nga NDUE DEDAJ

Fabian Barcatta (Barkata) (1868-1954) misionar françeskan austriak, shkrimtar, piktor, dijetar, ka shërbyer në Shqipëri (kryesisht në Rubik, por dhe në Shkodër e Lezhë) për dhjetë vjet, dy herë, nga viti 1895 – 1897 dhe 1899 – 1907.

Në fillimet e karrirës, në vitet 1893-189 kishte shërbyer si lektor i klerikëve shqiptarë në Graz.

Pas largimit nga Shqipëria, për në Austri, më 1907, për shkak se u sëmur nga malaria, shërbeu në manastiret françeskane: Kaltern, Bozen, Vallach, Schvaz, St. Martin etj.

Autori i romanit të mirënjohur “Lule” (botuar për herë të parë në gjermanisht, Mynih 1924; shtëpia botuese “Tyrolia”, Innsbruck, 1929; shqip nga “Nikaj” 1930, përkthyer nga prof. Karl Gurakuqi) si dhe i disa novelave e historive kushtuar shqiptarëve.

“Ditari im shqiptar” i Barcatës, përkthyer nga Angjelina Leka, botohet për herë të parë në shqip, nga shtëpia botuese “Mirdita”, në njëqindvjetorin e tij, në vitin 2005. Ai u shkrua në vitin 1905-1906 në Kryezez (Rubik) dhe u botua njëzet vjet më vonë në revistën françeskane Franzisziglöcklein Austri, në vitet 1926-1927. Sa dimë, është i pari ditar i mirëfilltë i një të huaji për Shqipërinë.

Këtij famullitari i ka kushtuar një reportazh në “Shqip” dhe një dokumentar në “Top Channel” gazetari Fatos Baxhaku.

Janë përmendur dhe dy vepra të tjera, të panjohura të Fabian Barcatës, “Gjaku i falun” dhe “Kumbona e thyeme”. Kohët e fundit, studiuesi i nderuar Dr. Michael Shmidt-Neke, kryetar i shoqatës së miqësisë Gjermani – Shqipëri, ka pasur mirësinë të na shkruante, se vitin e kaluar ai kishte “blerë tiposkriptin e romanit

“Geschenktes Blut. Vätersatzung und Väterbrauch in den albanischen Bergen” (“Gjaku i falun. Doket dhe zakonet e të parëve”), që ishte shitur si variant i parë i “Lules”, e cila mban të njëjtin nëntitull…”

Ky zbulim është një lajm i mirë, pasi një ditë mund të arrihet botimi në shqip dhe i kësaj novele, ndërkohë që për veprën tjetër “Kumbona e thyeme”, ende nuk dihet asgjë.

***

Ditari Shqiptar i Fabian Barcatës ka qenë i panjohur për lexuesin shqiptar. Botimi i tij në shqip u mundësua pas njëqind vjetësh nga koha kur u shkrua. Përshkrimi me detaje i njerëzve, i varfërisë, sëmundjeve, bestytnive, por dhe i karakterit dhe virtyteve të tyre përbëjnë lëndën e tij origjinale. Hyn në radhën e librave dhe shkrimeve të të huajve që e pasurojnë njohjen mbi botën shqiptare. Ditari paraqet vlerë të posaçme pse u shkrua nga një i huaj, që nuk e sodit por e përjeton botën shqiptare, jo vetëm e prek atë, por dhe preket prej saj. Është një dëshmi që nuk buron thjesht nga njohja e sipërfaqshme, me përshkrime të tipit “Si e pashë unë Shqipërinë”, por dhe nga humanizmi, dashuria për të. Dhënia e disa ndodhive hap pas hapi ka bërë që Ditari në tërësi të jetë si një roman, ngaqë “personazhet” e tij shpesh të shoqërojnë për një kohë të gjatë, ku tipike është gruaja e sëmurë epileptike Dilë, që arrin të shërohet si me profeci falë ndihmës së frarit dijetar.

“Ditari im shqiptar” autorishfaqet vezhgues i drejtpërdrejtë, përjetues i thellë, interpret i veçanësive njerëzore, ku pamja e mjerimit dhe i mbijetesës është mbizotëruese. Ashtu si te romani i mirënjohur “Lule”, ai shfaqet jo si një kronist i thjeshtë i ngjarjeve dhe rrethanave, por si një shkrimtar, që din me mjeshtri të përdorë rrëfimin, përshkrimin, detajin, portretin, peizazhin, herë duke u frymëzuar nga bota e fëmijëve, herë nga notat intime të vendlindjes së munguar, Tirolit. Bie në sy stili rrëfimtar, konçiz, ku disa nga episodet ngjajnë si skica dhe tregimthe të mirëfillta realiste, si “Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”, me elemente befasuese: njeriu që e pret vdekjen duke e parë në sy, i cili cek në bisedën e fundit me fratin vetëm “mëkatet”, anët  negative të jetës së vet. Sapo mbaron këtë lloj rrëfimi të çuditshëm, ai shtrihet dhe vdes qetësisht, sikur ta kishte thirrur ai vdekjen e tij atë çast dhe jo si ta kishte në dorë vdekja atë. Merita e autorit qendron në sjelljen e këtij lloji tipi sui generis mirditasi, i denjë për sfondin klasik të teatrit shekspirian. “Pasi folem rreth një gjysëm ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq”, përmbyll autori historinë e rrëfyer.

            Ditari e shpie lexuesin nëpër një reliev jetësor përgjithësisht të trishtë, gjithë ndodhi dhe bestytni, duke e njohur me njerëz të varfër, të sëmurë, që nuk e kanë bjerrur shpresën dhe kuptimin e jetës. Ngjan si një “regjistër” ku noterizohet gjithçka që përben jetën e Kryezezit në zgrip, ku ka vdekje të shpeshta dhe kërcënojnë epidemitë. Shumica e njerëzve vdisnin nga mungesa e mjekut, ilaçeve dhe kujdesit shëndetësor, ku priftit, të gjendur si në rrethim nga një situatë e tillë, i duhej të jepte zgjidhje për gjithçka, sa ai të befason kur thotë se në dhomën e të vdekurit mora vendimin për t’u bërë vetë mjek. Për të nuk ështe e huaj asgjë që lidhet me fatin e famullisë së tij. Shpesh fretërit, murgeshat bënin dhe punën e mjekut dhe infermierit, si murgeshat e Kallmetit asokohe, gjithashtu austriake. Kjo të sjell ndërmend shembullin e papërsëritshëm të fratit të pashallarëve të Shkodrës, At Erasmo Balneo-s, portretizuar me aq mjeshtri nga At Zef Pllumi.

Në fletën e ditarit të Barcatës të 21 gushtit 1905, zhvillohet një dialog nga më të pabesueshmit, mes fratit dhe një të sapovrari, në agoninë e fundit. Prifti e fundit Ndrekën “A do ta falësh vrasësin tënd?” dhe ai i përgjigjet si një i krishterë i devotshëm: “Oh, me gjithë zemër”. Një ndodhi gjakmarrjeje, e përshkruar me ndjesinë e njeriut të fesë, si një rrëfim artistik, ku syrit dhe lapsit të autorit nuk i shpëton asnjë detaj, por “pikturon” dhe fytyrat e dy bijave të vogla të të vrarit, “që të pikëlluara nga dhimbja qendronin të heshtura pranë të atit me një perkushtim absolut.”

Në Ditarin e Barcatës lëviz një gjindje e lodhur, e sëmurë, e varfër dhe pa vese, pleq, fëmijë, gra, supersticiozë, bestytë, ku ai shfaqet i vendosur dhe veprues në luftimin e bestytnive. Për Gjoka, njëri nga rubikasit e vjetër, e ka kapur sensin e ndryshim, të perspektivës, ndaj arsimimin e të birit e argumenton kështu: Jam i bindur që pushtimi nga Turqit nuk do të zgjasë shumë. Pastaj do fillojë një etapë e re, ku të qenurit i aftë, do të vlerësohet më shumë se sot. 

Edhe më shumë të shtohet admirimi për këtë misionar shembull përshpirtërie kur mendon se ai i shkroi rreshtat e ditarit të tij shqiptar duke vuajtur dhe vetë nga ethet e malaries, me duart që i dridheshin. Ashtu si Migjeni ynë, tridhjetë vjet më vonë, që do t’i përcillte malsorët përmes këngës së dhimbës krenare, duke qenë dhe ai i kërcënuar nga një sëmundje, shumë më e pabesë se malaria e Barcatës, ku sëmundja e mushkërive atë e këputi në moshën 27 vjeçarë, këtë apostull plak nuk e ndali dot në 86 vitet e jetës së tij prej bohemi.

Shënim i redaksisë së revistës Franzisziglöcklein me rastin e fillimit të botimit të “Ditari im Shqiptar”, 1926-27: Pader Fabiani ka dhënë kontributin e tij me mish e shpirt për popullsinë malore në Shqipëri. Ato çfarë shkruhen në këtë ditar janë përshtypjet e tij origjinale të pandikuara, pasi ai nuk ka menduar asnjëherë që këto fletë një ditë do të botoheshin. Kemi arritur ta botojmë këtë ditar vetëm pas lutjeve të vazhdueshme. Ai do të kishte dashur të ndryshonte diçka, por duke qenë se tani jeton larg, në Amerikë, pranë vëllezërve të tij si artist dhe ndihmon në dekorimin e kishave, besoj se ka ardhur momenti të botojmë këtë libër. Ato vazhdojnë më poshtë dhe janë në formë origjinale, pasi nuk dëshmojnë vetëm aftësitë e tij të pakundërshtueshme si artist dhe shkrimtar, por edhe një shpirt të shenjtë plot dashuri dhe përkujdesje… “Ditari” fatkeqësisht ndërpritet, por thjesht leximi i disa fletoreve të tija do të na sjellë kenaqësi.

Përcjellje e botimit në gjuhën shqipe “Ditari im Shqiptar” të Fabian Barcatës, Tiranë 2005.

Gjasat janë që revista e mirënjohur Franzisziglöcklein të jetë nxitur për botimin e Ditarit nga suksesi i botimit gjermanisht të romanit “Lule” të këtij autori në vitin 1924, pasi botimi i tij fillon vetëm dy vjet më vonë, dhe plot njëzet vjet pasi ishte shkruar. Por shënimi i redaksisë së revistës, nuk qartëson gjithçka mbi dorëshkrimin. Thuhet “kemi arritur ta botojmë këtë ditar vetëm pas lutjeve të vazhdueshme”, “pasi ai (autori) nuk ka menduar asnjëherë që këto fletë një ditë do të botoheshin”, çka nënkupton se ai e kishte shkruar atë ditar për të mos e publikuar. I nxitur nga revista, duket se At Fabiani më në fund kishte qënë dakort dhe kishte përgatitur dhe fotografitë për botimin si libër më vete të ditarit. Megjithatë, Ditari, nuk botohet si libër, por vetëm disa fragmente në faqet e revistës. Ndoshta ngaqë Ditari nuk ishte një vepër e plotë. Në këto kushte, u gjykua që ky ditar në shqip të publikohet në përbërje të një monografie kushtuar Fabian Bacatës, ku veç të tjerash, nga ana jonë janë bërë përpjekje për të sjellë të dhëna biografike të panjohura për autorin dhe veprën e tij.

Emri i Fabian Barcatës  është pothuaj i panjohur për lexuesin e sotëm shqiptar. Kështu ka qenë dhe shtatëdhjetë vjet më parë, deri kur u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij “Lule”, nën kujdesin e Karl Gurakuqit. Në jetën e tij, vitet që jetoi në Shqipëri janë më të shënuara, i cili erdhi dy herë, më 1895 dhe 1899.

PJESË NGA
DITARI IM SHQIPTAR I FABIAN BARCATËS

Në Kryezez, për t’u shëruar nga ethet e malarjes

30 prill 1905

Sot jam kthyer me gjithë çfarë kisha nga Alessio (Lezha). Ethet e malaries më kishin lodhur shumë kohët e fundit. Gjatë rrugës m’u desh të ndalesha dhe të pushoja dy herë dhe kur arrita këtu dridhesha aq shumë, saqë nuk e kontrolloja dot veten. Pritje festive! Nga lart ku ndodhej kisha dhe famullia, dëgjoheshin të shtenat me pushkë. Ndërmjet të shtenave dëgjohej dhe zëri i ëmbël i kembanave të kishës. Të gjithë njerëzit që takoja gjatë rrugës më pershendetnin me respekt. Para dyerve te shtëpive dhe kasolleve qendronin grate, ndërsa para tyre vraponin fëmijët disi të trembur, që më vrojtonin me gisht në gojë. Një grua e re me një fëmijë në krah, e cila gjatë rrugës qëndronte pranë meje, me tha me zë të lartë: “Zotëri rri te ne, ajri i Kryezezit do t’ua largojë ethet e sëmundjes”. Edhe unë e besoja këtë. Arqjipeshkvi më kishte dërguar këtu për t’u shëruar.

4 maj 1905

Sa e varfër është famullia. Sigurisht që as Lezha nuk më ka përkëdhelur, madje edhe komforti më i vogël që më kanë dhënë atje, këtu më mungon terësisht. Gjatë natës së sotme ka rënë shi dhe mua m’u desh ta ndërroja katër herë vendin e fjetjes, pasi pikonte në të gjithë dhomën time. Më në fund nuk më mbeti asgjë tjetër, veçse të mbeshtillesha në mushamanë time. Kështu më zuri gjumi dhe kur u çova isha terësisht i lagur. Gjëja më e këndshme është zjarri që ndodhet në kuzhinë dhe që mbahet ndezur gjatë gjithë kohës. Afër zjarrit ulem me orë të tëra në një poltron, veçanarisht kur më kapin ethet e malaries.

5 maj 1905

Dje u ankova për kushtet në banesën time dhe kjo nuk është aspak e drejtë, pasi Zoti nuk ka falur në Kryezez diçka më të mirë. Sa e varfër është kisha këtu! Katër mure të vjetra dhe mbi to një çati e keqe e papërfunduar me pllaka guri dhe përveç kësaj mungon dhe tavani. Altari është si një kub muri, ku për të hipur tek ai, duhet të kalosh mbi dy shkallë, të murosura dhe këto. Mbi altar në mur është varur një pamje e mjerë, e pikturuar në dru. Ka vetëm dy mbajtëse qirinjsh prej druri të cilave u mungojnë dhe këmbët. Në vend të këmbëve i kanë vënë gozhda për t’i mbajtur. Qirinjtë e tjerë mbahen në shishe boshe. Të vetmet stoli në kishë janë dy tufa të vjetra me lule letre, të cilat dhe këto kanë humbur formën e tyre. Si mbajtëse vere shërbejnë dy shishe të vogla të bëra nga kungulli. Kur po thoja për herë të parë meshën e shenjtë më ka shtrënguar zemra. E ndjeja se duhej të ndryshoja diçka. Menjëherë kam shkruajtur për ca mbajtëse të reja qirinjsh prej metali dhe u kam kërkuar murgeshave në Kallmet të më bëjnë 4 buqeta të reja lulesh. Kisha ka nevojë edhe per t’u lyer me gelqere, gje që do ta bëj vetë. Përse e kam bërë shkollën e pikturës?

“Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”

15 maj 1905

Sot kam bërë vizitën time të parë pranë një të sëmuri. Më thirren te një burrë i vjetër që po vdiste. Shkova me kalë deri te kasollja. Aty ma mori kalin një burrë. Përmes një dere të ulet hyra në dhomën e vetme të kasolles. Në dhomë ishte vetëm një burrë i vjetër, i mbështetur me shpinë për muri, i cili thithte me qetësi një cigare. Hodha sytë përreth për të gjetur të sëmurin, për të cilin isha thirrur, por nuk e pashë. Plaku kishte vërejtur në heshtje vështrimin tim kërkues. Më në fund më tha: “Unë jam i sëmuri!” Isha pothuajse i nevrikosur pasi kur më thirren për të vizituar të sëmurin, ndodhesha në krevat i shtrirë dhe i lodhur nga ethet. Kisha ecur me kalë për rreth dy orë i prekur nga ethet dhe vij të vizitoj një burrë, i cili ishte më shëndosh se unë. A thua burri po e kuptonte nevrikosjen time? Me duket se po. Ai më ftoi të ulesha pranë tij, ma mori dorën dhe pasi e vendosi tek goja dhe mbi ballë, filloi të më fliste dhe zëri i tij u bë i ëmbël, sikur fshihte në të një lutje të brendshme: “O Zot, unë e shoh që edhe ti je i sëmurë dhe po më dhemb shpirti që të kam thirrur. Por mos u pendo për ardhjen tënde, pasi ajo nuk ka qenë kot. Unë jam duke vdekur dhe dua ta paguaj llogarinë që kam të hapur me Zotin. A e di ti që unë jam një mekatar i madh dhe kur të vijë koha që unë të dal përpara Zotit, nuk e di se çfarë do më shpëtojë përveç se zemërgjerësisë suaj.” Unë e dëgjova rrëfimin e tij dhe m’u duk sikur kësaj here kisha bërë mjaft. Ai donte që unë t’i bëja dhe vajimin e fundit. E kundërshtova me vendosmëri, pasi ky sakrament bëhej vetëm për njerëzit që ishin duke vdekur. “Zotëri, më beso, do të vdes së shpejti.” Gjatë kësaj kohe erdhen në dhomë dhe të afërmit e burrit, të cilët iu bashkuan lutjes së tij. Edhe ato mendonin se ai do vdiste së shpejti. Nuk isha i bindur, por i shtyrë nga lutjet e njerëzve, i bëra këtij burri vajimin e fundit. Pas ceremonisë më përgatiten kafe dhe unë qendrova ca kohë duke biseduar me këtë burrë. Ai më tregoi për kohët e shkuara dhe me dukej se i kishte venë qëllim vetes të më tregonte vetëm gjerat negative që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij. Por qëllimi që i kishte vënë vetes nuk pati sukses. Pas çdo fjalie që ai thonte, fshihej një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar. Pasi folem rreth një gjysmë ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq.

“Ishte një përvojë e rrallë për mua”

21. maj 1905

Përsëri një vizitë tek një i sëmurë. Këtë herë ishte një djalë i ri, i cili vuante nga një infeksion akut i mushkërive dhe nuk kishte asnjë shpresë për t’u shëruar. Edhe kjo ishte një përvojë e rrallë për mua. Po përgatitesha t’i bëja vajimin e fundit. Ai po më vështronte i trishtuar dhe m’u lut: “Jam kaq i ri. Të lutem mos e bëj.” Në fillim nuk e kuptova, përse ky burrë kaq besimtar, po kundërshtonte këtë sakrament. Vetëm nga bisedat e mëpasshme e kuptova, se ai kishte frikë se mos shërohej përsëri. Shqiptarët besojnë se kur marrin vajimin e fundit janë të destinuar për të shkuar në qiell dhe për këtë nuk lejohet të bëjnë mekate të tjera. Vetëm pas kësaj kuptova përgjigjet që më jepeshin nganjëherë gjatë rrëfimeve kur unë e pyesja si për shembull: “A ke vjedhur?”, ato më përgjigjeshin: “O Zot, kam marrë vajimin e fundit, si mund të bëj një mekat të tillë?” Për këtë arsye kishte aq frikë nga ky sakrament ky djalë i ri, pasi ai mendonte qe po të kishte një jetë të gjatë, do ta kishte të vështirë t’u rezistonte të gjitha tundimeve të jetës.

“Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin… që të bëhesha vetë mjek”

26 maj 1905

Ai djali i ri, tek i cili kam qenë dje për vizitë, ka vdekur. Oh, sa më dhemb shpirti, kur shoh se si vdes një gjak i ri. Sigurisht që ai do të kishte shpëtuar, po të kishte pasur mjek dhe ilaçe. Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin që të zëvendësoja atë që mungonte dhe të bëhesha vetë mjek. Sikur këto letra të bien një ditë në duar të huaja do të qeshin për optimizmin me të cilin po shkruaj, në lidhje me këtë qëllim që i kam vënë vetes. Të bëhem mjek, kur nuk kam as shkollë, as dije, as përvoje. Nuk do të guxoj të shëroj sëmundjet e komplikuara, por sëmundjet e zakonshme që shërohen me mjete të thjeshta. Këtë do ta bëj. Uroj që për mjetet që na mungojnë, të na japë Zoti i madh, bekimin e tij. Ajo çka forcon bindjen time, është besimi që kanë kur vijnë e më pyesin herë pas here për sëmundjet që kanë.

 “Zogjtë thonë lutjen e tyre të mbrëmjes”

14 gusht 1905

Jam ulur para famullisë me ditarin tim në dorë dhe po mundohem të përshkruaj ngjarjet e fundit. Por disi nuk më vjen. Pas ditëve të nxehta të verës ka ardhur një mbrëmje e mrekullueshme. Një erë e këndshme lëviz majat e pemëve, gjinkallat gumëzhijne nga të gjitha anët, ndërsa zogjtë thonë lutjen e tyre të mbrëmjes. Por ajo çfarë më tërheq më shumë vëmendjen time është një lutje tjetër e mbrëmjes, e cila këndohet nga disa zogj të tjerë. Ato janë fëmijët e vegjël, vajza dhe djem të cilët kthehen me dhentë e tyre nga kullotat në male. Dhe këndojnë! Janë zërat e tyre të vegjël që përhapen në të gjithë hapësirën. Sa bukur kumbojnë! Para shumë kohësh, në këtë vend ka pasur priftërinj, të cilët i kanë lënë këtij populli këtë traditë të mrekullueshme. Janë këto këngë të shenjta të cilat këndohen kudo sot. Në to perfshihet komplet katekizmi. Krijimi i botës, të gjitha historitë e testamentit të vjetër, jeta dhe vdekja e Krishtit, dhjetë urdhërimet, shtatë sakramentet, me një fjalë të vetme, në to përfshihet gjithçka çfarë një i krishterë i mirë duhet të dije. Vetëm ne mund të gjykojmë sot, se sa qetësuese dhe sa mbresëlenëse ka qenë puna e këtyre njerëzve të veshur me rroben e priftit. Eshtë shumë e vështirë të japësh mësime katekizmi këtu, duke marrë parasysh marrëdhëniet e vështira që kanë njerëzit. Prandaj këto këngë janë ndihmë e madhe për mua, pasi këto i dinë të gjithë.

“Unë jam bërë me të vërtetë mjek”

5 shtator 1905

Unë jam bërë më të vërtetë mjek. Para një muaji erdhi një grua, një vejushë e mjerë, të cilës ia kishin vrarë burrin për gjakmarrje. Ajo kishte gjashtë fëmijë dhe më i madhi ishte 14 vjeç. Më vete solli fëmijën më të vogël. Kjo krijesë e gjorë ishte 4 vjeç, por nuk mund të ecte. Trupi ishte shumë i enjtur dhe i fortë për t’u prekur, gjymtyrët s’ishin aspak rezistente dhe krejt të pafuqishme. Me duhej ta ndihmoja, por si? E ndjeva që s’mund të bëja ndonjë gjë, kështu që e luta gruan të qendronte në famulli dhe të flinte aty dhe pastaj e dërgova me kalin tim, të shoqëruar nga një shërbetor, për në Kallmet, aty ku ishin murgeshat, të cilat punonin si mjeke. Në darkë u kthye përsëri shumë e gëzuar dhe e qetësuar, me dy shishe ilaçe që i kishte marrë atje.

Pas një jave erdhi përsëri së bashku me fëmijët, por kësaj here tepër e mërzitur. “Fëmija nuk është aspak më mirë!” dhe m’u lut e më zuri be, që ta ndihmoja. Dhe ashtu bëra. Ato çfarë i dhashë asaj ishin disa ilaçe të lehta për shkarkimin e ujrave. Të them të vërtetën nuk kisha shumë besim tek veprimi i këtij ilaçi. Por ç’ndodhi? 3 javë më vonë erdhi ajo grua tek unë dhe më tregoi me sy që shkëlqenin, që fëmija ishte shumë më mirë. Trupi ishte zvogëluar dhe tashmë fëmija kishte filluar të ecte. Ajo m’u lut t’i jepja përsëri ilaçe. Dje shkova në kasollën e kësaj gruaje të ve. Në hyrje të kasolles qendronte drejt në këmbë pacienti im i vogël dhe pa e ndihmuar askush bëri hapa drejt meje. Nxora nga xhepi një copë të vogël sheqeri. Pastaj i dhashë një qese me fasule dhe një me sheqer për të emën. Duhej pasur kujdes me rregullat, që të mos turpëroheshin njerëzit e varfër. Nëse vinte në shtëpi ndonjë mik, duhej të lutej me kafe, madje dhe në kasollet më të varfëra. Kështu është tradita e shenjtë. Eshtë turp nëse nuk ndodh kështu. Unë duhej ta merrja me mend, që këtu mungonte gjëja më elementare.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Një nuse demokratike për mbretërinë shqiptare
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
1920-1924/ Qëndrimet në parlamentin shqiptar për çështjen e Kosovës
Letërkëmbimi i panjohur me Androkli Kostallarin/ Një vit para pushkatimit, Genc Leka kërkoi të bëhet bashkëpunëtor në Institutin e Gjuhësisë, por…
Legjenda Uran Kostreci, u dënua tre herë, vuajti: 22 vjet, 10 muaj, 6 ditë
Mërkur Bua Shpata/ Si ndryshoi historinë e Zvicrës me 300 kalorës shqiptarë
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>