Vodafone Albania ka injektuar 2.6 miliardë lekë ose rreth 21 milionë euro rritje kapitali në Abcom, me qëllim mbështetjen e zgjerimit të kompanisë së dytë më të madhe të shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes së shitblerjes me aksionerin e mëparshëm, American Broadband BV, Vodafone preferoi një formulë blerjeje sipas të cilës shitësi do të tërhiqte kapitalin ekzistues, përfshi dividendët e akumuluar në vite, me qëllim përfitimin e një çmimi më të ulët blerjeje.
Kapitali i tërhequr nga American Broadband u kompensua përkohësisht me marrjen e huave bankare për të përmbushur nevojat operacionale të Abcom, deri në finalizimin e procesit ligjor të shitjes.
Më tej, pas blerjes, Vodafone do të realizonte një shtesë kapitali, që, de facto, i bashkangjitet çmimit të blerjes së Abcom dhe që e ka çuar faturën totale të blerjes së Abcom në një shumë totale prej afërsisht 60 milionë eurosh.
Blerja e Abcom nga Vodafone Albania u njoftua në tetor të vitit të kaluar, ndërsa u përfundua në 15 prill të këtij viti, me transferimin zyrtar të aksioneve.
Ndonëse për momentin do të vazhdojë të funksionojë si ndërmarrje e veçantë, pas blerjes Abcom i është bashkangjitur njësisë së biznesit të Vodafone dhe menaxhere është emëruar shefja e Vodafone Business, Ágar Pérez Valer. Projekti i konvergjencës në shërbimet fikse është në linjë me strategjinë e biznesit të Vodafone Group në shumicën e tregjeve ku vepron.
Blerja e Abcom nga Vodafone përbën sfidën më të madhe për pozitën e operatorit incumbent të internetit me linja fikse, Albtelecom. Në fund të vitit të kaluar, Albtelecom zotëronte rreth 31% të tregut, sipas numrit të abonentëve, ndërsa Abcom renditej e dyta me 17.5% të totalit ose rreth 75 mijë pajtimtarë gjithsej.