Jonathan Jones, The Guardian

Mund të ketë ardhur koha që artistët të mos lejohen më të bëjnë skulptura. Thjesht e kanë humbur aftësinë për diçka të tillë. Arti që dikur na dha Davidin e Michelangelo-s dhe “Les Bourgeois de Calais” të Rodin-it, ka degjeneruar në një lëmë cinik gdhendjesh të dorës së dytë që po mbushin sheshe qytetesh, stacione trenash dhe hapësira të tjera publike në të gjithë botën me parodi të shëmtuara, tarallake dhe nganjëherë llahtarisëse të formës njerëzore.

Një prej këtyre artistëve të tmerrshëm ka kërkuar më në fund falje për krimet e tij ndaj shijes së mirë. Skulptori Dave Poulin shkroi në “Hollywood Reporter” duke pranuar përgjegjësinë për “Scary Lucy”, një statujë bronzi e yllit legjendar televiziv Lucille Ball e vendosur në vendlindjen e saj Seloron, Nju Jork, e cila ka shqetësuar dhe ofenduar vendasit.

Poulin e ka portretizuar Ball si një pijanece të çmendur, me një përpunim ngathtaraq dhe dangall të tipareve të fytyrës së saj duke i bërë ato të ngjajnë monstruoze. Por ai nuk është i vetmi skulptor që shëmton hapësirat publike me statuja të këqija. Artistë të tjerë duhet të kenë mirësinë që të dalin përpara dhe të pranojnë mungesën e zotësisë dhe shijes.

Ku është, për shembull, kërkesa e ndjesës nga Maggi Hambling? Sa herë kaloj ndanë skulpturës së saj “Bisedë me Oscar Wilde” pranë Trafalgar Square, pushtohem nga krupa dhe zemërata.

Me ç’duket, në vitin 1998 ngjante ide e mirë që të krijoje një bust të shkrehur të Wilde që ngrihet nga arkivoli duke tymosur një cigare, por përpunimi pa strukturë i filigranit të bronzit dhe ekzagjerimi i kotë i arkivolit rezultojnë në një vepër arti të tmerrshme. Vetëm sikur kjo statujë të qëndronte lart në mënyrë që të mund të hidhej poshtë.

Statujat e këqija mund të shkaktojnë trazim, madje edhe frikë. Në fund të fundit, ka diçka të përzieshme në replikimin e formës njerëzore. Te “Don Zhuani” i Mozartit dhe “Kalorësi i Bronztë” i Pushkinit, statujat vijnë ngjethshëm në jetë, dhe këto makthe letrare bëhen të vërteta kur aksidentalisht statujat bien në një shëmti zombish që llahtaris kalimtarët.

Imagjino të ndeshesh me një statujë të Margaret Thatcher në një natë të errët – veçanërisht një të skalitur aq keq sa ajo që vendosën në Falkland Islands vitin që shkoi – ku fytyra e saj është mballosur skamnore dhe vdekatare. Përgjegjësi për këtë kob quhet Steve Masson.

Mbetet mister se përse këto statuja gjoja realiste vazhdojnë të shfaqen kudo në botë kur kaq shumë prej tyre janë të rëndomta dhe të këqija. Arti modern supozohej ta kishte vrarë këtë lloj realizmi vulgar. Picasso na dëshmoi që një skulpturë e madhe mund të jetë një kokë demi e ndërtuar me shalë dhe doreza biçiklete. Përse, atëherë, vazhdojmë të derdhim shkërbime të lodhura të të famshmëve?

Në Bashkimin Sovjetik, doktrina e realizmit socialist çoi në krijimin e marrëzive shastisëse të tilla si përkujtimorja e Stalingradit, e cila mbulon një kodër të tërë me statuja bizarre të armatosura me automatikë. Mund të mendoni se Europa Lindore ka përjetuar kiç mjaftueshëm sa për të zënë mend, por së fundmi Budapesti u bë me një statujë të Peter Falk me pardesynë e tij si Inspektori Kolombo, duke i bërë vendasit të kruajnë kokën.

Por Britania nuk ka gojë të flasë. Jo derisa kolosi gjytyrym i dashnorëve të përqafuar që ngrihet në stacionin St Pancras – idiotik në shkallë dhe pa jetë artistike – të shkrihet me urdhër të parlamentit.
Ka vetëm diçka të mirë për t’u thënë mbi gjithë këto statuja të tmerrshme. Ato janë pjesë e edukimit për dallimin ndërmjet artit të mirë dhe të keq. Thjesht duke parë dështimin e tyre, brezat që vijnë mund të krijojnë më mirë.

Ekziston një precedent. Grupi i mermertë i skulpturave të Baçio Bandinelli-it, ku Herkuli dhe Kaku paraqiten në trashësi të palatuar jashtë Palazzo della Signoria në Firence, është përtallur masivisht që kur është përuruar në shekullin e 16. Me të drejtë u quajt “thes me bostane”. I paformë dhe statik, ai është një turpërim ndaj Rilindjes.

Sidoqoftë, ai i frymëzoi artistët rivalë për vepra më të mira, thjesht për të treguar pavlefshmërinë e Bandinelli-t. Benvenuto Cellini mendoi madje ta vriste atë, por në këmbim krijoi skulpturën e tij të Perseut në të njëjtin shesh për të treguar sesi duket arti i vërtetë.

Ndoshta në Një Jork, Budapest apo Londër, pikërisht tani, një artist i ri është kaq i inatosur nga statujat tona turpëruese të shekullit 21, sa ai apo ajo po mëson sesi t’i bëjë si duhet. Kjo do t’i jepte natës së zombive të bronztë një përfundim të lumtur.

Perktheu: Ervin Qafmolla

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

I lirë për të mos menduar?!
Gardhi i shtyrë dhe berri i vjedhur si kulturë
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
Për nji shtatore të Arshi Pipës në qytetin e Shkodrës
Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>