresën e përunjur, në dinjitetin e heshtur, në mirësinë dhe në vuajtje, etj. Kur dilja nga puna, nga ferri i minierës, i rraskapitur, e kërkoja. Bisedonim, edhe kemi pirë kafe bashkë, që rrallë e gjenim, kur na e sillnin në takime familjarët, e pyesja për At’ Gjergj Fishtën, si poet në fillim, që ai e kishte njohur, pastaj si prift, pastaj interesohesha të dija për Krishtin, për kryqin, Judën, flisnim për spiunët në burg, Pons Pilatin, komandën, etj, etj. Një ditë pas pune i thashë:

– Edhe Krishti ka qenë i burgosur, e dua Krishtin, më jep fuqi vuajtja e tij në vuajtjen time.

– Po, – tha. Me një qetësi që zjente përbrenda.

– Dua të jem i Krishtit, – shtova.

– Je ai që ndjen dhe do, – më tha.

Biseda ishte me rrezik, sidomos vazhdimi. Gjithsesi në shpirt po ndjehesha i pagëzuar, edhe pse në burg…

Mrekullia ndodhi kur e pashë në Vatikan, duhej të ishte viti 1990, po vizitoja Bazilikën e famshme të Shën Pjetrit, u ngjita në taracë mes turistëve të shumtë, pelegrinëve, kur e pashë, aty, vetëm, në anë, nën aureolën e diellit, veshur prift me të zeza, shkova drejt tij, gati me vrap, nuk më njohu, tani kisha flokë të shumtë, kaçurrela, isha veshur mirë, gazetar, u përqafuam…

E kerkova dhe në Shkodren e tij më pas, e takova në Kishën e Madhe. Ishte caktuar “ipeshkëv titullar i ipeshkvisë së Bararus-it dhe ndihmës-ipeshkëv i Arqipeshkvisë së Shkodrës. E shuguroi vetë Papa Gjon Pali II. Qe ndër katër ipeshkvit e parë të periudhës pas-komuniste”. Ashtu i urtë dhe i përzemërt, i përunjur si në burg.

Vonë lexova dhe një libër kritik letërsie të tij, mes botimeve të tij teologjike, Imzot Zef Simoni kishte studiuar dhe për letërsi. Studimi i tij, “Letersia shqipe e pame ndryshe”, një libër i vogël, i thjeshtë, pothuajse i pa vënë re, që s’e di a e përmendin katedrat e letërsisë, studiuesit e kritikët, më ka habitur jo vetëm për qartesinë dhe qendrimet intelektuale të një përgjegjësie të lartë, por mbi të gjitha se ai, i pari, futi termin “Shkrimtaret e Spaçit” si një grupim letrar, si të thuash “poetët e mallkuar”, që ka Franca, apo futuristët në Europë, Realizmi magjik, etj.

Pikërisht këtë zbulesë të tij e shtjellova gjerë në librin tim për letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet “Kartela të Realizmit të Dënuar”.

Ai nuk di gjë. Dhe as unë nuk e di që atje në burg ai të këtë perfytyruar ndryshime të tilla në jetë, që ngjajnë me mrekullitë. U kthye besim i ndaluar në Zot, tjetër, ndryshoi letërsia jonë e re, që i mungonte e vërteta. Tjetër? Ka dhe vështirësi e zhgenjime kjo kohë, etj, etj, ikje dhe tragjedi. Na kanë ndodhur dje të gjitha… si sot e përgjithmonë, teksa i afrohemi dritës së Hyut… Dje ishte dhe dita e Imzot Zef Simonit, që do të përkujtohet dhe nesër…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Libri, censura dhe miqësia…
Të rinjtë e filmit
Kultura e kapur nuk është kulturë
I lirë për të mos menduar?!
Gardhi i shtyrë dhe berri i vjedhur si kulturë
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>